Kryeinfermierja Gjela Bushi


PROFIL

Shkruar: Fran Gjoka


Kryeinfermierja Gjela Bushi,

një nga përfaqësueset më dinjitoze të brezit të saj


“Të shkruash për njeriun që e meriton, është respekt e mirënjoheje”.

Viktor Hygo


Janë sot me qindra mjekë e infermjerë veteranë, disa edhe me flokë të thinjura e supe të kërrusura nga vitet, që mbajnë peshën e rëndë të viteteve të punës intensive, ndaj them me plot gojë se bluzat e bardha duhet të kenë të drejtën e inkurajimit shpirtëror dhe materjal. Njerëz të tillë, që punojnë me pasion dhe sakrifikojnë shumë nga vetja, pa dyshim kanë krijuar sot portretin e tyre, ndaj të shkruash për ta është jo vetëm një obligim, por dhe një nder dhe refleksion ndaj asaj që kemi lënë jashtë vëmendjes apo kemi neglizhuar.

Kemi nevojë të lexojmë apo të dëgjojme për to në mediat e shkruara dhe televizive, pasi, shpeshherë, në mendjet e shkruara përfliten disa për marrje rrushfeti dhe, padrejtësisht, nën këtë akuzë përfshihen të gjithë. Kjo sigurisht nuk është e drejtë, sidomos kur jemi dëshmitarë të asaj pune të madhe dhe përkushtimi të disave prej tyre, që janë shembull qytetarie dhe ndershmërie në jetë, në punë, në marrëdhënie me njerëzit, me pacientët apo të tjerë, duke rrezatuar përherë dritë dhe bukuri shpirtërore.

Nisur nga dëshira që të vë në dukje lëto vlera, mora penën sot të shkruaj për znj.Gjela Bushi, e cila gjatë gjithë jetës profesionale ka lënë gjurmë të pashlyera në profesionin e saj të vështirë. E lindur dhe e shkolluar në Gjegjan të Pukës, nga një familje e thjeshtë, por e ndershme dhe arsimdashëse. Nga ky trung familjar, janë edukuar cilësitë e karakterit të saj.

Pasi mbaroi shkëlqyer arsimin 8-vjeçar, pushteti vendor i asaj kohe e dërgoi Gjelën në shkollën e mesme 4-vjeçare të Infermierëve në Shkodër, shkollë me një kontribut të madh në fushën e ndryshimeve të mëdha në shëndetësinë shqiptare. Adoleshenca e katër viteve të saj në Shkodër nuk ishte aspak e lehtë, por Gjela gjithnjë veçohej si vajzë me plot reflekse premtuese për të ndjekur rrugën e lodhshme të profesionit të nderuar e të respektuar të bluzave të bardha. Pas dy viteve pune intensive, si infermiere në spitalin Gjegjan, Pukë, vjen në rrethin e Lezhës, ku martohet me intelektualin dhe financierin tashmë të njohur Tonin Bushi, i cili për afro 40-vjet, po tregon vizion dhe aftësi drejtuese e menaxhuese, duke shërbyer me korrektësi në detyrën e shefit të financës pranë spitalit rajonal Lezhë.


Në foto: Gjela Bushi

Infermieria e nderuar, Gjela Bushi, në një moshë të re punoi për 12- vjet rrjesht fshatrave të rrethit të Lezhës, si Zejmen, Pllanë, Tale, Rrilë. Me një vrull rinor, me shpirtin e sakrificës, me një botë shpirtërore plot humanizëm dhe një bagazh dijesh e përvoje të fituara, ajo shpalosi aftësi të rralla në profesionin e infermierës dhe të mamisë në fshatra, duke ngritur vazhdimisht me punën e saj prestigjin e figurës së infermierës.

Pushteti vendor i vitit 1991 e emëroi Gjelën kryeinfermiere të Poliklinikës Qëndrore Lezhë dhe, për 28 -vjet pune intensive drejtuese e menaxhuese, ajo demonstroi sjelljen e një profesionisteje shumë të vlerësuar, madje një shembull për të gjithë punonjësit e Poliklinikës Rajonale Lezhë. Ajo e udhëhoqi punën e saj, gjithnjë me pjekuri mendimi dhe me aftësi profesionale, me këshillime të urta e me një buzëqeshje të sinqertë, derisa doli në pension. Kryeinfermierja Gjela Bushi, mbetetet një nga përfaqesueset më dinjitoze të brezit të saj, që la gjurmë për nga vullneti i pashterrshëm për të aplikuar gjithçka të mirë dhe moderne në profesionin e saj humanitar. -Gjatë punës sime 40-vjeçare, - shprehet Gjela, - gjithmonë jam përpjekur të mbajë parasysh bindjen se “Sa me tepër ligësi të durosh në jetë, aq më tepër e keqja vdes në botë”. Kam qëndruar korrekte në mardhëniet me njerëzit, duke u shërbyer me përparësi ditën e natën.

Kujtimet e qindra pacientëve për këtë punonjëse të nderuar të shëndetësisë janë të shumta. Të gjithë e mbajnë mend kur ajo punonte pa u lodhur, me orar e pa orar, gjithnjë duke dhënë modelin e një infermiereje dhe të një njeriu me vlera humane të vërteta. Shumë njerëz mbajnë mend momentet kur ajo priste dhe u shërbente pacientëve që kishin nevoja urgjente, edhe me fjalën e saj të ngrohtë, edhe me profesionalizmin e saj, duke u dhënë ndihmën e parë dhe duke ndihmuar në shërimin e shpejtë të tyre.

