top of page

JO VETËM EMËR PERËNDIE


Mihal Gjergji

JO VETËM EMËR PERËNDIE


Para disa vitesh humba një nga miqtë e mi të çmuar, profesorin erudit Apollon Gjebrea. Lexonte, shkruante dhe fliste rrjedhshëm gjashtë gjuhë të huaja. Takoheshim thuajse çdo ditë. E shikoja me admirim, e dëgjoja me kërshëri, mësoja shumë prej tij. Edhe ai kishte të njëjtën ndjenjë vlerësimi, megjithëse ndjehesha shumë i vogël para tij. Ishte fisnik, intelektual dhe qytetar. Babai i tij kishte studiuar në Montpelje të Francës, ndërsa nëna ishte diplomuar për mjekësi në Romë. Atë rrugë ndoqi dhe i biri. Kujtonte me krenari edhe gjyshin e tij, sekretar i Sami Frashërit në Shoqërinë e Shkronjave Shqipe, në Stamboll. Në këto kushte, si të nxitoja për të ruajtur një thesar nga frika e humbjes, fillova të shkruaja një sprovë për Oxhakun Gjebrea. E punova me përkushtim dhe dashuri, e shkrova me një gjuhë poetike. Apolloni s’dinte gjë. Ndërsa kisha mbaruar 50 faqet e para, i printova, i futa në një dosje dhe i telefonova mikut tim. Fillova ta lexoja me qetësi. Në një moment ngrita kokën. Miku im me emër perëndie ishte skuqur dhe fshinte lotët. S’kam për t’a harruar atë pamje...Princesha gjirokastrite Ramize Gjebrea ishte motra e babait të Apollonit. Për të plotësuar portretin e saj i kërkova informacion poetit atdhetar Agim Shehu. Më dërgoi aq sa dinte dhe priste reagimin tim. Kisha disa ditë që s’ulesha në kompjuter. At’herë Agimi dërgon mesazhin vijues me nota humori:

Apollon Gjebrea


"...Më pret një Mihal me derte që më rri karshi flamur! Merrmë dhe mua me vete se kam mall dhe për çdo gur! Fundja, fshihëm në sepete sikur jam një i sëmurë..." "Sot ecij me internete dhe s'të ngarkoj dot, o nur..."


I dashur Mihal!

Po bën një libër për Ramize Gjebrenë e më kërkon dhe mua ndonjë hollësi, aq më tepër kur kam jetuar gjatë në vendlindjen e saj, Gjinokastër. Po të përgjigjem jo vetëm si mik, por dhe nga bindja se pena jote me peshë mendimi dhe ndjeshmëri të thellë njerëzore do të bëjë një gjë të bukur, të denjë për të, edhe aq sa të lejojnë të dhënat. Të tjerat le t’i shtojnë të tjerë më tej. Publicistët s’do bëjnë gjë tjetër veç do t’i rrisin piedestalin për t’i zmadhuar hapsirën e shikimit, kurse përmendoren ajo ia ka ngritur vetë vetes së saj me idelalet inteligjente të lirisë dhe një tragjizëm që s’ia pati borxh askujt. Koha vendos për çdo gjë e mbi të gjithë. Kam shumë dëshirë të flas për këtë martire të ndritur, aq sa e kam të vështirë pasi nuk di aq sa meriton ajo. Gjatë viteve të diktaturës emri i saj më ka dalë – ndizu e shuaju – si një meteor i bukur që aty duket, t’u flasë njerëzve të thënat e ndaluara, e aty shuhej nga mjegulla e errët ku e mbanin ata që e vranë, shokët e saj të luftës. Sa më tepër më mbetej e panjohur aq më shumë më rritej kureshtja të dija për të, si për një thesar të fshehur diku…Unë veja pas jetës së saj disi të mbuluar, siç venim fëmijë në fshat pas çikniheve (xixëllonjave), ndizu e shuaju e s’i kapnim dot.

