Sabit Rustemi: SHKRIMTARI QË I SHNDËRRON FJALËT NË VEPRA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 16 minutes ago
- 4 min read

(Në 80-vjetorin e lindjes dhe 65-vjetorin e krijimtarisë letrare e publicistike të shkrimtarit Ibrahim Kadriu)
Në 80-vjetorin e lindjes dhe 65-vjetorin e krijimtarisë së tij, Ibrahim Kadriu qëndron si një nga ata emra që nuk shihen vetëm si autorë, por si institucione të heshtura të letrave shqipe. Ai është një figurë që nuk e ka kërkuar asnjëherë zhurmën, por ka mbetur përherë në anën e qetësisë, të përkushtimit e të punës së pandalshme. Dhe pikërisht për këtë, vepra e tij ka marrë pamje të madhe, jetë të gjatë dhe peshë të fuqishme.
Në këtë jubile të dyfishtë, ai shfaqet me tërë përmasën e tij krijuese si një burim i pandashëm uji që nuk shterron nëpër kohë
Ibrahim Kadriu si poet
Poezia e Ibrahim Kadriut është porta e parë e botës së tij. Të kujton lumin që rrjedh i qetë, por brenda ka një dendësi, një ngarkesë të fshehtë. Qysh me “Netët e Karadakut”, me vargjet e para që mbajnë aromën e vendlindjes dhe të kohës së fëmijërisë, e të rinisë, po edhe te vëllimet e mëvonshme poetike, ai ruan një zë të brendshëm urtie që nuk bërtet, por bind.
Brenda 65 viteve krijimtarie, Kadriu si poet ka ndërtuar një poezi të “heshtur” në sipërfaqe, por të stuhishme në nëntekst. Ai shkruan për dukuritë e përditshme të jetës e të njeriut të këtij nënqielli, të cilin e sheh me syrin e vet, të matur, të thellë dhe, vertikal nëpër ecejaket e periudhave kohohe, me të cilat vazhdimisht përballet e nuk përkulet.
Mbase, nga ky fakt, poezia e tij vazdon të mbetet e lexueshme, e vlerësueshme si dhe e përfaqësuar nëpër antologji e botime tjera të zgjedhura apo dhe të përkthyera në gjuhë të huaja. Ai nuk bëhet peng vetëm i një kohe në krijimet e tija poetike, por është i hapur, i çiltër dhe komunikues përmes vargut me të gjitha shtresat lexuese.
Ibrahim Kadriu si prozator

