Llesh NDOJ: KODI I GJAKUT DHE IKJA E NJË MODELI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 8h
- 7 min read

KODI I GJAKUT DHE IKJA E NJË MODELI
- Fatos Nano, apo fundi i një modeli -
Nga Llesh NDOJ
Kanuni i Maleve, i njohur më së shumti edhe si Kanuni i Lek Dukagjinit, Kanuni i Shtjefën Gjeçov Kryeziut, apo thjesht Kanuni, për rreth 4 - 5 qindvjetësha ka qenë kushtetuta, kodi civil, kodi penal dhe moral, kodi administrativ dhe kodi familjar i njërës nga pjesët më vitale të trojeve shqipfolëse, Gegnisë. Në disa zona, ku nuk mbërrin shteti e kryesisht për çeshtje të cilat nuk gjejnë zgjidhje të përshtatshme në kodet moderne, ky Kanun ka gjetur dhe gjen edhe sot e kësaj dite përdorim praktik, duke e shndërruar atë në “ligjin themelor” më jetëgjatë jo vetëm ndër shqiptarë, që edhe sot është ende në përdorim. Ai është ndër të paktat dokumenta shqiptare me vlera që i mbijetoi edhe histerisë komuniste pesëdhjetëvjeçare, duke ardhur deri në ditët tona si një shoqërues e rregullator i jetës sonë, duke mbuluar zonat e çështjet ku shteti ka munguar, ose ka qenë (edhe në shumë raste është), jo i pranishëm, apo prania e tij është jo në nivelin e duhur.
Ky Kanun, apo kod i kodeve, fatmirësisht “jeton” edhe i shkruar, përveçse si një traditë e transmetuar gojarisht brez pas brezi, falë gjenialitetit dhe përgjegjshmërisë atdhetare të një kleriku katolik, Atë Shtjefën Gjeçov Kryeziut, mbledhësi e kodifikuesi i tij ekselent, por fatkeqësisht ai sot anatemohet si primitiv e nxitës i gjakmarrjes, pa dyshim kjo një plagë e thellë shoqërore, jo vetëm shqiptare. Dhe më e keqja vjen se ky anatemim vjen nga njerëz që as e kanë lexuar atë, as kanë dëgjuar gjë të saktë rreth tij, as nuk kanë qoftë edhe një argument kokëfortë për këtë. Edhe pse qëllimi i kësaj analize nuk është argumentimi i të kundërtës, e pranishme kjo në frymë dhe në çdo nen e pikë të Kanunit, nuk mund të rri pa përmendur se thelbi i tij, nuk është vrasja, por pajtimi, nuk është diskreminimi i të vrarit, por vlerësimi i tij edhe atëherë kur ndodh që dikush vret dikë në rrethana të caktuara. Sipas Kanunit gjaku falet, gjaku paguhet, ose lahet me gjak, por kur gjakmarrja nuk ndodh “gisht për gisht”, apo “aty për aty”, nuk mund të merret gjak pa pleqni (gjykim). A nuk ndodh njëjtë në sistemin e sotëm modern e ligjorë? Vrasje ndodhin edhe sot. Fatkeqësisht për çdo ditë e për motive logjikisht të pa argumentuara. A nuk është edhe sot gjykata që i shqyrton rrethanat e vrasjes, kushtet lehtësuese apo rënduese të aktit, dhe në përputhje me to e cilëson veprën penale dhe e dënon vrasësin? Deri vonë ky dënim, sidomos në vrasjet me dashje e me paramendim, ishte me vdekje (ka vite që ky dënim është hequr si detyrim europian, ndonëse edhe vende me jetëgjatësi shtetformimi shumë të hershme e kanë dhe e zbatojnë atë ende), ose cakton dënim me burg në një interval të gjerë të masës së dënimit, me maksimalja 35 vite e minimalja… disa herë edhe qesharake dhe për më keq, ky dënim i fajtorit nuk sjell pajtimin e palëve në konflikt, në më të shumtën e rasteve, ndërsa Kanuni, bashkë me faljen ose pagimin e gjakut, realizonte edhe pajtimin. Koha kur e ku veproi Kanuni, s’kishte burgje e administratë, por kishte gjykime e “gjyqtarë” popullorë të mrekullueshëm që gjithë vemendjen e përqëndronin tek falja dhe forcimi i unitetit, e në mungesë të saj tek pagesa, e nëse nuk arrihej kjo, nuk hiqnin kurrë dorë nga shmangia e vrasjes.
