Llesh NDOJ: ATȄ GJERGJI NUK KA ÇMIM!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 7 min read

- Një veprimtari e denjë në përvjetorin e 154 - t të lindjes së Atë Gjergj Fishtës -
Nga Llesh NDOJ
Me 23 tetor 2025, në sallën e Pallatit të kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, nën kujdesin e organizimin e Bashkisë u zhvillua Konkursi Letrar Mbarëkombëtarë për ndarjen e çmimit “Atë Gjergj Fishta”, edicioni i vitit 2025. Ky konkurs tashmë po bëhet i përvitshëm dhe po merr gjithnjë e më tepër peshë reale në veprimtaritë e shumta kulturore e artistike që zhvillohen këtu, duke e tejkaluar Lezhën e vendlindjes së kolosit shumëplanësh Atë Gjergj Fishta, e duke marrë gjithnjë e më shumë tiparet e një veprimtarie mbarëkombëtare. Ndoshta organizimi i sivjetshëm shënonte edhe kulmin e këtij aktiviteti, të paktën për edicionet e deritanishme. Këtë kulm e dëshmoi qartë numri i lartë dhe gjeografia e shpërndarjes së konkurentëve, numri i shumtë i personaliteteve që nderuan me pjesmarrjen e tyre dhe sidomos interesimi i qytetarëve lezhjanë që kishin mbushur sallën e madhe të pallatit të kulturës, si pak herë këto kohët e fundit. Vjen e gjitha kjo si një pasqyrë reale e interesit që lezhjanët tregojnë për artin e kulturën, por sidomos i ndjeshmërisë që ngjall tek ata emri e figura e Atë Gjergj Fishtës. Sipas komisionit të kryesuar nga poeti i njohur Rudolf Marku, e ku ishin anëtarë edhe zj. Erenestina Halili, studjuese e njohur, dhe z. Bajram Kosumi, figurë politike e njohur në Kosovë dhe njeri i letrave, në konkurim ishin mbi 80 pjesmarrës në gjininë e prozës, poezisë dhe përkthimit dhe për çdo gjini u dha nga një çmim “Atë Gjergj Fishta”. Në poezi ky çmim iu dha z. Lulzim Tafa, poet kosovar, në prozë z. Ermal Hasimja, qytetar i Tiranës me origjinë kosovare, dhe në përkthim zj. Milena Selimi nga Tirana, qytetare shqiptare me kombësi bullgare (këtë fakt e mësova prej asaj në fjalën përshëndetëse që mbajti, ashtu si edhe për z. Hasimja, që nuk e dija më përpara se ishte me origjinë shqiptar i Kosovës). Të tre fituesve ju uroj suksese dhe nuk kam as më të voglin dyshim se ata e kanë merituar vlerësimin e dhënë nga juria. Fjalët në vijim nuk kanë të bëjnë aspak me ata!
***
Le ta marrë vesh bota mbarë,
se padër Gjergji s’është ma shqyptar…, është një perifrazim i vargjeve - revoltë të poetit e atdhetarit tonë të pashoq, i cili në rrethana të caktuara e të njohura, kryesisht nisur nga fakti se shqiptarët pak ose aspak vlerësohen në vendlindjen e tyre, por që për shumë kohë u shfrytëzuan nga regjimi komunist në përpjekjen tinzare për t’a zvogëluar figurën e tij, duke i hapur udhë ngritjes së pseudofigurave, dhe për t’a përjashtuar letërsinë e tij nga letërsia shqipe, duke i hapur udhë shkrimtarëve socrealistë të oborrit të regjimit. U deshën dekada që Ai dhe kontributi i tij të njihen, të vlerësohen e nderohen, ndonëse ende jo aq sa e meritojnë, sidomos lidhur me mungesën e krijimtarisë së tij në tekstet shkollore. Gjuha shqipe e dialektit geg, nuk mund të përdoret si justifikim për këtë. Ajo gjuhë (dialekt) e meriton të zërë vendin që i takon në gjuhën e folur e të shkruar shqipe, si pjesë e standartit e jo si kundërshti e tij dhe kjo po ndodh realisht, ndërsa organet që kanë detyrë ta reflektojnë në standart këtë zhvillim, si gjithnjë, vihen në lëvizje me zor e me shumë vonesë. Me këtë konkurs dhe me një sërë veprimtarish që e paraprinë dhe e ndjekin atë, Bashkia Lezhë po jep ndihmesën e saj në drejtimin e duhur. Solla fjalët e mësipërme të perifrazuara nga Atë Gjergji për të thënë se unë e vlerësoj shumë këtë që po bëhet, se ajo që bëhet është shumë pak për madhështinë e Fishtës, se “revolta” ime nuk ka të bëj me arësye personale, por shkon më tej.
