top of page

Irma Kurti: Poezi nga Stanley H. Barkan (SHBA)


ree

 

STANLEY H. BARKAN ka lindur më 1936 në Brooklyn, Nju Jork. Ai është poet, përkthyes, redaktor dhe botues. U rrit në Nju Jorkun Lindor midis shumë njerëzve që ikën nga Evropa e pushtuar nga nazistët. Barkan mbeti i mahnitur nga gjuhët që flisnin dhe historitë që tregonin sesi dhe pse u larguan nga Evropa. Ky interes për të njohur gjuhë të tjera formoi bazën e jetës dhe të punës së tij si koordinator midis kulturave, duke u përpjekur me zell të mësonte gjuhë të tjera. Gjatë 27 viteve si mësues në sistemin e shkollave të mesme të Nju Jorkut, ai u njoh me poezinë e poetëve të gjuhëve të tjera si dhe me veprat e përkthyesve të mëdhenj, si Gregory Rabassa, me të cilin krijoi një miqësi të ngushtë. Si botues, ai ka botuar një numër të konsiderueshën poetësh të gjuhëve të tjera - vepra në 59 gjuhë të ndryshme. Poezia e Stanley H. Barkan është botuar në 23 edicione, në 28 gjuhë të ndryshme, duke përfshirë edhe botime dygjuhëshe (bullgarisht, kinezisht, italisht, polonisht, rumanisht, rusisht dhe spanjisht).

 

ree

 

JANAR


Ngrica

mbulon degët e zhveshura,

të zeza kundrejt qiellit gri.

Ashtu si syri i një uragani,

era vëzhgon rrjedhën e saj tani.

Akulli thyhet si copëz xhami

poshtë strehëve të çatisë,

duke u shpërndarë ndër shkallë.

Dera heziton të hapet

ndaj tërheqjes së duarve.

Hunda cingëron nga kontakti

i parë me ajrin jashtë,

njeriu me mundim ecën në rrugë.

I mbuluar më gëzof,

shallin e hedhur në qafë,

veshët e skuqur,

ai e shtyn veten

në Janar,

të gjitha halat e pishës

të mprehta janë si mendimi

i daljes së parë.

 

MACET DHE QENTË E TEL AVIVIT

 

Asnjë qen nuk e sulmon një mace në Tel Aviv.

Të paktën jo në disa pjesë të qytetit.

Macet ndjekin udhën drejt

—dhe kjo është e gjitha.

Kështu, në disa pjesë të qytetit,

macet dhe qentë ulërijnë nën dritën e hënës,

nëse jo të gjithë njëherësh, të paktën

brenda një paqeje të blinduar,

disa mace dhe disa qen

mësojnë të jetojnë së bashku

— nëse jo për zgjedhje,

e bëjnë thjesht nga nevoja.

  1984

 

FLAKJE

 

Unë nuk kam grepa,

as rrjeta nuk kam,

për t’i hedhur poshtë

në ujërat e trazuar.

Vetëm copëza e thërrime

për peshqit

që presin nën urë,

poshtë në thellësi,

për t’i gjetur në sipërfaqe

me gojën hapur vijnë.

E kam flakur bukën

në ujërat

e shpengimit,

si dhe mëkatet që kam bërë,

duke shpresuar në një tjetër vit,

një vit kur xhepat e mi

do të jenë bosh

dhe asgjë s’do të kenë

për të hedhur tej në det.

 

PËRKTHEU NGA ANGLISHTJA: IRMA KURTI

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page