top of page

Kur nis fjala poetike


Kur nis fjala poetike

Dr Fatmir Terziu


Edona Beqiri, nuk është thjesht një përzgjedhje. Nuk është një lidhje aspak mes terminologjisë, apo as edhe një lidhje mes teknologjisë në fushën e komunikimit apo të interesave. Është thjesht një shije që vjen nga etja për të shijuar e lexuar poezinë. Poezinë, që pikërisht renditet nën këtë emër: Edona Beqiri.

Rastësisht lexova disa poezi të kësaj krijuese shqiptare. Disa poezi që më dërgoi për botim tek “Fjala e Lirë” një bashkëpunëtor i këtij mediumi të mirënjohur tashmë në fushën e letrave. I lexova këto poezi me shijen e duhur që në paraqitjen e parë. Më sollën etje. Etje më sollën fjalët, vargjet, strofat dhe më tej pozitë. Fjalë të bukura. Shpirtlëshuar dhe e ciltër, vinte fjala shqipe. E gatuar me një stil tipik, tërheqës. Tërheqës deri në detaj vargu i poezisë. E bukura, e parashtruara, e spikatura dhe gjithëmoria e vlerave përbënte art. Art që funksiononte në tërë dimensionalitetin e tij. Një poezi e skalitur. E këndshme.

E parë nga këndi i duhur, një poezi e tillë është më shumë se premtuese. Poezia e saj ka një moshë të ‘re’, por si poezia ashtu edhe vetë autorja e re shqiptare, kanë një gjeografi tërësisht të plotë shqiptare. Është e lindur në Gjilan më 25 Tetor 1991. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa Shkollën e mesme Ekonomike është duke e vijuar po ashtu në Gjilan.

Më tej nga redaktori i librit të saj të parë “Zemra troket në zemër”, Hysen Këqiku, mësojmë se “Është nxënëse shembullore por, talenti i saj shquhet në recitim, ese dhe në hartimin e poezive. Që kur ishte nxënëse e shkollës fillore nisi të merrej me krijimtari poetike dhe me talentin e saj i ra në sy mësuesit të saj dhe më vonë mësimdhënësit të gjuhës shqipe. Si filloriste recitoi vjershat e saja në orët letrare, duke u mirëpritur nga të pranishmit. Pasioni tjetër i saj është natyra dhe përshkrimi i saj. Dëshira e saj për të dalë me libër para lexuesve u realizua me veprën e saj të parë “Zemra troket në zemër” Edona nuk do ta ndalojë talentin e saj. Ajo do të vazhdojë të shkruaj. Jeton dhe vepron në Gjilan.”

Ja pra kjo është poetja që me vargun e saj të jep etjen për të lexuar. Etjen që ta sjell një filozofi e përsosur mes veprimit të sigluar nga sintaksa dhe semantika e foljes që luan rol të trefishtë. Ky rol i trefishtë i këtij funksioni mes foljes është ajo që vjen përpos kësaj etjeje, përpos kësaj shijeje të mirëfilltë poetike.

Beqiri përdor këto tre dimensione të foljesnë kohën e shkuar, të tashmen dhe e vë këtë folje në një përdorim imediat edhe për të ardhmen. Ja si funksionon kjo tek poezia e saj “Pohim”. Në vargun e parë sjell foljen ‘fol’ dhe e përdor atë trefish duke formuar vargun e lirë: “Fole, flet, fol/Edhe buzëqesh/O diell”. Më tej është folja ‘ëndërro’ që formon tredimension e saj kohor: “Ëndrrove, ëndrron, ëndrro/Natyrë pranvere/Me shikim drejt diellit” dhe vazhdon me foljen ‘hajde’, të cilën e zgjedhon në kohët e duhura përpos kuptimit që kërkon të interpretojë: “Erdhe, vjen, eja’Me mëngjese të reja/Me puhizë pranvere”, duke shtuar tredimensionalitetin e foljes ‘venero’ në funksion të plotësit për pulëbardhat: “Venerove, veneron, venero/Për pulëbardhat/Në fluturim magjik”, shtjellon foljen ‘shkruaj’ në një ridimensionim të saj: “Shkrove, shkruan, shkruaj/Për ëndrrat, dëshirën, të mirën/Për lindjet e ninullave” dhe në fund plotëson vjershën e saj me varg të lirë duke iu rikthyer foljes ‘fol’ që të risiglojë kuptimin metaforik për diellin: “Fole, flet, fol/Edhe buzëqesh/O diell...”.

Skalitëse e bukur semantike e foljeve

Kjo autore mund të thuhet me plot gojën se është një skalitëse e bukur semantike e foljeve. Nëpërmjet dimensioneve që ajo u jep foljeve të ndryshme në tërë strukturën poetike, ajo u jep atyre forma dhe funksione të mëtejshme e më të lexueshme. Tek poezia “Të mos dhembset” funksioni që mer folja është tërësisht filozofik dhe mesazhi është i shumëfishtë: “Të mos lodhen duart/Duke shkruar/Të mos prishet gjumi/Kur ëndërron/Zogëzën e strukur/Të mos ndërprehet ëndrra/Kur fluturon/Mbi male bleruar/Të mos heshtësh/Për ta ndërprerë/Fjalën ters/Të mos dhembset durimi/Kur s’ke/çka flet.” Një shembull tjetër ku folja e ridimensionuar merr formë tipike në poezinë e Beqirit është edhe poezia “Ti”. Tek kjo poezi folja vjen me një simbolikë të athët e tejet kuptimplote.

