Laraska
Fatmir Terziu
Duket e gabuar që nga ky zog ngjyresa,
ka mbetur një përzierje ende e errët sot,
ku e bardha mundet gjithnjë nga e zeza,
nga koha kur u krijua vetëm nga një lot.
Vendet ku shfaqet, ende e pasojnë këtë mit
krokamë e atillë ka mbetur sikurse notat
shndërruar në një pentagram plot muzikë
me një prekje të pikëlluar lart nga zotat.
E keni dëgjuar shpesh, vetëm në tryezën tuaj
në një stinë të gjelbër, të tërhiqet vëmendja
larg nga puna e nga shqetësimi i ditës suaj
drejt mbrëmjes së butë jashtë nga mendja.
Një këngëtare e ngadaltë, por jo si të tjerët
me ngjyrimet e historisë, dashurisë, gëzimit
me pikëllimin që mësoi prej fisit të saj të errët
mbi lotin e bardhë në sytë e njerëzimit.
Në udhën e gjatë qiellore të mbufatur lart
instinktivisht rrëshqet ky mit ende mbi flatra,
por i freskët gjithmonë me lot të ri që zgjat,
aq kohë sa shfaqet e „këndon“ laraska.
Lame Fandi
Poezi qe transmeton ndjenje, muzikalitet, po mbi te gjitha me kendveshtrim te fresket, qe e ben ate teper interesante.