top of page

Libri i shëndetit...


Abaz Veizi


Libri i shëndetit.


Ky libër nuk është një bashkim i rëndomtë fjalësh në shërbim të lavdisë së autorit. Sepse ky libër nuk ka një autor të vetëm, por mijëra të tillë. Autorë të këtij libri janë të gjithë ata, të cilët prej mijëra vjetësh (të paktën që nga shekulli i XVII para Krishtit) kanë kujdesur, kanë këshilluar, kanë mjekuar dhe kanë shëruar njerëzimin, brenda kushteve të kohës e të njohurive. Por jo vetëm kaq: ky nuk është thjesht libër i shërimit në përgjithësi, as nuk është libër për cilësitë shëruese të disa bimëve, të disa pemëve apo të gurëve të çuditshëm në veçanti.

Ky është shumë më tepër: ky është Libri i Shëndetit.

Një libër që ka munguar.

Një libër që besoj se do t’i shërbejë shumë kujtdo që dëshiron të Ndjehet Mirë, brenda dhe jashtë qenies së tij, brenda botës së tij, por edhe në marrëdhënie të pandërprera, herë të vullnetshme dhe herë të detyruara, me shoqërinë ku jeton.

Ç’është shëndeti?

Në fjalorin e gjuhës shqipe, përkrah fjalës shëndet jepet ky shpjegim: shëndeti është gjendje fiziologjike e një organizmi; gjendja e organizmit kur organet punojnë mirë dhe nuk janë të prekura nga ndonjë sëmundje (kryesisht për njeriun).

Pak më poshtë, për njeriun “e shëndetshëm”shkruhet një e vërtetë që e tejkaon qëllimin fillestar të një fjalori: (i) shëndetshëm, (e) shëndetshme : Që ka shëndet të mirë;që është rritur e është zhvilluar mirë.

Ndërsa në një fjalor rusisht-shqip, në lidhje me njeriun e shëndetshëm nxjerr kokën një e vërtetë tjetër, ndoshta e pavetëdijshme e shkruesit të fjalorit: përkrah zdravnijshkruhet: i shëndoshë, por edhe: i drejtë. (Autori leninist i fjalorit ka parasysh “drejtësinë” partiake, ndërsa unë, në cilësorin “i drejtë” kërkoj moralin e së vërtetës që të jep qetësi shpirtërore dhe, rrjedhimisht të ndihmon të ndjehesh mirë e më pas të jesh i shëndetshëm.)

Jo më pak interesant është një nga shpjegimet ër “shëndetin”. Salute:Liberazione dalla colpa e dal male. (Shëndet: çlirim nga faji dhe nga e keqja.)

Mund të vazhdojmë kështu me të fshehta të çuditshme të fjalëve në gjuhë të ndryshme të botës, por nuk është ky qëllimi ynë.

Qëllimi i këtij libri është që të përqendrohet në tërheqjen e vëmendjes së njerëzve për kompleksitetin e kuptimit të shëndetit dhe për krijimin e parakushteve, që e tejkalojnë “vetëm” ushqimin, “vetëm” trupin, “vetëm” shpirtin, “vetëm” mikrobet... për të gëzuar shëndet të plotë...

1 - Ajri, uji, toka.

2 – Nëna

3 - Zhurma, urrejtja, dashuria.

4 – Varfëria, fëmija, njerëzimi.

5. – Sa bimë duhen për të mjekuar njeriun? Një numër i madh... apo i kufizuar në sasi dhe i përsosur në kualitet?

1. Allium cepa:Qepa e zakonshme

Familja: Zambakore (Liliaceae)

Rritet kudo në vendin tonë.

Përmban: fitoncide, yndyrna, sheqerna, proteina, vaj esencial, vit. B-1, C, substanca fenolike me veprim antibiotik, etj.

Përdorimi:

Qepa mund të përdoret e freskët ose e gatuar në mënyra të ndryshme, duke qenë në të njëjtën kohë ushqim dhe medikament.

Është përdorur për ushqim e mjekim qysh në lashtësi, pothajse nga të gjithë popujt e botës. Është përdorur në Egjyptin e lashtë, në Greqinë Antike, në perandorinë Romake, në Kinë e në Amerikën e Veriut, nga banorët e saj autoktonë.

“Ngrënia e qepës të bën trim e të fortë”, thuhej në Greqinë Antike, prandaj ajo ishte pjesë e ushqimit të përhershëm të ushtarëve.

Përdorim i jashtëm:lëngu i freskët ka veprim të fortë antimikrobik dhe antikërpudhor. Mund të përdoret për të mjekuar plagë të freskëta e të vjetra, pickime insektesh, si dhe kundër verrukeve (tumore të vegjël në lëkurë, sidomos në duar). Lëngu i qepës stimulon edhe rritjen e flokëve dhe pengon mirë rënien e tyre. E ngrohur në zjarr, pasi shtrydhet, lëngu i hedhur në vesh lehtëson dhimbjet. Një gjysmë qepe e pjekur ngadalë në prush të lehtë, ose në çfarëdo zgare elektrike, me pak vaj ulliri dhe pak sapun të grirë në mesin e saj, e vendosur mbi plagë të qelbëzuara ose çibanë, i pastron thellësisht prej qelbit dhe papastërtive, pa shkaktuar dhimbje.

Në rast shembje muskulare ose ndrydhje të kyçeve, një ose disa qepë të grira dhe të shtypura mirë bashkë me një sasi të vogël kripe, të vendosura mbi vendin e dëmtuar, lehtësojnë shumë dhimbjen. Vendi i dëmtuar fashohet me gjithë qepën e shtypur dhe mbahet ashtu disa orë. Në rast nevoje përsëritet.

Janë bërë shumë përpjekje për përdorimin e qepës në kozmetikë, sepse lëngu i saj ka veprim të mirë në mbrojtjen e lëkurës nga plakja e përgjithëshme, ka veprim kundër rrudhave dhe kundër njollave. Por era e keqe që mbetet në të gjitha kombinimet me të, e bën pothuajse të pamundur pranimin e saj, megjithëqë rusët, sidomos, kanë përpunuar dhjetëra formula për përdorimin e saj në mirëmbajtjen e lëkurës së fytyrës.

Përdorim i brendshëm:veprimin më të mirë e ka nëse përdoret e freskët. Ka veprim tonik, përmirëson tretjen, shkarkon gazrat e tepërta, qetëson gjendjen e trazuar të stomakut, ka veprim antidiabetik dhe antitiroidik. Ul tensionin e lartë, ul përqindjen e yndyrnave, të kolesterolit dhe të triglicerideve në gjak.

Studime të fundit kanë vërtetuar se përdorimi i qepës së freskët ka veprim pakësues në kancerin e stomakut. Qepa, me veprimin e saj antioksidant, e mbron trupin nga radikalet e lira, të cilat janë shkaktare të shumë sëmundjeve degjenerative.

Ka edhe veprim antimikrobik brenda zgavrës së gojës.

Kujdes: ndonëse shumë rrallë, nganjëherë ndodh që qepa të shkaktojë alergji, me irritim të lëkurës, ose irritim të tepërt të syve.


vazhdon...


26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page