top of page

Llesh NDOJ: A ËSHTË KY FUNDI I NATYRSHËM I EPOKËS “TRUMP”?

10 minutes ago
6 min read

- Teza e hipoteza rreth zhvillimeve rajonale e globale, në kohë reale -


Nga Llesh NDOJ

       Ndoshta për shkak të teknologjisë së përparuar me ritme thuajse paparashikueshme të këtyre viteve, të lidhjeve e ndërvartësive globale ekonomike, tregtare dhe energjetike, bota sot më vjen në imazhin tim, krejt e zvogëluar, por edhe ndikimet e saj në përditshmërinë e secilit prej nesh, po për të njëjtat arësye, më të afërta se kurrë. Një pikë shiu në Sahara, duket se na e gjelbëron më shumë përditshmërinë tonë, e një thatësirë e zgjatur në Rusi, Ukrainë e Vojvodinë, na e thanë “hambarin” secilit prej nesh. Këto dy premisa globale, legjitimojnë edhe të drejtën që të shfaqim preokupimin tonë ndaj aktualitetit dhe perspektivës, edhe pse të ndërgjegjshëm se ai do të mbetet një zë në shkretëtirë, për më tepër kur zërat e arësyes, po mbyten gjithnjë e më shumë nga krismat e luftës.

         Periudha që pasoi fundin e luftës së ftohtë e shpërbërjen e ish - kampit socialist, pas trazirave të pashmangshme që shkaktoi ky proces veçanërisht në ish - Jugosllavi, që zgjati rreth 30 vite nën një qetësi të rrejshme, në vitet e fundit posaçërisht pas 2020 - s, është duke u pasuar nga trazira kombëtare, rajonale e globale të frikshme. Pa qenë analist e njohës i politikave botërore, bile as lokale, ku jo vetëm s’më “njeh kush” për të tillë, por as nuk e pretendoj brenda vetes këtë status, po mundohem të shfaq mendimin tim modest. E një analizë e tillë nuk mund të arrijë ndonjë konkluzion për të qënë, nëse nuk synon evidentimin e një apo disa faktorëve të qënësishëm globalë, ndryshimi i të cilëve e ka paraprirë këtë gjendje. Dhe në këtë përpjekje modeste, unë veçoj faktorin “Trump”.

        Amerika, gjithëherë e madhe, nën drejtimin e Tij u pretendua të bëhet edhe më e madhe seç ishte. MAGA e famshme, “Make America Great Again”, mbeti motivi me të cilin Trump erdhi në pushtet, por edhe u rikthye aty, pasi humbi në përpjekjen e dytë, tashmë më i vendosur për t’a bërë parullën e tij një realitet, së paku virtual, duke shtuar mbështetjen dhe fituar zemrën e amerikanëve, disi të lodhur nga luftërat e kujdestaria botërore e Amerikës. Po ç’nënkuptonte “Make America Great Again” e Donald Trump? Le të lundrojmë nëpër faqet e historisë së re.

        Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dekada të tëra që e kryesojnë botën, herë me politika paqësore e diplomaci, herë me politika tregtare, e herë të tjera me luftë, por gjithnjë kanë qenë të mëdha, hegjemone, udhëheqëse e aspiruese të botës demokratike, shtypëse e dekurajuese të fashizmit, nazizmit e komunizmit. Pra, ajo ishte e madhe për dashamirësit kudo në botë, por e gjithëpranuar edhe nga kundërshtarët konservatorë të saj. Të gjithë donin t’i ngjanin, edhe kur nuk e pranonin hegjemoninë e saj. Po a ishte e madhe ajo për amerikanët? Këtë s’di si t’a them nisur nga të dhëna reale, por nga perceptime e statistika botërore, mund të them: -Po! Sipas tyre amerikanët kishin e kanë nivelin më të lartë të demokracisë, mirëqënie ndër më të lartat në botë, sigurinë po e po, e gjithçka tjetër që u nevojitej për t’a shijuar jetën. Kurrë s’u pa e dëgjua sindroma që amerikanët të bëjnë presion për emigrim jashtë vendit të tyre, qoftë edhe drejt vendeve me demokraci e nivel jetese rekord, si fjala vjen, vendet skandinave. Përkundrazi, njerëz nga e gjithë bota shfrytëzonin e shfrytëzojnë edhe sot e kësaj dite çdo kanal, të ligjshëm e të paligjshëm, për t’u bërë nënshtetas amerikanë. Për çfarë do t’a bënte të madhe pra amerikën Trump - i? Vështirë të thuhet kjo, për më tepër në një analizë modeste si e imja, por e sigurt është se politikat e Tij ia zvogëluan asaj dukshëm rolin e “babait” të kombeve, fituar në dekada, komponentja diplomatike e politikës së tyre të jashtme, ia lëshoi dukshëm vendin politikave tregtare, për realizimin e të cilave lufta mbeti alternativa më e artikuluar në shumë raste.

