top of page

Lumnie Thaçi-Halili: Etika e heshtjes në “Mëkatin e harresës”

ree

Nga Lumnie Thaçi-Halili

Etika e heshtjes në “Mëkatin e harresës”


(Prozë e shkurtër eseistike nga Ylli Pango, "Transplanti i Paganinit", UEGEN, 2022)


Hapi im i parë drejt këtij formësimi artistik qe ndalimi te titulli “Mëkati i harresës”, i cili nuk m’u shfaq si emërtim i thjeshtë, por si sinjal i një ligjërimi moral në një territor etik, apo thënë më drejt si një thirrje e fshehtë ndaj ndërgjegjes. Nga i cili buron në vetvete një gravitet që e çon lexuesin përtej kureshtjes së zakonshme: është një titull që tingëllon si kambanë morale dhe njëkohësisht si enigmë poetike. Më konkretisht, fjalët mëkat dhe harresë shkrihen këtu në një formulë që ngjan si kumt i zymtë i një përgjegjësie të pashmangshme (preambulës së një gjykimi të brendshëm): fjalë, të cilat e zhvendosin menjëherë vëmendjen nga fakti tek përgjegjësia, nga episodi tek ndërgjegjja kolektive...

“Mëkati i harresës” i Ylli Pangos i përket një forme hibride të prozës bashkëkohore, apo duke u shprehur me një riformulim tjetër: një miniaturë narrative me ton eseistik. Prozë e cila ndërthur elementet e rrëfimit të shkurtër me dimensionin refleksiv dhe etik të esesë, duke krijuar një prozë dëshmie ku fakti real, portreti psikologjik dhe meditimi moral bashkëjetojnë në një strukturë të ngjeshur dhe të përpunuar artistike!

Ky prodhim letrar nuk zbulon ngjarjen, por hap një portë drejt një horizonti etik ku fjala mëkat nuk është metaforë, por merr formën e aktit akuzues ndaj vetë strukturës së kujtesës kolektive. Pikërisht ky ton solemn, dhe kjo zhvendosje që kalon prej faktit e deri tek përgjegjësia, më nxiti të hyj më thellë në këtë shkrim, sepse premton jo një rrëfim, por një përballje: me dështimin tonë për të mbajtur mend dhimbjen e tjetrit, me mungesën e duhur për të nderuar tjetrin dhe me rrezikun e shndërruar të sakrificës në shfaqje kalimtare. Në këtë kuptim, titulli tingëllon si një akord i parë, i errët dhe i qetë, që e orienton analizën jo drejt emocioneve, por drejt ndërgjegjes!


ree

Në prozën e shkurtër “Mëkati i harresës”, autori, psikolog i njohur dhe njëkohësisht zë letrar me intuitë të formuar, na sjell një prozë letrare, ku përvoja profesionale dhe aftësia narrative bashkëjetojnë harmonishëm. E gjithë kjo shpaloset brenda një hapësire ku psikologjia e dhimbjes dhe etika e kujtesës ndërthuren në mënyrë reale, duke e kthyer këtë episod të vërtetë në një reflektim të thelluar mbi dinjitetin njerëzor dhe fajin kolektiv të harresës.

Boshti emocional subjektiv i tregimit është zëri lakonik i një babai, i cili e ka humbur të birin në një përpjekje mes forcave speciale. Ky zë nuk ngjan me rrëfimin e një njeriu të mposhtur nga tragjedia, më shumë ka të bëjë me zërin e dikujt që e ka shndërruar dhimbjen në kod të brendshëm etik, në një mënyrë të të menduarit dhe të të jetuarit ndryshe. Pikërisht edhe autori e përthith këtë ton të brendshëm me një finesë që shmang çdo melodramë.

Është një zë i cili nuk kërkon prej askujt ngushëllim, bile edhe i shmanget spektaklit, artikulohet vetëm me atë përmbajtjen stoike, të trashëguar, të burrave malësorë, tek të cilët fjala i ngjan shkëmbit. Kjo lakoni autoriale, është e njohur mirë për një sy që ka vëzhguar strukturat e brendshme të emocioneve njerëzore, duke e nxjerrë me saktësi profilin e tij. Ngase autori e njeh peshën e heshtjes, madje e lexon si formë të përpunuar të përballimit, apo si mekanizëm ekzistencial, ku dhimbjen nuk e lejon të shpërhapet jashtë, por e vendos si gur sizifi thellë përbrenda subjektit të rrëfimit.

Dialogët e shkurtër, ritmi i ndërprerë, thyerjet sintaksore krijojnë një poetikë zhveshjeje, ku edhe vetë modeli rrëfimor merr trajtën e një dialogu interior: pa stërhollime, i formuluar me thjeshtësi thelbësore. Çdo fjali përçon një tension të heshtur, thjesht një e vërtetë që nuk i detyrohet zërit për t’u kuptuar. Kjo zgjedhje stilistike e ngre rrëfimin në nivelin e një miniature psiko-lirike, ku struktura e brendshme e personazhit zbulohet jo përmes shpjegimit, por përmes ritmit të fjalës që shpreh.

