top of page

Kur kënga i hidhte në sulm njerëzit njësoj si pushka


Grafika nga Arkivat Britanike

Kur kënga i hidhte në sulm njerëzit njësoj si pushka

Prof Dr Fatmir Terziu

Njëqind e shtatëdhjetë e tre vjet më parë Jugu i Shqipërisë gati ishte bërë një. Ishte muaji maj i atij viti që bëri bashkë së pari “lidhjen” e më pas qershori, muaji që shpërtheu e bëri bashkë gjithë Toskërinë. Nga VloraPërmet, nga Paramithia, Margëlliçi e Pilati, deri në Shkumbin fjala e vetme “Tanzimat” po kridhej rreptë e priste pamëshirshëm me shpatë. E në tehun e shpatës përfundonin jo vetëm armiqtë, por edhe tradhëtarët e bashkëpunëtorët e tyre, me refrenin[1]: “Tym e havajete s’ka, jemi popull fukara”. Sakaq kënga kishte mbushur male e gryka dhe refreni i saj kishte pushtuar edhe zyra. Porta e Lartë dridhej, e Bota tashmë detyrohej të njihej…, të njihej me një popull që nuk mbante më hasëm mbi vete, se[2]Gryk’ e Kuçit, gryk e keqe,” kishte tashmë në këmbë “një mij’ e treqind dyfeqe”.


Me këtë refren të shënuar në Arkivat Britanike, disa muaj më vonë nga kjo Kryengritje, në muajin shtator Zyra e Ministrisë së Jashtme do të dëgjonte atë që njoftoi Viscount Palmerston, Sekretari i Përgjithshëm i Shtetit për Çështjet e Jashtme të Madhërisë së saj, sipas informacionit që kishte marrë nga Lord Cowley, në lidhje me një Kryengritje të çuditshme ku “kënga i hidhte në sulm njerëzit më shumë se pushka”[3] (A. Britanike: 4/09/1847). Zëri jehonte nga grykat e vështira të Labërisë, aty ku britma e Serasqer Mehmet Pashës i qasej Delvinës dhe mbytej nga “zëri djelmor i Hodo Nivicës”, që vjen si tillë nga kënga popullore, që thotë se ai i kishte luftëtarët e tij shumicën “djelm të ri”. Dhe sërrish arkivat flasin “është fjala për një Kryengritje masive, banorët janë ngritur masivisht kundër qeverisë, zëri në mes tyre është me një refren të fortë: “E sos lëftove për vete,/po për gjithë vilajete/për nizam e për xhelepe/s’ë për mua e për ti/po për gjithë Shqipëri”.

Ndërsa Kryengritja e vitit 1847 ishte një shuplakë e rëndë kundër Perandorisë otomane, ajo i kushtoi Stambollit humbje të mëdha materilae dhe në njerëz, madje e bëri atë që të mos jetë më e zonja të mbajë dhëmbët e saj të egërsuar përgjithnjë. Hovi vazhdoi gjatë dhe u mbajt gjallë që nga 1847 deri në 1912 kur lufta e vazhdueshme heroike do të shënonte ditën e madhe të pavarësisë.

Ky hov nuk erdhi vetëm me shpatë, as edhe vetëm me pushkë, por me tërë shpirtin dhe vrullin popullor, me tërë melosin e tij kulturor, që shërbeu si gjithnjë për të mbajtur ndezur shpresën. I jepej kushtrimi me këtë melos të gjitha hapësirave, zgjohej krahu i përtejmë i Vjosës, përtej Lumit të Vlorës dhe shkonte zëri deri në Kaninë: “Del’, o Lum’ i Vlorës-o!/ Dil se do dalim-o,/të mëdhenj e të vegjël-o,/të pjekur në Povël-o…” (Nëndori, Nr. 9, 1954: 139-141). Por në këtë vrull gjithnjë melosi popullor godet fort edhe ata që i vihen në krah armikut, mbrojnë ofiqet e tyre, dhe i vihen kundra lëvizjes, Kryengritjes. Kënga popullore ndëshkon. Ndëshkon dhe bën që të mos harrohet: “Prim’o Isuf beu, primë,/në të zënça s’ke të mirë,/gjakun ta kam për të pirë!/Isuf be, o preshaxhi,/çe qojte Greshicën ti?/T’i nxuer, zorr e mëlçi” (Po aty).

Kjo ndodh kur kënga dhe lufta bëhen bashkë. Bëhen bashkë në Kurvelesh, Lum të Vlorës, Delvinë, Myzeqe, Berat, Gjirokastër, e kudo ku karakteristikat e kësaj kryengritjeje dallojnë mjaft nga më të mëparshmet. Karakteri i saj i gjerë popullor, shfaqja më e gjerë e karakterit, horizonti më i gjerë, e më kryesorja, nuk luftohej më vetëm për një krahinë, por për të gjithë vendin. Ndaj dhe këngët e kësaj kryengritjeje kishin zë më të madh, ndaj u ndjenë dhe matanë, pra në hapësirën tjetër, ku arkivat nisën të shënojnë qëndresën, jo thjesht me fjalë.

Duhet shënuar se “Kryengritja shqiptare e 1847-ës ishte një kryengritje e shekullit të 19-të në jug të Shqipërisë kundër Tanzimatit osman, reforma të cilat nisën më 1839 dhe po aplikoheshin gradualisht ndër viset shqiptare”[4]. Sipas Syrja bej Vlorës mësohet se “Përgatitësit dhe shtytësit e vërtetë të kryengritjes qenë Mustafa Pasha, Selim Pasha, Mahmut dhe Mehmet Beu nga Vlorajt, Dervish dhe Hasan beu nga Elbasani, Abdyl bej Koka dhe Sulejman agë Kalapodhi nga Delvina, Tahir dhe Halim agë Capari nga Margëllëçi, Çelo Picari dhe Veis Vasjari, Rrapo dhe Hamid agë Hekali, Shaban agë Peshtani, Shaban agë Kujdheli, Harisi dhe Osmani të Tahir agë Abazit, Sulejman Aga, Tafil agë Buzi, Ahmet agë Dino nga Preveza, Alizot aga nga Filati”. (po aty).

@copyright

[1] Nëndori numri 9, viti 1954 faqja 141. [2] Nëndori numri 9, viti 1954 faqja 139. [3] Arkivat e gazetave britanike 4 shtator 1847. Nga Gazeta e Night’s Gazette.) Zyra e Jashtme, 4 Shtator 1847. [4] Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Tiranë: Iceberg. f. 209.

111 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page