Ledri Kurti-Kraja: “Rrëfenjat e xha Avramit”: Prozë që të dhuron kënaqësinë e artit
- 15 hours ago
- 2 min read
“Rrëfenjat e xha Avramit”: Prozë që të dhuron kënaqësinë e artit
Uni dhe rrjetat e tij të brendshme! Kjo prozë përbën një sfidë për të arritur tek vetja; vetëm pasi e arrin këtë, lidhet përsëri me kujtimet e trashëguara nga dheu, prindërit dhe simboli i “fyellit” që vjen nga vendlindja. Përsiatjet e unit, të cilat shpesh ngatërrohen dhe shpërndahen për t’u përshtatur me tokën e re ku jeton, mbartin në thelb pasurinë shpirtërore të kujtimeve të ruajtura. Kjo krijon një gjuhë të re simbolike në prozë, ku kodet e “merimangës” dhe “fyellit” shërbejnë si mënyra të komunikimit.

Proza të tilla të falin kënaqësinë e artit dhe hapin mundësinë e interpretimit, duke krijuar atë që studiuesi i njohur Umberto Eco do ta quante “vepër e hapur”. Që në titull, u tërhoqa nga gjetjet e tij dhe, me të vërtetë, nuk u zhgënjeva! Ekonomizimi i fjalëve shërben për të nxjerrë në pah tipin e veçantë të kësaj proze dhe rrit vlerën e saj, duke kërkuar ekuilibrin mes mendimit dhe mesazhit, të shprehur në mënyrë koncize.
Ky ekuilibër rezulton në një përpjekje drejt një uniteti të plotë; prej këtij uniteti, krijesa e përftuar bëhet vepër e bukur. Edhe në titull reflektohet ky dualitet i bashkuar në një: uni, individi, përfshin të dy aspektet dhe zotërohet nga të dyja. Ai zhytet në përsiatjet e jetës së përditshme, por gjen veten pavullnetshmërisht edhe brenda kujtimeve të tij, si një ngjizje e dy kohëve.
(Nëse më lejohet, mund të shtoja se, në këtë lloj tregimi që më ka pëlqyer dhe e vlerësoj, si formë e prozës moderne me gjuhë psikoanalitike freudiane, mund të ishin shmangur ose ndryshuar, jashtë llojit të saj, shprehjet “normë” dhe “emetim”, për të ruajtur rrjedhshmërinë e brendshme të tekstit.)










Comments