top of page

Klarida Kadënaj: “Tak – tak trokiti dera”

libri për fëmijë i autores Dr. Shpresa Fundo Gjergji dhe takimi me nxënësit e mi

 

(Ditë e mbushur me mbresa nga leximi i librit në klasën e III – shkolla jopublike “Elite”, Vlorë)

 

 

Titulli i librit dhe impakti i parë

 

Libri për fëmijë "Tak-tak trokiti dera" i autores tashmë të njohur, Dr. Shpresa Fundo Gjergji mbërriti sot në klasën time dhe u përball me sytë plot kurreshtje të nxënësve të mi. Si një libër edhe për 8-vjecarë, unë pata dëshirën ta prezantoja e të ndaja këtë fabul mjaft interesante me ta, si një krijim imagjinar, po ku personazhet bëhen të dashur dhe i tërheqin fëmijët brenda lojës së tyre. Ishte një mrekulli, kur i pyeta: Nëse troket dera e shtpisë suaj, kë do të donit të vinte?! Kishte përgjigje të ndryshme, mamin, një surprizë, një dhuratë, një tufë lule për mamin, - madje dikush tha: gjyshja, por çudia më e madhe ishte, se asnjë nuk priste të vinin kushërinjtë apo të afërmit. Ndërsa unë këmbëngula dhe u thashë: ja kush na ka trokitur sot në klasë, dhe u tregova librin "Tak-tak trokiti dera". Më panë me kurreshtje dhe po prisnin çfarë do t’u thosha.

 E pelqyen nga kopertina, ilustrimet sjellin një botë plot ngjyra dhe që në pamje të parë, libri të bën për vete. E ndërtuar mbi ndërveprimet e tre personazheve kryesorë si: Kërmilli, Nusepashka dhe Luledelja. Autorja zgjedh një mjedis tipik për secilin nga këta personazhe dhe prezanton natyrë të bukur me lule, diell, fruta, gjelbërim etj. Fillimisht nisa të lexoja vetë dhe vura re që po më ndiqnin me vëmendje. E kuptova që rrëfenja po i tërhiqte dhe vendosa që të shpërndaja disa libra e të lexonin pjesë – pjesë me zë në klasë. Ishte gazmore te pjesa: “Përplasi krahët lehtas Nusepashka; sytë i përpëliti me dritë luledelja; kërmilli nxori kokën nga guacka…” qeshnin dhe filluan të tregonin se cila është nusepashka, sa të bukura janë luledelet dhe padyshim që edhe “Kërmilli butak” për ta ishte mjaft i njohur dhe nisën të tregonin: “guacka është shtëpia e kërmillit, apo e ka që e mbron atë; kërmilli ushqehet me vesë” etj., etj., gjë që më bëri të kuptoj se ky libër ngjall interes në ilustrim, në rrëfenjë dhe fjalor. Në fund ishin të lumtur që një orë leximi kishte qenë kaq tërheqëse për ta.

 

Personazhet e përrallës, shprehje e botës së fëmijëve

 

Çdo personazh ka karakterin dhe veçantinë e vet, duke e bërë leximin tërheqës dhe emocionues. Kërmilli, me kuriozitetin dhe mençurinë e tij, Nusepashka, me sjelljet e saj të ëmbla dhe të kujdesshme, Luledelja delikate që përçon gëzim dhe ngjyra në çdo hap e bëjnë librin të gëzueshëm, me veprim argëtues dhe ajo që do të veçoja janë vlerat gjuhësore. Ka një  gërshetim të natyrshëm mes vargjeve plot rimë me prozën. Strofat katërshe vijnë me një rimë të bukur dhe varg shprehës. Kjo mënyrë e rrjedhshme e shprehjes i jep tekstit një ritëm muzikor dhe jo vetëm. Çdo fjalë është zgjedhur me kujdes, ka shprehi të bukura si: “se sa shtruar Kërmilli e merrte”; “me shpejtësinë e duhur ia behte”; “vesë e mëngjesit ua shtoi oreksin”; “petalet i tundi Luledelja prej qejfit”; “me lëngun e vesës ngriti dolli”; “miqësi e tyre lindi si diell”; “u përqafuan të paqtë”; “fluturoi në qiellin pa re” etj. Kjo, e vesh përrallën me dinamikë dhe kuptimësi dhe përbënë vlera edukative për këtë grup-moshë fëmijësh, duke i ndihmuar të kuptojnë e të veprojnë. Madje ata dashurohen me personazhet dhe duan t’u  ngjajnë atyre. Ngjyrimet kuptimore përcjellin natyrshëm mesazhin dhe si rjedhojë vlerat edukative e bëjnë librin të sukseshëm. Fëmijët e ndjekin historinë dhe i mbajnë mend mesazhet e saj. Fjalori i pasur dhe rrjedhshmëria e fjalës i bën përshkrimet e natyrës e të personazheve të vijnë si një melodi tek vogëlushët.

