top of page

Ikja e dhimbshme e një Njeriu duarartë si Bashkim Faslli Selimaj


Bashkim Faslli Selimaj

Ikja e dhimbshme e një Njeriu duarartë si Bashkim Faslli Selimaj


Prof. Dr. Fatmir Terziu


Ndërsa kapërcente shkallën e fundit të ish-Ndërmarjes së Ujësjellësit në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, nga dritarja e zyrës, Drejtori i kësaj ndërrmarjeje, i paharruari dhe intelektuali mjaft i respektuar elbasanas, Rruzhdi Biza, e ndiqte me kërshëri udhën që përshkonte ai. E ndiqte dhe mendonte me vete, se tashmë ishte pikërisht Njeriu të cilin ai do ta kishte më afër se gjithë të tjerët, që kishte pasur më parë. „Është shoferi im!“ – i tha shefit të zyrës dhe sytë përsëri i ndali tek udha e Njeriut që ndiqte me kaq kureshtje. E pa dhe fshiu sytë. Ishte hera e parë që shihte një njeri, një shofer që të përkujdesej aq shumë për atë makinë, të bënte që ajo të mbetej si një pasqyrë ku mund ta shihje dhe veten. Ishte Bashkim Selimaj, djaloshi me aq zell dhe vullnet, ai që kishte një edukatë të trashëguar nga i ati, Faslliu dhe nga nëna e tij e dashur, Nazmija, po aq dhe nga fisi i tij i madh nga të anët, nga nëna dhe babai, të gjithë të respektuar.

Dhe ashtu me atë shikim drejtori tashmë ishte i bindur dhe bindja e shpurri deri në atë pikë, që sa herë që përmendej emri i Bashkim Faslli Selimajt, ai vetëm tundte kokën, miratonte dhe firmoste. Kështu ndodhi dhe në vitet që pasuan më tej, derisa ditën e lëvizjes demokratike nisën të ishin ndryshe. Kudo shkatërrohej, villej, përmbysej, vetëm atje ishte bindja se asgjë nuk ndodhte dhe asgjë nuk ndodhi se ai bashkë me vëllezërit e tij u vunë në skalion dhe e mbrojtën sikurse të ishte prana e tyre private. Dhe kështu ndodhte gjithandej ku ishte ai, Bashkim Faslli Selimaj, Njeriu që me thonjë e ndërtoi jetë, krijoi familjen me sakrifica, pasi babai i ndërroi jetë herët dhe nëna e tij mjaft fisnike dhe punëtore ishte e lodhur nga mosha, hallet dhe dertet që kishte mbi kurriz. Në të gjitha punët dhe angazhimet ai mbeti punëmadh, duarartë, intelekt dhe mjaft aktiv.


I Ati, Faslli Selimaj, Mjeshtër

E gjitha tek Bashkim Faslli Selimaj ishte një ndjesi njerëzore, respekti dhe dashurie deri në ekzistencë. Sa herë që ndjeje buzëqeshje dhe humor aty do të gjeje dikënd që të jepte shpresë, dashuri dhe gëzim, besim për jetën dhe familjen. Pra ishte e gjitha ekzistencë. Në ekzistencë?! Mendoj se të paktën disa prej nesh bien në këtë hulli menjëherë pa e ditur. Dhe koha ndërmjet asaj kohe dhe pikës kur ne e pranojmë atë me veten tonë, ka të bëjë më shumë me pranimin, qoftë social apo personal, se sa kohë duhet të marrë për të „arritur atje“, pikërisht në ekzistencë dhe mbijetesë! Kështu e gatoi dhe ai jetën në vitet e tranzicionit dhe më tej me biznesin e tij privat duke shitur materiale ndërtimi, ku gëzonte gjithnjë respekt nga klientët e tij. Ai ishte i dashuruar me të gjithë dhe të gjithë e donin atë. Ai mbeti i tillë dhe do të kujtohet gjithnjë si i tillë, vetëm me një emër të mirë: Bashkim Faslli Selimaj.


E ëma fisnikja Nazmije Ramadan Selimaj (Ademi)

Si do ta shpjegonim ndryshe, nëse nuk do ta njihnim nga afër, të qeshur, mik dhe fisnik, që gjithnjë ishte pothuajse e pamundur të mbahej mend një kohë ndryshe me të. Ndaj sot e gjithnjë gjërat më të mëdha, kujtimet vërtet të mrekullueshme, ato nuk zhduken kurrë. Ne e gjejmë veten duke e parë këtë Njeri në ikjen e tij Hyjnore me mall, për ngushëllim, provë se kjo ndodhi, se dikur ishim me të duke kujtuar respektin, që të paktën për një kohë ndiheshim sikur i kishim të gjitha buzëqeshjet dhe urtitë e tij, të gjitha mirësitë që sjell dhe jep vetëm Njeriu. Dhe ne do të ndjejmë mungesën fizike të një Njeriu, por jo memorjen dhe kujtimin e tij, se ai, pra Bashkim Faslli Selimaj, edhe pse në një moshë relativisht të re, kur ende kishte ide dhe angazhime, na la një pikëdhimbje, pikëllim miku të mirë.

Dhe ne do ta kujtojmë atë. Janë ato momente që më bëjnë të pyes nëse ne me të vërtetë ndalojmë së kujtuari dikë si ky Njeri fisnik e mjaft bujar. Pavarësisht se sa të ngarkuar ndihemi, sado që ndjejmë se na lodhin angazhimet, punët, hallet dhe arsyet e tjera, largësitë, thellë në vetvete, nëse jemi të sinqertë, të gjithë i kemi ato momente, edhe për ata që na mbesin në memorje më shumë. Sigurisht që mund të fshihen pas hidhërimit, të varrosur nën fajin „jetim“, të mbyllur pas mureve që ne e lejuam veten t'i ndërtojmë si një lloj mbrojtjeje, por ata janë ende atje fisnikë që në ekzistencë. Dhe ne themi për të ikurit në amshim, Ju jeni të gjithë ende atje, pas atyre dhimbjeve të ikjes, ikjes në amshim, ku shpirti juaj fluturon tashmë i lirë dhe ne në mungesë fizike hedhim një mori fjalish zemërmira memorjesh në vend të një grushti dhe në Dhéun amë. Ngushëllime dhe shpirti i shkoftë në Parajsë Bashkim Faslli Selimaj, në Elbasanin e bukur që e lindi dhe e rriti, aty ku ai u dashura përjetësisht me Njeriun dhe njerëzoren.

290 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page