top of page

IDHULLI IM


IDHULLI IM

Tregim nga Kozma Gjergji


                    Mua dhe Dorin na miqësoi shumë pasioni për artin hyjnor të pikturës. Jo si krijues, se në atë drejtim nuk ia themi, por vetëm për të shijuar kënaqësit e pafundme që përçon ky art. 

                     Vetëvetiu u bëmë edhe koleksionistë. Kemi ndjekur e ndjekim rregullisht me kureshtje ekspozitat dhe diskutimet e debatet e zgjuara të krijuesve, kritikëve të artit, kuratorëve e artdashësve. Kësisoj e kultivuam bukur mirë shijen artistike dhe tashmë ndjehemi të aftë të dallojmë e gjykojmë vlerat e veprave. 

                     Ashtu si zakonisht, edhe sot, u takuam tek bari i preferuar të bisedojmë e rrëkëllejmë ndonjë gotë. Na pëlqen fortë ky mjedis i ndërtuar me fantazi e duar artistësh. E kanë vendosur mbi një glob stërmadh të zhytur përgjysmë në ujë sipër katër balenave prej llamarine. Nëpërmjet një ure të zgjatur si krah miqësor bari lidhet me bregun dhe kështjellën dukale shëndërruar në hotel prestigjioz. 

                     Kemi boll ç'të flasim, se sivjet qe i begatë sezoni për artin pamor. Përveç Bienales, prurjet cilësore nga çdo kontinent i mbushën të gjitha galeritë e Venecias. Natyrshëm ato u shndërruan edhe në skena të ballafaqimit e dialogut planetar midis shkollash, rrymash, stilesh, dukurish, prirjesh e risish të llojllojshme. Dhe si epilog i gjithë kësaj erdhi evidentimi i sa e sa kryeveprave, shpërblimi me çmime nga më të rëndësishmet dhe shitjet marramendëse. 

                       Ky sezon do të mbahet mend edhe për incidentet e dhunshme që provokuan skajshëm disa prej krijimeve me simbolikë të së keqes. 

                      -M'u desh dhe mua të bëhesha barrikadë bashkë me rojet e punonjësit e Bienales për ta ruajtur e shpëtuar nga zemërimi agresiv i vizitorëve tablonë, në të cilën pasqyrohej Hitleri-fëmijë me kryqin e thyer në krahët e Madonës. Ndonëse e quaja të drejtë reagimin e tyre, madje e pëlqeja, prapëseprapë isha i vendosur ta mbroja dhe me trupin tim veprën dhe jo Hitlerin. 

Meqënse jemi te kjo temë: Vetëm krishterimi nuk e pranon të keqen. E konsideron vet djallin ose të kurdisur prej tij, kurse fetë e tjera e pranojnë që atë e posedon Zoti dhe e përdor për të ndëshkuar ligësitë e mëkatet. 

                        -Nuk mendoj tamam ashtu, -ma kthen miku dhe vijon, -Artisti s'duhet ta keqpërdorë artin e tij, se kthehet në bombë. Çdo pikturë mizore dhe libër i rrezikshëm bëjnë jashtëzakonisht dëm. Monstra-Hitler sjellë shumë ankth se, veç të tjerave, të kujton Olokaustin e tmerrshëm. Piktori provokon rëndë duke gënjyer sikur Perëndia, ashtu si Jezusin lindi, mëkoi me qumështin e gjirit, bekoi, përkundi në krahë e u dërgoi njerëzve edhe Luçiferin e llahtarshëm. 

                       Ishte krejt i pa nevojshëm edhe ekspozimi i një instalacioni irritues, në të cilin tregohej përsëri ky përbindsh në po atë vend simbol, por tashmë i rënë në gjunjë duke u lutur i penduar dhe kërkuar falje. Po a ka fyerje më të rëndë se kjo?! Me të drejt dikush i kishte dhënë një grusht të fortë në fytyrë. Askush nuk pranon prej tij qoftë dhe të tilla gjeste të shënjta. 

                      -Mirë, ore mirë, por nëse nuk i trajtojmë këto mënxyra, gjëma e rreziqe si do ta kuptojmë e çmojm si duhet të mirën që ka brenda lirinë, paqen, progresin, demokracinë, dhe të alarmojm që e keqja mos të guxojë më të përsëritet? 

                        A nuk është rishfaqur hera-herë me egërsi e tërbim për t'i vënë flakën botës? A nuk i tejkalojnë tmerret naziste luftrat e nacionalizmit serb në Ballkan dhe ato të ALKAIDA-s, BOKO HARAM-it e ISIZI-it islamikë? Sa strategë-vampirë e gjeneralë të krimit, që Hitleri do t'i kishte zili, i ke sot nëpër rezidenca qeveritare e bunkerë ushtarakë?! 

Prandaj Shën Marinë me monstrën e vogël naziste në krahë unë e shikoj si mbrojtësen e madhe të jetës me dashuri nga urrejtja e shfarosja, kurse humbjet e dhimbjet si mënyra për të na treguar Zoti rrugën. 

                         -Një tjetër pikturë provokuese, -shton bashkëbiseduesi, -ishte dhe ajo ku paraqitej kryeterroristi islamikë Bin Lan Deni në një përqafim malli të paduruar dhe puthje përvëluese me Papa Vojtivën. (I kërkoj ndjesë autorit që s'më kujtohet emri.) Tepër interesante! Në art gjithëçka bëhet e mundur, prandaj dhe është paraprirës. Arti ndërlidh edhe  duke kundërshtuar… 

Reagimet e vizitorëve qenë të ndryshme. Disave u shkaktonte të qeshura e argëtim ky bashkim shpirtëror i urrejtjes me dashurinë. Të tjerë ngryseshin e shtrëngonin dhëmbët me zemërat duke sharë në arabisht ose në gjuhët e Perëndimit. 

