top of page

Kush e ka fituar bastin?!




Kush e ka fituar bastin?!

Nga Fatmir Terziu


Aty është një godinë. Në atë godinë ulet Arkitekti i saj. Në godinë është një sallë. Në atë sallë qëndronte i biri i arkitetktit të saj. Në atë sallë ishte një zyrë. Në atë zyrë nuk ishte vetëm një fytyrë. Njëra ishte prania e kohëpaskohëshme e 24 orëve të saj. E ajo ishte me një gozhdë në mur. Ajo qëndronte, pos disa fytyrave të tjera të njëjta nga lloji, që vareshin po në gozhda, zyrave të tjera në krah dhe aty pranë. Dhe në këtë asimetri ishte dhe një e (A)tillë…, që e quanin Kthejanë. Në Kthejanë, thuhej se bashkolheshin të gjithë fytyrat. E me mimikat e tyre bëheshin të gjitha planet. Me magjinë e fytyrave të tilla bëhej dhe fiksohej çdo plan, para se të tjerët të dilnin në shesh e në mejdan. E ajo, jo më kot e kishte emrin Kthejanë. Emrin askush nuk ia dinte pse e kishin ngjizur të tillë. Madje, ende edhe sot askush nuk e di, pse e quajtën Kthejanë. Por atë ditë aty u panë dhe u shanë. U llafëgjorën e u syçorrën të gjithë. Edhe ata u mallkuan dhe u shanë, pra ata që dikur ishin fare pranë e pranë.


1.


Atë ditë në Kthejanë u ul Arkitekti i saj. U ul i qeshur, i zbukuruar, i paqtë, jo i vetëm, por me të Birin e tij në anën e tij të djathtë. Në anën e majtë, thuajse i ngjashëm, ndodhej kopja e tij, Ai ekzistenti tipik, i sojshëm dhe i motshëm si Luciferi i blinduar plotësisht nga brenda dhe jashtë dhe me një Brirë Qiellor të Artë. Pritej vetëm të shpalosej vendimi i marë.

Drejtpërsëdrejti para tyre ishin ulur 56 Zgjedhurnakë të veshur me një tunikë të artë me Kurora të Verdha, që picëllonin tutje si një vegim që të shpinte në dhomën e Fronit Masiv, që dukej si një çiban i ngulur tek dera.

Kjo shihej mbi kokat e tyre. Në dhomën e Fronit Masiv, ishin disa qindra të përzgjedhur, të mbledhur për të dëgjuar këtë vendim të rëndësishëm. Ishte si në një lojë të kohëve moderne. Një lojë e kushtueshme dixhitale, në formate të mirë-adresuara elektronike. Lojë?! Jashtë asaj loje bëhej turfullimë, ndjehej turmë.

Brenda turmës, pati njëfarë entuziazmi dhe ndiheshin disa trazira që thuhej se dhe ato hynin në lojë, si një farë zhurme që përcillje kota së koti gojë më gojë. Struktura e ndjeshme ishte aktualisht e përbërë nga vetëm një dyzinë ulërritësish. Ata ishin nën komandën e drejtpërdrejtë të Arkitektit dhe ata ishin zërat më të fuqishëm, më të disponueshëm, që Arkitekti kishte lënë mënjanë për detyrat më të rrezikshme dhe më të vështira që mund të imagjinoheshin ndonjëherë.

Ajo që Arkitekti nuk e priste do të ndodhte. Ai ishte gati të tradhtohej nga një prej Engjëjve të tij kryesorë dhe ai vetë duhej të sprovohej me sprovën më të madhe me të cilën do të përballej ndonjëherë. Papritur, Luciferi i ra borisë. Vendimi ishte gati të shpallej ...

Nuk ka habi. U dëgjuan zërat të pasonin zërat e tyre të detyrës. Dhe pastaj heshtje. Ia dinin sekretin. Ai fryhej. Ndaj pritej tërë frikë se mos do të shfryhej, sapo të fillonte shpagimi i vendimit të marë.


2.