Në Gjinokastër kishim një shokun tonë nga fisi Gjebrea – Eduard Gjebrea – në s’gaboj. Një i ri i hijshëm e i çiltër, me një butësi të qeshur ku te buza i dukej zemra. Disa kohë qe në skuadrën e basketbollit të qytetit e në lojë merrte një përskuqje prej vajze vëndi. Qe në arsim e takoheshim shpesh. Një ditë e pyeta diçka kalimthi për Ramizenë…Ai më tha se do më fliste herë tjetër, dhe më buzëqeshi si shënjë që të mos hyja në këto pyetje. Në studjon e mikut tim skulptor, Uran Hajdari në Tiranë vjen një njeri shumë i afërt i saj, ndoshta vëllai, në mos gaboj. Një burrë i moshuar, me një pamje fisnike sado i lodhur e fjalëkursyer nga jeta. Nuk di si njihej me skulptorin, dhe bënin biseda të lira, të çiltëra. Erdhi fjala te lufta dhe unë e pyeta qetësisht: “Pse u vra motra jote”!? Ai bëri një buzëqeshje që menjëherë iu kthye pikëlluese e m’u përgjegj me një lloj pakënaqësie sikur dhe unë isha në anën e vrasësve: “Sepse në formimin e Brigadës V ku do bënte pjesë, siç e thonë të gjithë, foli para partizanëve të reshtuar fjalimin më të bukur e la përshtypjen më të madhe edhe nga drejtuesit kryesorë të Brigadës…Ajo qe vajzë e re idealiste, me qytetërim Europe nga Perëndimi…” (kur isha në SHBA kohët e fundit në një gazetë shkruhej me adhurim se një degë e familjes Gjebrea kish shkuar me kohë atje, e një djali të posalindur ia vunë emrin “Uashington Gjebrea”, thua do bëhej si Uashingtoni legjendar që t’i jepte Shqipërisë atë që Ai i dha Amerikës). …Në vjeshtë e vitit 1970 në fshatin tim Progonat festohej me bujë ardhja e dritës elektrike. Ishte dhe biri i vëndit, gjeneral Hito Çako. Për kureshtje e shëtitje, shkova me Petro Markon, mos bënim bashkë dhe ndonjë shkrim. Hitua në një bisedë me të tjerë na buzëqeshi karshi duke na bërë shenjë se do vinte të na takonte. Shtëpitë në fshat i kishim ngjitur e tërë jetën qemë fqinjë të mirë me njeri tjetrin. Im atë si më në gjëndje i kish ndihmuar shumë e këtë gjenerali më pas ma shpërblente mua përzemërsisht kurdo që i jepej rasti. Petrua më tha: “Pyete, pse e vranë Ramizenë, e si u vra, pastaj edhe shoku i afërt i Luftës, Zaho Koka…!”. M’u duk pyetje disi e rrezikëshme; megjithatë kur u ndodhëm me Hiton e pas ca bisede të rastit, i them pa të keq: “Kemi dhe Petro Markon nga Bregu, e duam të dimë saktë nga ti, pse u vra Ramize Gjebreja, e pastaj Zahua…”. Ai qeshi lehtë, vështroi nga Petrua e tha: “Mos do të bëjë ndonjë shkrim si bregdetas”? “Jo, u përgjegj Petrua, por kureshtje, ta dimë thjeshtë për mënyrën e të qarit në zakon…”. Ai qeshi si para një hileje të zbuluar tek ne e u përgjegj po qetësisht: “Për hollësi e saktësi, më mirë mund t’ua thotë komandanti e komisari i Brigadës…Sidoqoftë, qe vrasje e shpejtuar, e rrëmbyer…Me thashetheme brenda…Por lufta është si dasma, ka dhe kurbane…” Ndënji pak e shtoi: “Nuk është i vetmi rast. Kështu na u vra si pa u marrë vesh dhe një shok i rrallë Vlore, Sinan Gjoni…”. “Kush bëri thashetheme për Ramizenë e Zahon”? pyeta unë me zë të ulët. “Mos hyr më tej siç keni zakon ju shkrimtarët! Mbytesh në thellësi të tilla” -ma preu shkurt, e duke buzëqeshur i foli vëllait të tij, Gjikës, të na rregullonte në darkën e shtruar, pranë Ministrit të Mbrojtjes. Një ditë bashkë me bashkëfshatarin oficer e poet, I. Gani qemë ftuar te ish komandanti i Brigadës së V-të në Tiranë. Biseda me ngjyrime vëndi ecte e çiltër me raki e humor. Kaloi te kujtimet e Luftës e një cast, pa e kuptuar as vetë lëshova pyetjen në drejtim të tij si të qe një shaka rakije: “Pse e vratë Ramizenë”!? Ish Komandanti që s’e priste këtë pyetje, më pa në sy i habitur, si të më kuptonte më qartë qëllimin e saj, pastaj shtoi prerë: “Çdo gjë spjegohet në kohën e vet. Ç’janë këto pyetje si të Abaz Kupit!...”. Pastaj shtoi: “Pyetjen e parë duhet t’ia bëni atij që erdhi në shtab e na tha siç i kish parë me sy, se ata të dy bënin dashuri kur Brigada qe e rrethuar e po rrezikohej nga armiku e nga dimri”. Desha ta pyesja se cili kish qënë rrëfyesi i fshehtë që në kohë lufte përgjonte ‘dashuritë’ e që kish raportuar, por shoku im më bënte shenjë me dorë nga poshtë që të mos e zgjatja. Së fundi spjegimi tjetër. Një miku im i afërt krahinar më tregoi, me kusht që mos t’ia rrëfeja njeriu autorin, ngjarjen tronditësi, si rrëfim i një drame të mprehtë lufte brënda familjes: I ati i tij, ish partizan i shquar e tani veteran i sëmurë, më 5 Maj – Ditën e Dëshmorëve – kur ceremonia zyrtare kish mbaruar e atje s’kish më njeri, ky drejtohej i vetëm atje. I thinjur, gati i kërrusur e me një tufë lulesh në dorë që i mbante disi fshehur të mos i dukeshin, ecte drejt një varri që s’po i ndahej nga mëndja…I biri nuk e kish parë në ceremoninë zyrtare me shokët e tjerët, dhe po dilte andej i pasmi. Befas së largu njohu të atin që po vinte i vetëm. U fsheh i mënjanuar dhe po e ndiqte me sy. Ai u frua ngadalë te varri i Ramize Gjebresë. E nderoi me përkulje trupi. Mërmëriti ca fjalë si rite mitologjie. Pastaj u ul e i vuri lulet te kryet…Pas p

