top of page

HAXHI DALIPI, ETNOMUZIKOLOG I SHQUAR


HAXHI DALIPI


Esse nga Luan Çipi




(Në 15 vjetorin e vdekjes)


Kam detyrë të posaçme, si vlonjat me origjinë Gjirokastre, të hulumtoj e të shkruarj për etnomuzikologun e shquar Haxhi Dalipi, i lindur dhe me trashgimni nga qyteti i Gjirokastrës, po që jetën dhe aktivitetin më kohëgjatë, e ka në qytetin e Vlorës dhe së fumdmi në Tiranë.

Haxhi Hysen Dalipi lindi në qytetin e Gjirokatrës, më 20 shkurt 1941 në një familje qytetare atdhetare dhe qysh fëmijë u rrit e jetoi në qytetin e Vlorës, ku dhe nisi vitet e para të shkollimit e të krijimit artistik dhe ndroi jetë në Tiranë, më 15 Shtator 2006. Këto ditë përkojnë me 15 vjetorin e humbjes së tij.

Haxhi Dalipi mbaroi për flaut Liceun Artistik “Jordan Misja”, si nxënës i veçantë e i zgjedhur i të madhit Ramadan Sokoli. Më pas, punoi disa vite si mësues muzike në disa shkolla të rrethit të Vlorës, veçanërisht u dallua si mësues muzike në Himarë. Më vonë studioi për dirigjent dhe kompozicion.

I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe më vonë si dirigjent kori e kompozitor me profesorët Cesk Zadeja dhe Kostandin Trako, “Mjeshtri Madh” Haxhi Dalipi gjatë jetës së tij artistike e shkencore, u afirmua për të merituar plotësisht tituj të ndryshëm profesionalë, si: dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicientëve të rinj, drejtues i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare.

-Si dirigjent, Haxhi Dalipi interpretoi vazhdimisht, sidomos në rajonin e Vlorës, vepra muzikore të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, ashtu sikurse edhe të kompozitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë: para- klasikë, klasikë, romantikë, modernë.

-Si kompozitor, Haxhi Dalipi krijoi vepra muzikore të gjinive të ndryshme, si: këngë, valle simfonike, suita, rapsodi, opereta për fëmijë, etj.

-Si pedagog, Haxhi Dalipi arsimoi dhe edukoi sa e sa nxënës të Shkollës së Mesme Artistike “Naim Frashëri” (Vlorë) dhe sa e sa studentë të Akademisë së Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve, Tiranë). Disa ndër ish-nxënësit e tij, si: Fatmir Hysi, Themistokli Dhrami e shumë të tjerë më vonë, u bënë vetë pedagogë, dirigjentë e instrumentistë të mirënjohur.

-Si studiues, Ai hulumtoi muzikën tradicionale labe e myzeqare (këngët, vallet, pjesët muzikore instrumentore), të shumë fshatrave e zonave etnografike të Labërisë e Myzeqesë.

-Si arkitekt i festivaleve folklorike, Dalipi bëri të mundur që grupet popullore të rrethit të Vlorës të nderoheshin vazhdimisht me çmime në festivale, takime e konkurse: lokale, kombëtare, ndërkombëtare.

-Si udhëheqës artistik, Haxhi Dalipi luftoi për të ngritur vazhdimisht sa më lart nivelin krijues e interpretues, si të Asamblit Artistik “Labëria” (Vlorë), ashtu edhe të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore (Tiranë) të cilin e drejtoj për disa vite me shumë sukses.

Si mik i muzicienëve të rinj, Dalipi gjente vazhdimisht kohë për t’i këshilluar ata, për t’i drejtuar, për t’i frymëzuar, etj.

-Si drejtues e mbarështrues i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare, teorikisht. Ai, për kohën e veprimtarisë krijuese, ishte njeriu me njohuri dhe dije të thella, dhe njeriu që synonte dhe arrinte vetëm suksese të bujshme.

Libri “Duke përjetuar këngën labe” i Haxhi H. Dalipit është shkruar me kujdes e vëmendje për gjatë shumë viteve. Ai është një dëshmi e qartë e interesave etnomuzikologjike të autorit. Në rrafsh të përgjithshëm, aspektet më kryesore të Librit mund të karakterizoheshin si më poshtë:

Së pari, ai ka si objekt të tij muzikën tradicionale labe, pra, një ndër dialektet kryesore të muzikës tradicionale shqiptare, i cili gjallon krahas tre dialekteve të tjera të saj: dialektit muzikor geg, dialektit muzikor tosk, dialektit muzikor qytetar.

Së dyti, brenda dialektit muzikor lab, Libri shqyrton stilet muzikore më përfaqësuese të tij, si: stilin muzikor të Kuçit, stilin muzikor të Bolenës, stilin muzikor të Smokthinës, stilin muzikor të Lumit të Vlorës, të Vranishtit, Tërbaçit, Lapardhasë, Dukatit, Kaninës, Karbunarës, Himarës, Pilurit, Dhërmiut, Myzeqesë, qytetit të Vlorës.

