Hamdi Hysuka: Fjala profesionale, shtyllë e qëndrueshme e shoqërisë
- 2 hours ago
- 9 min read

Në ditët e miqësisë profesionale dhe njerëzore, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, (UGSh), nën drejtimin e kryetarit Aleksandër Çipa dhe Shoqatës Kulturore "Ress Egnatja", më 13-15 shkurt 2026, u mblodh për të ndarë fjalën, përvojën dhe përgjegjësinë e përbashkët që mbart fjala e shkruar dhe e folur. Ky aktivitet përfaqësoi jo vetëm një kalendar takimesh, por një akt mirënjohjeje ndaj misionit të gazetarisë si urë komunikimi, kujtese dhe ndërgjegjeje shoqërore.
-Udhëtimi ynë nuk ka nisur sot, -u shpreh koordinatori i 12 qarqeve të UGSh-së, gazetari Besim Dybeli, -ka nisur 16 vjet më parë në qytetin Elbasan. Organizimi i Ditës së Miqësisë është atribut i Unionit të Gazetarëve të Elbasanit, unioni më i madh në numër. Shprehim gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me njëri-tjetrin, për të rritur profesionalizmin dhe për të thelluar miqësinë mes kolegëve.
Kjo Ditë e Miqësisë ka udhëtuar nga Elbasani në shumë qytete të Shqipërisë, në Kosovë, Preshevë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Itali e më tej, duke krijuar një hartë bashkëpunimi profesional që tejkalon kufijtë administrativë.
Vizitat dhe tryezat e rrumbullakëta në Dropull, Gjirokastër dhe Sarandë shpalosën trashëgiminë kulturore, etnografinë, mikpritjen dhe potencialin turistik të këtyre trevave, duke vendosur gazetarin në rolin e dëshmitarit të vlerave dhe partnerit aktiv në zhvillimin kulturor e shoqëror të vendit.
Dropulli, identitet, qëndrueshmëri dhe bashkëjetesë

Gjatë fjalës përshëndetëse, z. Aleksandër Çipa, kryetar i UGSh, e quajti nder që në agjendën e Ditëve të Miqësisë të vitit 2026, së pari të stacionojmë në Dropull, një nga zonat më të njohura dhe më identifikuese të bashkëjetesës dhe të harmonisë ndëretnike në Ballkanin Perëndimor.
Dropulli përfaqëson një nga hapësirat më të njohura të pranisë historike të minoritetit etnik grek në Jug të Shqipërisë. I shtrirë në luginën midis Gjirokastrës dhe kufirit me Greqinë, ky rajon ka qenë për shekuj zonë me identitet të konsoliduar kulturor, fetar dhe gjuhësor.
Në antikitet, zona bënte pjesë në hapësirën e Epirit të lashtë. Kisha bizantine dhe pasbizantine të zonës përbëjnë sot një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të rajonit, ndërsa gjatë sundimit osman, komuniteti ortodoks i Dropullit ruajti fenë dhe gjuhën përmes strukturave kishtare dhe shkollave fetare. Si në shumë zona të tjera të Jugut, identiteti u mbajt i gjallë përmes traditave, riteve fetare dhe kulturës gojore: këngëve, valleve dhe zakoneve familjare.
Dropulli u dallua për mjeshtëritë artizanale dhe traditën e ndërtimit, ndërsa emigrimi sezonal është dukuri e hershme që ndikoi në lidhjet ekonomike me rajone të tjera.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, minoriteti grek në Jug u përfshi në diskutimet ndërkombëtare mbi kufijtë dhe të drejtat e pakicave, nga të cilat zona e Dropullit u njoh si pjesë e zonave me popullsi minoritare greke.
Gjatë sistemit monist 1945-1990 minoriteti funksionoi brenda kuadrit të njohjes zyrtare si “zonë minoritare”. Arsimi në gjuhën greke lejohej në shkollat e zonës, por lëvizja dhe kontaktet me jashtë ishin të kufizuara, si për gjithë popullsinë shqiptare.
Pas viteve ’90 rënia e sistemit monist solli emigrim masiv drejt Greqisë, duke ndikuar ndjeshëm në strukturën demografike të Dropullit. Shumë fshatra u zbrazën ose u plakën demografikisht. Megjithatë, lidhjet ndërkufitare u forcuan, ndërsa u zgjeruan mundësitë për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor.
Minoriteti grek në Dropull sot gëzon të drejta të njohura nga legjislacioni shqiptar për pakicat kombëtare. Institucionet vendore, organizatat kulturore dhe vetë komuniteti punojnë për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe trashëgimisë materiale e jomateriale.
Dropulli është hapësirë ku identiteti ndërtohet mbi tri shtylla kryesore: Besimi ortodoks dhe trashëgimia kishtare, gjuha dhe arsimi, tradita folklorike dhe kulturore.
Sfidat kryesore sot janë rënia demografike, emigrimi i të rinjve dhe nevoja për zhvillim ekonomik që të mbajë gjallë jetën në fshatra. Në këtë kuptim, historia e minoritetit në Dropull është histori qëndrueshmërie kulturore, ruajtjeje identitare e bashkëjetese në një hapësirë kufitare, ku historia, politika dhe kultura janë ndërthurur për shekuj me radhë.
*
Folklori i minoritetit etnik grek në Dropull përbën një nga shtyllat më të forta të identitetit kulturor të kësaj treve. Ai është trashëguar brez pas brezi përmes këngës polifonike, valleve tradicionale, riteve fetare dhe zakoneve familjare që lidhen me ciklin e jetës: lindjen, martesën dhe vdekjen.
Këngët tradicionale të Dropullit karakterizohen nga polifonia, ku zërat ndërthuren me harmoni emocionale. Tematikat përfshijnë dashurinë dhe mallin, jetën baritore e bujqësore, emigrimin, trimërinë dhe kujtesën historike.
Kënga nuk është vetëm interpretim artistik, por dhe formë rrëfimi kolektiv, ku historia dhe përvoja e komunitetit ruhen në vargje e melodi.
Vallet e Dropullit dallohen për elegancën, disiplinën e lëvizjes dhe simbolikën e tyre. Valltarët formojnë rrethin tradicional, duke theksuar unitetin e komunitetit. Kostumet popullore, me ngjyra të errëta, jelekë të qëndisur dhe elementë karakteristikë të zonës, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit vizual.
Dasmat tradicionale janë një tjetër moment, ku folklori shfaqet në formën më të plotë, me këngë ceremoniale dhe valle të strukturuara sipas rendit zakonor.
Siç u shpreh kryetari i UGSh-së, nga Bashkia e Dropullit ka kontribut intelektual të nivelit të lartë, me përkthyes të jashtëzakonshëm, diplomatë të shkëlqyer, politikanë shumë të njohur, gazetarë, shkrimtarë, filologë, piktorë, skulptorë, të cilët me kontributin e tyre kanë bërë që të parurojnë artet figurative shqiptare, por të rrezatojnë dhe në hapsirën europiane, kryesisht në Ballkanin e Jugut.
Derviçani, fshat i Dropullit të Poshtëm, është me investim dhe kontribut kulturor në artet figurative të Gjirokastrës në nivelet më të larta. Gjatë aktivitetit me gazetarët nga hapësira e Ballkanit Perëndimor, grupet folklorike të Dropullit dhanë një shfaqje në gjuhën greke, duke interpretuar këngë tradicionale dhe valle autentike të zonës. Interpretimi në gjuhën amtare pati domethënie të veçantë: afirmim i identitetit kulturor, ruajtje e trashëgimisë gjuhësore, dëshmi e gjallë e vazhdimësisë historike të komunitetit. Atmosfera u karakterizua nga emocione dhe krenari. Interpretimi në gjuhën amtare ishte deklarim identitar: ruajtje e trashëgimisë gjuhësore dhe dëshmi e vazhdimësisë historike. Zërat polifonikë, të kënduar greqisht, krijuan urë komunikimi kulturor me të pranishmit, ndërsa valltaret me kostume tradicionale sollën në skenë një pjesë të historisë së gjallë të Dropullit.
Kjo shfaqje nuk ishte thjesht program artistik, por deklarim kulturor: një komunitet që, pavarësisht sfidave demografike dhe emigrimit, vazhdon të ruajë e të prezantojë me dinjitet pasurinë e vet folklorike dhe identitare.
Butrinti, laborator i hapur historie
Në ditën e dytë të aktiviteteve të miqësisë, gazetarët pjesëmarrës nga shumë qarqe të vendit, nga Presheva, Kosova e Bujanoci, ndaluan në një nga hapësirat më domethënëse të trashëgimisë sonë kombëtare: Muzeu Arkeologjik i Butrintit.

