top of page

“Koha e dashurive të munguara” në poezinë e dr. Astrit Gjunkshit



Me 11 libra artistik: katër në prozë (romane, novela e tregime, autobiografi, fjalë të urta, esse artistike) dhe shtatë në poezi (vjersha, poema, drama poetike e fabula), padyshim që dr.Astrit Gjunkshi radhitet ndër shkrimtarët më produktive, dhe pse jo edhe më cilësorë të dekatës së fundit.

Nëse tek libri i parë “Botët brenda shpirtit” me 100 poezi dhe poema, si redaktor i tij, u ndjeva mirë që në këtë sprovë isha në të njejtën linjë me recensentët: Dr.Gëzim Alpion (Sociolog, Universiteti i Birminghamit – Britani e Madhe) e Sami Milloshi (gazetar, Boston – SHBA), si dhe me poetin e talentuar Martin Cukalla, në vlerësimin e Dr.A.Gjunkshit si poet-filozof, që sillte për lexuesin poezi me mendim të thellë dhe mjeshtri artistike befasuese, të njejtën ndjesi provova edhe me leximin e 59 vjershave dhe një poeme të librit të tij të fundit “Koha e dashurive të munguara”. Veçse me një ndryshim cilësor: me këtë vëllim ky autor shënon një ngjitje të dukshme në shkallaren e poezisë shqipe.

Më shumë se sa për titullin intrigues, ky libër të tërheq që në fillim dhe të mbërthen në leximin e të gjitha poezive, për vetë formën e veçantë kompozicionale me katër kapitujt e tij: “Koha e dashurive të munguara”, “Valët e dashurisë”, “Tezgjahu i madh i kohës” dhe “Jeta-ca pika loti mes dashurive”(poemë me katër nënkrerë). Parë nga një këndvështrim i përgjithshëm, ky libër bart vlera shumëdimensionale, jo vetëm për lëndën tejet të pasur e të larmishme, por parasëgjithash për stilistikën e veçantë të këtij autori, gjuhën e pasur dhe mjetet shprehëse domethënëse. Kësisoj mund të konkludojmë se ky është një libër sa intrigues aq edhe mbresëlënës. Mesazhi këtu përcillet qartë që tek poezia e parë “Koha e dashurive të munguara”, e sintetizuar kjo qoftë dhe vetëm në vargjet: “Zvarritet koha, nuk fluturon sot/Se shumë dashuri mungojnë/Të lumtur dashuritë e bëjnë një botë/Pa dashuri natyra dhe njerëzia nuk frymojnë”.

Ndërsa te poezia “Dritë e shpirtit tim” (vajzës sime Asena në 35 vjetorin e lindjes” sintetizohet me ndjeshmëri të lartë dashuria për atë që ndriçoi familjen, shtëpinë, duke u rritur. Mjaftojnë qoftë edhe vargjet e kësaj vjershe: “Me vëllanë bashkë thesar ju kemi, dhe s’duam tjetër/Veçse të lumtur gjithnjë t’ju shohim, duke u ngritur…” për të kuptuar shpirtin poetik, madhështinë e fjalës e të vargut në poezinë e A.Gjunkshit. Po këtë madhështi dhe magji të fjalës artistike të këtij poeti e dallojmë edhe tek vjersha në vijim “Margaritë mes dashurisë” (Mbesës sime Maida, para se të vijë në jetë), për të cilin (siç ka thënë në çdo poezi) “vajzat janë si lule”.

Brenda këtij nektari poetik profilizohet gjithça është Astrit Gjunkshi, i cili me këtë libër i dhuron lexuesit vargje të çlirëta, me muzikalitet spontan, që rrjedhin natyrshëm, por edhe me shpengimin karakteristik të frymëzimit origjinal, si tek strofa e fundit e poezisë “Ngrohtësi dhe ngricë njerëzore”: “Kur njerëzit e familjes i ke larg, një boshllëk ndjen/Por të mungojnë dhe miq të viteve të shkuar/Ngrohtësinë e dikurshme nëpër biseda rrallë e gjen/E ngrrtë ngjan koha, duket se bota ka ndaluar”.

Duke vijuar me këtë kapitull, në poezitë “Ushqimi i shpirtit”, “Lulet e kumbullës”, “Buzëqeshjet”, “Vajza dhe deti”, Pëllumba në dritaren time”, “Gjuha e perëndive” etj, konstatojmë se Astrit Gjunkshi është poeti që përjeton skajshmërisht ndjenjën çastësore dhe e përçon atë nëpërmjet vargjeve mbresëlënëse.

