top of page

Llambi Toli Kona


NJË MIK I VEÇANTË

Tregim nga Luan Çipi për inxhinierin Llambi Kona

Llambi Toli Kona u lind, gati shtatëdhjetë vjet më parë, në qytetin e Vlorës. Shtëpia e thjeshtë në lagjen Skelë, rrethuar me kallama; rëra dhe oshtima e detit, fare afër; shkolla fillore dhe shtatëvjeçare në Vlorë; Politeknikumi “ 7 Nëntori” në Tiranë dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i U SH T, do të ishin rruga drejt formimit të tij të plotë qytetar dhe intelektual. Gjithë jetës në punë ndërtimtare: Në Azotikun e Fierit, në Transportin Automobilistik, në Bonifikim dhe, më së shumti në Ndërtim Montimet e Veprave të rëndësishme industriale në mbarë vendin...

Një inxhinier mekanik i pasionuar, studiues i rrallë dhe autor kumtesash, referatesh dhe librash teknik; drejtues dhe organizator i talentuar, vlerësuar dhe dekoruar disa herë; amator pasionant i muzikës, deri asaj operistike; njohës i thelluar i letërsisë, kulturës dhe artit; këngëtar zëëmbël dhe deklamues, improvizues dhe imitues i mrekullueshëm; një qytetar i afruar, që gjithandej rrezatonte mirësi, qytetari dhe kulturë të gjerë; një njeri optimist, me plotë besim e shpresa për ndryshime dhe transformime të shpejta në Kryeqytet dhe në mbarë Shqipërinë...

x

Megjithëse kanë kaluar disa vjet, thuajse çdo ditë, më del para syve miku im i mirë, shoku i dashur i fëmijërisë, Llambi. Ai, i rilindur, me atë buzëqeshjen e tij të përhershme, sikur do të më thotë: A po mendon për mua, Luan? Ti po vazhdon të shkruash dhe mirë bën. Po për mua ke sajuar gjë? Diç duhet të më lësh për kujtim atje, te shokët për shokët, pa këtu do kesh kohë të më takosh...

Vitet ikin shpejt dhe unë kthehem në thellësi të tyre, ndofta 60 vjet më parë, për të qenë në lagjen Skelë të qytetit të Vlorës. Shfletoj blloqet e vjetër, dalëboje. Ja se ç’shkruhej në “Ditar”për të:

Llambi Kona, më simpatiku dhe më gazmori i grupit, i cili natë e ditë nuk i ndahej radios dhe dëgjonte e belbëzonte kanconeta italiane, sapo vinte e po dobësohej, ndaj vendosi të bisedonte me mjeshtrin plak, babain e Mino Purit, kryetarit të grupit tonë fëmijëror:

-Xha Vangjel. Po dobësohem dhe më është prerë fare oreksi. Ç’më këshillon?

-Not, more bir. Të gjitha stilet, sa më gjatë. Lodhu në det, pastaj do të më kërkosh edhe mua për të më ngrënë.

Dhe me poshtë, sipas “Ditarit”: Sa ishim kthyer nga peshkimi dhe po bashkëbisedonim. E kishte fjalën Mino Puri:

-Na vajti shumë mirë dita sot. Peshkun do ta ndajmë në katër pjesë. Ktheu me kurriz ti, Luan, dhe zgjidh:

-Kush do ta marrë këtë tufën e peshqëve këtu?

-Atë ta marrësh për vete.

-Po këtë?

-Llambi Kona!

-Po këtë?

-Harilla Papajorgji!

-Hallall, ta ketë hak, se u lodh shumë sot, Kthehu, tani...Kjo e fundit të ngeli ty. Dëgjoni: Unë, me pjesën time do të bëj një tavë të mirë narqoçe. Për darkë jeni nga unë. Hajdeni rreth orës tetë. Ti, Luan, na sill ca verë Narte. Mos harro mandolinën, se do të këndojmë. Unë do të lajmëroj dhe Vangjel Mërkurin, që të vijë me gjithë kitarë.

x

Më poshtë, në “Ditar” shënohet:

Klasën a katërt e nisëm në vitin 1944, menjëherë pas Çlirimit të vendit nga fashistët, në shkollën fillore të lagjes Skelë me drejtor Ymer Luçin, nga Kuçi i Vlorës dhe mësuese kujdestare Marika Bezhanin. Shkolla ishte improvizuar në katin e dytë të një godinë, afër Portit Detar. Atje, pasi rreshtoheshim me klasa në një shesh të gjerë para shkolle, ngjiteshim me shkallë jashtë godine, nga të dy krahët. Këto shkallë formonin, në katin e parë, porta të mëdha me qemer. Në klasën tonë u rimblodhën shokët e vjetër: Minua, Harilla dhe Llambi, Takimi me ta ishte një gëzim i madh, thuajse, rinjohje. Secili tregonte mbresa dhe ndodhi të vendeve, ku ishin strehuar, për të evituar pasojat e luftës.

Klasën e pestë të fillores e nisëm në shkollën e re, të sapopëruruar. Ishte një godinë e bollshme, me klasa dhe orendi të përshtatshme dhe me një kënd sportiv, para saj. Mësues kujdestar kishim Zenel Dervishin, nga Tragjasi i Vlorës, të cilin e kujtojmë me respekt dhe dashuri, për bagazhin metodik dhe kulturor që dispononte, elokuencën dhe gjerësinë e paraqitjes dhe kontrollit të dijenive, si dhe për aktivizimin e mirë të nxënësve, brenda dhe jashtë klase. Nga ai kemi dëgjuar së pari për Bethovenin dhe Xhuzepe Verdin. Ai këndonte bukur, i binte mandolinës dhe tregonte aftësi regjisoriale. Mua dhe Llambin, na aktivizoi dhe na vendosi në ballë të shumë veprimtarive artistike, kulturore e sportive. Atje luajta, se pari, rolin kryesor në një dramë patriotike që titullohej “Karemani dhe Lulja”, ku unë kisha rolin e Karemanit, Bubulina Tol Arapi rolin e Lules, dy veprimtarë dhe heronj të luftës për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke, ndërsa Llambi Kona na shoqëronte në sfond me kënge patriotike.

Në bankë rrija, sërish me Harillën po, kudo qëndronim të pandarë me Minon dhe me Llambin. Shokë të tjerë të afërt ishin Irfan Habilaj, që e kisha dhe komshi, Xhemal Sinanin, nga Brataj, që strehohej në Teqen Bektashiane në Kuzumbaba, Bubulina Arapin, Antigoni Rexhepin, Areti Taton dhe Kanerina Sharrën kushërirën time, Guri Sejdinin, Mete Sinanin, Neim Numanin, Vllasi Baben, Sherif Thanasin, nga Tragjazi, Ferik Muhametin, etj.

Pushimet verore i kalonim këndshëm në bregdet dhe në lagjen Kume, ku banonte Sezai Hoxha, që kishte një bahçe të madhe me pemë dhe mana të mëdhenj e të shijshëm, si dhe Minella Kostandini, Harilla Papajorgji, Llambi Kona dhe shumë shokë të tjerë, me të cilët notonim ose luanim me top lecke. Rrugës, për t`i rënë shkurt, duhet të kalonim kanalin e gjerë të ujërave të zeza, gjë që, rregullisht e bënim nëpërmjet “Urës së Taq Kuqit”, por shpesh, tentonim ta hidhnim me vrull dhe ndonjëherë nuk arrinim ta kapërcenim po, pasi latërzhyheshim keqas, shkonim e shpëlaheshim në detin e kaltër, mikun tonë më të dashur.

Na kanë frymëzuar vazhdimisht këto kujtime të bukura fëmijërore, kur, të shkujdesur dhe pa asnjë preokupim loznim, këndonim e kërcenim, notonim, apo peshkonim. Me ato ndjesi kemi lëvizur kudo dhe kurdoherë, duke i mbartur të pa ndara, nga qenia, veprimtaria, jeta dhe ndërgjegjja jonë.