Më nxitën t’i shkruaj këto radhë disa gjykime dhe mbresa nga ceremonia mortore e përcjelljes në jetën e amshueme të disa herë ish - kryeministrit shqiptar dhe kryetarit historik të Partisë Socialiste të Shqipërisë, partia më reformatore shtetformuese shqiptare e derisotme. Për herë të parë në historinë moderne shqiptare ndodhi që në këtë ceremoni të “gjente zbatim” edhe Kanuni. Ishte pikërisht fryma e tij liberale që i bëri thuajse të gjithë bashkë, ndoshta për herë të parë nën dritën e diellit. Them nën dritën e diellit, se në terr e me kulisa dhe në takime pas kuintave në dëm të Shqipërisë, jam i bindur se ata mblidhen shpesh. Aty ishin të gjithë: përkrahësit e ithëtarët e Nanos dhe bashkëpunëtorët e inatçorët e tij, ishin ata që në të gjallë të vet si ktyeministër ose si kryetar partie, i mbajtën çantën e çadrën dhe kur “ra nga fiku” e harruan krejt ekzistencën e tij, ishin të pranishëm miq edhe armiq, ishin gruaja dhe ish - gruaja, fëmijët biologjikë e të birësuarit, ata që e përjetuan me dhimbje largimin e tij dhe ata që mezi pritën `që ai të largohej nga kjo botë. Hiqi kësaj sjelljeje jo të zakonshme hipokrizinë, dozat e së cilës ishin helmuese, pikërisht këtu shfaqet një nga “madhështitë” kanunore. Sipas tij, edhe kur në rrethana të veçanta e vrisje tjetrin duhej:
- T’ia ruash gjenazen nga shëmtimi;
- Të njoftoje palën e vrarë, se kush e pse e ka vrarë; dhe,
- Të kërkoje besë (leje) për t’a varrosur atë.
Kështu vepruan shumica edhe në rastin e të ndjerit Nano. Shkuan në ceremoni gruaja dhe ish gruaja, ithëtarët e jo ithëtarët socialistë si pjesë e familjes së tij politike, bashkëpunëtorët që si kryeministër ia panë hajrin, por edhe ata që i panë sherrin, ishin bashkë miq e armiq, nën maskën e dhimbjes për të…
Në fakt, “ishte” aty edhe ai që e “vrau” politikisht dhe e burgosi fizikisht, Sali Berisha, dhe ishte pikërisht me simbolikën e krahut ekstrem të forcës politike që udhëheq, i përfaqësuar nga Flamur Noka, që në përbaltjen e tjetrit s’njeh as ligj, as normë njerëzore, as normë zakonore. “Ishte” aty edhe Ilir Meta që e gërreu më shumë se çdo përrua i rrëmbyeshëm shtratin e qetë të udhëtimit të tij politik dhe që me instalimin e klaneve e grupazheve në partinë që Nano udhëhiqte e të korrupsionit galopant në qeverinë e drejtuar prej tij, e detyroi atë të dorëhiqej e të lëshonte pjesë qenësore nga fuqia e pushtetit të vet, ishte edhe kryeministri Edi Rama që nuk e kurseu “plumbin” sapo iu dha mundësia, duke kryer atëvrasje të pamëshirshme ndaj Nanos, që ia hapi udhën e dyert e politikës dhe që i përgatiti ekzistencën aq të gjatë në pushtet dhe politikë. Dhe bënë shumë mirë që ishin, ndonëse të gjithë, familja natyrore e ajo politike, miq e armiq të tij, nuk ishin aty për të, por për nevojën që ndjejnë për t’a përdorur fytyrën e tij si maskë të poshtërsive të veta, që nuk kanë limit e nuk njohin as fund.