      Trump - i mbeti në thelbin e Tij një tregtar i dëshmuar edhe në politikë. A e kujtojmë premtimin euforik e deri në delirant, se për dy ditë do t’i jepte fund luftës në Ukrainë. Po ç’ndodhi pastaj? Pasi u tallë keqas me presidentin Ukrainas, i kërkoi atij, praktikisht, shitjen e një pjese të vendit, më saktë, faljen e tij në këmbim të armatimeve e ndërmjetësimeve për paqen. E kjo s’ishte dosido, por pasuria e me minerale të rralla e Ukrainës në luftë. Kjo nuk funksionoi, falë karakterit luftarak të ukrainasve, dhe Trump menjëherë ia “shkeli syrin” Putinit: - Tregto naftë e lufto i qetë për idealet tua, tingëlloi veprimi i tij. Nga dhjetë e njëzet dekrete në ditë, a thua ishte në një lojë “rombi fiton”, nxori për tarifat tregtare me të gjithë vendet e botës. Qasja e Tij e dobësoi ushtarakisht Europën (Bashkimin Europian), duke u tërhequr menjëherë nga mbiangazhimet në NATO, e duke kërkuar më shumë blerje armatimesh nga amerika, dhe në këmbim të çdo hezitimi, i vinte asaj përpara listën e tarifave tregtare të shumëfishuara. Pastaj, inkurajoi hapur e dukshëm Izraelin, i cili e rrafshoi Gazën dhe përparoi shumë në ëndrrat e Tij për të mos patur njështet palestinez në tokën e shenjtë, për të vijuar më tej me përpjekjet për të ridimensionuar veten si lider botëror, përmes “Bordit të Paqes” që i frynë luftës. Nuk e njeh Gjykatën Ndërkombëtare, dhe shpik borde e lëvizje sovraniste, duke shpërfillur edhe OKB. Luftërat janë prezente në epokën e Tij më shumë se paqa, por Ai kërkon edhe çmimin “Nobel” për paqen! Ironia me fatet e globit, këtu shfaq anën e saj më kulmore.