Kur bënim “cfita” në rërë,

Top lecke me qime kali

Dhe më pas në det, të tërë:

Le të dali, ku të dali!

x

Në shtatorin e vitit 1945 nisëm klasën e parë të “Unikes” në Shkollën e Mesme Tregtare të Vlorës. Kjo shkollë me tradita të hershme e të lavdishme, sidomos si qendër e të rinjve revolucionarë, shumë prej të cilëve u bënë protagonistët dhe drejtuesit kryesorë të Luftës antifashiste dhe dëshmorë e heronj legjendarë, tani ishte shpërngulur nga qendra e hershme, Uji Ftohtë dhe ishte vendosur, më së miri, në disa godina dy katshe, që kishin qenë në dispozicion të ushtrisë dhe të hipodromit të qytetit. Drejtor shkolle u caktua Harilla Kuçuli, një bregas simpatik e patriot, me aftësi të shquara pedagogjike dhe administrative. Gjuhën shqipe dhe letërsinë e jepte nartjoti pasionant, studiuesi i thelluar i gramatikës shqipe, Jorgo Ceko; mësues matematike kishim fterrjotin Xhevdet Kofina, metodist i mirë dhe filozof popullor; në frëngjisht ishin Jorgo Pilika dhe Jani Ziguri; në gjeografi shkodrani Kel Gashi dhe korçari Kostaq Balldadori; në biologji Marika Bezhani. Ishin tre paralele të klasave të para. Veç shokëve të vjetër na u shtuan dhe shumë shokë të rinj...

Në vitin l946 u hap Shtëpia e Pionierit, ku unë, Llambi, Minua dhe Harilla morëm pjesë gjallërisht, në shumë veprimtari të saj.

Klasën e dytë dhe të tretë të Shkollës Unike, që tani u riformua dhe u shkëput nga Shkolla Tregtare, në kuadër të Shkollës Shtatëvjeçare, Llambi e kreu në Shkollën Nr 3, që më vonë u bë Shkollë Muzike. Aty u ndamë me të. Semimaturën Llambi e mori në qershor të vitit 1949. Pas kësaj, i detyruar nga kushtet e vështira ekonomike familjare, ai nisi punë si mekanik në Parkun Automobilistik të qytetit dhe, më pas, në ndërmarrjen e Ekstrakttaninit.

U deshën 4 - 5 vite pune, kur motrat dhe vëllezërit e Llambi Konës të rriteshin dhe të punësoheshin, familja të forcohej ekonomikisht dhe atëherë Llambi sërish iu kthye studimeve: Kreu Politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë dhe më pas Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të U Sh T, duke dalë një inxhinier mekanik fort i aftë dhe i talentuar, me vlera të spikatura, i kërkuar ngaherë për zgjidhje dhe veprime teknike të vështira, që kërkonin profesionalizëm të lartë, siguri dhe guxim.

x

Emri i Llambi Konës, mbetet në kujtesën e kolegëve të tij inxhinierë, teknikë, ndërtues dhe montatorë në ndërtimin dhe montimin e veprave industriale si në Uzinën e Plehrave Azotike në Fier, ku Llambi ishte Inxhinier dhe më pas drejtor i parkut, Kryeinxhinier i montimit në Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh. Atje, në Ballsh, Llambi fitoi dhe titullin e inxhinierit mjeshtër në ngritjen e dorikëve. Ngritja e dorikëve ishte punë që kërkonte mjeshtëri të lartë, përllogaritje të sakta inxhinierike dhe siguri e besim. Në raste të tilla ishin të pranishëm shumë njerëz: drejtues, inxhinierë, teknikë e montatorë, të cilët megjithëse i njihnin rreziqet e shumta, ndjeheshin gjithnjë të sigurt, kur shihnin pranë tyre mjeshtrin e sprovuar.

Zotësi teknike dhe drejtuese, Llambi tregoi si kryeinxhinier i Ndermarjes se Bonifikimit ne Fier, edhe si Kryetar i Degës Teknike në Ndërmarrjen e Montimeve Industriale në shkallë vendi.

