top of page

I njëjti piktor edhe atje tej


I njëjti piktor edhe atje tej


Tregim nga Fatmir Terziu


Atje vetëm pikturohej. Pikturohej e pikturohej. Herë me penel, herë me spatul e hera-herës me fjalë. Me fjalë?

Edhe vetë Fjala ndrydhte gati sytë e saj. Nuk e besonte, por ja … Ja që fjalët ia kalonin Fjalës, dhe ishin penelata dhe penela nga më të paparat. E fjalët ta bënin pikturën në tym. Piktura në tym shkonte edhe aty ku nuk hynte dielli! Kjo lloj pikture me fjalë ishte më e populluara. Ajo i përkisste dhe atij, Atij zanatndjekësit…, zanattrashëguesit … Por ja që pikturohej e flitej vetëm me atë gjuhë! Flitej me atë gjuhë dhe për moralin. Flitej me atë gjuhë…, edhe pse, edhe pse... nuk kishte qenë e nevojshme të flitej me atë gjuhë.

E kështu, e kështu. Fjala bëhej hambar fjalësh. E fjala shkonte të varrte në murre. Ndonjëherë pa kornizë, e ndonjëherë me një kornizë që një dreq e dinte dhe e kuptonte. Dikush e kishte guxuar ta quante llafollogji. Por, ajo,… Eh, Ajo, as nuk kishte ndonjë dëshirë të mendonte, se kishte diçka të drejtë brenda tërë asaj llafollogjie. Thellë brenda mendjes së saj, një përbindësh instiktiv shqetësues i dyshimit pothuajse e ndaloi më tej vetë atë që të aktën e kishte si një ndëshkim brenda vetë hijes së fjalës. Llafollogjia kishte mësyrë në mendjen e saj. Llafollogjia kishte realizuar strukjen e saj. E sytë lëviznin në turmë. E fjalët shkulnin gjëmba nga sytë. Kërkonin ta zbulonin… E zbulimi udhëtonte si një mjedër në ferra thatime. Aty ndodhej edhe zbulimi i vetvetes.


***


Zbulimi i vetvetes ishte momenti i saj i vendimit të menjëhershëm. Thuajse të mistershëm. Thuajse vetëtimthi të vendosur. Në tërë ecjen dhe gjendjen e saj nën atë hije fjalësh, mendja e saj kishte punuar dhe reflektuar, madje dhe kishte torturuar instinktin e saj. E gjitha kishte formuar një pushtet që shkonte deri në përdredhje të zorrëve. Kjo kishte ndikuar. Ndikim për të mos ndjekur më tej…, as edhe heshtjen e vetes së saj. Megjithatë ajo dukej se cfilitej në anën e dënueshme të turpit. Ana e turpshme I bëhet si një vullkan. Një vullkan gati në shpërthim, por që zjarri kishte mbetur në brendësi, e llava nuk dilte, por vetëm gërryente. Kishte ndodhur për të tradhtuar bindjen e saj? Kishte ndonjë keqkuptim? Ndoshta kishte tashmë një mendim me të tjerët, me ushtrinë e llafollogjisë. E llafollogjia thoshte, që ajo kishte qenë në lidhjen e padrejtë. E padrejtë?! E padrejtë që nga fillimi i dashurisë së saj. Po dashuria? Dashuria a nuk u hynte në punë llafollogëve?


***


Mendimet e saj e tronditën më së shumti kur ideja i vinte dhe i ikte dhe tërë atë ide e shihte, jo më si një vajzë pa baba, të vrarë në një vit të frikshëm shqiptar si 1997-ta, as si një vajzë vetëm fillikat mes dy femrave të tjera, nënës dhe motrës së saj, por si një hije, një hije që e ndiqte edhe aty tek fjala, tek mendimi, tek opinioni… E mbytej në mendime. E shihte atë si një hije, edhe e bluante në mokrën e saj atë ide që e kishte tashmë si një burrë të padëshiruar.ishte në një tronditje të re.

Ai do të duhej të vuante në mënyrën më të egër. Në këtë pikë edhe mendimi e shpërthente atë ide. I ndodhte kjo, sepse ajo nuk e dinte nëse mund të bënte një dalje të furishme në media dhe në publik, dhe të thoshte shqeto “çfarë cipe të turpit”, le ta ndiqnin e pëlcisnin pastaj sytë e gjykimit të shoqërisë, kur ajo do të qëndronte ballë për ballë me të në bankën e të akuzuarve. Ajo dukej si një fantazmë kur hyri në hotel dhe rezervoi një dhomë në të njëjtin kat si i dashuri i saj.


***



E lodhur dhe e rraskapitur ajo ishte në shtratin e saj, duke mbajtur ballin në mes të duarve të saj delikate. Mendja e saj sërish shkoi në atë pikë, pikëtakoi më saktë mendimet në momentin kur ajo kishte parashikuar planet e saj që do të shpaloseshin dhe ky moment dukej sikur po dilte në skaj të llafogjisë, në mes të terrorit të fjalës. Orët kaluan dhe ajo nuk kishte fjetur. Sytë ishin bërë njësh me derën e dhomës së saj. E kishte lënë pak të hapur dhe qëndronte e gatshme si një rojtar në detyra të rëndësishme.

