Kostaq Duka: A lejohet këtu dashuria?!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Mar 8
- 7 min read

(Arkiva Fjala e Lirë, Londër, E Premte, 20 Mars 2009 16:32:44 GMT)
Tregim
S’kishte as dy ditë që kishte ardhur,mysafir i ri në shtëpinë e pleqve. Fotografia e tij, një fytyrë e gjërë, e shëndetëshme, tërë tul e buzëqeshje së bashku me të së bijës, e dilpomuar per psikologji, binin në sy në këndin e mirëpritjes së të ardhurve rishtas. U vendos në një apartament me dy dhoma gjumi, dy banjo e sallon të gjerë pritjeje. Gjithë pajisjet i solli të reja, kolltukë, divanë, pasqyra kristali të vendosura në mur në korniza druri me gdhëndje dekorative, piktura ku binin në sy pejsazhet e motivet lirike të dashurisë. Fotografinë e së shoqes, vdekur shumë kohë më parë, dikur miss Virxhinia, e vendosi në mes mbi tavolinën e madhe, të rëndë, vezake. Kompjuteri, ku ulej here pas here e bija e bënte kërkime në internet dhe televizori mbi faqe muri ishin të fjalës së fundit….
Dukej i kënaqur me mjedisin e krijuar në apartamentin e tij diku në qoshe të katit të pestë por edhe me mjedisin mikpritës, joshës të kësaj qëndre shlodhëse e përtëritëse të moshës në perëndim…I veshur me nje kostum veror të bardhë dhe kepucë të çelura, bojë mjalti,me një pamjë të një përsoni të kënaqur nga jeta, zbriste nga ashensori tok me të bijën, e cila duke qënë si i jati e shëndoshë, në ecje lëkundej si një patë. Ajo gati përditë ndrronte fustanet, përgjithësisht të gjera dhe gjithë ngjyra pranvere si dhe çantën e dorës. Të dukeshin si motër e vëlla edhe pse ai ishte rreth 85 vjeç dhe ajo 53 vjeç.
Shumë shpejt u bënë të njohur me të gjithë, burra e gra. Nuk linin veprimtari pa marrë pjesë, në bingo, lojëra me letra, në vallzimet e së shtunës, ditëlindjet e muajit, (festa ditëlindjesh të përbashkëta pë ata që kanë lindur në një muaj), në daljet jashtë godinës, ndjekje koncertesh në Çicago, ekspozita të artit figurativ, darkime ne restorante me famë etj, etj….Kur mbrinte autobuzi pas këtyre ecejakeve, që sigurisht janë me harxhime të mëdha të hollash, ai gjithë gjallëri, e gaz levendi merrte persipëer rolin e ndihmësit kryesor për lehtësimin e zbritjes së gjithë të moshuarve.
Dhe ja në këto lëvizje brenda dhe jashtë godinës, një tjetër u bë bashkëshoqëruese. E kjo ishte një grua shtatvogël, e veshur thjesht, me ca flokë të hirtë të prera shkurt me hijeshi.Këpucët e saj të lëhta, ngjyrë bezhë, harmonizoheshin me fundin ngjyrë kafe e trikon prej deveje ngjyrë mjalti. Shikimi i saj ishte pak i përhumbur por i ëmbël dhe i tejngopur me mirësi… Edhe pse ajo kishte kohë që jetonte në këtë mjedis, përgjithësisht qëndronte e vetmuar. Rrallë e shihje të shkëmbënte dy fjalë me dikë. Por kur shkëmbeheshe rastësisht në ecje e sipër s’harronte të të buzëqeshte edhe pse nuk ishe në gjëndje të shpjegoje nëse kjo buzëqeshje shprehte gjëndje gëzimi apo trishtimi.
Çuditërisht ,me sa duket, mysafiri i ri diti të gjejë gjuhën me të.Dhe ajo dukej paksa ndryshe pranë tij. Njëherë vura re se pasi mysafiri, me një zë të lartë, me kembë e duar, tregoi diçka për të qeshur ajo s’u përmbajt, shpërtheu në një të qeshur të çiltër, me zë gati fëminor sa pleq të tjerë të ulur në kolltuqet pranë kthyen kokën me një vështrim sa qortues aq dhe të habitur, sa mësuan nga vinte e qeshura.
