Kujtimeve tona
- Aug 18, 2025
- 1 min read

Nga Fatmir Terziu
E gjitha shkon në një pikë
pastaj vetëm pikë
pikë
pikëz…
… ndjek retë tinëz
e qielli tkurret
tkurret përsëri
në ndjesi
në sy
mbetesh vetëm ti e bardhë borë
derisa më tretesh e tëra në dorë.
Dhe unë
të korrigjoj duke menduar akoma më shumë,
mbrolën që zbret si një alarm,
pastaj vendos një markë,
të mas forcën e frymës në çdo rast,
meteorë që bien, muskuj zanorë që çirren,
kuajt dhe era,
kaçurrelat e dendura që shpërdridhen,
dhe mjaft ngjyrime që rrethsillen,
në një pikë,
një pikë,
një pikëz…
… dhe unë vazhdoj të të shoh tinëz
në një udhë të madhe plot meteorë
ku shkuljet zhurmojnë, dhimben, përmallen,
me zërin e tyre njerëzor.
E pastaj me gishta
mas litarë të hollë e të trashë
rënien e ujtë dhe mitet si bisha
pastaj qielli tkurret,
tkurret,
tkurret më shumë,
kur të shoh gëzohem,
bërtas në gjumë,
me sytë hapur
shoh se notojmë si shkumë
mbi dy dete,
mbi një lumë…
…e unë jam në kulmin e dritës
në një pikë,
pikë
pikëz…
mbi një varkë
bulëza solemne të harlisura që shkrihen
në orët e vona
me shiun që na lag
kujtimeve tona.









Comments