
ME FJALË
Pasuri të vetme kam fjalën
Fjalën kam të vetmen armë
Me fjalën kam ndërtuar shtëpiza prej shpirti
Portrete zotash me karmë.
Ka ndodhur shpesh me fjalën të grindem
Ka ndodhur me fjalën t`kem rënë në dashuri
Pëshpërimat ka ndodhur të më kthehen në fllad
Njëlloj më janë kthyer në stuhi!
S`ka ndodhur kurrë me fjalën të bëj pazare
E kurrë pazare me fjalë nuk kam bërë
Ka ndodhur para fjalës të ul në fron heshtjen
Dhe heshtja më pas, më ka plagosur pa fjalë,
Me fjalë i qëndisa të gjitha dhimbjet
Qëndismat që m`stolisën nusëri e pajë
Ka ndodhur që fjalët më kanë djegur llavë
Pasi m`dogjën ashtën, më bënë akullnajë.
Me gërma e fjalë u thura himne dashurive
Dashurive që më dehën e marrosën me fjalë
Shkrova muzikë mbi pendla shtegëtarësh
U këndova ninullë krojeve të bardhë.
Me fjalë kërkojmë të bëjmë politikë
Politika e fjalës nuk na nxjerr në ballë
Lumenj gjaku u derdhën të vinte liria
E shenjt liria, po s`shenjtërohet me fjalë
DOLLI E SHËNDETE
U grindëm keq me Skënderbeun
U grindëm vetëm për një dolli
Ai kërkonte, dolli për gjithë Kombin
E unë këmbëngulja, vetëm për Shqipëri.
Pastaj i bëra ca marifete
Hajde i thashë! Të ngremë një shëndet
Ai e piu, për "Shqipëria ç'ka qënë"
Ndërsa unë, për "Shqipëria ç'do të jetë"
Në çast i ngrysi mjekërr e mustaqe
Avash më tha, se po merr kot
Ku di ti ç'do bëhet e kur do bëhet
Po rrëkëlleje për k'të Shqipërinë sot.
Pa hë i thashë, ç'thuhet këtej
Të ka zënë veshi ndonjë lajm a fjalë
Ka rënë në rrjetë ndonjë peshk i madh
Ndonjë cironkë a ndonjë ngjalë.
Pa më thuaj njëherë kush të ka paguar
Që dashkërke të më nxjerrësh me grep ndonjë fjalë
Pasi ta merrni, fluturoni me anije kozmike
Ndërsa unë jam i kohës me kalë e shalë.
Aman Skënderbe! Kurban t'u bëfsha!
Nuk e sheh? I kam kthyer shpinën qeverisë
Jam sy e vesh para madhërisë tënde
Njëlloj si para Perëndisë.
Eh, nga m'u gjete sot moj shejtane
Po ktheje moj dreq atë gotë
Pa hë të të pyes! Di gjë ti ç'do bëhet nesër në shtëpinë tënde
Apo, di të më rrëfesh vetëm për sot.
Të përgjërohem madhëri!
Ma thuaj me zë të ulët, kështu në vesh
Të betohem! Askujt s'ia tregoj
Do i vë gojës push e lesh.
E zemërova keq madhërinë
Vetëm e vetëm për ndonjë dreq sekret
Të bëhesha njëherë lajmi i parë
Po s'munda e s'mund për qamet.
Nuk nxora gjë nga Skënderbeu
Veç rrëkëlleva ca gota plotë
E s'di më pas ç'dolli u ngritën
Për Shqipërinë nesër, a, Shqipërinë sot.
KUR MINUTAT BËHEN SHEKUJ
Ditën kur vi tek ti,
Nuk të lajmëroj që në nisje!
Pse e di, se minutat e pritjes të bëhen shekuj
Të telefonoj kur jam gati në mbërritje.
Ti fluturon nga gëzimi dhe në çast mbarojnë dhimbjet
S'ke më dhimbje kockash,
Marrje fryme,
Flak tutje edhe shkopin që s'e ndan nga dora,
Ajo shenja e operacionit në zemër, sikur s'të dallohet shumë.
E di që fillon të hapësh dollapët e sirtarët
Të shohësh se ç'mund të gatuash nga gjërat që më pëlqejnë
Nuk harron te rezervosh kohë për të vizituar shtëpinë ku na linde.
Nuk hoqe dorë kurrë nga ajo shtëpi
Edhe pse fryma të mpaket në pak hapa.
Unë qesh nën buzë me planet e tua
E ndjehem e vogël sa një thërrime.
Nuk të lë kohë të mendosh më tej