top of page

Ka dalë numri i ri i „Albanian Post“ – Tetor 2026

12 minutes ago
4 min read

 

Një numër me ngjarje, kujtesë, kulturë, komunitet dhe çështje që na prekin të gjithëve. Ka dalë nga botimi numri i ri i muajit tetor 2026 i revistës „Albanian Post“, një tjetër numër që sjell për lexuesit një mozaik të pasur shkrimesh, analizash, profilesh dhe ngjarjesh nga jeta e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, në Shqipëri, Kosovë dhe në hapësirën më të gjerë shqiptare. Në faqet e këtij numri takohen e përditshmja me kujtesën, historia me të tashmen, kultura me jetën e komunitetit dhe shqetësimet e sotme me përgjegjësinë për të ardhmen.

Një nga temat që meriton vëmendje të veçantë është shtetësia shqiptare për fëmijët e emigrantëve, një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të drejtën për të ruajtur një lidhje juridike, familjare dhe kulturore me vendin e origjinës. Një e drejtë që duhet ruajtur që në lindje, sepse brezat që lindin larg Shqipërisë nuk duhet të humbasin lidhjen me rrënjët e tyre.

Nga komuniteti dhe sipërmarrja shqiptare në Londër vjen edhe historia e Hilal Food Centre – shija shqiptare në zemër të Londrës, një shembull i pranisë së shqiptarëve në jetën ekonomike dhe shoqërore britanike dhe i mënyrës se si tradita mund të udhëtojë larg vendlindjes, duke gjetur një vend të ri në një shoqëri shumëkulturore.

Në këtë numër gjendet edhe një portret kushtuar Halil Alidemës, legjendarit, komandantit, shkrimtarit dhe vizionarit, një figurë që kërkon të rilexohet përmes historisë, veprës dhe gjurmës që ka lënë.

Tetori sjell edhe një tjetër histori të dhimbshme. „Erdhi me vjeshtën dhe iku me vjeshtën“, një shkrim kushtuar Flora Brovinës (30 shtator 1949 – 15 shtator 2026), ku kujtesa dhe dhimbja ndërthuren në një përshëndetje njerëzore për një jetë dhe një emër që tashmë i përket kujtesës.

Ndërsa afrohet 28 Nëntori, një tjetër ngjarje e rëndësishme e jetës arsimore shqiptare në Britani merr vëmendjen e këtij numri: „Ardhmëria“ prek numrin 50.

Në shkrimin e Prof. Dr. Fatmir Terziut, „Shkolla shqipe në Britani dhe sfida e një komuniteti që po hyn në brezin e tretë“, numri 50 nuk shihet thjesht si statistikë. Ai lexohet si rezultat i një pune të gjatë, si një derë e hapur për brezat e rinj dhe si një përgjegjësi për ruajtjen e gjuhës, kujtesës dhe identitetit.

Sepse një shkollë shqipe nuk është vetëm një klasë. Është një vend ku një fëmijë merr me vete një gjuhë, një kujtim dhe një pjesë të historisë së familjes së tij. Do të lexoni gjithashtu mjaft surpriza, që e bëjnë këtë numër edhe më të veçantë. Një prej tyre vjen nga Profesor Adham Prifti dhe stafi i „Imperial“, të cilët përmes muzikës, transparencës dhe estetikës krijojnë një lidhje globale, duke e kthyer festën në një hapësirë komunikimi mes kulturave. Përtej kufijve të një komuniteti të vetëm, kjo qasje sjell në të njëjtën tryezë edhe komunitetet e tjera, duke dëshmuar se muzika, kultura dhe bukuria e bashkëjetesës mund të ndërtojnë ura më të forta se çdo kufi.

Letërsia zë gjithashtu një vend të rëndësishëm në këtë numër. „Kodet e shpirtit“ të Ndue Perlalës kalon në sitën e lexuesve të parë, në një shkrim që ndalet te takimi i parë të librit me lexuesin dhe te ajo marrëdhënie e veçantë që krijohet mes autorit, veprës dhe atij që e lexon.

Në këtë vëllim me tregime dhe skica letrare, lexuesit e parë, mes tyre Miltiadh Mema, Trifon Kofina, Drane Perlala, Veronika Mema, Arbër Përshqefa, Ferit Pepa, Kimete Bego dhe vetë Ndue Perlala, u bënë pjesë e këtij takimi të parë me librin. Një libër, në fund të fundit, nuk jeton vetëm nga përgëzimi. Ai jeton kur lexohet, diskutohet, kundërshtohet, përjetohet dhe mbetet gjatë në mendjen e lexuesit.

Një tjetër temë që sjell ky numër është „Shqipëria përballë gjyqit të kamerës“, një lexim i skandalit të videos përmes së drejtës për privatësi të Warrenit dhe Brandeisit, duke hapur një diskutim mbi kufijtë e privatësisë, përgjegjësinë publike dhe marrëdhënien mes teknologjisë, medias dhe të drejtave të individit.

Dhe këto janë vetëm disa prej temave që përmban „Albanian Post“ – Tetor 2026. Në faqet e tij do të gjeni edhe shumë shkrime të tjera mbi kulturën, letërsinë, historinë, jetën shqiptare në emigracion, figurat dhe ngjarjet që kanë lënë gjurmë, si dhe çështje që kërkojnë jo vetëm vëmendjen e ditës, por edhe një mendim më të thellë.

„Albanian Post“ vijon të jetë një hapësirë ku fjala shqipe takohet me realitetin e shqiptarëve në Britani dhe ku kujtesa, kultura dhe e ardhmja mbeten pjesë e së njëjtës bisedë. Numri i tetorit 2026 tashmë është në duart e lexuesve. Lexojeni, ndajeni dhe përcilleni te ata që duan të jenë pranë zhvillimeve, kulturës dhe jetës së komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. „Albanian Post“ – fjala, kujtesa dhe zëri i komunitetit shqiptar në Britani. Numrin e ri të „Albanian Post“ – Tetor 2026 mund ta lexoni online në faqen e Fjala e Lirë, në hapësirën e posaçme të revistës. Përmes kësaj faqeje mund të ndiqni edhe numrat e mëparshëm të botimit dhe të qëndroni pranë zhvillimeve, kulturës dhe jetës së komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe. fjalaelire.com

Lexoni numrin e ri të „Albanian Post“ këtu: https://www.fjalaelire.com/albanian-post

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page