Kolec P. Traboini: S’ MË LË ERA TË NDEZ NJË QIRI
- Aug 20, 2025
- 1 min read

Nga Kolec P. Traboini
Është një rrah erërash
ku fryn e shfryn si i çmendur
në katër kanatet Mesdheu.
Dritaret janë shqyer, s’ka dyer,
muret janë nxirë e roitur.
Dua të ndez një qiri
në përshpirtje për të djeshmen
e shpresë për të nesërmen.
E sotmja nuk e meriton
as pështymën t’ia hedhësh
se është e shpifur, si shtrigë.
Për rreth politikanë neveri
që shqyejnë njeri-tjetrin si qentë,
të tjerë vjedhin për llahtari.
Dhe ti dëgjosh përnatë
në TV - popullit i bëjnë moral
si të ishin dishepujt faltoresh.
Bir kurvash t’u thuash është pak,
po këta shtirën të gjithë
si të ndershëm, si engjëj.
Ngre jakën e palltos,
të iki sa me larg turmave
që brohorasin "Fitore!"
S'gjen një WC ku të zbrazësh,
pas ndonjë kthine ndoshta.
“Ca pika shiu ranë në qelq”
përsërit pa fund
një teveqele në rrugë.
Dale more,
se nuk jam duke e bërë
në dritare.
Fjalë në erë,
kurkund poezi nëpër rrugë,
veç hije që ikin prej vetvetes.
Koha ka ngecur në këmbët
e një zogu që cicëron
në një degë të tharë, pa gjeth.
Qiparisat vajtojnë përmbi varre.
Ndalem para një tempulli
ku njerëzit mashtrojnë edhe Zotin.
S’ më lë era të ndez një qiri.
Për vete e desha, për përshpirtje.
Ditë e mugët,
fryn erë dhe bie shi.









Comments