Legjenda e Lisit të Njomë.
Nga Ideal & Mentor Serjani
Përpara se të bëjmë të ditur legjendën e mësipërme, le të bëjmë fillimisht një introduksion të përgjithshëm, ose thënë shqip, një parahyrje. Fshati ynë Sasaj, në veçanti nga të gjithë fshatrat e Bregdetit, ka një pasuri të madhe me këtë dru pyjor, që është i llojit të veçantë pasi ky lloj lisi quhet edhe VALANIDH i cili përdoret si lëndë e parë për prodhimin e ekstraktit të taninës, që prodhohej në Vlorë, në fabrikë, i cili përdorej në industrinë e regjies së lëkurës. Emri shkencor i tij është Quercus augilops. Si në Veri edhe në Jug, ndeshet në legjenda, veshje e zbukurime të ndryshme, në ndërtim, në industrinë e anijeve, në heraldikën shqiptare etj. Lisi është druri që ka më tepër freski gjatë ditëve të nxehta të verës, pasi gjethet e tij janë të vendosura në mënyrë të tillë që krijojnë qarkullimin harmonik të shtresave të ajrit, duke krijuar një erë të freskët e të shëndetshme, të pandërprerë. Jeronim de Rada e fillon me «Lisin» poemën e tij «Këngët e Milosaos». Në Perandorinë Romake «Kurora Civile», dekorata e dytë më e lartë ushtarake, është e rrethuar me gjethe lisi. Në mitologjinë shqiptare, lisi simbolizon Zeusin lisi i Dodonës, është dru i shenjtë për etruskët. Por lisi simbolizon edhe origjinën e shqiptarëve. Lisi i gjakut është origjina nga babai dhe lisi i qumështit është origjina nga nëna, të trashëguara brez pas brezi. Në këngët popullore trimat krahasohen» si:lis me dega», «o lisi me dega tënda», qëndroi ”si lis me këmbë» etj. Në krahina të ndryshme të shqipërisë, por sidomos në Jug, në disa vendbanime ku mungonte lënda e parë për prodhimin e tjegullave, janë përdorur dërrasat (rrasat è gurit), për të qënë çatia më e fortë dhe më e qëndrueshme ndaj shirave dhe erërave të forta. Por, meqë rrasat e gurit ishin të rënda, atëherë qerastéja(çatia e shtëpisë) bëhej prej lisi, e cila rronte me dhjetra vjetë etj.
Lëndet e lisit përbënin edhe një ushqim të pazëvendësueshëm për bagëtitë gjatë stinës së dimrit. Zona e Lisit ose e dushkut fillon pas zonës së makjeve, mbi 500 m mbi nivelin e detit. Në të gjitha kodrat përreth dhe në faqet e malit Làvan, sidomos,ka qënë shekuj më parë, shumë i përhapur druri i lisit. Por le të kthehemi tek objekti i këtij shkrimi. Përderisa ky mal përmëndet ne Bibël 2000 vjet më parë, besohet që, edhe nga të dhënat gojore të trashëguara brez pas brezi se ky mal ka qënë i pyllëzuar. Vërehet një fenomen i çuditshëm. Pjesa që ndodhet përballë Kalasës dhe Tatzatit, deri në 500 m lartësi është shkëmbore dhe mbi 500m deri në majë të malit është tokë e butë, e mbushur me drurë pyjorë, lisa e të tjerë. E kundërta ndodh në faqen perëndimore, përballë fshatit tonë Sasaj dhe detit Jon :deri ne 500m lartësi është vend I butë, ku njerzit tanë historikisht kanë hapur toka të reja dhe krijuan baçe me pemë frutore. Hapën tokë e shpyllëzuan, në formë taracash, por lanë edhe mjaft pyje me shkurre mjaft të dobishme, për zhvillimin e kafshëve të egra, bletëve, shpendëve. Kjo quhet edhe zona e makjeve. Ndërsa mbi 500m deri në majë të malit është shkëmbore. Pjesa përballë Kalasës e Tatzatit dhe ajo përballë Sasajit, paralelisht janë vendosur në drejtime të kundërta Nga ana perëndimore toka është shkëmbore por jo në masë të madhe, pra ka aq tokë të butë qe lejon rritjen dhe zhvillimin e e drurëve pyjorë. Ketu ka gjetur veten druri i lisit. Mendohet se sipas gojdhënave e gjithë faqia e làvanit ka qënë e mbuluar me Lisa, nga lindja në perëndim. Por le të kthehemi tek legjenda e lisit të njomë dhe e lirishtave, lirishta është ara që fillon poshtë Lisit të Njomë, mbi rrugën e norinaftit , deri në Vardhan. Këto janë dy toponime në Sasaj, që kanë një origjinë mijëravjeçare p. e. r. Shpesh legjendat janë të pleksura edhe me mitet, mitologjinë dhe përrallat Lisi i Njomë qëndroi deri në ditët e sotme. Po pse i thonë me emër të tillë, kur dihet se lisat e thatë nuk qëndrojnë gjatë mbi tokë?
