Kadri Tarelli: NIKOLLA PRISKA-Një jetë me arsimin, matematikën dhe muzikën
- 2 hours ago
- 8 min read

Koha që kemi në dispozicion është e lirë, por nuk ka çmim.
Ju nuk mund ta zotëroni, por mund ta përdorni atë!
Ju nuk mund ta mbani, por mund ta shpenzoni atë!
Pasi ta humbni, nuk mund ta ktheni kurrë më!
Adriano Çelentano
Lindur në katundin Sukth më: 13 Shtator, 1946, në një familje të madhe vendase. Babai Zefi (Lal Zefi, siç e thërrisnin) dhe nëna Dila, me dëshirën e madhe për shkollimin e fëmijëve, e rregjistrojnë në shkollën 7 vjeçare.
Në vitin 1952 – 1959 mbaroi shkollë shtatvjeçare në Katund Sukth me rezultate të shkëlqyera. Ai tregon me ndjesi të forta, dëftesat dhe fletët e nderit që shoqërojnë këto dëftesa, të cilat i ka ruajtur me shumë kujdes, bashkë me distiktivin e nxënësit të dalluar të shkollës, që e ka marrë në përfundim të shkollës 7-vjeçare.
Në fund të dëftesës së klasës së 7-të, bie në sy firma e drejtorit, Mësuesit të dalluar nga Elbasani Z. Myrteza Verçani. Ai më përmend dhe drejtorë të tjerë pjesë e histories së kësaj shkolle, Z. Mejser Voci e më pas Z. Çajup Rusmajli. Përmend dhe mësues të tjerë si Z. Maksim Dimitresku, Z. Sotiraq Gjergo, Z. Ruzhdi Qorri, Z. Osman Mema, etj.
Tregon me përpikëri, se bashkë me shokun e kolegun mësuesin e matematikës nga Durrësi, Z. Agim Shehu, kanë arritur ta takojnë mësuesin Maksim Dimitresku në vitin 1995, në Tiranë. E kujton këtë moment të veçantë sepse Mësues Maksimi, i ka treguar një nga fletoret e shënimeve që e ruante me fanatizëm si diçka të shenjtë, ku kishte mbajtur shënime për karakteristikat e të gjithë nxënësve që kishte patur në shkollë, e aty kishte dhe shënimet për tNikollën.
Me dëshirën e këmbënguljen e mësuesit Maksim Dimitreskut, (mësues kujdestar) dhe drejtorit Z. Myrteza Verçani dhe me bekimin e prindërve, ndjek shkollën e mesme në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit, (Normalja e Elbasanit) 1960–964. (Një shkollë kjo mjaft e njohur për nivelin e saj arsimor, pedagogjik e patriotik, e cila në fillesat e saj ka patur si themelues drejtues Verprimtarin atdhetar Luigj Gurakuqi e Z. Aleksandër Xhuvani (1909)). Keqardhje që kjo shkollë sot është mbyllur, pvarësisht për vendin që ze në histzorinë e Arsimit Shqiptar.
Kështu falë sakrificave të prindërve dhe familjes për ta mbështetur, arriti të përfundojë me sukses “Normalen e Elbasanit” me rezultate të shkëlqyera me vlerësimin maksimal. Kujton dhe drejtorin e Normales së Elbasanit Z. Vasil Kamami i cili kishte mbaruar studimet për gjuhë e letërsi italiane në Romë e Firence, dhe për letërsi e gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Mësues që është nderuar me titullin “Mësues i Merituar” për kontributin e tij pedagogjik në arsimin në Shqipëri. Vijues i punës së sa e sa profesorëve patriotë.
Nikolla përmend dhe mësues të tjerë, Z. Nazmi Gurmani i gjuhës, Z. Resmi Stringa – gjuhë, Z. Besim Qorri – Psikologji, Z. Abdyl Karanjaku – pedagogji, Z. Shyqyri Demiri – Histori, (madje më thotë dhe një detaj, që Mësues Shyqyriu kishte mbaruar shkollën në Austri dhe sipas tregimit të tij kishte qenë shok klase me Hitlerin), Z. Ndoc Ndrio i gjeografise, Z. Alfir Bajraktari e Z. Kiço Zizi matematikë, Z. Shefqet Peni – Fizikë, Z. Vilson Todri e Z. Leonard Shyteriqi - Muzikë, Boro Shoshkiç – rusisht, mësues Kadriu i punës me dru e metal, etj. Z. Vasil Toli – pikture e art. Ndërkohë nxjerr një arkiv të tërë me vizatime me ngjyra të renditura në një dosje-album të ruajtur me shumë kujdes.
Që në fillim të studimeve, bëhet pjesë e grupit të mandolinatës dhe per 3 vite ka qene pjesë e grupit të muzikës së shkollës. Kur u rindërtua salla e teatrit të Elbasanit (sot Skampa), Znj. Marie Dhamo mori pjesë si këngëtare dhe kërkoi të shoqërohej nga orkestra me nxënësit e Normales së Elbasanit e jo nga ajo e teatrit. Aty Nikolla ishte mandolinë e parë. Orkestra ishte e përbërë nga mandolinat e para, të dytë, mandollat, kontrabasët dhe bateria.