Për 28 vjet me radhë ajo drejtoi, si kryeinfermjere Poliklinikën e qytetit të Lezhës derisa doli këto ditë në pension.

Duke parë vizionin intelektual dhe emancipues të saj prej shumë dekadave, e dalluar për organizimin dhe menaxhimin e punëve, Gjela është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popollor të asaj kohe. Për punë të mira në shërbimin mjekësor ndaj pacientit ka marr titullin “Mirënjohje e qytetit të Lezhës”, dhënë nga pushteti vendor “Për kontributin si infermiere e njerëzve në nëvojë”. Gjithnjë Gjela ka krijuar rreth vetes dhe në shërbimin që drejtonte një emër të mirë, duke marrë falenderime dhe mirënjohje qoftë nga qytetarët, ashtu dhe nga institucionet e shëndetësisë, si për shembull nga Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, nga Drejtoria e Shërbimit spitalor Lezhë, etj.

Rëndësi të vazhdueshme ajo i ka dhënë gjithnjë trajnimit dhe vet kualifikimit por dhe të ekipit që drejtonte, duke u thelluar përherë në informacionet e reja. Në këtë aspekt, ajo dhe vetë ka kryer disa kurse trajnimi e specializimi brenda dhe jashtë Shqipërisë: në Zvicër, Kroaci e Slloveni, e ku njohuritë e fituara i kanë shërbyer për ngritjen e nivelit të punës së saj drejtuese dhe konkrete me pacientët. Në bisedë Gjela thotë: “Nuk është e rëndësishme të jesh por, kryesorja është çfarë je dhe çfarë punësh të mira bën në jetë për shoqërinë në përgjithësi dhe komunitetin tënd në veçanti”.

Pyetjes time, nëse ndryshimi i saj ka ardhur vetvetiu nga mundësitë që i janë afruar, Gjela me modestinë që e karakterizon përgjigjet sinqerisht se është një kombinim midis formimit profesional, por dhe i mundësive që i janë ofruar nga shteti dhe shoqëria që ajo ka përfaqësuar. E në vazhdim do të thoshim se thjeshtësia është një karakteristikë e dukshme e Gjelës, duke vënë në radhë të parë veprën, përkushtimin në shërbim të njerëzve, veçanërisht atyre në nevojë. Në këtë kuptim, asnjëherë ajo nuk shfrytëzoi nevojat dhe hallet e njerëzve për të përfituar prej tyre, ndaj, gjatë gjithë jetës qëndroj dinjitoze, e ndershme dhe e pastër në ndershmërinë dhe karakterin e saj, gjithnjë besnike “Betimit të Hipokratit”, për të mos diferencuar asnjëherë njerëzit sipas miqësisë e shoqërisë, por gjithmonë duke i shërbyer me pasion profesionit të saj të nderuar.”

Kurdoherë, Gjela me bashkëshortin e saj Tonin Bushin, investuan shumë nga vetja, duke rritur, edukuar dhe shkolluar dy djem të mrekullueshëm Elsonin dhe Renaton. Me mësimin dhe edukimin e dy prindërve, ata u rritën dhe u shkolluan, njëri për gjuhë të huaja në Londër, dhe tjetri për mjekësi të përgjithshme dhe më vonë po specializohet për mjek ortoped në Shqipëri.

Këta dy pasardhës shikojnë te prindërit e tyre modelin e devotshëm, një baba shembullor dhe një nënë që përsonifikon modelin njerëzor, figurën e një nëne të dhimbshme dhe të dashur për nipin dhe mbesën e saj, një edukatore e përsosur me cilësi të spikatura individuale, që rrezaton veçse dashuri dhe mirësi me nuset e nipat e mbesat e saj. Teksa e pyet ku e gjen qetësinë, ajo me buzëqeshje të përgjigjet se e gjej te dy djemtë me dy nuse të mrekullueshme, me nipin dhe pse është larg, me mbesën që e kam këtu në Shqipëri e që i quan me plot gojën “ëmëbëlsirat e shpirtit”.

Nuk mund të portretizohet një figurë e shëndetësisë vetëm me disa rreshta të shkruar. Kontributi i heshtur ndër vite dhe mirënjohja e njerëzve dhe kolegëve të saj janë për Gjela Bushin, kënaqësia më e madhe e jetës dhe e punës për tërë ato dekada vetmohimi dhe përkushtimi.

Mendoj se protagonistes sonë do t’i shkonte shumë mirë shprehja se: janë ca medalje që “varen” në shpirt e jo në xhaketë, dhe, Gjela, tashmë i ka vënë me kohë “medaljet” në shpirtin e saj për mardhëniet me njerëzit, për kulturën dhe korrektësinë, për profesionalizmin dhe përkushtimin, ndaj dhe Gjela Bushi mbetet kurdoherë një shembull i lartë i punonjëses së nderuar të mjekësisë shqiptare.


#fran #gjoka #gjela #bushi

72 views

Shkrimet e fundit