top of page

Kozma Gjergji: KARNAVALET 


KARNAVALET 


                Kartolinë letrare nga Kozma Gjergji


     Edhe këtë fillim prilli, siç është traditë, rruga kryesore përmes Margeras zotërohet nga karnavalet. Për fat dita ka ardhur plot hare diellore, buzëqeshje të pranverës në trëndafila e lule, melodi uji shatrivanëve… 

     Unë dhe Daku zemë vend në trotuar t'i shohim më afër. Dhe ja, në orën e caktuar te ia behin. Banda muzikore dhe grupet e kërcimtarëve i prijnë varganit të ca platformave si skena teatrore që i  tërheqin zetorë. 

     Mbi secilën qëndrojn ngrefosur lloj-lloj personazhe të përmasave gjigante, skulpturuar me një fantazi mendjehollë. Bëjnë gjeste komike dhe qeshin dinakërisht, ose tallen me shpoti e triumf. 

     Oh, i njohim mirë! Janë paudhësitë, gënjeshtrat, makutëritë, smirat, deliret, marrëzitë, instinktet  dhe veset e errësirës tonë, pa të cilat s'do e çmonim kaq dritën, mirësinë, humanizmin, bukurinë e virtytet e tjera. 

     Të dy vlerësojm se karnavaliada e sivjetshme ka më tepër larmi karakteresh dhe gjetje më pikante e befasuese. Dëshiroj t'u përcjellë miqve jo të pranishëm tre-katër prej tyre, që ashtu si ne, bashkë me argëtimin të reflektojnë ndaj të këqiave dhe ndërgjegjësohen për të mos ua mundësuar të  na sundojnë. 

     Ndër to veçoj kompozimin e një orkestre të çakorduar, ku luajnë: në kontrabas xhirafa, në piano ariu, në kitarë rrëqebulli, në klarinetë derri, në flaut miu, në xhaz kanguri, në harmonikë dreri. 

     I dirigjojnë me rotacion gomari, çakalli, dhelpra. Muzikën gërr-vërr e hyjnizojnë mrekullitë që këndojnë sytë, gjinjtë, krahët, shalët, vithet e krejt qënia e një këngëtareje të re. 

     E tërë simbolika e formacionit muzikor don të thotë, se nuk mund të shkojnë mbarë punët në një bashkësi a sipërmarrje ku drejtojnë injoranca-gomari, grabitja-çakalli, hileja-dhelpra dhe zbukuron e verbon propaganda-këngëtarja. 

     Pas kësaj preferoj të shtoj shtatoren madhështore të Djallit me maskën e dritës ndjekur qorrazi nga turma entuziaste, e cila e pandeh Shenjtin e dërguar për ta çuar në parajsë. 

     Midis figurave femërore godet e intrigon më fort Mona Liza. Ndryshe nga e Leonardo da Vinçit, kjo tymos cigare me narkotik dhe ka veshur fustane të gjatë si për të mbuluar mëkatet. Vështron gjithë melankoli, brengë, dhimbje, ndoshta për dashuritë fajtore, shthurjen morale, pësimet tragjike… 

     Për ta mbyllur po zgjedh dy kompozime me motive të luftës. Në njërën dominojnë zotërit e saj  me pamje hipopotami e rinoceronti. Luajnë me topin e globit. Çdo gjuajtje e tyre pasohet nga mizori e tmerre të llahtarshme. 


    Në përgjigje shfaqet reagimi tek krijimi tjetër: Nënat e reja protestojnë duke mbajtur në krahë përqafuar predha raketash në vend të foshnjave. 


31 views2 comments

2 comentários


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
28 de mai.

            Sapo e lexova këtë analizë-sintezë tejet depërtuese e me shikim të gjerë nga miku shumë i çmuar Vasil Klironomi, po nxitoj t'i shpreh mirënjohjen e konsideratën time të lartë. 

            Vlerësime të tilla shndërrohen në gosti shpirtërore. 

             Faleminderit! Me respekt, Kozma Gjergji. 

Curtir

Miku im Kozma!


Edhe pse në karnavale jemi të gjithë foshnjor, ti nëpërmjet fabulës krijove mundësinë të na rritësh.


Argumentove me një mënyrë kritike; eksplorove tradita të një populli të lashtë dhe thellove me to dijet tona.

Jetuam në një kohë që për fat të keq, na i ndaluan karnavalet,


( pesëdhjetë vjet pa karnavale 1960-2010.) Na i ndaluan se nëpërmjet maskave ne do të flisnim me zërin tonë të vërtet. Sa çudi!


Edhe pse pa maska, ne nuk mundëm të flasim me zërin tonë.


Po le t' i lëmë ato. Ikën. Ikën ndoshta për të mos u kthyer kurrë. Sonte, unë do të jetojë me karnavalet që na afrove. Të faleminderit!


VASIL KLIRONOMI

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page