Ja disa mendime:
- Komisioni i vlerësimit tha se ishin të vetmit “humbës” në rastin e këtij konkursi, se ata kishin qenë të detyruar që brenda një muaji, secili prej tyre të lexonte e të gjykonte për më shumë se 80 libra. Shpjegimet si më sipër erdhën prej tyre si “transparencë” e punës së bërë, por realisht ishin të tepërta e vendosën edhe ndonjë pikëpyetje, mbase të panevojshme mbi vetë procesin. Kushdo e kupton, se edhe pa asnjë angazhim tjetër familjar e shoqëror, leximi i 80 librave në një muaj, për më tepër leximi i tyre për gjykim e vlerësim në kuadrin e një konkursi, është i pamundur. Le që të tri personalitetet e jurisë janë njerëz edhe në moshë, edhe me angazhime të shumta krijuese, studjuese e organizuese, të tilla që ua pamundësojnë të marrurit 24 / 24 dhe 30 / 30 me këtë punë. Edhe, larg qoftë, i burgosur të jesh, ku përveç përgjigjes së thirrjes në apel nga gardianët s’ke punë tjetër, ku s’ke familje pranë, fëmijë, nipa dhe mbesa, ku edhe tryeza nuk të merr kohë se s’ke ç’të hash, ku gjumi s’të zë sa nga hallet e sa nga kushtet e papërshtatshme, zor me i lexue e me gjykue mbi 80 libra në një muaj, pasi i bie të lexohen gati tri libra në ditë, gjë që më duket e pamundur. Meqë kjo, sipas meje, nuk mundet, më lind e drejta të pyes se cilat kritere të pashpallura ka vu në punë kjo juri e nderuar? Po. Nëse vërtetë anëtarët e jurisë do të kishin mundur t’i lexonin e të reflektonin ndaj çdo vepre të paraqitur në konkurim, vërtetë vetëm ata janë “të humburit” e mëdhenj, sepse personalisht do të ndjehesha mirë për mundësinë që ky konkurs mëdha që vepra ime e paraqitur në konkurs të lexohet me vëmendjen e “mësuesit” nga tri personalitete si ata.
- Konkursi bëhet për vlera letrare kombëtare dhe kjo përmasë është e pranueshme dhe e pëlqyer, por si ka mundësi që komisioni nuk gjeti asnjë vepër të autorëve lezhjanë, konkurues që s’ishin pak, ta vlerësonte? Gjergj Fishta lindi e u formua në Lezhë, aktiviteti zhvillohej në Lezhë, pjesmarrës nga Lezha pati në të tri gjinitë, disa prej tyre si Zef Përgega apo Nikoll Njeçi, edhe u lëvdëruan nga kryetari i jurisë, një shtëpi botuese nga Lezha që mban emrin e Fishtës kishte një libër në konkurim… Pse të mos e fitonte njërin nga çmimet një prej atyre veprave, ndoshta një “Gjergj”, një “Zef”, një kushdo që e lexon veprën e Fishtës pa përkthyes e i referohet Atij në krijimtari, duke e patur edhe idhull. Më tej akoma, ky duhet të ishte kriter i shpallur e nëse askush nuk e meritonte, një në tre çmimet të mos jepej fare, duke u bërë kjo edhe si nxitje që lezhjanët krijues të lëvrojnë letërsi cilësore si deri më sot, dhe të vazhdojnë të jenë protagonistë në konkurim e në pjesmarrjen në këtë konkurs, pa të cilët, ashtu si edhe vetëm me ata, s’do të kishte kuptim.
