top of page

Lirizmi estetik i një poeti


Qazim Shehu

Prof Dr Fatmir Terziu


Nga memorja


Grupi i vogël i mësuesve që udhëtonin me autobuzin e vogël urban të linjës Librazhd - Lunik, dukej sikur ishte në një konkurs të vogël me ngjitjen e llahtarshme të Shkallës së Lunikut dhe vetë asaj që mbante brenda vetes. Shumica femra, vajza që sapo kishin mbaruar Instututin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, (tre vjeçar të viteve tetëdhjetë), plotësonin sinkronin e të hënave me zhaurimën e gomave mes gurëve e gropave në një mjedis të përzhitur nga thatësira e gjatë e asaj pranvere me leximin e poezive të autorit Qazim Shehu të botuara në revistën “Nëntori”. Një nga këto poezi fliste për një histori të hershme, që kishte mbirë nga legjenda për fshatin e kësaj zone, Kostenjën. Dhe koha që kishte në prag një ditë të shënuar për atë zonë natyrisht i bënte edhe mësueset e mësuesit që vinin nga Elbasani, të rilexonin fatet e trashëguara gojarisht të një qytetërimi të lashtë, të mbetur legjendave e shenjëzave të mbetura trashëgimthi. Me këtë rast të sillnin dhe ndjeshmërinë e një feste që përjetohej ‘lehtazi’, jo si dikur në traditën e saj që ndjehej mes vargjeve të Shehut.

Dhe kush më mirë se Qazim Shehu, poeti që tërë rininë e tij e kishte dhuruar e përkushtuar tek mirësia e poezisë, do ta thoshte më bukur historinë e asaj treve? Kush më mirë do të fliste për Kostenjën? Dhe aty ishte pikërisht, aty mbi mal një kala, gurët e mëdhenj të së cilës ndodhen edhe sot. Dhe mësuesit e mësueset, bashkë me ta edhe nxënësit pyesnin për një përgjigje që e jepte poezia: Po kush i ka gjurmët? Autori do të sillte në vëmëndje: “Ose fshatarët kur fryn era e Lindjes thonë: Po fryn polisa? Pse ky emërtim? Me siguri atje duhet të ketë qenë një qytet. Vende, toponime të ndryshme dëshmojnë për gjithë atë kulturë të madhe shpirtërore, trashëguar nga e kaluara, e cila ka nevojë t`i çilet goja dhe duhet të flasë, jo vetëm në transmetimet gojore, po të shkruhet edhe në libra...”.


Përditësia lirike e jetëvargut


Dhe këtë me siguri e dinte autori, e gjurmonte atë përditë dhe e shtronte në varg, pikërisht në atë varg që lexohej hoptha-gropthi në atë lëvizje urbane të edukatorëve të brezit të ri, që kishin natyrshëm tre çanta me vete, bukën e javës, veshmbathjet dhe librat e ditaret, për qëndrimin e tyre njëjavor në zonën e rrethuar nga Shkalla e Lunikut dhe gjithë ai masiv shkëmbor të Lunik-Llangës, që pasonte më tej deri në Kostenjë.


Shkalla e Lunikut

Por gjithë ajo ndjesi, këmbehej me një bukuri lirike, me atë që radhë herë e jepte pena e një poeti që kishte mbledhur e mblidhte tërë mushtin e një treve sa kulturore, aq edhe patriotike, ku prapashtesa e afërt ishte Okshtuni historik i Hoxhë Muglicës e gjerësia e madhe gjografike e një vlere të madhe kulturore shqiptare që përfundonte tej në Ostrenin e Elez Koçit e Trebishtin e mjaft patriotëve të tjerë me Ali Terziun e pavarësisë. E gjitha pushtohej nga lirizmi vargor në tërë lirikën e tij të bukur e tërheqëse, të ndjeshme edhe sot.

Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe në një mjedis tërësisht lirik, ku vetë patriotizmi i ushqyer nga ndjenja dhe tradita bëhej një lirizëm i vërtetë e i pëlqyer në leximin vargor të Qazim Shehut. Ishte ajo që brenda përditërsisë lirike të vargut e kishte pikasur herët Seamus Heaney, poeti dhe fituesi i Nobelit për letësinë në vitin 1995, si një arsye që në fakt, në poezinë lirike, shkonte aty “ku vërtetësia bëhet e njohur si një unazë e vërtetë brenda vetë vetvetes së arsyes lirike”.

