top of page

Fatmir Terziu: Leksioni politik që vjen nga Britania e Madhe

  • 26 minutes ago
  • 3 min read

 

Në politikë ka momente që janë kambana alarmi. Zgjedhjet e fundit lokale në Britaninë e Madhe dhanë pikërisht këtë mesazh, qytetarët janë lodhur nga politika tradicionale, nga premtimet që përsëriten dhe nga establishmenti që duket se jeton në një realitet tjetër nga ai i njerëzve të zakonshëm. Rritja e ndjeshme e forcës politike Reform UK nuk është më një episod periferik. Është sinjal i një ndryshimi të madh psikologjik dhe politik në një nga demokracitë më të vjetra të botës. Britania po përjeton një krizë të besimit ndaj dy partive tradicionale. Konservatorët paguajnë faturën e konsumimit të gjatë në pushtet, ndërsa laburistët ende nuk kanë arritur të krijojnë bindjen se përfaqësojnë një alternativë të re morale dhe ekonomike. Në këtë vakuum po futet një politikë e tipit protestë, një politikë që ushqehet nga zemërimi popullor, nga pasiguria ekonomike, nga emigracioni, nga rritja e kostos së jetesës dhe nga ndjesia se shteti nuk dëgjon më qytetarin.

Por leksioni britanik nuk është thjesht britanik. Ai është europian. Dhe në shumë aspekte, edhe shqiptar. Shqipëria sot jeton një krizë tjetër, jo aq të dukshme sa ajo britanike, por po aq të rrezikshme: krizën e përfaqësimit. Partitë politike shqiptare kanë hyrë prej vitesh në një qark të mbyllur, ku politika shpesh është kthyer në administrim interesash partiake dhe jo në debat idesh. Qytetari shqiptar voton më shumë nga mungesa e alternativës sesa nga bindja politike. Kjo është drama më e madhe e demokracisë shqiptare. Në Britani, qytetari po kërkon alternativa jashtë sistemit klasik. Në Shqipëri, qytetari ende endet mes të njëjtave emra, të njëjtave retorika dhe të njëjtave konflikte që riciklohen prej dekadash. Ndërsa në Londër ndëshkohet establishmenti, në Tiranë establishmenti vazhdon të ushqehet nga polarizimi artificial.

Kjo duhet t’i shqetësojë të gjitha partitë shqiptare. Jo vetëm mazhorancën, por edhe opozitën. Sepse problemi nuk është më vetëm kush fiton zgjedhjet. Problemi është sa njerëz besojnë ende tek politika. Partitë shqiptare kanë humbur lidhjen organike me qytetarin e zakonshëm. Ato flasin për statistika, ndërsa njerëzit flasin për mbijetesë. Flasin për integrim, ndërsa të rinjtë mendojnë emigrimin. Flasin për fitore elektorale, ndërsa familjet shqiptare përballen me çmime, pasiguri dhe mungesë perspektive. Në këtë pikë, Britania jep një leksion të rëndësishëm: demokracia nuk është kurrë e garantuar për partitë tradicionale. Kur qytetari nuk ndihet i dëgjuar, ai krijon alternativa të reja, edhe kur ato duken të pamundura ose radikale. Kjo ndodhi me Brexit-in. Kjo po ndodh me Reform UK. Dhe mund të ndodhë kudo ku politika nuk rinovohet.

Në Shqipëri ende mungon guximi për reformim të vërtetë politik. Partitë vazhdojnë të ndërtohen rreth individëve dhe jo ideve. Debati shpesh është personal, jo programor. Ndërsa demokracia moderne kërkon pikërisht të kundërtën: institucione më të forta se liderët. Një tjetër leksion britanik është se qytetari modern nuk fal arrogancën politike. Në Britani, vota lokale tregoi se elektorati ndëshkon edhe atëherë kur ekonomia nuk është në kolaps total. Mjafton ndjesia e shpërfilljes. Dhe kjo ndjesi është bërë universale. Shqipëria ka nevojë urgjente për një kulturë të re politike. Për parti që prodhojnë ide dhe jo thjesht sloganë. Për figura që komunikojnë me qytetarin dhe jo vetëm me ekranin televiziv. Për një opozitë që bind dhe jo vetëm kundërshton. Për një mazhorancë që dëgjon dhe jo vetëm qeveris. Sepse leksioni që vjen nga Britania e Madhe është i qartë: epoka kur partitë tradicionale mendonin se vota ishte pronë e tyre ka marrë fund. Sot qytetari mund të largohet brenda natës. Mund të ndëshkojë. Mund të protestojë me votë. Dhe mbi të gjitha, mund të kërkojë një politikë tjetër. Nëse partitë shqiptare nuk e kuptojnë këtë sinjal në kohë, atëherë kriza e besimit do të thellohet. Dhe kur qytetari humbet besimin tek politika, humbet edhe besimi tek vetë demokracia.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page