- Unë e çmoj fort letërsinë kosovare, rritur nën represionin serb, por pa kornizat e socrealizmit tonë, ashtu siç i çmoj vlerat e përbotshme të letërsisë cilësore, por nuk arrij të pajtohem me qëndrimin e komisionit që në 80 konkurentë, zgjedh një shqiptar qytetar të Kosovës, një qytetar shqiptar me origjinë të Kosovës dhe një qytetare shqiptare me kombësi bullgare. Më gjykoni e paragjykoni si të doni, por unë nuk i njoh asnjërin prej tyre, as letërsinë e tyre, e s’kam asgjë personale me ta e me krijimtarinë e tyre, por ky “internacionalizëm” më del pak përtej kornizës tepër atdhetare të Atë Fishtës, patriot, diplomat, gjuhëtar, mësues e klerik katolik puro shqiptar.
- Pak më tej, nuk di cili nga anëtarët e jurisë e njeh gjuhën bullgare që t’a kishte lexuar veprën e vlerësuar me çmim edhe në origjinal e pastaj të vlerësonte përkthimin e zonjës së nderuar që e ka atë gjuhën e nënës. Më tej, vetë zoti Hasimja tha se libri i tij ishte “histori familjare” dhe nuk e di sa i shkonte atij libri çmimi me emrin e Atë Fishtës! Apo “internacionalizëm” i pastër, jo veç në kuptimin e kufijëve, por edhe në aspektin fetar e politik?
Që askush të mos lodhet të kërkojë “gjilpërën në kashtë” për të kundërshtuar këto konstatime si më sipër me pretendime xhelozishë personale, po e them vetë se edhe unë isha pjesmarrës në këtë konkurs me librin tim me poezi “Lutje në kishën time” dhe se kushdo që konkuron e mendon edhe fitoren, por unë realisht nuk e kisha këtë pritshmëri, për më tepër as nuk mund t’a pretendoja këtë sa kohë që veprat letrare të fituesve as që i njoh, e të bëj ndonjë krahasim të tyre me veprën time, gjithnjë sipas gjykimit tim. Pjesmarrja ime ishte në nder të Fishtës, me të parët e të cilit i përkasim të njëjtës origjinë dhe për faktin se unë atë e adhuroj. Në libër qëlloi të kishte edhe disa poezi përshpirtje, e Atë Gjergji padyshim, ka qenë një klerik katolik e teolog, hierark i besimit. Por ndonëse nuk e pretendoja për vete, nisur edhe nga pjesmarrja masive e cilësore, nuk e fsheh se shihja të lartuar me këtë çmim ndonjë Zef, Gjergj, Llesh, apo…
***
Asnjë çmim nuk mund t’i kënaqë të gjithë pjesmarrësit, as të gjitha shijet, e kjo është e kuptueshme, por meqë nuk ka shpenzime dhe në interes të masivizimit të pjesmarrjes, do të propozoja që për çdo gjini në edicionet vijuese të ndaheshin nga tri çmime: të para, të dyta, të treta dhe në secilin prej tyre, njëri të rezervohej për krijuesit lezhjanë ose të mos jepet fare (vend bosh), nëse asnjëri nuk e meriton. Jo të gjithë do të jenë të florinjtë.
Vlerat e Fishtës janë të pafundme. Ato sapo kanë nisur “të dalin në dritë”. Konkursi mbarëkombëtar për çmimin “Atë Gjergj Fishta” është një nga veprimtaritë me vlera, që po e bëjnë këtë dhe sa më sipër nuk ka asnjë qëllim për t’i zvetnuar këto vlera, përkundrazi. Si gjithçka tjetër në jetë, që s’është vepër hyjnore edhe kjo veprimtari në përkujtim të figurës, veprës e artit të Fishtës së madh, ka nevojë të përmirësohet e konstatim - propozimet e mija vijnë vetëm në këtë kuadër.









Comments