Koment: FRYMËMARRJE…Maks VELO në bisedë me Elsa Demo

Ky shkrim të zgjon ndërgjegjen. Ky fragment, i sjellë nga Faruk Myrtaj përmes dëshmisë së Maks Velos, nuk flet vetëm për një episod biblik, ai shtron një pyetje që i përket çdo kohe: si sillet shoqëria me të vërtetën, me fajin dhe me vuajtjen? Kur fajtori dhe i pafajshmi vendosen në të njëjtën peshore, drejtësia pushon së qeni drejtësi dhe kthehet në një iluzion qetësues për ndërgjegjen kolektive. Pikërisht aty lind padrejtësia më e madhe: jo vetëm te dënimi i të pafajshmit, por te normalizimi i barazimit mes viktimës dhe dhunuesit. Historia na mëson se e vërteta mund të vonojë, mund të heshtet, mund të shtrembërohet, por nuk zhduket. Vuajtja e pamerituar mbetet dëshmi e saj më e fortë. Dhe një shoqëri që nuk respekton atë vuajtje, nuk çlirohet kurrë prej saj. Ky është një mendim që nuk kërkon domosdoshmërisht pajtim nga të gjithë, por meriton lexim, reflektim dhe debat të ndershëm. (F.T.)
E gjeta në murin e Facebook, të shkrimtarit Faruk Myrtaj: E VËRTETA NUK MBETET KURRË PA U THËNË
PËRSE E KRYQËZUAN KRISHTIN MES DY HAJDUTËVE
(FRYMËMARRJE…Maks VELO në bisedë me Elsa Demo)
April 18, 2023
“…Po ju tregoj një skenë nga burgu i Spaçit. Isha ulur në tarracën e kampit, direkt në beton, mbështjellë me pallton e shajakut. Sipër nga mali po zbrisnin brigadat. Më dukej gati një peizazh biblik.
Dhe për herë të parë aty në Spaç, i dhashë përgjigje pyetjes që flinte brenda meje prej kohësh:

Përse e kryqëzuan Krishtin në mes të dy hajdutëve?
Përgjigjen e formulova kështu:
Shoqëria njerëzore e ka më të lehtë të dënojë fajtorin pa faj, se sa atë me faj. Kështu mashtrimi është perfekt. Dhe mendohet se dënimi i padrejtë nuk do të gjendet kurrë. Por vuajtja e të vërtetëve mbijeton.
Shoqëria që nuk respekton vuajtjen është e destinuar të vuajë përgjithmonë, pasi ajo vuajtje së cilës nuk i jepet drejtësi, riciklohet.
Ne nuk ishim seriozë në dënimin e fajit, ne nuk jemi seriozë në respektimin e vuajtjes...
Mjaft t'ju kujtoj që në vitin 1994 dëgjoja parullën "Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë".
Këtë gjermanët nuk e kanë thënë kurrë.
Kjo është si të thuash Diktatura është baraz me Demokracinë ngaqë të dyja fillojnë me D.
Kështu hajduti është baraz me atë që vidhet, dhe vrasësi baraz me viktimën.








Comments