Përse vallë ende kundërshtohet kaq egër? Kjo tregon se armiqësia e mospajtimi midis këtyre dy besimeve është i thellë, në gen. Tentohet vazhdimisht për t'u afruar, mirëkuptuar e paqëtuar plotësisht. 

Përpjekja më e fundit qe e të ndjerës princeshë Dianës, e cila deshi të përziente gjakun e krishterë mbretëror me atë arab islamikë. Kur kjo u bë e njohur, e tanimë ajo edhe e kishte ngjizur në bark e do realizonte martesën, hamendësohet, dyshohet, supozohet se ndërhynë menjëherë Zoti e kisha dhe e pamundësuan, duke i ndëshkuar të dy protagonistët me humbjen e jetës në aksident automobilistik. 

Pra, siç e kuptoj unë, pikërisht këtë të pamundshme na thotë edhe artisti kur bashkon Papën me kryeterroristin fondamentalistë në një dashuri mashkullore gejsh, nga e cila nuk lind asgjë. 

Qasjet e reja të artit për të ndikuar në zgjidhjen e dilemave të mëdha të njerëzimit dhe pasqyrimi në dimensione e optika të ndryshme i atyre figurave që kanë sjellë ferrin në tokë ka krijuar e krijon gjithnjë vëmendje, provokime, reagime, kundërti, protesta… Ato shumëfishojnë vazhdimisht vizitorët, lexuesit, shikuesit, sukseset e famën e krijuesve dhe shitjen e bujshme të veprave... 

Kam dashur kurdoherë të të pyes: Ti a ke ndonjë model apo idhull të veçantë që të ndihmon të jesh aq i suksesshëm në punët e tua? 

                            -Si jo? Patjetër që kam. 

                            -Ma thuaj se jam tepër kureshtarë. 

                            -Janë disa, por mbi të gjitha është një personazh letrar me emrin Don Kishoti i Mançës. 

                           -Si kështu? Ke për hero e idhull një marrok?

                           -Pikërisht për këtë e admiroj: Një i lajthitur jep leksione mençurie! Adhuroj misionin e tij madhështor jo për të rikthyer kohën kalorsiake, por për ta bërë këtë botë një vend më të mirë e të drejtë e jetën më të fisme. Dhe gjithçka e kryen pa asnjë shpërblim. 

Ai e quan detyrë çdo sakrificë për të mbrojtur të dobtit dhe shkatërruar e mposhtur dhunuesit, për të përballuar poshtërimet dhe u hakmarrur e i luftuar përbindëshit e gjigantët keqbërs, të cilët i sheh tek mullinjtë e erës. Veprimet, mendimet e betejat e tij na bëjnë të qeshim edhe prekemi thellë. Ato bëhen virtyte dhe fatkeqsi për të. 

Kishotit i çmoj jashtëzakonisht sinqeritetin e pashoq, kurajon e lartë, besimin e zjarrtë, fisnikërinë e shpirtit, zemërbutësinë, çiltërsinë, bujarinë, atë dorlëshuarllëk e pakujdesje për veten e gjithçka për të tjerët… 

                             -Po a shkojnë bashkë çmenduria me heroizmin? 

                             -Ëndrrimtarët e mëdhenj kanë përshkuar kohëra të ndryshme, dhe kur shoqëria i ka kuptuar, këta të çmendur janë bërë heronj. 

                             -Ç'thua për Sançon? 

                             -Nëse Don Kishotin e quajmë hero, ai është antiheroi, hija e tij. Në fatin e përbashkët japin e marrin shumë nga njëri-tjetri: Sançopançaohet Kishoti, ashtu si donkishotohet Sançua. 

 -Dhe së fundmi një pyetje kurioze: A është e mundur vallë sot në epokën e internetit të ekzistojë ndonjë Don Kishot, sigurisht me tjetër veshje dhe armatim? 

 -Janë pikërisht sundimtarët xhelatë e prijësit aventurierë që e kanë shpallur mision dhe luftojnë të ringjallin perandori të vdekura e krijojnë të reja. 

3 Comments


sotir.mimi
sotir.mimi
Jun 14, 2020

Z.Kozma! Kontrolloje E-mailin tënd!

Xing.

Like

sotir.mimi
sotir.mimi
Jun 13, 2020

S.Athanasi!

Ngjan paradoks, e pra vjen më se e pranueshme që Donkishoti, edhe mbas afro katër shekujsh, jo vetëm të jetë ai tipizimi I romantizmit naiv e mbase edhe rebel, por edhe të idealizohet deri në . . ., IDHUL. Kështu e sjell natyrshëm pena e Kozma Gjergjit. Urime!

S.Athanasi/ Athinë!

Like

mich.maska
Jun 13, 2020

Rralle na vjen rasti te lexojme tregime te tille si "IDHULLI IM" i shkrimtarit te

njohur Kozma Gjergji.

Autori, fal mjeshterise artistike, koncizitetit, syrit te mprehte vezhgues, deperton

ne thellesi te kohrave dhe jetes njerezore duke shpalosur para lexuesit antago_

nizmin dhe perplasjet e tmerrshme klasore te paevitueshme. ( Te gjitha keto

nepermjet interpretimit te pikturave)

Nga distilimi, i cfare thame me siper, vjen natyrshem dhe i besueshem perzgjedhja

" IDHULLI IM " e Don Kishotit te Mances...

Urime dhe suksese te tjera,,,

Me shume respekt

Myslim Maska


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page