Përtëritja gjallëruese e saj ranë në sy dhe nisën të bëheshin diçka e zakonshme duke lënë tej, diku në kujtesë mbylljen e saj në vetvete dhe mërzinë e pakuptueshme. Cila ishte magjia që përdori mysafiri, ky burrë trupmadh e me energji të jashtëzakonshme, tejkaluese për moshën e tij?! Por me sa dukej edhe kjo qënie e vogel e brishtë e melankolike po linte gjurmë edhe në vetë sjelljen e mysafirit. Ai ishte paksa më i përmbajtur, jo dhe aq zhurmëmadh dhe më i sjellshëm ndaj të gjithëve.
Një ditë ishin të dy, jo si zakonisht shoqëruar nga vajza. Ishte dita e bingos së madhe. Duke shkuar për në sallë ecnin ngadalë, pa fjalë, me një qeshje të ëmbël nderë në gjithë fytyrën. Ishin kapur dorë për dore……Nënqesha, pa të keq kur i vura re. Miku i ri sa erdhi e gjeti të dashurën.-thashë me vete. Konstatimi im do të vërtetohej menjëherë pas bingos.M’u desh për punë pune të qëndroja pak çaste në sportelin në hyrje të godinës ku me shërbim ishtë infermjerja Elisabeta , që humorin e krijonte dhe pa shkak atëhere kur i mungonte. Ishte prej vitesh e ndarë nga burri. Këtë fakt ajo s’e pranonte si fatkeqësi, përkundrazi mundohej të krijonte përshtypjen se me ndarjen ishte më e lumtur, më e lirë në përzgjëdhje, më pasionante në dashuri. Sa do të largohesha kur në sportel u shfaq mysafiri. Në shpinë të tij në kolltukun e qoshes së hollit ishte ulur mikesha e tij me vështrim të përqëndruar nga sporteli.
-Mund të më kushtoni dy minuta bisedë, për një çështje delikate, serioze? – i tha Elisabetës.
Ajo, hoqi syzet që më shumë se për lexim i përdorte për modë. I dashuri i fundit i thosh gjithnjë se ato e bëjnë më të brishtë dhe më të vogël në moshë.
-Mund të flisni pa ndrojtje,- i tha mysafirit dhe shikoi këtej nga unë me gjestin kuptimplotë, çfarë është kjo çështje delikate që mund të shqetësojë këtë burrë trupmadh, të kamur e tërë shëndet?
-Dua të di saktë, se nuk dua të bëj gabim……A lejohet në këtë komunitet dashuria? Dua të thëm, a e përmban rregullorja e përcaktuar me ligj, politika e marrëdhënieve mes njerëzve që janë të moshuar …
-Ju thoni a lejohet dashuria?!- Tha gati me zë të lartë infermiere Elisabeta duke e shoqëruar këtë me nuance habie sikur burri trupmadh të kishtë pyetur : a shiten ketu bileta për në Mars?! Burri po bëhëj gati të thosh diçka tjetër por infermierja vazhdoi…Jo vetëm lejohet por edhe stimulohet. Ju jeni i ri këtu. Por shumë shpejt do të njiheni me çiftet e të dashuruarve rishtas. Nëse zyrtarisht festohet kudo vetëm Shën Valentini, këtu në fillim vjeshte ka një mbrëmje speciale “Vallzim nën yjet” kushtuar të dashuruarve. Por nuk mungojnë dhe ceremonitë e mrekullueshme të martesave…..
-Burrit i shndrriti fytyra.Tha, faleminderit e gjithë kënaqësi u drejtua nga mikesha e vet trupvogël i paduruar për të dhënë njoftimin e gëzuar.
Pas kësaj, çifti e “shpalli” hapur dashurinë. E bënë si pronë të tyre kolltukun dysh në një kënd të qetë. Dhe të tjerët “miratuan” këtë përvetësim, të “pronës publike”. Edhe kur në ndonjë rast e gjenin bosh nuk uleshin me mendimin: “ është i tyre, ata do të vinë”. Çuditërisht mysafiri tani që dashuria e përfshiu në gjithë qënien e vet nga hokatar e fjalë shumë u bë më i përmbajtur. Vetëm në ndonjë rast, jashtë pranisë të së dashurës mund ta shihje si dikur, promotor të “zhurmës”.Në çastet “kulmore” të prehjes në varkën ëndërrimtare të dashurisë, aty në kolltukun dysh ai në pëllëmbën e tultë si brumë i ardhur, i grunjtë, mbante dorën e saj të vogël, delikate si prej adoleshenteje. Kokën e nderte mbi shpinën e kolltukut anuar paksa drejt saj. Qëndronte me sytë mbyllur. Mbi fytyrën e shëndetëshme, të ndritshme i hapej tej e tej një qeshje lumturie e medituese. Mikesha e vogel, e lumturuar herë, herë i hidhte një shikim përdëllues. Më pas e tretëte shikimin diku tej në drejtim të papërcaktuar.