… Në krye të zonës së makjeve dhe të fillimit të brezit pyjorë të dushkut, në mes të pyllit mbi burimin e Ujthit, në një oaz të bukur e të freskët lëndinor, dy të rinj një vajzë dhe një djalë, që ishin kufitarë me arat e tyre, po hidhnin farën e tërshërës në arën e Lirishtave, për bagëtitë dhe kafshët. Ishin dy familje që shkonin shumë mirë me njëra – tjetrën. Por edhe të rinjtë me njëri – tjetrin, midis të cilëve lindi simpatia, dhe më pas dashuria .Afërdita, perëndesha e bukurisë dhe e dashurisë i kishte turbulluar dy të rinjtë dhe dita – ditës po ua shtonte pasionet. Po kështu Demetra dhe krónosì u kishin shtuar të mbjellat dhe të korrat. Zotat u kishin dhënë gjithë të mirat e së fundi u dha dy të rinjve, dashurinë. Ata e lanë për një moment punën dhe u ulën nën një hije, të qeshur e të gëzuar. Midis tyre qenë dy lisa afër e afër jo shumë të mëdhenj, por pak më të mëdhenj se gjatësia e tyre. Lisi ku qe ulur vajza kishte kurorë. Dy të rinjtë bisedonin të çiltër e të gëzuar për të ardhmen e tyre, por vajza, hera – heres, shfaqte frikë dhe pasiguri për qëndrimin e prindërve të saj, sidomos të babait. Por djali i jepte kurajo, duke i thënë të mos trembej se për çdo gjë, atë do ta kishte në krahë. Por Zeusi mbreti i Zotave dhe e shoqia e tij, Hefesti, të zemëruar me perënditë që kishin ndihmuar familjet dhe të rinjtë, që dashuroheshin, lëshoi retë, nxiu qiellin, dërgoi rrufetë mbi pyllin, bagëtitë dhe gjithë njerzit që ndodheshin me punë të ndryshme, në pyll dhe në mal, por edhe mbi dy të rinjte. Rrufeja e parë ra mbi djalin i cili u dogj dhe u nxi nga koka në këmbë. Vajza ulëriti, por nuk zgjati shumë, pasi një rrufe e dytë, më e fortë se e para shkrumboi edhe vajzën. Qielli u nxi fillimisht nga tymi i zi dhe më pas flakët e zjarrit që iu veshën pyllit me një egërsi të paparë.
Gjuhët e gjata të zjarrit, përpinin me kërcëllima shurdhuese, çdo gjë që gjenin përpara. Flakë zjarri aq të larta s’ishin parë deri atëherë. Lisi ku pat qëndruar djali, nën hijen e tij, u dogj nga dy rrufe njëra pas tjetrës, ndërsa lisi ku qe ulur vajza nuk u qëllua nga rrufetë. Një pjesë e pyllit u dogj, pjesa tjetër shpëtoi, pasi mbërritën menjëherë Pani, perëndia e barinjve, kopeve, pyjeve dhe krojeve, si dhe Pomona, perëndesha e frutave dhe kopshteve, të cilët shpëtuan pyjet dhe arat me të shumta të Làvanit si dhe banorët e fshatit që ndodheshin atë ditë në mal me punë të ndryshme. Por më e dhimbshme ishte shuarja e dy të rinjve dhe e familjeve të tyre. Oazi i bukur lëndinor u shkrumbua. Kur erdhi dimri me shira të rrëmbyer, toka u gërrye dhe në sipërfaqe dolën shkëmbinjtë. Pjesa e baltës u zhvendos poshtë , mbi burimin e ujit, që quhet Ujth (ujë i pakët), me prapashtesën «th» të zvogëlimit. Kështu që pjesa e rrugës nga Ujthi e deri ne Lis të Njomë është e shtruar dhe e riparuar vit pas viti me kalldrëm, për lëvizjen e kafshëve, sidomos në vjeshtë kur dilnin me pëndët e qeve dhe me kafshët e ngarkesës, për të mbjellë të lashtat. Pasi mbushnin enët me ujë dhe pinin edhe kafshët në korita, karvanet dhe njerzit (bujqit) niseshin për në mal, për në Làvan, por, e theksojmë, bënin një pushim, sa pinin një cigare tek lisi në fjalë, në shenjë respekti për dy të rinjtë që humbën jetën, por edhe në raste të tjera. Ky ishte i vetmi pushim që bëhej në çdo rast. E përpjeta e Ujthit dhe e përpjeta që del në qafën e Lëmënjve, janë dy të përpjetat më të lodhshme. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe LISI është edhe simbol i origjinës dhe trashëgimisë Lisi çmohet si druri më i bukur dhe më i dashuri edhe në fshatin tonë dhe mbarë krahinën e Bregdetit, spjegim që ndodhet edhe në fjalorin e gjuhës shqipe.