 

Përshkrimet dhe impakti i tyre 

 

Gjatë leximit të përrallës, nxënësit u shprehën të mrekulluar nga përshkrimi i shtëpive të personazheve dhe sidomos përgatitjes së gostisë së Nusepashkës. U dukej vetja pjesë e asaj gostie, sepse autorja arrin të krijojë një botë që gjall imagjinatë, ku çdo personazh, çdo lule, çdo pemë dhe çdo detaj merr jetë, duke e bërë leximin jo vetëm argëtues, por magjik. Përfytyroni që këto personazhe të jenë të vërtetë, të gjallë e kaq dinamike dhe si mund t’i konceptojnë fëmijët, e pra kjo është çfarë autorja u sjell atyre duke shpalosur këtë botë magjike të ideuar kaq bukur dhe që përputhet ëmbël me botën e tyre.

Një tjetër element jo më pak i rëndësishëm janë ilustrimet, të cilat shoqërojnë çdo ndodhi duke e plotësuar akoma më bukur realitetin e përrallës. Ato japin një dimension vizual, që ndihmon fëmijët të imagjinojnë ngjyrat, formën dhe lëvizjet e personazheve, duke i bërë ata pjesë aktive të tregimit. Fëmijët i pëlqyen shumë ilustrimet, të cilat plotësojnë edhe më bukur detajet e çdo ngjarje. Ata kuptuan se sa e rëndësishme është natyra, se sa dashuri, qetësi e lumturi na fal ajo. Fëmijët shijuan gjatë leximit gëzimin e lindjes së diellit, ardhjes së Pranverës dhe ledhatimin e flladit mëngjesor. Çdo hap i personazheve me botën e tyre fantastike u mësoi të vlerësojnë momentet e thjeshta të jetës dhe të gjejnë bukurinë edhe në detaje të vogla.

 

Mesazhi si vlerë dhe tradita e munguar

 

Një moment i rëndësishëm ishte dhënia e mesazheve që kjo përrallë përcolli tek fëmijët. Me fjalët e tyre të thjeshta ata artikuluan bukur për vlerat e pastra njerëzore si mirënjohja për të vlerësuar njëri-tjetrin e për të falur dashuri; për të bërë një botë sa më të bukur rrethuar nga mirësia; për të dashur më tepër e për të mësuar nga njeri-tjetri. Përmes veprimeve të personazheve, ata mësuan se secili mund të ndikojë pozitivisht në jetën e tjetrit dhe se empatia dhe respekti janë baza e çdo marrëdhënie të mirëfilltë. Kjo përrallë jo vetëm i argëtoi, por edhe edukoi tek fëmijët aftësinë për të kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe kultivimin e ndjenjave të ndershmërisë dhe bujarisë. Por ajo që unë do të nënvijëzoja është ruajtja e traditës për të vajtur tek njeri-tjetri… - është e bukur fëmijë, - u thash, të trokasin miqtë dhe kushërinjtë në derë, të ruajmë zakonet e bukura dhe ta duam njeri-tjetrin me sinqeritet. Dhe këtë, libri e përcjell kaq bukur e me finesë.

 Në fund, “Tak-tak trokiti dera” mbetet një udhëtim i bukur në një botë të mbushur me ngjyra, tinguj dhe emocione, ku fëmijët jo vetëm lexojnë, por edhe ndihen pjesë e historisë, duke u frymëzuar për të dashur, respektuar dhe ruajtur natyrën dhe miqësitë e tyre. Përralla i mëson lexuesit e vegjël të vlerësojnë çdo çast, çdo ndodhi dhe çdo marrëdhënie, duke rritur brenda tyre një ndjesi të thellë mirënjohjeje dhe lumturie, që i shoqëron gjatë gjithë jetës.

 Me dëshirën që këto mbresa t’i evidentoj e shpërndaj, solla këto copëra të vërteta nga leximi i librit “Tak-tak trokiti dera” i autores për fëmijë, Dr. Shpresa Fundo Gjergji dhe veç dua t’i uroj suksese në projekte të tjera të bukura për botën e brishtë të fëmijëve, të cilët kanë shumë nevojë për mesazhe të qarta për ta dhe le të përpiqemi sa më shumë të ndihmojmë që ta duan librin. E rekomandoj këtë libër tejet edukativ dhe me botë, ku fëmijët zbulojnë të bukurën, mesazhin, emocionet, empatinë, traditë e kulturë që i ndihmon të rriten me fantazi, zemër e mendje hapur. 

 

Mesuese Klarida Kadënaj, Shkolla “Elite”, Vlorë

 

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page