Nga Petrit Malushi
Autori nga Dëshnica e Përmetit, Kujtim Mateli, kohët e fundit serisë së librave të botuar u shtoi edhe një titull të ri me poezi. Hapin e parë në fushën e botimeve ky autor dëshnicar e ka bërë me vëllimin poetik “Kur mendoj për të tjerët”. Më pas ka përcjellë te lexuesit “Qetësojmë shpirtin e trazuar”, “Eci mbi një fije shprese”, studimet “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II”, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit III”, vëllimin me ese, recensione e studime “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë” dhe “Dyzet shkrimtarët e Dëshnicës”. Vëllimin e ri poetik e ka titulluar “Mos u mposht o njeri” , titull i drejtpërdrejtë kurajoz për njerëzit, që të mos jenë kurrë shpresëhumbur në jetë. Përballjet me vështirësitë apo të keqet, që në më të shumtat e herëve varen prej të tjerëve, situatave apo sistemeve politike e shoqërore, duhet të kalohen që të ecet përpara dhe të arrihen objektivat e sukseset që secili i vë vetes. Redaktor është Delo Isufi dhe recensent Petrit Malushi. Autori i ka ndarë pesëdhjetë e gjashtë vjershat në tre cikle. Po brenda këtij vëllimi ka një ndarje tjetër me trevargësha dhe në fund një këngë-baladë. Në ciklin e parë “Kap vështrimin e ditës”, ka sistemuar pesëmbëdhjetë vjersha, në të dytin “Shkruar mbi një gjethe lisi”, njëzetë e dy dhe në të tretin “Në atë mot të trazuar”, nëntëmbëdhjetë. Trevargësha ka arritur të realizojë pesëdhetë e shtatë. “Kënga e Vlorës” është pjesa mbyllëse e vëllimit. Ajo ka hyrje, ka dymbëdhjetë këngë dhe një mbyllje. Në këtë vëllim Kujtim Mateli ka arritur të krijojë vjersha me nivel më të lartë artistik se në vëllimet e mëparshëm. Tregon më shumë maturi e pjekuri në gjetjen e fabulave, trajtimin e temave, kapjen e motiveve dhe përcjelljen e mesazheve te lexuesi. Temat janë bashkëkohore dhe për të gjitha klasat e nivelet e lexuesve.
Te vjersha “Krenari shqiptare”, me të cilën hapet libri dhe cikli i parë, si simbol është marrë shqiponja, te “Atdheu” kemi shqetësimin për largimin e qytetarëve jashtë vendit, ndërkohë që te “Dhomë e vogël” mesazhi është kthimi në vatrën familjare i njerëzve, ngado që të shkojnë në botë. “Mos u mposht o njeri” e justifikon plotësisht titullin e librit. Mbi vete mbart peshën e përvojës jetësore të autorit ndër vite. Të skalitura artistikisht, me anë të figurës së enumeracionit, jepen këshilla dhe mësime për hapat që njeriu duhet të hedhë gjatë ecjes në jetë, rrugëve të drejta dhe rrugëve me kthesa. “Mos u ndje fillikat o njeri/Mos u ligështo nëse skamja të ndjek/Mos u ndal buzë honesh ku grindja zgjat litarin/Mos e harxho kohën kot o njeri vrull penguar/Mos u ndal o njeri besim prangosur/ …Para gjoksit tënd o njeri guxim tulatur/Heshtin erërat e dimrit/Tërhiqen zvarrë djallëzitë/…Të qëndrosh në këmbë ditëve të vështira/Hapja dritaren ëndrës…” Vjershat e pasuese duket sikur e plotësojnë kornizën e vëllimit pa rënë në përsëritje. “Pyetje pa përgjigje” ka mesazhin për veset e këqia që kanë kapur shoqërinë njerëzore. “Mos udhëto në rrugën pa dritë” lexuesi merr këshillën që jetë i kujdesshëm kur ecën në jetë. “Nën qiellin gri” duket që tek njerëzit mendimet vërshojnë në çdo kohë dhe situatë. “Pas pak kohësh” e “Kap vështrimin e ditës” kanë nxitje për të ecur vetëm përpara. “Qortim” mbart nota dhimbjeje për braktisjen e vatrave e shtëpive të vendlindjes. Kjo tingëllon fort në katër vargjet e fundit : Mentesha e derës fare qenka ndryshkur/ Me zë gërvishtës më thotë/ Ku ishe kur erërat zbuluan çatinë dhe shiu/ I njomi deri në fund themelet ? Të kësaj natyre janë edhe katër vjershat përmbyllëse të këtij cikli : “Dita e sotme”, “Ca fjalë të ashpra”, “Rrënjë e kombit”, “Këtë mëngjes” dhe “Stërgjyshërve të mi”.
“Emigrantët” është vjersha e parë ciklit të dytë, ku autori jep portretizimin e tyre shpirtëror përballë të papriturave. “Kur mësyn horizontet”, ndiqet nga ”Mos i bëj pritë” (vetes o njeri kur shpirti mbledh petale…) “Atdheu brenda nesh” (atdheu duket nga bijtë dhe bijat e tij…). Kështu vazhdon poeti Kujtim Mateli edhe me “Të lidhur në besë”, “Përtej kuadratit të horizontit”, “Kontrast” (ata që ecin dhe ata që dështojnë në jetë…), “Përballje të egra”, “Udhëtim i ndërsjelltë”(zogu lajmëtar...), “Tani vonë”( etapat dhe vitet e jetës…), “Mëngjese të tazuara”, “Njerëzit”, “Në jetë” (përballja me vështirësitë dhe dëshirat..), “Endrra” (zhgënjimi nga ndryshimi i sistemit…), “Ngatërrestarët” (mbaj larg si pengesë për gjithçka që do të arrish…), “Në shuplakën e vitit”, “Në drejtim të horizontit”, “Në rrugëtimin tonë”, “Caku i kompromisit”, “Sonte”, “Ishte vonë”.
Edhe te vjershat e ciklit të tretë vërehet i njëjti impenjimin i autorit për t’i realizuar artistikisht. “Në atë mot të trazuar”, “Në perandorinë e erës”, “Për ca fatkeq”, “Ka pak shpresë”, “Në pengun tim”, “Kur ecën rrugëve të ngushta” duket sikur plotësojnë njëra-tjetrën. “Në adresë të…”u drejtohet mashtruesve dhe njerëzve të vegjël, ndërsa “Mos guxoni më”, politikanëve. Kështu kuptohen edhe “Natën vonë”, “Në çaste vetmie”, “Në errësirë”, “Njerëzit që dua” e të tjera. Trevargëshat janë konceptuar si sintezë që nuk lënë vend për komente e analiza, pra gjithkush mund t’i përdor si udhërrëfyes. Në mbyllje “Kënga e Vlorës” është e ngarkuar me vlera atdhetare, patriotike dhe historike të cilat ruhen në vite dhe përcillen ndër breza. Pra autori Kujtim Mateli në këtë vëllim nuk shfaqet si fotografues i thjeshtë i realitetit shqiptar, por shfaqet ndjesor si vrojtues, perceptues dhe analizues deri në detaje. Meriton të përgëzohet për këtë prurje të re, ku çdo lexues ka çfarë të përjetojë dhe përfitojë.
Comments