Ndërsa tek poezia “S’mund të rrojë Dibra pa Drinin” evidentohen qartazi variacionet poetike në formë mozaiku që shkrihen në kodet nëntekstuale nëpërmjet të cilave Astrit Gjunkshi i ngre një kult botës dibrane, nderit, dinjitetit, virtytit, arketipit social, etik dhe filozofik të dibranit që motivohet nga zgjuarsia, maturia, etj. Kjo sipas tij: “Sepse kur Drini-aortë/Nuk rrjedh si gjithnjë me vrull/Zemra e Dibrës merr pak jetë/Dobësohet trupi i saj./A rron dot trupi pa zemrën?/Asnjeri s’mund ta mendojë/Kështu dhe Dibra pa Drinin/Kurrë s’mund të jetojë…”. Dhe po nga ky sfond mund ta shikojmë dhe analizojmë edhe poezinë me titull “Korabi-sofra e perëndive”, ku: “Më i larti mal, thellë rrënjët në atdhe/Si një sofër perëndish drejt qiellit Korabi ngrihet/Olimpi ynë i shenjtë me kryet përmbi re/Mbi Dibër madhështor, pushtetshëm shtrihet”.

Këto e të tjera detaje jetësore, e bëjnë më të dashur për lexuesin këtë libër ku dominon tema e dashurisë në dhjetra poezi të shkruara me mjeshtri të rrallë nga një poet që di ta ledhatojë dhe pastaj ta përkëdhelë fjalën artistike. Më të dukshme këto tipare në poezitë e kapitullit të dytë, të titulluara: “Valët e dashurisë”, “Mirazhi i ëndërruar”, “Ngjyrat e engjëjve”, “Rizgjim i dashurisë”, “Rrjedha e dashurisë” e “Ditëlindjet e dashurive”. Ndërkohë që në poezitë e kapitullit të tretë “Tezgjahu i madh i kohës”, mendimi filozofik i autorit përçohet dukshëm sidomos nëpërmjet poezive me titull: “Fshesa e kohës”; “Tí japësh kuptim kohës”; “Në trenin e kohës”, “Mjafton një jetë”e Shkallaret e jetës”, ku në këtë të fundit do të veçonim vargjet: “Ka ngjitje normale që vijnë nga merita/Ka ngjitje të shpejta kur dikush para të shtyn/Por më e sigurta ngjitje vjen nga vetvetja/Nuk zgjasin shumë ngjitjet kur miku ndërhyn/Sepse, sapo miku ik, s’është më mjaltë jeta”.

E një niveli mjaftë të arrirë artistik është edhe poema “Jeta - Ca pika lot mes dashurive”, në katër pjesët e së cilës dallojmë: “Lotët e moshës më të lumtur”; “Dashuria rinore dhe lotët e fatit”; “Sfidat e jetës – dashuri dhe lot” dhe “Spiralja e dashurisë në perëndimin e jetës”. Në to ka dashuri e përkëdhelje për fëmijët “nga dashuria mbuluar me përkëdhelje”; ëndrra si pjesa më e bukur e të gjitha dashurive; familjen ku dashuria fiton flatra, si dhe “njeriun e nderuar që gjatë do të kujtohet”.

Parë në tërësinë e tij, ky është një libër që pasi e ke lexuar të ngjall emocione të freskëta, me origjinalitet të këndshëm e të besueshëm, që gjelbërojnë humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore.

Koha e dashurive të munguara”, si edhe 10 vepra tjera letrare, vjen pas botimit të disa librave të autorit Astrit Gjunkshi, në fusha të tilla si diplomacia – në veçanti diplomacia e mbrojtjes, menaxhimi i konflikteve, integrimi Euroatlantik, fusha këto që lidhen me arsimimin dhe kualifikimet e tij të shumta, me përvojën e punës në marrëdhëniet me jashtë në dikasterin e Mbrojtjes dhe si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO, në Bruksel. Dr.Shk.Astrit Gjunkshi u doktorua për Siguri Globale pas marrjes së gradës Master i Shkencave në Universitetin e Cranfield, në Britaninë e Madhe dhe përfundimit të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s në Romë.



85 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page