Pamja e babait që ecën drejt dhomës së spitalit, ndalesa e tij përballë trupit të birit, këpuca që mbushet me gjak... të gjitha këto përshkruhen pa dramatizime, me një çiltërsi të pakompromis që i jep skenës forcë të veçantë estetike. Autori e di mirë se emocioni më i thellë nuk kërkon hiperbolë për të bindur lexuesin, mirëpo ai thjesht kërkon zgjedhjen e duhur të këndvështrimit. Dhe pikërisht ky këndvështrim e shndërron tregimin në një akt dëshmie për mënyrën se si njeriu e mban barrën e dhimbjes mbi supe dhe në brendësi të zemrës, pa e shpërndarë, pa e kthyer në skenë publike për të tjerët. Nga an tjetër, në sfond endet një reflektim mbi fatin që marrin tragjeditë nëpër hapësirat publike, të copëluara në lajme të shpejta, të shpërndara në ekrane, të konsumuara pa kohë për të mbajtur peshën esenciale të përmbajtjeve... Megjithëkëtë, autori këtu nuk gjykon askë, vetëm nxjerr në pah shkëputjen midis dhimbjes së vërtetë dhe zhurmës së jashtme, duke krijuar një kontrast që flet vetë. Pa harruar edhe harresën këtu, e cila nuk pasqyrohet si neglizhencë, por si fenomen moral që cenon vetë themelet e solidaritetit shoqëror.

Qendërpesha prozaike gjendet në idenë se harresa nuk shuan thjesht vetëm kujtimin, por edhe e zbeh deri në pandjeshmëri marrëdhënien tonë përballë atij që bart peshën e dhimbjes. Prandaj, harresa nuk paraqitet si humbje e një kujtimi të veçantë, ajo flet për një zbehje të aftësisë për të mbajtur peshën e dhimbjes njerëzore. Në këtë çast, rrëfimi del përtej historisë së një babai dhe një djali dhe bëhet reflektim mbi mënyrën e një shoqërie, e cila e prek pak ose nuk arrin ta prekë aspak plagën që dhemb. “Mëkati i harresës” është kësisoj një rrëfim që bashkon qartësinë e vëzhgimit psikologjik me përkorjen e një proze të matur, ku fjala nuk kërkon të krijojë efekt të menjëhershëm, por mbi gjithçka të zgjojë ndërgjegjen e fjetur brenda nesh.

Me një gjuhë të përmbajtur dhe ritëm të saktë, autori Pango ndërton një rrëfim të ngjeshur, që e tejkalon episodin vetjak falë përmasës njerëzore që ai arrin të vë në pah, sepse e nderon njeriun dhe e ngre kujtesën si përgjegjësi.

Përtej kësaj, autori e vendos në shtresën nënkuptimore edhe mesazhin themelor, se harresa nuk lidhet me mungesën e kujtimit, por me mungesën e lidhjes së ndjeshme ndaj dhimbjes së tjetrit.

Në fund, mbetet për t’u kuptuar se harresa nuk vjen si boshllëk, por si rikthim i pashmangshëm, një kthesë të mendjes drejt asaj që e kemi lënë jashtë kujtesës!

YLLI PANGO “MËKATI I HARRESËS"

Të folurit shkurt, lakonik, më duket se është në traditën labe të narracionit. Jo të çdo labi. Atij të vërtetit. (E ka dhe veriu. Edhe ata jo të gjithë. Malësorët). Ja dëgjojeni. Sikur e dëgjoj sërish : Ky që flet është babai i të vrarit të RENEAS. Trupave speciale.Vrarë në përpjekje me banditë. E shfaqën sot në TV. E shfaqën si shfaqje. Si scoop.

“Erdhi shoferi, - tregon burri. - Eja! - tha. - Është plagosur pak Elhami.”

“Ec, - i thashë, - është vrarë!”

“Jo, është plagosur.”

“Ec, - i thashë, - ...ishte me 150 a më shumë në orë... Ec. Nuk është plagosur. E di që është vrarë.”

“Hyj në dhomën ku është djali. Νë spital. Mbushur gjak. Djali rri shtrirë atje. Nuk lëviz. I afrohem.Gjaku rrjedh nga shtrati... M’u mbush këpuca me gjak.”

Fytyra e babait nuk lëviz. As qerpiku. Nuk ka lot. Është tharë pa dalë. Që atëherë. Nuk bën dramë. As rol. Kështu e ka të folurën. Ngjarja ka vite që ka ndodhur. Burri ka brazda në fytyrë. Dhimbja është diku thellë-thellë, brenda. Nuk do tretet kurrë. Kur s’di gjë, nuk e kupton. Kur flet po. Është lab. Fjalëpak. Dhimbjen e nxjerr nga brenda, fjala. Fjala e paktë. (E nxjerr ajo pa duket. Ajo mbetet aty). Ja shkul. Të shkul dhe shpirtin kur e dëgjon. Fjala e rëndë gur. E hidhur. E kërren. Fjala çengel. E prerë. E shkurtër. Si plumb. Plumbi që i mori jetën të birit. Atij që iku i ri. Atij që i iku vdekjes sa herë më parë. Në përpjekje. Me të tjerë banditë. Unë nuk e njihja. As shumë shqiptarë të tjerë. Dje e pashë. Për herë të parë. Në foto. Dhe babanë të gjallë.

M’u kujtua që shajmë kur s’na mbrojnë. Ka raste.. Ka raste kur s’dinë... Ka dhe raste kur s’duan...

...Shajmë. Harrojmë ata që u vranë. Ata me zemër. Madje s’i njohim. Bëjmë pak për ta. Ose aspak. Ndaj kur na vjen radha neve vetë, paguajmë. Paguajmë mëkatin. Mëkatin e harresës...

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page