Ardita Jatru ka lindur në Tiranë, në Prill 1972. Në vitin 1990, emigroi në Greqi ku jeton dhe sot. Ka botuar tre vëllime poetike dhe një roman. Në 2017 është publikuar përmbledhja me poezi në anglisht, “66 Kilos of Solutide”, nga shtëpia botuese Transcedent Zero Press (USA). Poezitë e saj janë publikuar në revista letrare dhe antologji poetike ndërkombëtare.
Pasqyra e lëndës
Jam dyzet e shtatë vjeç.
Jam e lumtur përderisa kam një familje. Kam bërë pakt me subkoshiencën. Shkruaj poezi të sinqerta. Tani e di, e re paskam qënë e bukur por me mungesë vetëbesimi. Të paktë të ma thoshte nëna. Jam shumë e ndjeshme. Spontaniteti im shpesh keqkuptohet. E vogël kisha një ëndërr. Tani e kam harruar fare. Jetoj tridhjetë vjetë vjet në Greqi. Shoqja ime e ngushtë është Elpida. Nuk kam votuar kurrë. Ushqej macet e lagjes. Kemi ndarë zonat me zonjën Violeta. Dikush duhet ta bëj. Jam dyzet e shtatë vjeç. Nuk kam formim akademik. Vuaj nga fobia sociale. Më ndjek origjina ime. Marr përgjegjësitë e të tjerëve mbi shpatulla. Në fund të ditës bie në gjumë e vdekur. Jam me fat që kam një burrë të mirë e s’ka tentuar ndonjëherë të më vras.
Fustani
Nëna ime kishte vetëm një fustan e lante natën dhe e thante pranë furnelës. Ditën e vishte me aromë të re Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë Nuk desha të kishte një të dytë Unë ashtu e njoha me fustanin me lule rozë, deri te gjunjët. Kur bleu një këmishë mëndafshi të verdhë e preva copash natën me gërshërë dhe mbusha xhepat. Nëna heshti dy ditë e unë gëzohesha nga brenda që ajo vishte prapë të njëjtin fustan dhe i përsërisja vetes, sa dua t’i ngjaj. Tani kam filluar të kuptoj nënën. Pikëpyetjet e atëhershme i zgjidha, nga dalin ofshamat kam filluar të kuptoj dhe vetëm pse copëtohej, pse luftonte vetëm. Fundja pse duhej të kishte një fustan. Për të gjitha këto, kuptoj një gjë, rritem dhe i ngjaj asaj por me fustane të ndryshme luftoj vetë i dytë dhe stinët e mia thinjen para pasqyrës.
Hemikrania
Bri meje marshon pikëllimi dhe ca emigrantë të paligjshëm që vrapojnë të fshihen. I blej cigare një palestinezi që më lutet. Hidherimin e tij ndez dhe alarmohen venat. Ankthi im ngre shtizën. Valëvit flamurin e betejës mbi kokën time. Më bren ndërgjegja. Fytyra ime e bardhë si hëna. Qëndroj para psiqiatrit e pagjumë ulem. Më pyet për gjëra që s’i mbaj mend. Komike kujtesa ime. Unë qesh. Mbarojmë seancën. Ngrihem dhe vrima e zezë në prag, më gëlltit e më pështyn në rrugë. Kështu kthehem tek ty pa vetëdije si fëmijë i vrarë nga refuzimi për pak lojë.
Një fëmijë
Një fëmijë ha luleshtrydhe. Ha dhe qesh. I shtrydh frutat me të dyja duart dhe gojë e vogël e njerëzimit mbushet me pafajësi. Pastaj duart i kalon fytyrës dhe i përplas përsëri në shportë. Qesh dlirësia dhe bari ku është ulur qesh. Gjithçka rreth pafajsisë bëhet më e pastër. Por do të rritet një ditë dhe do tronditet thellë, kur të shohë fotografinë e tij se gracka ishte pikërisht ajo shportë me luleshtrydhe në gjunjët e tij, por vetëm të qaj do mundet me lotët e të rriturit që nuk mban mënd a kish qënë ndonjëherë fëmi.
Comments