Ndryshuan orarin e veprimeve, per shkuarjen pa praninë e të tjerëve në mjediset ekzotike të pishinës, ku pejsazhet murale, stolat e drujtë e anekset e tjera sjellin imitacione dehëse nga ishujt Haëaii. Gjatë verës po dorë për dore bënin shëtitjen përtëritëse në mjediset e jashtëme gjithë gjelbërim e lule shumëngjyrëshe. Edhe jashtë e bënë të tyre një stol të drunjtë tek këndi i intimiteteve, i ashtuquajtur gazebo, një vend me një platformë të ngritur, në formë rrethi, të drunjtë me dy tre tavolina po të drunjta,me karrige me thupra të mbuluar me dërrasa të hirta. Prej këtu shikon tej lëvizjen e makinave në rrugët që kryqëzojnë njëra tjetren. I tërë ky mjedis është i zbukuruar me lule dhe pemë të ulta dekorative.
Por….pa u mbyllur ende vera , një mbrëmje pas mesnate makina e urgjencës “rrëmbeu” me padurimin për shpëtimin e jetës, të ëmblën, trupvogël. Mysafiri, krejt i verdhë në fytyrë e shoqëroi deri në këmbë të makinës. Për gati dy javë ajo qëndroi në spital. Kur u kthye nuk eci më këmbë. Stërmbesa një vajzë e gjatë, rreth njëzet vjet, me flokë të shtrirë derdhur supeve shtynte karrocën e saj. Ai kishte mbi gjysmë ore që e priste bashkë me vajzën. Kur karroca kaloi deren e madhe të hyrjes ai gati rendi ta takonte. Përkuli trupin e gjatë e të shëndoshë në ngutje për ta përqafuar. “Mirëseardhe…..të prisnim me padurim të na vije….” Edhe pse e zbehtë sytë e saj lëshuan një reze përmallimi….Në apartamentin e saj u vendos nje vajzë filipineze e cila i shërbente për 24 orë resht duke u kujdesur posaçërisht për shëndetin e saj….Ishte ajo që e merrte dhe e çonte në restorant dhe mjedise të tjera apo në shëtitjet jashtë në natyrë. Në këto shëtitje bashkohej dhe ai me të bijën….Duke ecur ngadalë pranë karrocës në pëllëmbën e tij shtrëngonte dorën e saj. Më pas ecejaket e saj u rralluan duke shkuar drejt shuarjes. Në muajin gusht doli në natyrë dy tre herë. Dhe në fillim të shtatorit përsëri makina e urgjencës e çoi në spital. Ky largim ishte përfundimtar. Vdiq pas dy tre ditësh. Kur u mësua se ajo kishte gati tre vjet me sëmundjen e kancerit shumëkush shpjegoi dhe shkakun e mbylljes së saj në vetvete duke qënë krejt e rrobëruar nga trishtimi. Ishte vetëm mysafiri, i porsardhuri , që me dashurinë e tij përtëriti buzëqeshjen e fundit të saj.
xxx
Kaluan rreth katër vjet nga ikja e trupvoglës, gruas së ëmbël. Në sallën e madhe të restorant” Kristalit” zhvillohej mbrëmja e festimit të ditëlindjes së të gjithë residentëve që kishin lindur në të njëjtin muaj. Diku në tavolinën speciale, ku qëndronin ata që kishin ditëlindje, vura re burrin trupmadh së bashku me të bijën. Ishte veshur me nje kostum të shndritshëm, të zi dhe një kravatë të kuqe. Dukej i emocionuar. E bija në anë të saj kishte vendosur një tullumbace shumngjyrëshe ku shkruhej”Gëzuar 90-vjetorin babai im i dashur”.
-Çohu më këmbë- i tha të jatit- Pas 100 vjeçarëve të muajit u tha të ngrihen ata që mbushën 90-vjec. Ai u çua automatikisht si me urdhër. Salla shpërtheu në duartrokitje me urimin: “ Gëzuar!”.Por ai shihte larg, shumë larg… Çdo ditë e çdo ditë në ato takimet e ngrohta në stolin dysh, apo në shëtitjet medituese ai i thosh asaj :”90- vjetorin tim do ta festojmë na Las-Vegas”. Kurse unë tek ndiqja ceremoninë së toku me infermiere Elisabetën kujtova me nënqeshje të hidhur atë ditë kur ai erdhi në sportel e pyeti :” A lejohet në këtë komunitet dashuria?”
Mars, 2009- Mars 2025
Comments