Ramize Gjebrea

ak i lëvizi lulet sikur e kësholli njeri e i vuri më mirë mbi kraharorin e pllakës prej mermeri ku flinte martirja…


Agim Shehu

Po kthehej po aq i përkulur e i vetmuar drejt shtëpisë. I biri i del befas përpara dhe e pyet me habi e dhimbje se ku kish qënë! I ati s’deshi t’i spjegohej. I biri nguli këmbë, dhe ai duke ecur ngadalë të dy i rrëfeu me gjysëm zëri ngjarjen : Kish qënë në pushkatimin e Ramizesë. Si e vunë te muri, ajo priste e qetë plumbat e shokëve, vendosur armiqësisht ballë saj. U dha urdhëri, e u dëgjua breshëria e plumbave. Ajo vështroi ku e kishin marrë plumbat, dhe u hutua që s’po binte. S’u kuptua, qeshte apo qante ! Asnjë nga shokët në skuadrën e parë s’e kish vënë në shenjë. U dëgjua urdhëri kërcënues, që po të mos shtinin mbi të, do viheshin ata te muri. U caktua grupi i dytë, dhe tytat u drejtuan drejt shoqes së tyre. Një çast ajo foli si t’i këshillonte, që t’i ngrinin më lart tytat se nuk qenë në shenjë….» Heshti pak e shtoi : «Tek qe shtrirë në varr, më duket se më njohu e më foli diçka ‘më lart’ m’u duk se tha…Dhe unë aty lart ia vura lulet…Para pushkatimit ajo u lut gjithashtu që të mos ia prishnim fytyrën…Mos ia thuaj njeriu biri im, se ajo luftë i pati dhe këto…». Kush rrëfeu për të ? – e pyeti i biri. I ati u mendua pak e tha me gjysëm zëri, pa qënë i bindur nëse duhej thënë emri a jo : «Xhakja, Xhangolli…një shoku ynë i mirë i Luftës, por këtu…s’di ç’të them…I kish parë që në një shtëpi që në dimrin e fortë me shi akulli u kish hapur derën, ajo qe bërë qull e dridhej…Ai i kish hedhur xhaketën e tij të ngrohtë në supe…Kaq qe ‘dashuria’ e tyre dhe mëkati që kishin bërë…të cilën ajo e pagoi me kokë. Nuk harrohet, ajo në gjykimin e ashpër që iu bë thoshte se Zahua nuk kish asnjë faj…Megjithatë plumbat mbaruan punë…Po ç’të duhen ty këto» i tha në fund të birit! Në ca kujtime të S. Lazrit thuhet me dhimbje e dashuri për martiren, se dhe Zahua u vra(!) në mes të xhadesë para gjermanëve, apo e vranë nga pas shokët, urdhëruar nga krerët fajtorë të tyre… » I ati tregonte duke u kollur nga një frymëmarje e lodhur sëmundjeje, e pas ca kohe vdiq. Në fillim të viteve ’70 Ramizeja u shpall Dëshmore e Atdheut dhe u vu në Varrezat kombëtare të tyre. «E firmosëm me gëzim të veçantë të gjithë ne shokët e saj që qemë të pranishëm dhe kur u pushkatua » më tha një nga veteranët e afërm e me kulturë akademie të jashtme. «Dëgjova se njëri nga kryesorët, shokët tuaj nuk pranoi e nuk firmosi, pse?» pyeta unë. «Ik pyete, ma ktheu me të qeshur krahinari veteran; - varet, sa dhe kë vret ndërgjegjia. Tanimë asaj nuk i duhet as mëshira, as mbrojtja. Ajo ka mbetur në histori te rinia dhe bukuria e saj, shkrirë në idealin e lirisë për të cilën mori armët»…Kaq mund të them saktë, i dashur Mihal. Vepra të pastë hijeshinë e heroinës.

Agim Shehu Gjenevë, 2013. 09. 22.

P.S: Fragment nga sprova ime: “Jo vetëm emër perëndie”

45 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page