Për të gjitha veprat, ku Llambi punoi, tregohen shumë ngjarje dhe ndodhi interesante. Ato i dinë në radhë të parë ndërtuesit dhe montatorët, që e deshën gjithnjë Llambin si vëllanë e tyre, sepse me natyrën që kishte dhe edukatën prindërore dhe qytetarinë, ai i respektonte dhe përpiqej t`u vinte gjithnjë në ndihmë për hallet që kishin. Prandaj dhe sa herë që e kujtojnë apo flasin për Llambin, te fytyrat e tyre shfaqet një ndjenjë e sinqertë dashurie dhe respekti të thellë, por edhe një buzagaz i lehtë vëllazëror kur kujtojnë mënyrën sesi komunikonte Llambi me ta dhe sidomos humorin e tij.

x

Në Uzinën e Plehrave Azotike në Fier, Llambit iu desh të punonte me inxhinierë të shquar italianë, të firmës Monte Katini. Me dy prej tyre Antonion dhe Franceskon punuan shumë kohë direkt në montimin e veprës, duke u afruar shumë dhe në jetën e përbashkët me ta. Punonin dhe këndonin. Takoi që të tre e njihnin mirë muzikën operistike. Antonioja kishte kryer dy vite konservator për kanto, madje, mburrej se kunatin e kishte kompozitor. Një ditë, po duke punuar e kënduar ishin të kënaqur se tek një arie e “Aidës”, zërat po kombinonin, si asnjëherë tjetër.

-Basta, Antonio, gati gërthet Llambi. Po stonon keqas, madje, po ndryshon dhe tekstin. Verdi është edhe yni, është i botës mbarë. Nuk të lejoj ta shpërdorosh!

Heshtën për një çast të tre. Ishte akuzë e rëndë.

-Por jo, more zoti Llambi, nuk mund të gabojë Antonioja, ai është muzikant i vërtetë, - thotë Franceskoja.

-Po ja që stonoi e ndryshoi tekstin dhe mua kjo më dëshpëron shumë.

-Je ti gabim, Llambi, - proteston edhe Antonioja.

-Jam i sigurt se ka gabuar keqas dhe jam gati të përgjigjem me bast: Një drekë me verë e mish, sipas dëshirës.

Pasi u kontrollua te shtëpia e Llambit në kompakdiskun e tij dhe, pasi u verifikua libreti, u vërtetua gabimi i Antonios..

Të nesërmen Kryeinxhinieri italian e fton Llambin në banket dhe i shpreh falënderime edhe në emër të Ambasadës Italiane. Pas tre muajsh në një gazetë italiane ishte botuar një kronikë, ku flitej për ngjarjen dhe thuhej se inxhinierët shqiptarë, që punojnë në Fier, krahas italianëve, jo vetëm që janë specialistë të aftë, po dhe njerëz me kulturë të gjerë.

x

Llambi Kona lexonte shumë letërsi artistike dhe shkencore dhe kishte një bibliotekë mjaft të pasur. Pëlqente letërsinë franceze, angleze dhe ruse, por mbi të gjithë adhuronte Shvejkun e Jarosllav Hashekut. Pasi u kurua nga sëmundja e veshkave në Hungari, me ndihmën e një miku të tij që ishte Konsulli i Ambasadës aty, e rregulloi një vizitë për në Çekosllovaki, mbasi e kishte ëndërr të ulej njëherë në karrigen ku ishte shkruar ky roman satirik e gazmor i famshëm. Kur mbërritën në Pragë dhe u afruan te Kafeneja “Shvejk”, që ruhej e pandryshuar, si në ato vite, u befasuan dhe u dëshpëruan se radha për të hyrë në sallë ishte me dhjetëra metër e gjatë. Konsulli, që e shoqëronte, u kujtua për një truk dhe tha me zë të lartë:

-Zotërinj, po shoqëroj një të sapodalë nga spitali dhe që vuan nga një sëmundje e rëndë në veshka, një invalid shqiptar, adhurues deri në çmenduri për Shvejkun, aq sa e di përmendësh, se e ka lexuar 17 herë.

-Lëri ato, - tha mazhordomi, - se i kemi dëgjuar edhe nga të tjerë. Për të vërtetuar se nuk gënjeni, shqiptari duhet të merret në provim.

-Jam dakord, - tha Llambi Kona. - Mund ta deklamoj përmendësh nga fillimi në fund, të 600 faqet.

-Jo, jo zotni, s’ka nevojë. Përgjigju vetëm tri pyetjeve:

1. Ku e parashikoi të ardhmen e ngjarjeve të kobshme Ushtari Shvejk?

Përgjigja e menjëhershme e Llambi Konës:

-Në Pijetoren “Te gota”, faqja 34 e librit.