Më vonë atë mbrëmje, gjurmët në korridor u ndjenë të shoqëruara nga ajo qeshura e njohur, që ajo kishte dëgjuar kaq shumë herë, por edhe me atë të qeshur ajo u ndje e mërzitur. Ajo e qeshur gati ia shqeu fytyrën dhe pritjen e gjatë në mendjen e saj. Iu dha të ngrihej menjëherë dhe iu duk sikur dikush u përplas në derën e saj.

Dy burra qëndronin në këmbë. Ishin në një përqafim të gëzueshëm dhe me pasionin e tyre ajo u tërbua. E mori se ishte vërtet skenë e detajuar nga poshtërimi i mëtejshëm i saj. Dy metra larg në korridorin e ngushtë, pa të dashurin e saj duke shtrënguar duart me një femër tjetër! Putheshin, përkëdheleshin, duke mbajtur njëri-tjetrin dhe duke u përhumbur në momentin e tyre.

Një britmë shpoi tavanin sikurse bën llava me katranin. Ishte britma e tradhëtisë përfundimtare. Dhimbja dhe dëshpërimi iu vërsul si llavë poshtë në fyt dhe i mori udhë nga mushkëritë e saj të dërmuara nga frymëthellja e madhe, ndërsa pastaj u vërsul me një mësymje të egër ndaj burrit të saj.

Ajo e mbante në dorë thikën e bukës. As vetë nuk e kuptoi se si ndodhi ai moment. Por pa vetëm thikën të shkëlqejë në sytë e saj, kur ajo nisi të hyjë në mishin e tij. Thika kërkoi vend thellë mes kockave të kafkës së tij. Në valën e gjakut britmat e terrorit ishin të tmerrshme. U dëgjua gjithëandej …

“Dëgjojnë dhe veshët e mia të shurdhuara!” foli dhe bërtiti menjëherë, por ajo u zgjua. Në krevatin përballë pa nënën e saj të larë në djersë. Motra e saj gjysëm e mbuluar buzëqeshte në ëndërr. fshiu sytë dhe heshti për një çast. Heshti, por nuk mundi ta bëjë këtë rol mjaft gjatë. Dashuria e tij ishte tashmë një tmerr i zhurmshëm dhe dukej se blici i çelikut nuk do të ndalej asnjëherë.


***


E kuptoi se ajo kishte lodhur mjaft veten dhe trupi ia kishte përcjellë fjalën e fundit helmit. Trupi i saj u majos dhe fytyra e saj u nduk me tiklime. Pastaj u rrëzua. Përveç formës së pajetë të burrit të saj dhe kujtesës së qeshjes së tij, asgjë tjetër nuk i hyri dot në atë rrëmujanë gjërash dhe mendimesh. Asgjë tjetër nuk ia mbushi mendjen. E dashura e të dashurit të saj qëndronte e rrënjosur në dysheme duke bërtitur.

Ajo nuk pati më kohë për ta dëgjuar atë. Vetëm zhurma e frymëmarrjes së saj dhe rrahja e zemrës së saj e gjetën rrugën për tek veshët e saj. Mendimi i saj u përplas si një dërrasë. Ethatë në dysheme dhe në atë labirinth mendimet e saj e tronditën mendjen e saj dhe ajo e dinte se kishte mbaruar.

Në ikjen e saj të mistershme ajo dëgjonte t’i vinin me radhë emra të një kohe të shkuar … Leja e Duducit, Marija e Tolit, Ikja e Spitalit, Sheja e Vagonave të Trenit, Kopilja e Maternitetit, Ismetja e Ullishtes, Lapa e Ullishtes e mjaft e mjaft të tjera. Ishin “heroinat” që llafogjia I kishte pushkatuar në turmë. Ishin ato, … ishin ato qindra herë të vrara e të rivrara me atë skuadër të armatosur llafollogjie.

Sytë bënë detyrën e tyre të fundit. Pas kësaj detyre të syve tashmë ishin ato, atje në një lëndinë të mbushur me luledele mikpritëset e saj. Miket e saj, luanin me atë lojën e dikurshme…, më do s’më do, duke grisur miliona petale të bardha! Atje fjalët ishin ndryshe. Ndryshe…

Edhe atyre atëherë u thanë “kurva”! Pse? Se dashuruan! Nuk e besonte të ishin kohërat po ato, edhe atje pas mbylljes së syve, por kur dihati paksa bardhësinë e atij sfondi mister, ndjeu se po e njëjta dorë vazhdonte të pikturonte dhe Piktori ishte po ai, nga ai soj, ishte po Ai. Ishte po e njëjta gjuhë. I njëjti “moral”! Kishte ndryshuar vetëm varri i moralit. Vetëm ai lloj varrimi. Më tutje nuk kishte më kohë…

89 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page