Lirizmin e tij do ta ndjente në një udhëtim tjetër edhe poeti Vangjush Saro, duke u shprehur për poetin lirik Qazim Shehu, më saktë “Duke ndjekur me interes disa nga ciklet e botuara së fundi, duke vështruar rrugën poetike nëpër të cilën poeti Qazim Shehu ka ardhur deri këtu, mund të them se ai është ende duke ngjitur të përpjetën e mundimshme të artit, për të përcjellë prej andej gjithë përvojën jetësore dhe përjetimet poetike që aq shumë e trazojnë.

Qazim Shehu është një poet lirik. Në vjershat e tij, jo rrallëherë gjen motive e fabula të vështira, rrëfime brengosëse e meditime të serta; por gjithsesi, të gjitha këto të para në një drite tejet realiste.” Për Sarron kjo është “Në tërësinë e tyre, poezitë e Qazim Shehut, janë fluide e të derdhura, (sikundër kam thënë para do kohësh në sallat dhe botimet e Akademisë “Fjala e lirë”); por në të njëjtën kohë, janë edhe të përmbyllura nga pikëpamja gjuhësore dhe estetike. Ai nuk fal asnjë pasiguri dhe lëkundje drejtshkrimore, ai e nderon galaktikën e rregullave dhe parimeve artistike gjer në detajin më të parëndësishëm. Në këtë vështrim, ai është njëlloj stoiku, poet i shkollës “së vjetër”, që do të thotë se nuk iu qaset manierave eksperimentuese, jo pse i paragjykon, por ngase ka gjetur veten në këtë stil e në këto aroma, që të kujtojnë nganjëherë Zef Seremben, Lasgush Poradecin, pse jo edhe Jorgo Bllacin, Vangjush Zikon, Dhori Qirjazin, etj.”

Në këtë lirizëm poetik të Shehut përditësia lirike e jetëvargut nuk është vetëm ajo që lidh gjërat, por edhe një kënd ku lind vetë dashuria. Kështu shpreh lirizmin poezia e tij, “Lind Dashuria”. Vargu i saj lirik, në këtë poezi, si në mjaft të tjera të këtij poeti, konkretizohet nga vargjet e lira, që nuk janë të çliruara nga metri i njëjtë, nga ritmi i rregullt dhe rima: “Para njeriut ose pas, dashuria lind,/A lind me njeriun e bëhet xhind,/Në frut të bashkimit kërkon rrugëndarje,/Dhe me njeriun shkon në varje./Lind dashuria nga një vështrim,/Nëpër flakë epshesh bëhet mallkim,/Sepse lind dashuria nga lind,/Kur nëpër flakë na përcëllon çdo ind,/Kaq të fshehta ajo ysht dhe i përcjell,/Në udhën me stuhi ku fërfëllon një diell,/Lind ajo aq me nojma dhe këngë mëkatare,/Edhe nga vuajtjet, mendon,mos lindte fare...”. Mes kësaj shfaqen përsëritje të fjalës së parë ose ndonjë shprehjeje në fillim të vargjeve, me qëllim që lirizmi i shprehise filozofike të mesazheve të vijë më i qartë e më i dukshëm si pasojë e një anafore të rregullt. Kjo figurë stilistikore forcon shprehësinë e veçon kuptimin e pjesës që përsëritet apo të pjesës që del e re pas përsëritjeve. Është gjithashtu ky stil poetik i Shehut që e bën atë gjithashtu dhe një element i ritmit. Kjo shihet tek poezia “Diell i thatë i udhës”: “Për të dalë nga ëndrra duhen disa minuta,/Kur e marr udhën pa iu lutur ku më shpie udha,/Asgjë nga ëndrra aty nuk shfaqet,/Me mish të egër udha ngjallet./Dhe shoh aq njerëz çehrevrarë/Sikur ëndrra kurrë s`kanë parë,/Të mos jenë zbutur nga efekti i saj magjik,/Në gojë sejcili mban një thikë,/Për të plagosur fjalën e tjetrit,/Udha shket shirit i vjetër,/Në negativin e tij pa u stamposur,/Asnjë gjurmë e sosur./Për të ngushëlluar sërish, natën,/Ëndrra më pret krahëhapur,/Ato që udha s`mi dha, ajo m`i jep,/Si fëmijë më përkund në djep,/Edhe/pse e di që në mëngjes,/Pamjet do shkrihen si vesë,/Nga diell i thatë i rrugës,/Ky ritual më jep rendjen/E së pamundurës…”

