top of page

IRMA KURTI – POEZI NGA MICHAEL LEE JOHNSON (KANADA – USA)




Michael Lee Johnson ka jetuar në Kanada për dhjetë vjet gjatë periudhës së Vietnamit dhe është njëkohësisht qytetar i Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Sot, ai është poet, shkrimtar i pavarur, fotograf amator dhe pronar i një biznesi të vogël në Itasca, DuPage County, Illinois. Ai ka 301 video me poezi në YouTube. Michael Lee Johnson është poet ndërkombëtar me vargje të botuara në më shumë se 1488 antologji; poezitë e tij janë botuar në 45 vende të botës. Michael Lee Johnson redakton dhe boton 10 faqe interneti me poezi.  Ai është nominuar për 7 çmime Pushcart Prize në gjininë e poezisë dhe 6 nominime si Autori më i mirë në rrjet. Gjithashtu, është editor i 3 antologjive me poezi, të disponueshme në Amazon si dhe ka botuar disa libra me poezi e të tjerë me format të vogël. Ka në arkivin e tij 463 poezi të botuara. Michael është administrator i 6 grupeve të Poezisë në Facebook. Ai është po ashtu anëtar i Shoqatës së Poezisë në Illinois: http://www.illinoispoets.org/.

TANI QË DËSHIROJ

 

Tani që dëshiroj të jem pranë teje

si dy banorë që ndajnë të njëjtin shtrat

teksa ndjejnë ngrohtësinë e shpatullave të djersitura,

i uritur për mishin tënd si një ujk i egër

që përkulet mbi një skelet të zbrazët,

ti je jashtë duke kërkuar shkëmbinj të paeksploruar,

duke ngjitur maja malesh të rrezikshme,

duke kapur gretha në shishe birre të thyera për

orën e biologjisë,

duke i gëzuar bimët, duke u hedhur me parashutë

nga retë për argëtim.

Në hije, ti je më afër jetës, marrëzisë,

një princeshë e absurditetit, një koleksioniste

e ëndrrave dhe tingujve të heshtur.

Tek retë, ti ndërton fantazinë.

E ndan atë me njerëz të përzgjedhur të famshëm.

Por derisa ky rob të gjejë ilaçin për kujdesin,

një mënyrë për t’i shpëtuar çmendurisë së pangopur,

ose të jetojë aq gjatë sa t’i zgjasë dëshira për

ty -

duhet të jesh syhapët,

sepse me kalimin e kohës, dëbora me siguri

do ta mbulojë këtë dëshirë të ngrohtë.

 

VERA PO VDES

 

Jashtë, vera po vdes në brendësi të vjeshtës,

dhe petuniave blu të babait po u mbijnë veshët -

ndiejnë fillimin e të dridhurave të natës.

Në kutinë e tyre të verdhë të dritares,

ato përkëdhelen dhe së bashku i frikësohen vdekjes.

Dera rrëshqitëse e ballkonit

është e izoluar keq dhe një rrymë e ftohtë

hyn fshehurazi në të gjitha dhomat e miqve.

NDRYSHOJ JETËN TIME

Unë e ndryshoj jetën time.

Kapëse dhe karfica mbi tel

var, rrobat e papastra

për të tharë.

Bëhem qejfli, poetik

në fillim të të 70-tave të mia,

duke rishikuar gëzimet

dhe dhembjet

e udhëtimit tim.

E gjej veten dukë dëshiruar

një recension të ri, një produkt të ri,

një makinë të re të kohës,

një hapësirë të re interneti,

një planet të ri ku

ne, krijesa të vogla krijuese

mund të rritemi.

 

MICHAEL LEE JOHNSON





Përktheu nga anglishtja: IRMA KURTI

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page