-Përgjigje e saktë

2. Si quhet kapelani, ku Shvejku u bë ordinancë?

Përgjigja e shpejtë e Llambi Konës:

-Oto Kac, faqja 155

-Përgjigje precize.

3. Në cilin qytet ishte qendra e regjimentit të Shvejkut?

Përgjigja e Llambi Konës:

-Në Ceske Bugjejovicë, faqja 379 e volumit të parë, botimi i dytë në Shqip.

-Përgjigje shumë e saktë. Shqiptari le të hyjë jashtë radhe dhe të zërë vendin e nderit.

Duartrokitje dhe miratim nga dhjetëra të pranishëm.

Llambi Kona u ul plot dinjitet, dhe i lumturuar si asnjëherë, te vendi, ku rrinte Shvejku dhe, më pas, krenar, shkroi me kongjill autografin e vetë në murin e bardhë, ku ishin mijëra firma vizitorësh të shquar nga bota mbarë.

Mund të them se Llambi Kona, u takon atyre njerëzve, që e kanë kaluar të gjithë jetën me modesti dhe pa u ndjerë, por dhe pa e treguar publikisht talentin tyre të rrallë. Siç tregon i vëllai i tij, Viron Kona, Llambi e kishte aftësi të lindur imagjinatën, fantazinë krijuese dhe të treguarit mjeshtërisht bukur dhe, nëse ai do t`i ishte futur rrugës së shkrimeve artistike, me siguri do të ishte bërë një shkrimtar i mrekullueshëm...

x

Kur rastisi të shpërngulemi nga Vlora, në atë vitin e mbrapshtë 1997, e të mblidhemi në Tiranë, si shokë të vjetër fëmijërie unë, Harilla Papajorgji, Niko Gjyzari, Sezai Hoxha, Llazar Papajorgji, Bardhyl Golemi, Sadedin Gjoka, Milto Shuka, Minella Konomi, Kudret Arapi, Duro Mustafaj, Irfan Bregu dhe më pas, plot të tjerë vlonjatë të mirë, takoheshim shpesh dhe po me kujtimet e Vlorës jetonim. Ne të gjithë, njëzëri, zgjodhëm Kryetar Llambi Konën. Atij i takonte: Burrë simpatik, që ruante freskinë dhe vitalitetin e rinisë, tregonte barceleta me kripë, këndonte bukur, dhe ishte gjithnjë gazmor e optimist, i afruar e i dashur, ishte i azhurnuar me veprimtaritë kulturore e sportive të kryeqytetit, e njihte mirë Tiranën dhe vendet e saj interesante të qejfit e të pushimit aq të kërkuara nga ne, ishte i urtë dhe qejf paprishur me këdo, ishte hovarda e bujar dhe kishte një autoveturë, megjithëse shkatarraqe (siç e ngacmoja unë). Llambi mbante mustaqe dhe vishej me sqimë. E kush mund të ishte më i denjë për vendin e kryetar? (në fakt, si lebër që ishim, e lakmonte secili).

Milto Shuka, p. sh., që kish qenë edhe Drejtor i Teatrit të qytetit të Vlorës dhe që kish njohuri të thelluara edhe për muzikën operistike tentoi “ta mposhte dhe ta vinte nden vete” në këtë lëmë. Po, Llambi, që e kish hobi muzikën klasike, nuk pranonte nënshtrim. Llambi dallohej ashiqare për zërin e bukur dhe për vesh muzikor dhe në këtë drejtim ishte vërtet superior, po Milto Shuka dispononte një arshivë të vërtetë të sistemuar me qindra librete, sidi, kaseta e regjistrime në kompjuter të veprave më të mira operistike botërore. Ne që të dy i kishim shokë të respektuar. Si të bënim? Zgjidhjen e propozoi vetë Miltua.

-Po e thjeshtoj problemin, - tha ai, - Do bëj vetëm një pyetje:

- Unë Rigoleton e kam parë 17 herë. Sa herë e ke parë ti?

Dhe Llambi Kona u përgjigj shpejtë dhe qartë:

-Unë e kam parë ....sa herë që është shfaqur.

Epërsi maksimale. Milto Shuka, i pamposhtur, u dorëzua dhe pranoi superioritetin absolut të Llambit.

