top of page

HISTORIA E VLORËS NË RRËFIMET E AGIM HAMETAJT


SHPENDI TOPOLLAJ





Rruga për te libri është e bukur, pikërisht pse është e mbushur me të papritura. Dëgjon se ka dalë një botim i ri i një autori me emër dhe vrapon për ta marrë. Kur e lexon, mund të ndodhë që të mos kënaqesh. Por mund të ngjasë dhe tjetërsoj. Të bije në dorë një libër i një autori aspak të njohur, madje i cili edhe vetë pohon se nuk është fare shkrimtar dhe ti mrekullohesh me të. Kjo më ngjau edhe kur rastësisht u njoha me librin e historianit Agim Hametaj, të titulluar “Si e njoha Vlorën”. Natyrisht që kurreshtja ime u zgjua, pasi ime më ishte bijë e Agallinjve të atij qyteti, një fis i vjetër dhe mjaft i dëgjuar. Dhe jo vetëm që nuk u zhgënjeva, por i lexoja dhe i rilexoja kapitujt e shkëputur të këtij libri me kaq informacion dhe qeshja me të madhe, me mënyrën e rafinuar me të cilën ai është shkruar. I dhashë plotësisht të drejtë Prof.dr. Bardhosh Gaçes kur thotë se ky autor pati mirësinë të na dhurojë një libër kaq të dëshëruar jo vetëm për qytetarët e Vlorës, por për të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Gjithashtu e kuptoj se sa mund e sakrifica ka kapërcyer autori, për ta realizuar me kaq sukses atë.

Historia nuk është tjetër, veçse bashkim i disa ndodhive, në dukje të shkëputura. Madje, çdo njeri ka historinë e tij. Duke i treguar ato, dhe duke i bashkuar, ndërtojmë gjithë të kaluarën e një vendi. Për njëmijë e një arsye, Vlora ka qenë shumë e ngarkuar me historiza të larmishme dhe shumë interesante. Qëmtimi, zbulimi, renditja kronologjike, sjellja e fakteve dhe e të vërtetave bindëse, nxjerrja e mësimeve prej tyre, kuptohet që kërkon durim, këmbëngulje, kulturë, arsyetim të shëndoshë, reputacion, shkallë të madhe njohjesh, kujtesë dhe tek e fundit, dashuri dhe talent. Të gjitha këto i ka ky autor, aqsa duke kaluar nga njeri tregim tek tjetri, më vinte keq pse ai ka ngurruar të merret me letërsi të mirëfilltë. Them kështu, pasi me shumë bindje, konstatoja se ai do të ishte një nga emrat e nderuar të narracionit tonë.

Kurreshtar dhe çamarrok i pashoq duhet të ketë qenë Agimi në vegjëlinë dhe rininë e tij. S`do ketë lënë rrugë, sokak, oborr shtëpie e kopsht pa shkelur. Për të mos thënë se nuk do ketë mbetur pemë pa hipur, mur pa kapërcyer dhe pus a çezmë pa pirë ujë. Kur të rriturit flisnin, ai do jetë bërë tërë sy e veshë. I ka dëgjuar dhe i ka fiksuar në memorien e tij të pagabuar, dhe pastaj ka jetuar me ato rrëfime, pasi ato e ndiqnin ashtu si pa kupuar nga pas, është edukuar e formuar si qytetar i denjë i Vlorës, dhe ka qenë krenar për të.