Së treti, brenda çdo stili muzikor, Libri shqyrton variantet kryesore melodike të tij, afritë dhe dallimet midis muzikës zanore dhe asaj instrumentore, muzikës së grave dhe asaj të burrave, muzikës një- zërëshe dhe asaj shumë-zërëshe, etj.

Së katërti, Libri i jep gjithmonë stilet muzikore brenda një qerthulli historiko-shoqëror, duke përmendur edhe emra këngëtarësh, valltarësh, instrumentistësh, vjershëtorësh të shquar popullorë.

Së pesti, Libri nuk mungon të japë edhe ide e mendime mbi të ardhmen e muzikës tradicionale labe..

Përsa u takon nocioneve themelore etnomuzikologjike që përdoren në librin “Duke përjetuar këngën labe” një numër studimesh që përfshihen në librin janë fryt i bashkëpunimit midis Haxhi Dalipit dhe studiuesish të tjerë. Të ardhur nga fshatra dhe zona të ndryshme etnografike të Labërisë, më shpesh ata janë edhe vetë këngëtarë, valltarë, instrumentistë, vjershëtorë të shquar popullorë, bartës krenarë të një kulture muzikore, sa të lashtë, aq edhe autentike. Emrat e tyre jepen në Bibliografinë e Librit.

Duke qenë, në të njëjtën kohë, energjik e entuziast, i vrullshëm e prodhimtar, krenar e modest, Haxhi Dalipi u përfshi thellë në profesionin e tij si muzicien. I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe, më vonë si dirigjent, ai shfaqi gjatë tërë jetës së tij interesa artistike e shkencore të gjera. Kështu, siç vërejtëm, arriti të bëhet dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicienëve të rinj, drejtues i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare.

Libri i Haxhi Dalipit “Duke përjetuar këngën labe”, përmbledh pjesën më të madhe të kontributit teorik që na ka lënë Ai në fushën e etnomuzikologjisë, për ta bërë këtë lloj trashëgimie edhe më të njohur ndër masat e lexuesve, që ajo të luajë rol edhe më pozitiv në ecurinë e mendimit teorik etnomuzikologjik dhe muzikologjik shqiptar.

Me veprimtarinë dhe krijimtarin e tij Haxhi Dalipi arriti të bëhet dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzikologëve të rinj, drejtues i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare. Me veprimtarinë e tij aq të madhe interpretuese, krijuese e hulumtuese, veprimtari e cila rrezaton në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, Haxhi Dalipi mbetet pa dyshim një figurë e ndritur në historinë e muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Haxhi Dalipi ka dhënë kontributin e vet në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë të rifreskuara për publikun.

Si përfundim: Ai, për vite me rradhë, ka qenë udhëheqës artistik i Ansamblit “Labëria”, po ashtu, për shumë vjet ka qenë drejtues muzike në Qendrën Kulturore dhe drejtor i Shkollës së Mesme Artistike “Naim Frashëri”, në qytetin e Vlorës , themeluesi dhe arkitekti i Orkestrës Simfonike të qytetit, drejtorin e shkollës së muzikës në Vlorë dhe Pallatit të Pionierëve, drejtorit të Ansamblit Artistik dhe të Pallatit të Kulturës “Labëria” dhe në fund të jetës do ta mbylltë, jo pa dhimbje, si drejtor i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë.

Kënga dhe kultura labe, polifonia, folklori dhe traditat e trevës së Labërisë, me vdekjen e parakohshme të Haxhi Dalipit, kanë humbur dashamirësin dhe përfaqësuesin e tyre më të shquar. Në mënyrë të veçantë Vlora, ku ai jetoi dhe punoi në pjesën më të madhe të jetës së tij.

Vlora dhe e gjithë Labëria i detyrohet shumë emrit dhe veprës së Haxhi Dalipit dhe do ta kujtojë e nderojë gjithmonë si idhullin e saj të polifonisë e këngës labe. Ai e ngriti interpretimine grupeve isopolifonike në lartësitë artistike dhe vlerat që i do isopolifonia. E njihte si mjeshtri e vlerë punën në isopolifoninë. E preku atë, e shkroi dhe kumtoi vlerat e saj në aspektin shkencor dhe artistik në Shqipëri e jashtë saj.

Ai ka krijuar e shkruar gjithashtu romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë.

Haxhi Dalipi kujtohet me nderim e respekt krahas dhe së bashku me profesorët dhe kolegët tanë të nderuar që nuk jetojnë më si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Gjon Simoni, Feim Ibrahimi, Kujtim Laro, etj

Haxhi Dalipi mban nderimin e madh të Presidentit të Republikës, “Artist i Merituar” dhe më pas është i vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, po nga Presidenti i Republikës; Vlora dhe Gjirokastra e ka shpallur “Qytetar Nderi” dhe Gjirokastra i ka dhënë emrin një rruge në qytet.

Shënim: Në përgatitjen e kësasj esseje janë shfrtëzuar materjale të internetit nga Wikipedia dhe shkrimet e Spiro Shetunit, Vasil Talos, Jorgo Goros etj.

Vlorë, më 3 Tetor 2021

58 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page