Kolec Traboini: POETËT E AVANGARDËS JANË NXITËS TË NDRYSHIMIT
- 17 hours ago
- 2 min read

Poetët nuk janë shtetarë e as staticien, madje po të zhvillohen programet shtetrore e qeverisëse me fantazi poetësh, gjë prej gjëje nuk bëhet. Por gjithësesi poetët me vizion janë nxitës të motivuar për ndryshime pozitive në shoqëri nëpërmjet stigmatizimit të fenomeneve negative dhe afirmimit të së bukurës. Në pikpamje të lëvizjeve shoqërore në fushë të mendimit poetët duhet të jenë në avangardë dhe jo servilë pushtetësh. Poetë bishti...Nuk ka gjë me të pështirë se sa kur sheh poetë kameleonë që i servilosën rregjimeve. Ata nuk janë poetë, por ca bejtexhinj shpirtvegjël, që i bien gjithë ditën teneqeve të Qeverive duke synuar të përfitojnë privilegje. Megjithatë të drejtën për të rrojtur e kanë edhe mizat që i qepen b...së kalit sepse atje ndjehen më komod.
Mirë kjo, po pse poetët surogato nuk i duan poetët e vërtetë?
Së pari se vetë janë inferiorë dhe e dinë mirëfilli se nuk janë poetë as nga shpirti ndjesor dhe as nga teknika poetike.
Së dyti se janë të individualiteteve të ndryshme, me diferenca të mëdha. Dhe është e natyrshme se ata vjershëtorët që vazhdojnë udhën që hapi Hasan Zyko Kamberi, nuk janë e nuk mund të jenë në mirëkuptim estetik me ata që ecin në gjurmët e pashlyeshme të korifejve të poezisë botërore. Është një hendek i madh kjo mosdashje. Janë të thella e nuk kanë të bëjnë me veset njerëzore, por kryesisht me mungesën e talentit. Si mund të kesh dashuri për një poet i thënshin që e ka kthyer tërë qënien e tij në vargëzime hasanzykokamberiane dhe lufton me shpirt ndër dhëmbë të marrë me qindra e qindra çmimë në Shqipëri e Kosovë por edhe andaj nga Tetova e Shkupi, duke mos i lënë shteg për sadisfaksion askujt. Nuk është kaq e cekët kjo mosdashje.
Shikoni dhe një fenomen tjeter. Kanë mbirë ca organe letrare apo faqe gazetash apo antologji që mbijnë si bari i livadheve, apo i tokave djerr e pa bereqet. Mbledhin rasatin e Facebookut dhe lexuesi përballet me gjithfarë soj surogatosh. Dhe këta mjeranë që botojnë kashtë e byk i sheh të japin mendime për poezinë si të ishin profesorë që kanë një jetë që merren me letërsi.Dhe fletnderit e çmimet nëpër tubime poetike këta i mbledhin, e nuk lënë një të bjerë në tokë.
Dhe këta më pas hartojnë antologji dhe bëjnë kujdes që nësë dikush shkruan më mirë e më bukur se ata e kanë halë në sy, e shmangin ashtu si shtriga tërbohet nga bukuria e Borëbardhën dhe urdhëron kopshtarin ta vrasë. Edhe ajo vepron si poetët surogato që ligësia u zë vend në skutat më të thella e të errëta të shpirtit.









Të falenderoj që më bën pjesë e forumit "Fjala e lirë" me vlerë estetike në fushën e krijimtarisë, i dashur Fatmir Terziu!