Në gjithë përshkrimet e tij, Agimi është munduar t`i largohet politikës dhe politizimeve. Ai nuk i trajton ato, nisur nga preferencat apo prirjet e tij. Nuk i ndan me thikë komunistët nga nacionalistët, partizanët nga ballistët, bejlerët nga të vobegtit, familjet e mëdha nga ato të zakonshmet, intelektualët e shkolluar në perëndim, nga analfabetët. Për të, të gjithë janë bijtë e Vlorës së tij. Por vetë ngjarjet në çdo kohë, kanë pasur pashmangësisht, sfondin e vet politik. Ato nuk janë zhvilluar në erë, por në një vend të caktuar i cili mbante hapin me zhvillimet politike që diktonte koha. Prandaj duhet kuptuar, pse simpatia apo antipatia e autorit mungon. Ai nuk mund të përgjigjet për veprimet apo zgjedhjet e protagonistëve që parakalojnë në faqet e këtij libri. Ata janë njerëz të rëndësishëm, por dhe fare të thjeshtë. Gjejmë aty të pushtetshëm si Qazim Koculi dhe karrocierë si Haredin Brahimi. Fati ka bërë që disa të bredhin me pajtone a vetura “Alfaromeo” e “Mileçento” si Seit Qemali me shokë dhe ca të tjerë me gomar a zbathur fare. Po fati e ka dashur që disa të shëtisin botën si Eqrem bejVlora e ca të tjerë nuk kishin arritur të kalonin urën e Mifolit. Disa ja shtronin me të ngrëna e të pira të shtrenjta nëpër ahengje, e disa të tjerë mezi sajonin ndonjë plënc. Kishte nga ata që visheshin me frak, bastun e cilindër si Tol Francezi, siç kishte dhe rreckamanë si Çobani te dera e merkatos. Fundja, si kudo edhe në këtë qytet ka pasur të mençur si Jani Minga, Ismail Qemali, Skënder Muço etj. por ka pasur edhe budallenj. Punonjës të ndërgjegjshëm si Myslym Bakalli e Zariu, por edhe parazitë e mashtruesa. Kishte Vlora burra trima që nuk po lodhemi duke i numëruar, por kishte edhe Vizhdan Risili, tradhtar i vendit të vet, autor i internimit të 620 atdhetarëve, shumica e të cilëve nuk u kthyen më, por u bënë hi krematoriumeve të Mathauzenit. Ka pasur aty njerëz si Isa Lamani e Fan Shuko që kishin vrarë pa ndonjë arsye të fortë, siç kishte dhe nga burra bese si Vangjel Tirana etj. Nuk i kanë munguar Vlorës ushtarakët e përkushtuar madhorë si Aziz Çami e Ahmet Lepenica, por mbahen mend për mirë edhe xhandarë si Musa Baruni e Mustafa. Dhe të gjithë këta, ishin pjesë përbërëse e këtij qyteti plot gjallëri dhe aq të dëshëruar nga pushtuesit. Të këtij qyteti, ku një gjë ishte e barabartë për të gjithë: dashuria për Atdhe dhe sakrifica deri në vetmohim për të, kur e lypte puna. Në një formë a në një tjetër, banorët e Vlorës, ishin të lidhur mes tyre. Qoftë dhe me armiqësi. Shtatë xhamitë e qytetit ishin për të gjithë. Po ashtu edhe kishat, teqetë, spitalet, doktorët, deti dhe sidomos e shkuara e levdishme. Dikush sillte e shiste, dikush blinte. Njëri shante e tjetri lëvdonte. Kishte nga ata që ndreqnin si Ali Asllani, siç kishte dhe nga ata që prishnin. Nuk mungonin të ndershmit, por kishte dhe hileqarë. Cave u binte bretku duke punuar, por ca dridhnin zinxhirin, aqsa edhe në dyqanet e tyre, linin çirakët. Periudha që na paraqet Agim Hametaj, ka qenë shumë e trazuar, me shumë zhvillime dhe shndërrime, shpesh dhe të befta. Ndaj nuk duhet të na çudisë larmia e historive. Ato nuk i ngjajnë fare njëra - tjetrës. Shpesh e përjashtojnë shoqja - shoqen. Por pikërisht kjo është dhe merita e autorit që ka ditur t`i kapë ato, ashtu siç i ka njohur a dëgjuar nga dëshmitarë okularë; konshiente dhe rastësore, me ngjyra të ndryshme, me pasoja të habitëshme, por gjithmonë mjaft tërheqëse. Dhe në këtë realitet nuk mungon asnjëherë vrasja, burgu, hakmarrja. Janë të pranishme dashuritë e fuqishme, adulteri, komikja, tragjikja e gjithfarë gjërash të rëndomta. Admiron njeriu patriotizmin e Osmën Haxhisë, Beqir Sulo Agalliut, Selam Musait, punën e doktorëve Hasan Shehi, Kaurrit, Pustinës, Babanit, Kutullës, guximin e Kristo Papajanit, Teli Ndinit, urtësinë e mbesës së Naim Frashërit, por dhe nuk ka sesi të mos urresh veprën e keqe të Selim Kaloshit dhe Halil Alisë që masakruan Tragjasin dhe ekzekutuan njerëzit që drejtonin Vlorën. Për herë të parë, Agim Hametaj tregon se vrasja i gjeneral Telinit, më 27 gusht të vitit 1923, njeriut të drejtë dhe dashamirësit të shqiptarëve, u krye po nga një shqiptar i quajtur Milo Mërkuri nga Piluri. Ai bëri lojën e poshtër të shërbimit të fshehtë grek. Kjo nuk na tingëllon mirë, por e vërteta duhet thënë ashtu siç ka ngjarë. Se në qoftë se Milos i kishin burgosur italianët të vëllanë, kjo nuk qe rruga që ai duhej të zgjidhte për t`u hakmarrë. Agimi na e jep mjaft bukur psikologjinë e bejlerëve vlonjatë dhe mënyrën e tyre të jetesës. Pasi numëron familjet e mëdha, ai në mënyrë episodike evidenton qëndrimet e tyre në raste të ndryshme. Ai me hollësi tregon organizimin e komplotit kundër mbretit, zbulimin e tij nga pabesia e një kaçaku të quajtur Idriz Jazua, teksa hante bukën e Myqerem Hamzarajt dhe vendimin e Zogut që i ndikuar nga e ëma dhe opinioni ndërkombëtar, u fali jetën 36 burrave të shquar.

