Llesh NDOJ: Në vend të një urimi
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 4 min read

SHQIPËRIA MË KA DHËNË EMRIN SHQIPTAR. DHE PËR MUA, KJO ËSHTË GJITHÇKA.
- Pesha e madhe e atdhedashurisë së një Kampioni Bote -
Nga Llesh NDOJ
Djaloshi nga Lezha, biri i njërës prej familjeve më të njohura në Shkodër e Lezhë, e ngriti shumë lart në Londër prestigjin e Shqipërisë, duke qenë i pari dhe i vetmi deri më sot kampion bote, që mbron ngjyrat kuq e zi. Ky titull botëror, pa as më të voglin dyshim, është krenari për çdo shqiptarë, e natyrisht edhe për mua që e kam djal të një miku. Me të gjithçka na bashkon e asgjë s’na ndanë, por edhe bashkëqytetarin tim të nderuar lezhjanë. Përmasat e kësaj krenarie mu shumëfishuan sapo lexova edhe intervistën e tij të parë pas kurorëzimit me titull botëror, dhënë zotit Ilir Demaliaj e botuar në gazetën “Tema” online, datë 26 tetor 2025. E gjithë intervesta e tij vjen pa asnjë shenjë mendjemadhësie e kryenaltësie boshe, por me krenarinë e ligjshme të një arritje të shumëdëshiruar, falenderuese për familjen e tij të mrekullueshme e stafin që e përgatit dhe e stërvit atë, por mbi të gjitha me një ndjenjë krenarie të pa shtirur që ati i jep të qënit shqiptar.
O zot, sa fort e sa bukur më tingëlloi në shpirt sot përgjigja e tij ndaj pyetjes së gazetarit në se do t’a sillte titullin në Shqipëri dhe pse duhet t’a bënte këtë, apo se çfarë i kishte dhënë atij Shqipëria. Kampioni nuk tha hiç më shumë e as më pak se “Shqipëria më ka dhënë emrin shqiptarë. Dhe për mua, kjo është gjithçka.”, duke u bërë kështu shembull frymëzimi për brezin e tij. Këtë përgjigje duhet t’a lexojnë i gjithë brezi i shqiptarëve emigrantë nëpër botë, disa edhe talentë në fushat e tyre, që as që duan t’ia dinë se janë shqiptarë, duhet t’a lexojnë të gjithë të rinjtë e sotëm që presin gjithçka nga Shqipëria, por nuk duan të japin asgjë për të dhe zgjedhin si rrugën e vetme emigrimin, duhet t’a lexojnë ata të rinj që kanë hyrë në politikën shqiptare nga “dera e pasme” pa asnjë kontribut real, ndonjë edhe pa arsim të lartë të mbaruar, (se diploma ka boll tek tregu i “gabit” buzë Lanës) dhe krekosen si gjela nga parlamenti apo nëpër ekrane, duhet t’a lexojnë të gjithë politikanët tanë, të ri e të vjetër, që i kanë hyrë politikës për t’u pasuruar e për t’u krekosur mbi varfërinë e shqiptarëve dhe rrallë njohin identitetin e tyre.
- Pse duhet ta bëjnë këtë?

Kush e njeh familjen Uldedaj e di mjaft mirë se ajo është njëra nga familjet më të pasura në rajonin e Veriut të paktën dhe e gjithë pasuria e tyre vjen pa lidhje me ndonjë pushtet të ushtruar prej tyre. Jurgeni, ky djalë që sot na bëri krenar të gjithëve, nuk kishte asnjë nevojë ekonomike të hynte në rrugët e vështira, ndonjëherë edhe të rrezikshme të fitimit të famës e të pasurisë. Ai, ndoshta gjithë jetën e vet nuk do të kishte nevojë ekonomike, mjafton të menaxhonte pasuritë e trashëguara e të shtuara nga prindërit e tij, e po të ndiqte udhën e ndonjërit nga versnikët e vet edhe një mandat deputeti mund t’a blinte nga listat e kryetarëve të gjithpushtetshëm, në cilëndo parti që ta synonte ai. Por udha e shkurtër nuk të nxjerr kurrë aty ku duhet, ndaj me pasion e vetëdije për udhën e mundimshme që e priste, zgjodhi punën, stërvitjen, mundin e sakrificën edhe duke jetuar larg familjes së vet, për të mbërritur aty ku deri më sot nuk ka mbërritur asnjë shqiptar, duke patur atë nder e njohje në të gjithë botën, që as krerët e politikës nuk e kanë. Kjo është magjia e sportit, por përtej kësaj, kjo është magjia e punës së palodhur dhe e djersës së pastër.
Jurgeni i besoi Zotit dhe vetes, punoi shumë e arriti deri këtu, por (dhe kjo është më e bukura) ai ia dhuron këtë fitore Shqipërisë, duke thënë se ajo i kishte dhënë atij gjithçka, thjesht duke i dhënë emrin shqiptar. E ku ka më bukur se kaq! Madhështia e kësaj krenie kombëtare vjen më e plotë në se secili prej nesh e mëson të vërtetën se përveç ndonjë indicje fillestare dhe mbështetjes në ring gjatë ndeshjes prej thirrjeve e duartrokitjeve të shqiptarëve, asgjë nuk i shkon arritjes së tij nga Shqipëria. Ai vetë dhe familja e tij, ia kanë ofruar gjithë mbështetjen e mundëshme, që të stërvitet e të arrije majat me staf të plotë dhe nga më të mirët e me stërvitje jashtë Shqipërisë.
Jurgeni, ky djalosh i ri lezhjanë, sot kampion bote, nuk merr asgjë nga Shqipëria për t’u krekosur udhëve të botës, siç kanë bërë e bëjnë shumë të tjerë, kryesisht politikanë, përveç Flamurit me të cilin feston në ring dhe fitoret e tij të njëpasnjëshme, por sjell nga jashtë me krenari një titull kaq të madh dhe të gjithin ia dedikon Shqipërisë së tij të dashur, “që i ka dhënë atij emrin shqiptar”. Ndoshta që nga kohët e Rilindjes Kombëtare shprehje kaq të bukura e të përzemërta nuk kanë qarkulluar, ose kanë qarkulluar rrallë ndër ne, e kjo e bënë Jurgenin sot shumë më tepër se një kampion, një shqiptar të madh që e meriton të mbështillet me Flamurin tonë me ngjyrat Kuq e Zi. Ai, me fitoren e arritur dhe me dedikimin që i bëri vendit, meriton të konsiderohet një shqiponjë e vogël në sfondin Flamurit tonë të madh kombëtar.
Jemi krenar me Ty, Jurgen!
Lezhë, më 26. 10. 2025









Comments