Antonio Lushi: Faleminderit që mbillni dritë për brezin tim
- 2 hours ago
- 2 min read

Kënaqësi dhe nder i veçantë të isha pjesë e misionit të radhës “Margaritarët e Fjalës”,një udhëtim i bukur në shërbim të misionit “Kujtesë për Vazhdimësi” në vitin e tetë të tij.
Një mision fisnik që synon ruajtjen e traditës sonë kombëtare, duke nderuar krijimtarinë letrare e artistike dhe duke i shërbyer me përkushtim gjuhës sonë amtare. Një kujtesë e gjallë për të gjithë ata emra që firmosën dhe vulosën me penë e me shpirt fjalën e artit poetik, ata që me veprën e tyre kapërcyen kufijtë e qytetit tonë, këtij obelisku kulture që është Elbasani, dhe u bënë pjesë e shpirtit të atdheut tonë.
Emocioni u bë i dyfishtë në çastin kur u ngjita në skenë për të tërhequr, nga Kryetari i Bashkisë dhe Kryetarja e Këshillit të Qarkut, titullin e NDERIT TË QARKUT ELBASAN për shkrimtaren, poeten, misionaren shpirtmadhe në një trup të vogël, Iliriana Sulkuqin. Për mua, “Nëna Iliriana”.
Një emocion i dyfishtë për të thënë disa fjalë si misionari më i ri i kësaj vazhdimësie… dhe për ta dorëzuar këtë vlerësim në altarin e denjë të trashëgimisë së saj, tek vëllai i saj, violinisti maestro Zeqir Sulkuqi.
I urova që aty ku përfundon ngjyra e vargut të saj, të nisë e të mos heshtë kurrë simfonia e telave të violinës së tij, që violina e tij të mbetet përjetësisht jehona drithëruese e vargjeve të saj.
Falënderoj nga zemra çdo organizator, çdo misionar që dha nga vetja për këtë mision, veçanërisht xhaxhi Petritin, Blendin dhe Xhimin. Mirënjohje edhe për shtëpitë botuese M&B dhe Jozef, që i dhanë një dimension të veçantë kësaj veprimtarie, si dhe për të gjithë miqtë dhe misionarët që na nderuan me ardhjen e tyre nga diaspora.
“Margaritarët e Fjalës” e shndërruan Elbasanin në një altar drite, ku fjala u bë kujtesë, arti u bë shpirt dhe tradita mori frymë për të ardhmen.
Falënderim i thellë për të gjithë ata që i shërbyen këtij misioni, duke dhënë nga vetja në çdo dimension tyre. Faleminderit që mbillni dritë për brezin tim, për brezin e ri që kërkon rrënjë për të fluturuar në korifenjtë e vazhdimësisë.
Ky mision më mësoi se fjala, kur lind nga dashuria për identitetin, nuk shuhet kurrë , ajo bëhet urë mes kohëve dhe zë që jeton përtej nesh. 🙏Qofshim gjithmonë së bashku për gjëra që i japin dritë shpirtit dhe vazhdimësi kujtesës për fjalën që na bashkon, për artin që na lartëson dhe për kujtesën që na bën të pavdekshëm.🙏








Comments