Askujt nuk i vjen mirë kur mëson nga dëshmia e Sali Mezinit, se gruaja armene e Bajo Topullit, një ezmere e bukur, por mbi 100 kile, kur ky luftonte për Shqipëri, koketonte me Lumo Skëndon. Po ja që edhe kjo ka ngjarë. Siç ka ngjarë që milici nga Vranishti, Shaban Seferi, ngriti në Itali flamurin shqiptar dhe kur u burgos, e nxorri Konti Çiano me porosinë që të mos kthehej më në radhët e milicisë.

Agim Hametj, nuk ka lënë pa treguar historinë e ardhjes së biçikletave në Vlorë, motorrave, automobilave, fotografëve, ngitjes së flamurit, Bankës, konsullatave, dekovilit, lulishteve, varrezave, spitalit, tunelit, distilerisë, këpucëve me gomë peshku, fësh - fësheve dhe deri topave te sheshi i Flamurit.

Ai nuk ka lënë pa përshkruar ardhjen e Nikita Hrushovit, kur dhe pati disa kusure të mëdha, “pasi u arrestuan ca fshatarët e mi nga Vajza, ku atyre iu sajuan sikur kishin bërë një komplot për ta vrarë, për të cilën i bënë disa vite burg…” sikurse janë arrestuar dhe izoluar mbi 300 veta edhe pse nuk kishin bërë ndonjë të keqe kundër ligjit. Agimi nuk le pa përmendur jo vetëm supën e sevirur nga guzhinieri Miço dhe pyetjen e tij “Ka më nga kjo?” por edhe mbledhjen ku u vendos t`i dhurohet Zhukovit shpata e rrallë.

Mbresëlënëse janë edhe tregimet për diversantët; që rrinin rrotull Karaburunit apo Note Qirici, Polo Prifti e Lahe Nurua që vdiq duke ngrënë gjysmën e bllokut të shënimeve.

Agimi, me shumë humor përshkruan festat fetare a Vitin e Ri, gratë që sepse i linin punët për ditën e fundit dhe ku të nesërmen nuk pushonin vizitat nga mëngjesi në darkë nga gjithë kushërinjtë e komshinjtë që të bërë xurxull, thoshin se “e kemi tepruar pak”. Ai kujton pafundësinë e kartolinave që dërgoheshin, luftën për të gjetur nja dy kile arra dhe përgjegjësin e dekorit të qytetit i cili me një kapardinë të zbardhur në kurriz dhe një kapele mushamaje, pa ia zbritur biçikletës, i udhëzonte punëtorët që t`i vendosnin ato portokallet e vogla të zbukurimit, sa më lart që të mos i kapnin dot kalamajtë.

Stili i Agim Hametajt, është nga më të arrirët, pasi ai është i thjeshtë, i zgjuar, i drejtpërdrejtë dhe pafundësisht i sinqertë. Ai është i kuptueshëm për këdo, dhe të ngulitet në tru për të mos u harruar kollaj, ashtu sikurse i janë ngulitur këto histori, vetë autorit kaq të talentuar të këtij libri të vyer, birit të denjë Vlorës. Mua për vete, pasi e përfundova “Si e njoha Vlorën”, sepse m`u kujtua thënia e Horacit se “Ka vepra që të pëlqejnë t`i lexosh një herë, ka të tjera që do t`i lexosh dhjetë herë e prap të pëlqejnë”.

33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page