Dhe, më tej, Llambi realizoi edhe ëndrrën tjetër të tij, vizitën në Teatrit “La Skala” të Milanos. Veç ta dëgjoje kur fliste për mbresat dhe emocionet, që kishte ndjerë gjatë asaj vizite në atë vend të shenjtë të muzikës, ku kishin shfaqur operat e tyre mjeshtërit e mëdhenj italianë dhe botërorë: Verdi, Belini, Rosini, Puçini, Doniceti...

Shoku i Llambit i universitetit, Rudi Monari, tregon me humor se, sa herë që në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë shfaqej ndonjë operë, Llambi i ftonte shokët e kursit dhe u thoshte: Hajdeni në opera, se biletat do t`jua paguaj unë dhe, ata që pinë duhan, kanë plus edhe nga një paketë cigare.

x

Më vonë, kur Elvira, vajza e tij e vetme, shkoi familjarisht me banim në Kanada, Llambi largohej e shkonte shpesh atje. Atëherë, ne, shokët e tij, si Kryetar, caktuam Llazar Papajorgjin, një tjetër moshatar aktiv, ndërsa Llambin e mbajtëm Kryetar Nderi.

Ishim në vigjiljen e Vitit të Ri 2003. Në Tiranë festë e madhe, fishekzjarr e shëtitje masive, darka me pije e shumë shpenzime, programe interesante televizive. Unë e festoj Vitin e Ri fillikat me gruan në shtëpi, kur... bie zilja e telefonit dhe ndihet zëri i Llambit

Më uron për Vit të Ri.

Më gëzon, si asnjë tjetër,

Si dikur, në fëmijëri

S’më harron, ky mik i vjetër.

Kaluan 6 muaj dhe ne morëm vesh se miku i dashur qe kthyer ne Atdhe, por deri në qetimin e gjendjes fizike të çrregulluar nga udhëtimi i gjatë, nuk dilte, po rrinte mbyllur dhe gëzonte “muret e shtëpisë”,i veshur me robdëshambër, duke harruar këshillën e urtë të shokut të grupit tonë Axhem Gjonaj, që na porosiste: asnjëherë mos rrini kot brenda, po dilni e lëvizni, se u zgjatet jeta.

Mirseerdhe Llambi Kona

Dil, zhvish takëmet e rënda

Axhemin dhe ne dëgjona:

“Kot më mirë është jashtë se brenda”.

*

E kishim ndërmjet nesh dhe s`e kemi. Ai ka 5 vjet ikur. E plotësoi misionin e tij. Po ja që s`e harrojmë dot. Edhe Këto pak aspekte nga jeta e Llambit, janë një nderim për të, një kujtim për mos harrim. Sa do të desha që shokët të rronin gjatë... Eh! Zemra më thotë se Llambi Kona duhej të jetonte më gjatë, shumë më gjatë. Por natyra dhe sëmundja bëri të vetën. Ishin të pazakonta përkujdesjet e bashkëshortes së tij, Arjanthit, gruas së mirë e të devotshme, që përballoi me guxim e vështirësi halle të shumta; Elvirës, vajzës së tij të kulturuar e plot shkëlqim, Bertit, dhëndrit të dashur që e respektoi shumë Llambin; motrat dhe vëllezërit e tij të urtë e të mençur, që i qëndruan pranë gjer në fund; miqtë dhe shokët e shumtë që aq shumë e adhuronin. Të gjithë do ta kujtojnë dhe s`do ta harrojnë asnjëherë Llambin, aq të mirë, të dashur dhe të ditur. Do të kujtojmë optimizmin e tij deri në çastet e fundit të jetës, paraqitjen fizike, fisnike e burrërore, korrektësinë e tejskajshme, dashurinë e thellë për gjithçka me vlerë, do të përjetojmë humorin e tij të përhershëm.

Kështu do të mbetet përjetësisht dhe e freskët, për të gjithë ne, dashuria dhe kujtimi për Llambi Konën tonë të shtrenjtë, krenarinë e inxhinierisë së ndërtim montimeve industriale, por, pamëdyshje, dhe më të mirin e shokëve.

Nga Libri “Rrëfenja të Vlorës”



45 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page