Me ikjen e Nanos iku praktikisht edhe një model politik. Ai ishte intelektual liberator, drejtues i reformuar dhe njeri që vlerësonte jetën, ndoshta duke e kuptuar më shumë e më mirë se të tjerët se çdo hap në të është njëkohësisht edhe një rendje drejt fundit të saj. Ai, me natyrën liberale që kishte, ndoshta la shumë punë pa bërë në shtetin tonë, por bëri aq shumë sa të gjithë këta të tjerët së bashku nuk i kanë bërë deri më sot. Ishte intelektualizmi dhe liberalizmi i tij që “zbuti” egërsirën më të tmerrshme në trojet tona, ish - Partinë e Punës së Shqipërisë që për pesëdhjetë vite na përdori si kavie eksperimentale dhe krijoi e reformoi Partinë Socialiste të Shqipërisë, organizëm politik që çdo ditë po dëshmon se është më e mira në “vathin” e madh të politikës shqiptare. Nano shkoi në burg, e qëndroi në burg “në paqe” me veten e ndjekësit e tij, asokohe të shumtë. Ai nuk doli nga burgu as kur Saliu i shkatërroi për interesat e veta dyert e tyre. Ai e fali dhunuesin e vet Sali Berishën, duke i dhënë shanse familjes politike shqiptare të reformohej, por nuk gjeti aty partneritetin e kërkuar. Ai i fali ata që brenda familjes së tij politike i punuan nën rrogoz e deshën t’a flakin, duke i bërë disa herë ministra (ndonjërin edhe pa portofol mendje) e kryeministra, u ul në tavolinë me Berishën, kundërshtarin e tij të përjetshëm, për të paqtuar politikën brenda Shqipërisë, por edhe me kasapin e Ballkanit, Millosheviçin, për të përparuar udhën drejt pavarësisë së Kosovës shqiptare. Shkoi në kancelaritë europiane e botërore, duke dëshmuar se shqiptarët nuk ishin ata “njerëzit me bisht” si donin t’i njihnin ata, por një popull i kulturuar në zemër të Europës. U përpoq të ulej me Ramën e së bashku t’i jepnin udhë modernizimit të shtetit, duke synuar presidencën, por Rama e deshi Nanon “të vdekur” e jo të varrosur, pikërisht për shkak të modelit politik që përfaqësonte, ashtu siç bëri edhe me fjalimin e tij para trupit të pa jetë. Nano, jam i bindur, bëri përpjekje edhe për t’a ruajtur familjen biologjike të plotë dhe ndonëse nuk ia arriti kësaj për 25 vitet e fundit, pjesmarrja e ish gruas, e dy fëmijëve biologjik krahas fëmijës së birësuar dhe bashkëshortes së fundit, i dëshmoi këto përpjekje.
Nano u largua nga politika përnjimend me dorëheqje prej njëzet vitesh të shkuara dhe nuk iu ngarërrua askuj “nëpër këmbë”, duke dëshmuar vizion të qartë politik e përgjegjshmëri intelektuale, ndryshe nga Berisha që edhe kur dorëhiqet mbetet po ai e po aty, apo Rama që deri më sot ndoshta s’ka patur arësye, por dyshoj se e bën këtë gjë edhe në rrethana si të Nanos.
Fatos Nano “rriti” pasardhës edhe në familjen politike, por as Rama, as Berisha, jo më të tjerët, nuk e dëshmojnë këtë përgjegjshmëri, për t’a lenë si trashëgimi pas “vdekjes” politike që s’e njohin, apo asaj biologjike, që si për të gjithë të tjerët, nuk ka për t’i përjashtuar nga ligjësia e ikjes, e cila nuk miratohet në parlamentin e kukullave të tyre të pa mend, as në qeveritë hajdute me jesmen, ashtu si edhe Kanunin nuk e miratoi askush, por u krijua nga mençuria popullore nisur nga nevoja për të rregulluar bashkëjetesën dhe normat morale në shoqëri, dhe u mblodh e u kodifikua nga Atë Shtjefën Gjeçovi, duke gjetur zbatim me përpikmëri nga mbarë shoqëria shqiptare e asaj kohe.
Nano iku dhe iku në moshë relativisht të re, por unë shpresoj që bashkë me të mos jetë varrosur përfundimisht edhe modeli i tij politik.









Comments