IRENA DUKAGJINI - KUJXHIA TI SHKOVE NË QIELL
DHIMBJE
Shpesh kur një njeri i dashur, një mik a një mike e shtrenjtë të largohet nga jeta është shumë e vështirë aty për aty të shkruash dy rreshta apo dy vargje të kthjellëta për të. Të shkruash një jetë me mundime e halle, të tregosh atë tronditje që të shpërthen nga shpirti ato çaste, është e pamundur, sepse, dhimbja, loti, brenga ta pengojnë penën e tastierën për të formuar atë emër, që në të ardhmen, e ndjen trishtueshëm, që do të të mbetet veçse në kujtesë.
Para dyzetë ditësh u shua nga jeta, Irena Dukagjini - Kujxhia, një mike, një shoqe fort e çmuar, e cila në jetët tona të lodhura ka lënë gjurmë të arta, të pashlyeshme, sepse së bashku njohëm ferrin me shumë pengesa dhe i kapërcyem ato pengesa me sukses e me krenari kohërash.
Për familjarët u nda nga gjiri i tyre nëna e shtrenjtë, një nënë heroinë, nënë e peripecive dhe e sakrificave më të mëdha, që kur se jeta e saj mori të tatëpjetën në rininë e saj më të hershme, atë rrugën e gjatë të internimeve vrastare të një sistemi ngricë e gjakatar.
Gjatë minutave që unë po shkruaj pak rreshta për Irenën e dashur, çdo gjë duket se ka heshtur rreth meje, heshtje në shenjë zije e respekti ku asgjë tjetër nuk pipëtinë prej të tjerëve, përveçse zërin e saj melodik vazhdoj ta dëgjoj vetëm unë si një simfoni të këndshme tingujsh e ngjyrash, nga ajo mundi të çante stuhitë më të fuqishme të sistemit më të egër.
Lamtumirë përgjithmonë, Irenë!
IRENA DUKAGJINI - KUJXHIA
TI SHKOVE NË QIELL
Loti turbulloi vështrimin tim tani,
Irenë, mikja ime, fisnikja ti,
dielli që tek unë po ndrin si për çudi,
ai, po ndrin veç për ty.
Zëri yt i ëmbël më zgjoi këtë agim,
ai më foli, më shkundi me përgjërim.
Oh, isha në një ëndërr?!
Mos më thuaj, Irenë,
se, udhëtim e bukur more ti,
e po ndalesh veç në parajsë,
e unë, tani,
shoh portat, janë çelur për ty.
Mos, mos më thuaj o timbër i ëmbël,
se do t’na mungosh përngaherë.
Mos, mos thuaj, që më
s’do të të gjej kur të vij në pranverë.
Mos më thuaj se do na mungojë ai yll,
ai yll mëngjesi,
një Irenë e rrallë, një engjëll prej qielli.
Këmba ku të shkeli ka lënë gjurmë flori,
se mes nesh ti çelje si trëndafili.
Mes kampesh ishe një bukuri e rrallë,
me shpirtin brilant, ballin krenar,
të deshëm, të çmuam, tani kemi mall.
Lamtumirë Irenë, vështirë të të them,
të desha, të dua sepse mbetesh vlerë.
Lamtumirë mes lotësh, lamtumirë Irenë!
Comments