Po kështu lisi i gjakut dhe lisi i t’amlit (gegërisht) përmëndet edhe në studimin «Eskili ky humbës i madh», të Ismail Kadaresë mbi tragjeditë e antikitetit e sidomos asaj të trilogjisë «Orestia» ku ndikimi i kanunit shqiptar është më se i dukshëm. Por le të kthehemi përfundimisht te legjenda e Lisit të Njomë në Sasaj. Pas zjarrit të madh e shkrumbonjës që përfshiu të gjithë lisarenë, vendi u nxiros dhe u shëmtua aq shumë, sa që, për një kohë të gjatë njerzit i shikonin me dhëmbje drurët e djegur dhe mallkonin Zeusin dhe bashkëshorten e tij të shëmtuar, Hefestin. Drurët e djegur e të zinj, të zhveshur nga gëzimi e gjelbërimi, dukeshin si të mjerë, që kërkonin mëshirë, me degët dhe rrënjët e tyre të thara, por prej njerzve merrnin vetëm keqardhje dhe ngashërime. Me ardhjen e pranverës, në mes të këtij Pylli të Zi, u duken degë me gjethe të gjelbra. Disa moshatarë dhe të rinj e të reja u gëzuan pa masë dhe shkuan të shikonin nga afër, se ç’kishte ngjarë. Sapo u afruan vunë rè një lis të freskët, plot erë e gjelbërim. Pleqtë thanë se ky ishte një nga të dy lisat ku kishin qëndruar dy të dashuruarit vite e vite më parë. Ishte lisi ku kishte qëndruar vajza, lisi i i qumështit. Pak me tej qëndronte i shtrirë gjatazi një shkëmb me dy masive të rrafshta njëri mbi tjetrin. Pleqtë thanë përsëri se ky shkëmb simbolizonte djalin dhe sipër tij vajza që simbolizonte lisin e qumështit. Atëherë pleqtë vendosën se ky ishte simboli i dy të rinjve që i ktheu në shkëmb Zeusi. Lisi u rrit dhe nuk u tha kurrë dhe pleqtë ia vendosën emrin Lisi i Njomë, pasi në gjithë faqen e malit, të gjithë lisat ishin të djegur e të thatë. Me kalimin e kohërave shumëshekullore, trungjet e lisave të djegur u shpërbënë dhe faqia e malit u zbardhua nga gurët e bardhë dhe gurët e thërmuar në zhavor, nga agjentët atmosferik. Lisi i Njomë u rrit, u shëndosh nga qumështi dhe gjaku i dy të rinjve, ku menjëherë perëndesha e burimeve, Karamenta, lëshoi burimin ujor në rrënjët e këtij Lisi që ai të mbetej i Njomë në jetë të jetëve si vazhdimësi e jetës së këtyre dy të rinjve. Ky burim ishte i pakët, por shumë jetëdhënës dhe i vetmi në atë faqe mali. Dhe ky u quajt Ujth që do të thote ujë I pakët, por shumë i vlefshëm. Kështu jetuan të dy bashkë si Ujthi ashtu edhe Lisi i Njomë në kujtim të dy të rinjve. Kjo është legjenda.
Ideal Serjani
15/07/2023 Mentor Serjani
Të nderuar Ideal dhe Mentor,
Legjenda e Lisit të njomë është një rrëfenjë artistike tepër emocionuese. Jeni shumë të nderuar për kënaqësinë që u keni dhënë lexuesve.
Me respekt.
Eshref Ymeri
Feniks, Arizona
15 korrik 2023