         Politika ngri - shkri me Kanadanë, me Groenlandën, me Meksikën etj., ka në mes vetëm interesa tregtare. Fatkeqësisht edhe me Iranin, shkak i luftës që afekton krejt botën për arësye të naftës e të kanalit të Hormuzit, nuk është ekzistenca e një shteti islamik barbarë me shtetasit e vet, as rreziku global i tij për shkak të mundësisë së përdorimit të uraniumit në procesin e prodhimit të bombës atomike, por nafta dhe uraniumi i pasuruar për nevoja civile dhe ekonomike. Kjo përfshirje e drejtpërdrejtë me afera tregtare të njëanshme, shoqëruar me nxitje apo skena lufte, qoftë me pjesmarrje të drejtpërdrejtë, apo në prapavijë, nga ana tjetër kanë aktivizuar reagimin e rrymave ekstremiste kudo në botë. Qetësia është kthyer në një iluzion, e rendi botëror e ka humbur dukshëm ekuilibrin dhe praktikisht ndjehet i rrezikuar. Bota po rend të kthehet në shumë polare, por derisa të arrihet në këtë ekulibër të ri, trazirat mbeten në rendin e ditës. Islami politik ekstrem është i pranishëm gjithandej, ashtu siç janë në modë në shumë vende, lëvizjet me sfond neokomunist, veçanërisht në vendet europiane, të lodhura nga mbipërqëndrimi i kapitalit ekonomik e financiar gjithnjë e në më pa duar. Protestat e trazirat antikapital e antiautokraci, me sfond komunisto – islamik, kanë trazuar një pjesë të mirë të botës dhe janë në zhvillim e sipër, duke mbetur gati të paparashikueshme. Nga Shqipëria, Serbia, Greqia, Italia, Gjermania, Franca, Spanja, Portugalia, deri tek India, Irani, Palestina, etj., janë në zhvillim ngjarje e protesta rreth të cilave, pavarësisht diferencave, mund të dallohet qartë një sfond i përbashkët. Dhe këto zhvillimi janë bashkëudhëtare të luftërave “të nxehta” që vijojnë e duken në horizont. Shenja të ngjashme ka edhe në SH. B. A., në epiqendër të të cilave ndodhet vetë Trumpi, inspiruesi e arkitekti i MAGA - s.

      Po Shqipëria ku gjendet në këtë kostelacion global të epokës trampiste?

      Sigurisht që një vend i vogël si Shqipëria nuk mund të jetë as epiqendër, as pjesmarrëse me ndonjë rol përcaktues e shfaqjes që po luhet në amfitetrin botëror aktual, për shkak të largësisë e peshës që ka, por nuk mbetet as jashtë tyre, për shkaqe të përgjithshme dhe specifike. Shkaqe të përgjithshme janë ndërlidhja e ndërvarësia jonë me zhvillimet botërore, kurse ato specifike, pa injoruar aspak shurdhërinë qeveritare, e autoritarizmin e saj, lidhen, kryesisht por jo vetëm, me dy faktorë: - Proamerikanizmi ynë i shprehur e historik e mbeshtetja pa kushte e politikave anerikane në botë, si rrallë komb tjetër, nga njëra anë, dhe brishtësia e paqëndrueshmëria e brendshme, nga ana tjetër. Por trampizmi është ulur këmbëkryq edhe këtu, drejtpërdrejt dhe tërthorazi. Drejtpërdrejt Trump, përmes dhëndërrit e vajzës së tij, por edhe tregtisë së armëve, është përfshirë në marrëdhënie tregtare me Shqipërinë, gjë që ka ngjallur edhe reagime anti e xhelozi nga qarqe të caktuara. Por Trump mbetet thjesht tregtarë. Ai nuk e mbron Shqipërinë në diskursin e saj të brendshëm, e faktorët destabilizues globalë, rajonal e lokal që ka aktivizuar politika e Tij kudo, këtu gjejnë terren më shpejt duke e shfrytëzuar brishtësinë tonë e paqëndrueshmërinë shtetformuese, gjë që sjell edhe destabilizimr lnë jetën ekonomike, politike e shoqërore në vend. Islamizmi politik, neokomunizmi, putinizmi e politikat antishqiptare të Serbisë, kanë gjetur elementët e pakënaqur brenda vendit, gjithnjë të nxitur edhe nga megallomania e arbitrariteti qeveritar, e ngjarjet në vijim nuk mund të parashikohen lehtë.

         Vetiu pra lind pyetja: - A është ky përfundimi i natyrshëm i epokës trampiste?

         Duhet të presim e të shohim me shpresën se kurba e flamës aktuale anti, me përmasa thuajse epidemike, do të ulet, e zhvillime pozitive pro jetës e prosperitetit do të zënë vendin kryesorë. Por nisur nga gjendja aktuale, me siguri mund të pohojmë se Amerika në raport me botën, në epokën Trump nuk është bërë më e madhe, ndërsa bota është bërë më e vogël dhe më e trazuar, e krahasueshme me epokën para “Luftës së ftohtë”.


                                                                                                             Lezhë, më 24 / 10 / 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page