Nëse poezia është tingulli i parë, proza është ndërtesa madhështore që Ibrahim Kadriu ka ngritur me përkushtim, që nga fundi i viteve shtatëdhjeta të shekullit njëzet, e deri në ditët e sotme
Ai është nga ata shkrimtarë që e kanë vendosur veten në epiqendrën e rrëfimit për brezat lexues të kësaj kohe, po edhe të brezave në ardhje përmes dhjetëra e dhjetra romaneve, novelave e tregimeve, në të cilat ka përmbledhur njerëz, fate e ngjarje, nga ato të mëhershmet deri te këto të sotshmet që po i jetojmë duke krijuar kështu një kronikë letrare të këtij realiteti, çfarë ishte bie fjala dje, sot apo çfarë mund të jetë edhe nesër.
Në romanet e tij, historia nuk është dekor, por forca lëvizëse e fatit njerëzor. Personazhet ecin nëpër rrëmuja, emigrime e migrime, kthime të vonuara, me etje për drejtësi, për dashuri e për të vërtetën që iu ka munguar.
Nisur që nga “Kroi i ilaçit”, “Ethet e një dimri”, “Kalorësi i Karadakut”, “Misioni rus”, e deri te romani më i ri i këtij viti, “Masakra ndodhi në Korçë”,bindemi mirëfilli se Ibrahim Kadriu ka krijuar një letërsi që e dokumenton shpirtin dhe plagën kolektive, pa e humbur kurrë dimensionin e meditimit personal. Po, në anën tjetër, edhe një dëshmi të pamohueshme të kësaj kohe brenda dhjetra mijë faqesh të shkruara, përmes artit të fjalës e të rrëfimit.
Në këto 65 vjet krijimtarie në prozë, ( përfshirë gjithnjë dhe krijimtarinë për fëmijë), Kadriu ka krijuar një arkiv emocional, një hartë të përjetshme të botës shqiptare, duke marrë si shembull, vendlindjen e tij dhe vetë Grykën e Karadakut, si një zë i përhershëm qëndrese, përballë furtunave nëpër kohë, pa e humbur asnjëherë sensin njerëzor.
Ibrahim Kadriu si publicist
Përmes publicistikës dhe monografive të tij, Kadriu del në një rol tjetër: atë të vëzhguesit të përpiktë, që dëshiron të ruajë fytyrat dhe fatet e personaliteteve intelektuale, kulturore e atdhetare që kanë ndikuar në jetën kulturore e historike të kësaj pjese të hapësirës së përgjithshme shqiptare, të cilët kanë vepruar e kanë lënë gjurmë të dukshme, që nga gjysma e dytë e shekullit njëzet e deri në ditët e sotshme.,
Monografitë për Agim Ramadanin, Ramiz Cernicën etj. e veçmas “Buzëqeshje miqsh në disa vëlllime, e cila këtë vit erdhi me një botim të të gjitha këtyre vëllimeve në NJË të vetëm, janë dëshmi e një autori që nuk shkruan vetëm për vete, por për të tjerët, apo me një fjalë, për kujtesën tonë të përbashkët.
Në këtë dimension, Kadriu jo vetëm shkëlqen, po është edhe i pazëvendësueshëm: ai fiksoi brenda kësaj botimi atë që koha do t’mund ta harronte.
Shkrimtari që jeton me fjalën dhe për fjalën
Në fillim të këtij viti që po ikën, shkrimtari Ibrahim Kadriu, përmes një ceremonie, organizuar nga Familja e Tij, shënoi tetëdhjetvjetorin e lindjes, para 80 personave të ftuar, kryesisht miq letrash e familjarësh,
Që të nesërmen e 9 janarit, Ai iu kthye orarit të përditshëm të punës, shetisë mëngjesore, kafesë së mëngjesit me miqtë te “Elida” si dhe punës krijuese në studion e tij në “Velani”, lagje e njohur e Prishtinës dhe, as që çau kokën më sa vite i mbushi ngase ishte i preokupuar me shumë projekte letrare të cilat dita – ditës i përmbushi në mënyrën më të mirë, e me të cilat mund të njiheni më në detaje përmes një botimi ekskluziv, ku janë përmbledhur ngjarjet më të rëndësishme vetëm gjatë këtij viti, vlerësimet për veprat e tij, të shkruara e të publikuara po gjatë këtij viti si dhe katër intervista dhënë televizioneve, gazetave e portaleve të ndryshme.
Me një fjalë, Ibrahim Kadriu, dy jubiletë e tij, që rastisën të jenë në vitin 2025, i shënoi me punë e angazhime letrare. Ai nuk di ç’është pushimi krijues, as periudhat e heshtjes. Vepra e tij është një rrjedhje e pandërprerë prej 65 vitesh, në poezi, në prozë e publicistikë, me thjeshtësi, përkushtim e me ndjenjën dhe bindjen se shkrimi është mënyra e tij më e mirë për për t’i përballuar dhe vitet tjera që i ka përpara.
Ai, me veptrat e deritashme dhe me të tjerat që i presim në vazhdim, mbetet një nga ato shtyllat e rëndësishme të letërsisë sonë që në çdo ditë të jetës së tij, fjalët i shndërron në vepra.
Nëntor - dhjetor , 2025
___________









Comments