Në mjaft raste të poezisë së Qazim Shehut vepron ndjeshëm dhe bashkëvepron aliteracioni me asonancën si përfundim i vargut, ku si shembull mund të sillet poezia “Çast”: “Ajo shkëputet nga bukuria e vet si/ Një pemë në Sahara ku shkretia vret./Dhunuesit e bukurisë do turreshin ta zhbënin/Krejt,/Duke ia kapur trillin dinakërisë/E mbroj në zemër si shenjt…”. Organizimi i lirshëm i bashkëtingëlloreve krijon efekt të ndjeshëm në vargjet e poetit, sidomos kur ai mbart edhe ngarkesë shprehëse të llojit imitues: “Zona e zjarrit mbetet një jo,/Kur atë që deshe nuk qenka ajo,/Në zonën e zjarrit të pëlqen të hysh,/Njëmijë bukurira të mësysh...” Këtu ndjejmë atë që quhet mimesis (imitacion). Kjo ëhstë një anë tjetër estetike që e bën poezinë e Shehut të jetë një vlerë e qartë krijuese dhe mjaft e organizuar estetikisht.


Estetika e qasjes imitative të vargut


Në poezinë e Shehut, ngjashëm me teorinë estetike, imitacioni gjithashtu mund të tregoj “përfaqësim”, dhe zakonisht ka për qëllim riprodhimin e një realiteti të jashtëm, të tillë si natyra, të ndikuar nëpërmjet shprehjes artistike. Platoni shtjellonte imitacionin për thjeshtësi të paraqitjes, duke siguruar kopje inferiore të formave origjinale. Aristoteli, në poetikën e tij, shkoi më tej duke rekuperuar idenë, duke pretenduar se imitacioni është një lehtësi e “natyrshme” për njerëzit. Për Aristotelin, imitacioni rikrijon pjesërisht edhe objektet e realitetit dhe i përmirëson ato. Imitacioni i siguron njerëzit me një lloj të veçante të rendit simbolik. Kështu bën dhe poezia e Shehut, kur “Zona e zjarrit mbetet Një jo,/ kur atë që nuk deshe qenka ajo/në zonën e zjarrit të pëlqen të hysh/njëmijë bukurira të mësysh/Kaq bukurira kujton se Katundi/Ajo që kujton se s’ta tha/se të donte e s’e kuptove/Zonën e Zjarrit ku vetëm Ti u dogje...”. Jo më kot këtë e pikas edhe Sarro kur shprehet për këtë lloj poezia se “Dashuria dhe kujtimet e saj, jo gjithmonë të këndshme, bëjnë kaq shumë vend në botën e tij poetike. “Këtu ndoqa një shamibardhë,/ Që hapej e mbyllej,/ Xixëllonjë.” (Përroit në shelgjishte). Gjithaq zënë vend në shpirtin e trazuar të poetit edhe ndijesitë e lodhshme të jetës së përditshme. “Dhe gjithë këto ngarkesa të ditës,/ Këto nerva pafund,/ Për çfarë të etiketuan tinëz,/ Vagabondët e paturp.” (Zënka).

Në poezi të shumta të Qazim Shehut, natyrisht gjejmë atë që estetika e qasjes imitative të vargut pikëtakon atë që mendimtarë dhe shkrimtarë të tillë si Rousseau dhe Lessing filluan për ta theksuar lidhjen midis imitacionit dhe përvojave të brendshme, si dhe nga emocionet, jo vetëm nga realiteti objektiv apo natyra: “Njerëzit në autobus u ngjajnë statujave/Që i çojnë Diku./era si në shpellë dyndet heshtje e Thellë.” (Etyd). Mendimtarë të tillë si Walter Benjamin dhe Teodor Adorno, në anën tjetër, e përshkruan imitacionin si ndjesi themelore të përvojës njerëzore, një praktikë që i paraprin gjuhës. Kjo paraprirje e gjuhës është e dukshme tek poezia e Shehut, ku duket qartë një organizim gjuhësor-stilistik i poezisë me një kuptim ndryshe nga ai parësori.


Duke përfunduar


Duke kthjelluar memorjen në leximin e poetit Shehu, dhe duke u bazuar në ndërtimin e figurave dhe funksionin e tyre stilistik dhe estetik, dallojmë ndjeshëm një perspektivë të qartë poetike, që nga pikënisja e deri në ditët kur kjo poezi ka marrë një vëmendje të ndjeshme. Mjaft poezi të tij janë analizuar dhe vlerësuar nga kolegë të shumtë, mjaft të tjerë e kanë si një pasuri të vetën, të tjerët e ndjekin dhe e lexojnë duke pritur kohën të thonë fjalën e munguar. E veçanta nuk është e strukur, ajo është brenda tekstit dhe kontekstit, ndaj dhe e bën poezinë e Qazim Shehut të meritojë respektin e leximit brenda lirizmit estetik të këtij poeti.

40 views6 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page