Mandolina e ka shoqëruar dhe e shoqëron akoma në gëzime e festa. Falë mandolinës bëhet pjesë e orkestës së Pallatit të Kultures në Durrës. Ai ka marrë pjesë në shumë shfaqje e koncerte në festivale. Ai përmend festivalin e Beratit ku orchestra e ansamblit të Durrësit ka zënë vendin e dytë në shkallë Republike. Në festa e gëzime shoqërore, mandolin vazhdon të dëgjohet ende. Mes tyre janë edhe shumë vlerësime me diploma, si instrumentist i dalluar.
Me mbarimin e Shkollës Normale, mundësia për t’u shkolluar në universitet ishte ishte pothuajse e pamundur për shkak të pengesave të regjimit ndaj familjes. Por falë këmbënguljes e ndërmjetësimit të drejtpërdrejtë të drejtorit Z. Vilson Kamami, Nikollës ju mundësua rregjistrimi pranë “Institutin e Lartë Pedagogjik” të Shkodrës, në degën Matematikë-Fizikë. Për këtë ai kujton se i është dashur të punojë shumë me kurse paraprake pasi kurrikula e Normales së Elbasanit nuk përfshinte Trigonometrinë, pjesë e studimeve së Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër, në degën e matematikës.
Kështu në vitin 1965, fillon “Institutin e Lartë Pedagogjike në Shkodër deri në vitin 1967. Pasi përfundon Institutin, fillon punë për pak muaj në fshatin Armathë të Durrësit. Më pas, po gjatë atij viti, thirret për shërbimin ushtarak në bazën e ishullit të Sazanit në Vlorë, shërbim të cilin e mbylli me sukses gjatë viteve 1967 – 1969.
Pasi kreu shërbimin ushtarak, në vitin 1970, vijon studimet pasuniversitare në degën e matematikës, në filialin e Durrësit, ku përfundon me rezultate të shkëlqyera, për të mbrojtur më pas diplomën po në “Institutin e Lartë Pedagogjike” në Shkodër, ku merr dhe diplomën e kualifikimit (sot klasifikohet si niveli Master shkencor në profiling Matematikë). Në vitet e shkollës në Shkodër njihet edhe me bashkëshorten e ardhshme Znj. Çiçile Gazulli, (sot Priska).
Ai përmend me nostalgji dhe disa nga petagogët e tij në Shkodër dhe në Durrës, Z. Nikolin Preka – matematikë elementare, Z. Gjon Çiftja e Znj. Jozefina Pepitoni – Fizikë, Z. Maliq Gjyli – analize matematike, Z. Spiro Papa e Z. Mishel Katundi,– matematikë, etj. Kurse në filialin e Durrësit, më pas Z. Halil Myderizi – analizë matematike, Z. Vangjel Tati – Matematikë e lartë, e Z. Salvador Sotiri.
Në vitin 1967, merr pjesë në aksionin e hapjes së rrugës në Malësi të Madhe me bazë në Selcë.
Më pas fillon karriera në arsim. Në vitin 1970 -74, emrohet që në fillim si pjesë e stafit që hapën shkollën e pare 8-vjeçare të mirfilltë në Jubë të Durrësit me drejtor Z. Shefki Bocerri, më pas me drejtor Vangjel Basha. Gjatë kësaj periudhe ka bërë dhe trajnimin e mësuesve të muzikës së zones, falë formimit professional muzikor.
Më pas në vitin 1974-1975, thirret për t’u bërë pjesë e stafit që ngritën shkollën e parë të Mesme në katund të Ri, me dy klasa: gjimnaz dhe bujqësore, “natën”. Mbi këtë bazë në shtator 1977, u krijua Shkolla e Bashkuar e Katundit të Ri, (ditën dhe natën), si shkollë e Mesme e Bashkuar e Katundit të Ri, (Gjimnaz dhe bujqësor), që sot mban emrin “Jusuf Hoti”.
Në vitin 1989, e detyrojnë të shkojë e të shërbejë për 2 vite, si mësues në shkollën e Mesme të Bashkuar në Surroj të Kuksit, në një zonë shumë të vështirë e të thellë. Në këtë shkollë falë përvojës si mësues e drejtues. që në fillim e emërojnë nëndrejtor shkolle.
Pas përfundimit të dy viteve mësimin në Surroj të Kukësit, kthehet në vendlindje dhe po atë vit zgjidhet kryetar komune. E mbart këtë detyrë si “Kryetar Komune”. Është “Kryetari i parë pluralist”, deri në vitin 1992.