I Biri e mori fjalën. Toni ishte drithanak, por i zhurmshëm. Zëri dhe një gatishmëri më elegante u vesh me vetinë që kishte ta bënte të tillë, vetëm Luciferi. Ai zverdhej teksa mbante fjalimin e tij. E folur në një dialekt diabolik, shpalosja u ndje në formën më të paparë, edhe i Biri ishte madje gati duke qarë. Zëri u zhuzhit. Zëri mbeti i trazuar, i përzier në turmë. Diku afër dhe pranë ishte vetë Ai, i maskuar si një Engjëll lajmëtar. Ai për habi heshti. Nuk u besonte as syve dhe as veshëve të tij. Pastaj bëri një përçapje duke lejuar disa ndryshime brenda Qeverisjes së tij, që e gjitha të zhvendosej në pika të rastësishme rreth perimetrit të Dhomës së Fronit. Katundari dhe Plangritësi u futën në dhomën e Fronit vetëm për ta gjetur veten të pozicionuar. Luciferi kishte dhënë urdhër për të hequr qafe gjithkënd, pra nëse ndonjë, që e kundërshtonte atë, ose mbretërimin e tij. Sidoqoftë, demonët që e dinin praninë e Luciferit menjëherë hapën një portal të quajtur „Hija e Errësirës“, i cili krijoi disa mundësi, që ata të mbroheshin nga Drita Qiellore e shpalosur me një Dron dhe kështu u fokusuan në përdorimin e aftësive dhe fuqisë tërheqëse të demonëve.

„Fikni dritat!“ – bërtitën zërat e ngjashëm mëngjesorë. Është zgjuar. Jemi në dritë të diellit. Dhe ata panë se në mes të natës, në mes të asaj errësire të mbretërimit global, në qiell ishte më në fund ishte parë edhe yll polar. Ai kishte rreth vetes tërë ata besimtarë qiellorë e tundnin me ngadalë një shkop hyjnor.

„Të hapen kazinotë! Të hapen bastet, bixhozet, lojërat, bojërat, modërat!'

Turma ishte e vogël, por ishte turmë. Arkitekti, pastaj i biri … e tërë shkuesia e kësaj loje jepte e merrte mes asaj boje.

Duhet pastrim. Pastrim të dengjeve që hyjnë e vijnë pamasë… Me to do të ia dimë më shumë vlerën parasë.

E kjo u tha. E kjo u ba.

Tashmë në Kthejanë gjithkush do të kishte vendin e tij aty pranë. Do të pastronte dhe do të luante me atë, që ata e quanin paranë…

Kjo ishte si bhë fillesë, dhe aty në Kthejanë u quajt Aftësia e parë. Aftësia e dytë ishte një errësirë e bardhë, që ngadalë nisi të bëhet një vrimë transparente, e cila sipas Luciferit do të shërbente që të shkatërronte demonët në çdo gradë të tyre, nëse prekej prej asaj që në gjuhën e padukshme, quhej Zgjidhja Primitive.

„Fikni dritat!“ – bërtitën sërrish zërat e ngjashëm mëngjesorë.

Ai ktheu kokën dhe pa se nën Kthejanë ishte vetëm një zë femëror. Dhe gati nuk shpërtheu nga e qeshura e tij në kraharor.

E ku merr vesh kjo nga kazinotë, nga larja dhe shplarja? Kaq u desh dhe ndodhi vendimmarrja. Ylli polar e kishte quajtur një ditë të mbarë. Kaq. Vetëm kaq duhej në atë anë. Kjo tashmë ndodhi në Kthejanë.

U shpall. U shpall…

Hë mo ti mos u tall?!

Po. Nuk tallem tashmë do të hapen të gjitha dhe … ne të gjithë do të luajmë, do të shfrytëzojmë këto raste, do të shembemi me baste.

Ata e shpallën dhe panë me sytë e tyre se Kthejana po ikte nga e prapta. Sa e shpallën të gjithë i drejtuan sytë nga e Majta. Përpara kishin nga një shihe dhe askush nuk guxonte ndryshe. Ligji i kazinove dhe i basteve ishte rikthyer prapë. Askush nuk mund të lutej më Lart. Shikonin qeskat dhe vetëm lexonin gazetat. Dhe leximet, nuk kishin të bënin me rastin, por me një pyetje që shkonte vesh më vesh: Kush e ka fituar bastin?!

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page