top of page

Iku Thimaqi...


Thimaq Lako

-Një telefonatë nga Bostoni në Amerikë-


Ish-gazetari tashmë krjet i thinjur, Fuat Memelli, tashmë shqiptaro-amerikan në Boston, më telefonoi dhe disi me ndrojtje më pyeti:

⁃ A e njeh Thimaq Lakon?

⁃ Si nuk e njoh vëllain e Lakshit të famshëm në Pogradec! Pse pyete? Kushdo që shkeli dhe dha mēsim në ILB në vitet 80-të nuk ka dyshim se e njoh dhe më njeh-iu përgjigja!

⁃ Iku, më tha Fuati me zë të dridhur!

⁃ Si iku? Nga Shqipëria?

⁃ Jo, iku atje ku nuk kthehesh!...


Kjo telefonatë e Fuat Memellit më shokoi! Ikja e një miku të dhemb, por dhimbja nuk peshohet kur ja njeh të ikurit, jetën, marazet dhe mesazhet...


Me Thimaq Lakon kemi jetuar nën një “çati” atëhere kur jeta jonë fillonte nga konvikti! Kur hanim në një mencë me studentët dhe shërbenim nevojat personale tek “ banja e katit “! Kështu e njoh së pari këtë bashkëpatriot korçaro- pogradecar, ku shkëndijat e para të rinisë i mora nga Lakshi ( Vasillaq Lako) pedagogu dritë në gjimnazin e Pogradecit në vitet 70-të!

Thimaq Lako nuk ishte si Lakshi! Ai ishte Ai! Thimaq, tjetër profil, i urtë dhe i mençur siç dinte të ishte Ai dhe po aq “pushkatar” i fjalës, mirësisë dhe pasionit! Kur erdhi pedagog në fakultetin e Pyjeve në ILB në vitet 80-të, bashkë me bashkëshorten e vet, do ta shihnim mbasdite të shëtiste në Institut duke mbajtur pērdore vajzën e tyre të “dënuar nga Zoti”, por ajo shëtitje familjare ishte monument qëndrese dhe shprese, ajo shëtitje e qetë, e butë, ashtu siç ishte ishte dhe mbetet “ shfaqja e shekullit” ku dy prindër dhimbjen e kthejnë nē shpresë dhe model qëndrese!

Ato vite isha djalë i ri, ende me ëndrra flutarake të rinisë, por ato shëtitje familjare të Thimaqit, ishin diçka ndryshe, ishin një model ndryshe që pakkush i kuptonte, por Thimaq Lakon nuk e shqetësonte kuptimi apo moskuptimi! Shētitjet e Tij sikur sillnin një “copë Korçë” tek “Shkolla e Dakës” dhe me atë qetësinë e shētitjes shlodhëse, çifti Lako sikur deshte të shprehte fatin dhe dashurinë e tyre, por ndërkohë, si askush tjetër mesazhi i tyre vinte me pērmasa të tjera: “Shikoni dashurinë tonë, shikoni duarshtrëngimin tonë, pēr ta kuptuar lumturinë dhe thelbin e saj në jetë...”

Unë e deshifroja këtë mesazh dhimbshëm qysh atëhere, por nuk e ndava me kënd! E mbajta brēnda meje si një “gur të rëndë” që kur provova ndjesinë prindërore, u bë një gur- shkēndijë që më tregonte fatin tim...

Thimaq Lako jo vetëm ishte një prind dhe njeri i shkëlqyer, por me atë profil intelektual që krijoi, me ato kontribute që dha, me ato libra dhe artikuj që shkroi me heshtjen që tashmë ështē kthyer e gjithpushtetshme sikur thotë: “Jetoni dhe gëzoni fatin tuaj... Jeta vjen vetëm njëherë ...”!

Iku Thimaqi! Tani ne mund të radhitim fjalë e fjali të tēra, mund t’i numurojmë artikujt, punimet shkencore, kontributet intelektuale, sukseset, dekoratat apo titujt, por për mua, ish-studentin e ish-gazetari që jetova nën një çati, në të njëjtin kat ku shkëmbenim buzēqeshjet tona në koridoret e errëta dhe si ushtarë të shpresës përdornim të njējtin ujë dhe kolinoz në “ banjën kolektive të katit “, ai nuk ka ikur! Ai mbetet diku mes nesh me atë “shētitjen e famshme familjare” në ILB ku dy prindër, pa shtēpi, pa lluks dhe ego, pa qibra dhe sajesa shëtisnin dore për dore me vajzë. e tyre fatkeqe...Ishte monumenti më njerëzor që mund të lerë si shembull njeriu i mirë!

Kaq! Vetëm kaq desha të thosha sot në ikjen pa kthim të Thimaq Lakos, njeriut që deshte jetën ashtu siç ia fali Zoti!

Thimaqi vdiq duke na lënë një shembull të madh!

Paqja qoftë në prehjen e pērjetshme të Thimaq Lakos, mërmërit shpirti im me plot kujtime që koha do t’i tretë!

Lamtumirë Thimaq!


Shefqet Meko

Minnespolis, SHBA

16 Shkurt 2021

 
 
 

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page