Në këtë ridimensionim semantik, kompleksi gjuhësor dhe logjika e interpretimit gërshetohet me tipare të reja e tejet funksionale. Ajo ka një funksion të qartë e të plotë. Kështu folja vec arsyes së njohur të lidhur me veprimin e saj jep dhe pasqyron edhe situatën me të cilën argumentohet mesazhi. Tek poezia “Ti”, kjo është e diktueshme: “Ti flet e flet/Fjala nuk të shket/Ti shkruan e shkruan/Me fjalët tua luan/Ti bluan e bluan/Ngopjen e gatuan/Ti mendon e mendon/Të drejtën sublimon/Ti mëton, e mëton/Prapa nuk shikon/Ti sfidon, sfidon/Me të mirën hapëron”.

Folja në poezi dhe modelet aliterative

Folja në këtë ridimensionim të poezisë formon një aliteracion dhe asonancë që luan një rol kyç në strukturimin e vetë poezisë. Me këtë formë që vjen nga poezi të tilla si “Ti jeton”: “Të të përshëndes/O shpirt artisti/Ti jeton/Dhe/Mbetesh i ri/Në histori/Ti thundrohesh/Në simbol miqësie/Ylli të të lakmojë/Në mes errësirës/Netëve pa hënë/Ti jeton i ri/Dhe shkon i ngarkuar/Me vjetërsi/Këndej lë/Mirësi/Kënaqësi/Të të përqafoj/Urtinë e vargut/Për varfanjakun/Të uriturin/Dritën/Për të verbërin”, apo “Me ty”: “-Ky qiell/pa ty/pa diell/-Ky qiell/me ty/me diell./Kjo rrugë/Me ty/me ecje/-Pa ty/me ngecje/Kjo jetë/Me ty/e vërteta/Pa ty/e shkretë” formon modele aliterative të funksionimit në poezinë moderne të vargut të lirë.

Modelet aliterative të poezisë së tillë mpleksen me kuptimin e plotë të fjalës dhe funksionojnë si një pjesë e rëndësishme e strukturës së tyre, në mënyrë që të përdoren model-vargje që përcaktohen nga lexuesi, apo më saktë kur dëgjuesi pret raste të dëgjojë aliteracione që ndodhin rishtaz nën rimë. Kjo vecori e përdorur nga Beqiri, mund të konsiderohet me një përdorim dekorativ të aliteracionit në poezinë më moderne evropiane, ku modelet aliterative nuk janë formale ose kryhet përmes stanzës së plotë. Ky lloj aliteracioni folor është veçanërisht i dobishëm në gjuhë, sidomos kur vjen një gjuhëpërdorim më pak i pasur me strukturat rimuese, pra kur lëvrohet një varg i lirë poetik, modern, postmodern apo edhe poststrukturialist.

Në këtë aspekt shihet edhe një aspekt që ndikohet nga asonanca, pra nga arsyeja që lind prej asaj ndikese poetike ku përdorimi i zanoreve të ngjashme brenda tingujve apo edhe brenda një fjale në vendpërdorimin e saj poetik, provon qartë se tingujt e ngjashme në fillim apo në fund të një fjale, janë përdorur gjerësisht në poezi. Kjo ndodh më qartë në këtë prekje ridimensionale të autores, sepse roli i foljeve për të kryer pjesën më të madhe të funksionimit të mesazhit filozofik në gjuhën shqipe, realizohet në asonancë më lirshëm dhe mund të zgjojë elemente tonale të poezisë dhe kështu që është një formë e dobishme që lehtëson edhe në komunikimin me vlerën reale të poezisë. Me këtë strukturë foljore të ridimensionuar në poezi krijohet edhe një aspekt që ballafaqohet me harmoninë. Harmoni ndodh kur një tingull bashkëtingëllor mund të përsëritet gjatë një përdorimi, pa vënë zërin efikas, apo jo vetëm në fillim të një fjale. Kjo lloj harmonie provokon një efekt më delikat se aliteracioni dhe kështu që është e dobishme si një element strukturor.

Plotësi efektiv i fjalës

Tek poezia “Rrugë mjalti” autorja përdor funksionin e foljes ‘ec’ për të plotësuar efektin për ‘orën’, dhe më tej me tetë hapësirat që i jep kësaj poezie plotëson strukturën simbolike. Ndryshe kjo funksion tek poezia “Lulet e pranverës”, apo tek poezitë e tjera të autores si “Dashuria verore”; “Shikoj”; “Më ndje”; “Së paku në kujtesë”, “Ëndërr”; “Para syve tu” apo “Ëndërova të të takoj, foljet janë jo vetëm pikënisje vargore, por edhe epiqendër e tërë strukturës së poezisë për të plotësuar mesazhin e saj. Ja si funksionon tek poezia “Ëndërova të të takoj: “U linda/ Për ta sfiduar shpresën/U rrita/Me melodi të akorduar/U zgjova/Për ta shuar/etjen me vesë/Kur dielli dhe hëna/Të etshëm ndaheshin/E vogël/Isha ta kapja/rrezen që e doja/Një pëllumb i bardhë/Përshëndetej me një dallëndyshe/Kënga e/tyre më thërriste/Zemra rrahte fort/E/Vitet bënin vallen e akorduar/Unë ecja ta kapja rritën”.


39 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page