LETËRSIA EKZISTENCIALE E ITAKËS SHPIRTËRORE TË LEONORA BRUÇAJ - KEKA (Reflektim për librin poetik ,, Inner voice of sielence ‘’ Botoi : Lena Graphyc – Prishtinë 2020.
Çdo krijues mbart në vete Itakën e tij shpirtërore, mbart kujtesën dhe gjenezën, mbart lotin dhe qiellin e tij të mendjes, ndrynë në vete shumë margaritarë dhe fjalën e tij - saj ,, prej guri ‘’, që me zërin e heshtur poetik synon t’i rrëfejë botës së shurdhër. Botës që aq keqas di të jetë indiferente para dhimbjeve moraliste që pikojnë gjak e uthullim në ndërdijen e krijueses. Është m’u ajo botë poetike që me zërin e heshtjes e shkronjës, tenton t’i përndrit rrugët e saj të gjakosura të jetës. E po të njëjtit dimension na ofrohet edhe libri poetik i autores Leonora Bruçaj – Keka ,, Inner voice of sielence ‘’ – “Zëri i brendshëm i heshtjes”, i cili libër nisur vetëm nga forma, titulli e thirrja, ngjallë kureshtje për lexim që në fillimet e tij, kurse sa i përket përmbajtjes e thellimeve ideo – artistike, të mahnit me vlerat e saj unike në krijimtari. Andaj i shkëputur nga çdo ndikim subjektiv, që në fillim mund të konstatoj se letërsia dhe krijimtaria e Leonora Brucaj – Keka, hyn në radhën e letërsisë së konsoliduar, serioze dhe dritë vargjet që për bazë e ka empirizmin jetësor që gjakon një lloj katarsisi shpirtëror përmes një lloj poetizmi sa ekspresionist, po aq realist e metafizik. Gjenet e saj krijuese, janë skalitje poetike në mendjen e lexuesve. Platforma e saj ideo – artistike tek ky vëllim poetik është shumështresore, shumëdimensionale,objektive, reale, jetësore, e hera – herës transidentale kur vrulli i dhimbjeve dhe reminishencave jetësore e tundon, e nxit dhe e frymëzon botën e saj poetike. Simbiozë e këtij poetizmi të përbërë dhe si sublim ideo-artistik shndrit poezia ,, THE PILIGRIM,S DREAM ,, e cila shpërfaq ëndrrën sizifiane të një shpirti e frymëzimi të nivelit të lartë poetik, që portretizon kompleksitetin e një vargu të pjekur, frymëzimi të thellë dhe begati letrare. Bota e saj letrare ngjason me një pikturë komplekse, e cila kërkon angazhim ,përthellim, shqyrtim e rezonim të thellë nga lexuesit e afirmuar sepse të tilla janë edhe frymëzimet dhe mjeshtria e saj komplekse e letrare. Vargjet e saj që anojnë nga lirika poetike drejt filozofisë jetësore e pasurojnë dhe i japin shije letrare lexuesit si një lloj testamenti dhe riformulimi e dimensioni unik letrar, pa përsëritje, teprime, e emitime të mesazheve poetike. Ky rrafsh i reflektimit letrar sublimohet përmes poezive NOSTALGIA dhe ,, IN THE TRAIN OF LIFE ,, të cilat poezi falë dendësisë së vargjeve dhe mesazhit artistik, dëshmojnë mjeshtërinë e saj poetike si autore. Një karakteristikë dhe pasuri e veçantë e këtij vëllimi poetik është metateksti letrar, i cili rrafsh letrar është i përmbushur plot figuracione letrare, simbole, ideoma, mesazhe e reflektime poetike. Poetja Bruçaj, është krijuese e frymëzimeve të fuqishme ku e shoqëron një botë e pasur e përjetimeve dhe refleksionesh, krejtësisht origjinale. Vargjet e saj, sa nostalgjike po aq ekzistenciale e hermetike, janë ideuar, konceptuar e të skalitura mbi argjile reminishencash, ku falë pjekurisë artistike të autores lexuesin e shëtisin nëpër labirinte të një abstraksioni, metrike, e interteksti e hermetizmi poetik si një lloj sfide e bukur artistike për lexuesit në rrafshin perceptues. Është detyrë e receptuesit këmbëngulës dhe intuitiv që të hulumtojë në bërthamën, motivet dhe imagjinatën poetike të autores Bruçaj, motive e mbarështime poetike, të cilat në fakt nuk janë edhe aq të lehta për t’u zbërthyer. Natyrshmëria e rrjedhës së vargjeve, skalitur me një lloj politeisti temash, e pasuron fondin poetik të kësaj poeteje të talentuar. Zëri i saj i heshtur që i sublimuar në varg letrar është një lloj thirrjeje në shkretëtirë për vakuumet e jetës, cenet e cektësitë njerëzore, por falë skalitjes poetik edhe talentit të saj gjurmët e këtyre reflektimeve krijojnë një sfond abstrakt poetik sa joshës po aq sfidues për lexuesit. Leonora, shquhet si mjeshtre e eksperimentimit me vargun, sepse idetë e saj rrinë pezull një kohë të gjatë mbi platformën e planit ideo – poetik dhe