Ndërkohë me organizimin e zgjedhjeve të reja, rikthehet në arsim si drejtor i shkollës 8-vjeçare “Katundi Ri”. E më pas si nëndrejtor e mësues matematike në Shkollën e Mesme “Katundi Ri”. Përmend kolegët: Z. Azem Berisha, Z. Hajdar Gjergji, Ruzhdi Xhaferri, Agim Meni, Fadil Elezi, Shehide Hoti, etj
Pjesë e stafit të shkollës së mesme prej shumë vitesh, përmend me nderim të gjithë mësuesit, ish drejtorin e shkollës së mesme dhe një ndër kolegët e punës me të cilët ka punuar më gjatë Z. Jusuf Hoti, Islam Alikaj, Maks Bonjaku, Sofokli Garo, Thoma Varfi, Dajlan Shaipi, Pashk Sinani, Nadire Deda, Pullumb Kasa, Bilal Koçi, Rifat Busulla, Ilir Qesja, Parashqevi Pollogu, Naxhie Truma, Ali Balliu, Tom Meshkurti, Sulejman Mema, Mustafa Kashari, Pjetër Sula, Kadri Tarelli, Genc Alizoti, Agron Shameti, Ilir Tanku, Burbuqe Hoti, Bashkim Seiti. Ndjesë, nëse janë harruar mësues të tjerë……..!
Nikolla, njëkohësisht për tetë vite me radhë ka mbajtur funksionin si kryetar i këshillit të Komunës “Katundi Ri”, e më pas ka vazhduar si anëtar Këshillit të Rrethit, Durrës, për tetë vite të tjera.
Në vitin 2007, vlerësohet si “Mësuesi i vitit”, për rrethit e Durrësit nga drejtoria Arsimore, kohë kur drejtor i Arsimit në Durrës, ishte Z Vasillaq Papaj. Më pas në vitin 2008, doli në pension si mësues.
Tashmë edhe pse në pension, prej disa vitesh ka vazhduar të punojë e të konsultojë pa u lodhur, fëmijë të familjeve të fshatit Sukth, duke i ndihmuar të kapërcejnë vështirësitë.
Është babi i katër fëmijëve, 2 djem e 2 vajza, dhe gjysh i lumtur i katër nipave dhe një mbese.
Është Ambasador i Paqes, pranuar nga “Federate Universale e Paqes”, dega Durrës.
Duke e parë këtë shkrim të gjatë, ky është një jetëshkrim i plotë, jo shumë i krehur për të shmangur ndonjë hollësi e përsëritje. Në dukje, një jetë me aq shumë mund, përpjekje dhe lëvizje, ku mund të krijohet një roman, apo monografi që e vlen për familjen por edhe për komunitetin. Gjithçka si shembull për të rinjtë. Model i mençurisë dhe punës.
Sot është edhe anëtar i grupit të ish mësuesve pensionistë të Shkollës së Mesme të Katunditt të Ri, ku bëjnë pjesë: Nikolla Priska, Hajdar Gjergji, Andrea Priska, Dajan Shaipi, Ali Balliu, Gjon Konika (Nuk jeton më), Pashk Sinani dhe Kadri Tarelli. Ne, here pas here mblidhemi dhe festojmë së bashku. Kam bindjen, se jemi i vetmi grup i organizuar që mbetemi të bashkuar edhe në ditët tona të pensionit. Në biseda me shokët më thonë, se nuk kemi dëgjuar që grupime të tilla të ketë diku në mbarë vendin tonë. Besoj, kjo është vlerë që u krijua gjatë punës në Shkollën e Mesme “Jusuf Hoti” dhe vazhdon të gjallojë edhe në ditë tona.
Më duhet të shtoj pak fjalë që i thashë para një grupimi miqsh e shokësh, shumica ish nxënësit tanë, në një kuvend libri, të organizuar në shkollën 9-vjeçare të Katund-Sukthit, ku Ali Balliu përuroi librin e tij “Sportistët më të mirë ndër vite”, libër ku është përfshirë edhe emri i Nikollës.
I nderuar z. Nikolla! Je pensionist, mbase nuk të tepron koha, por duhet plotësuar një boshllëk në jetën artistike të zonës Katundi Ri. Ku me sa mbaj mend, ka pasur një grup shumë të mirë artistik, që ka konkuruar dhe është vlerësuar, jo vetëm në Shijak e Durrës, por edhe në festivale Kombëtare.
Ju si pjesëmarrës që në ditët e para të krijimit të këtij grupi, kini mundësi të shkruani, veprimtaritë e tij në ato vite. Kujtesa nuk ju mungon. Është një pasuri që po humbet nga dita në ditë, sepse njerëzit po largohen, nuk janë të përjetshëm. Kjo punë do ju nderonte ju dhe të gjithë ata “artistë”, që koha po i harron dhe harresa po i mbulon. Nuk është e lehtë, por jo e pamundur, pasi kërkon pak mundim, pak durim e shumë guxim. Nuk je aq shumë i lodhur e i moshuar. Jam i bindur se e vlen një punë e tillë.
Urime miku ynë Nikolla! Jetë dhe shëndet të mirë, mes familjes, miqësisë dhe shoqërisë. 100 vite nuk janë shumë për t’u aritur.
Kadri Tarelli
Fillim maji, 2026.
Shënim: Pjesa e parë e jetshkrimit, me data dhe vënde, është shkruar nga djali i Nikollës z. Julian Priska. Pedagog fizike në Universitetin “A. Moisiu”, Durrës.




















Comments