ideo- reflektues, krejt kjo falë përvojës së saj letrare dhe brumit të saj të frymëzimeve. Plleshmëria e saj letrare është fryt i empirizmit jetësor, nga i cili trung burojnë frymëzimet dhe urtia e saj unike, sa poetike po aq humane. Dielli i saj poetik nuk e ka për motiv vajtimin e mallkimin e së kaluarës, por të frymëzuara nga notat optimiste, mesazhet e saj marrin dimensione humane, artistike, gnostike dhe të filozofisë ekzistenciale, gjithmonë të veshura me dimensione letrare e humane. Autorja përmes fjalës e shkronjës, ndjesisë e perceptimit, e rigjallërimit shpirtëror e poetik, shpërfaq para lexuesit gamën e gjerë të përjetimeve, vizioneve, e melankolive, shqyrtimeve dhe empirizmit të saj jetësor, por pa e cenuar hapësirën e tjetrit. Poetja Bruçaj – Keka, është vet ndërgjegjja e përjetimeve dhe poezive të saj. Kodi letrar i autores Bruçaj, anon nga një letërsi origjinale e zhveshur tërësisht nga ndikimet dhe imitimet boshe. Autorja shkruan e ndikuar jo nga pasioni, por e ndikuar nga misioni i saj letrar, dhe si e tillë shpreh një dimension e shkallë tjetër të përjetimit letrar dhe artistik tek lexuesit. I errët është shekulli hera –herës për autoren, por edhe një lule e bukur plot optimizëm, thonë vargjet e saj komplekse që për mes skalitjes së vargjeve cilësore mishërojnë kohërat në një adresë frymëzimesh. Poetizmi i saj hera-herës shndërrohet në këngë e herë-herë në pritje e vegim. Pritja si figuracion e përjetim letrar dhe transformimi në Doruntinën e legjendës shqiptare, është kryetema e këtij vëllimi poetik, por e mbarështuar përmes vargut të fisnikëruar e transformuar, që i japin shije poetike e artistike vargut, por edhe lexuesit të etur për vargje cilësore në këtë shekull të shumësisë e degradimit letrar. Pra, kryetemë e krejt këtij libri e ligjërimi poetik është dashuria, por dashuri e shpërndarë në shumë rreze e dimensione poetike si ajo ndaj atdheut, mërgimit, familjes, prindërve, asaj Agape, Amor, Karita, njerëzve me të cilët autorja e kaloi jetën, si dhe raporteve ndërpersonale dhe përplasjeve që i ofron jeta. Asketizmi poetik tek kjo autore nuk është nihilizëm, por një lloj vyrtyti, i mbarështuar në labirintet e një zëri të heshtur e kritik, i cili nuk e ka për mision mallkimin, por gjakimin për një jetë të dinjitetshme dhe në paqe të përhershme. Leoora Bruçaj Keka, tanimë e ka krijuar profilin e saj letrar dhe ,, ritualin,, jetësor , ideor dhe artistik, por edhe atë publicitar. Në aspektin horizontal poezitë e saj hynë në rrethin thumbues për të hapur kështu më pas shtigje të lumtura për shoqërinë, kombet e individët. Vargjet e saj nga ana tjetër, simbolizojnë forcën e thelbin e jetës. Në kozmosin e saj letrar e poetik mishërohet betimi e përkushtimi i pastërtisë e virgjërisë së shpirtit, dëlirësisë, thjeshtësisë, bekimit e harmonisë. Ajo bekon shtigjet e veta përmes skicash e reminishencash përvëluese e dhimbjesh moraliste që si zë i dytë i dykohësisë e përjetimesh vërtetojnë plagët e heshtura duke reflektuar aq poetikisht ,, dhimbja është motivi, ku shpirti ngrihet mbi të, si Feniks për të rilindur PRAPË NË BOTËN E DYKOHËSISË. I gjithë diskursi i saj poetik ngërthehet në një bërthamë. Është klithja për një dashuri të sinqertë, e cila shpesh di edhe të të lëndojë, por mbi të gjitha misioni i autores kurrë nuk ka të ndalur deri tek kufijtë e fundit të lumturisë shpirtërore.
Vëllimi poetik ,, INEER VOICE OF SILENCE ,, i përkthyer në gjuhën angleze nga pena e talentuar e shkrimtarit të mirënjohur Elvi Sidheri, është një mundësi më shumë për ta transidentuar botën poetike të autores Bruçaj, në krahët e gjerë të letërsisë botërore. Ky katapult letrar nuk është asgjë më shumë veç se shpërblimi letrar për një botë poetike sa origjinale, po aq stoike në valët e jetës. Fundi i fundit, Leonora nuk shkruan për ta vrarë harresën dhe për ta instaluar heshtjen e përjetshme në shpirtin e saj. Ajo shkruan për ta vrarë vdekjen dhe për ta fisnikëruar shpirtin e saj të begatë letrar… Fundi i fundit, lumturia qëndron vetëm tek të lumturit. Të tjerët janë veç do shprehje Herakliti, ky Patriark i dialektikës botërore. Poetizmi i Leonorës i takon pikërisht kësaj mbretërie.
Comentarii