Në tryezën e rrumbullakët, rreth njohjes së aseteve turistike të Sarandës dhe roli i mediave për partneritet në fushën e turizmit, u bënë diskutime.
-Jugu i Shqipërisë, -tha gazetari Fatmir Popja, kryetar i UGSh, dega Elbasan, -është perla e gjithë rajonit të Mesdheut, për shumë e shumë arsye, pasi prej disa vitesh Shqipëria është në epiqendrën e vemendjes së të gjitha mediave botrore të apasionuara pas turizmit.
Për gazetarin Ardian Daullja, përfaqësues i Shoqatës së Emigrantëve në Greqi, është gjëja më e bukur në botë që asetet kombëtare shqiptare t’i përçojmë te komuniteti shqiptar në Greqi. Ndërsa mërgimin, nga plagë amtare, ta vemë në sëndukun e gjyshes tonë, ta çojmë atje ku jetojmë e të tregojmë aftësitë tona, që kudo ku jetojmë të jemi po ai njeri që ka vlerat e vendit nga ka ardhur.
-Jemi afër zemrës së Çamërisë, pranë Konispolit, -theksoi z. Çipa, -pas të cilit janë fshatrat çame Gumenica, Filati, Paramithia, Parga, Margëlliçi e të tjerë më të vegjël, që janë braktisur dhe shkatërruar. Vazhdon pjesa e Thresprotisë, që nga Sajava, e cila fqinjëron me qytetin port të Gumenicës. Pastaj vazhdon gjithë zona bregdetare në Artë, Prevezë etj. Në pjesën verilindore është zona e Konicës, Janinës, nga ku del në Kolonjë dhe vazhdon me Kosturin, deri në Selanik. *

Brenda mureve të kalasë së Akropolit, aty ku guri ruan kujtesën e shekujve, gazetarët u përballën me histori që nuk lexohet vetëm në libra, por shihet, preket dhe përjetohet.
Që në hyrje, ndjesia është e qartë: Butrinti nuk është thjesht muze arkeologjik, por një qytetërim i shtresëzuar. Në vitrinat e muzeut, qeramika e hershme, mbishkrimet latine, relievet dhe shtatoret perandorake dëshmojnë për periudha të ndryshme që kanë lënë gjurmë të thella në këtë hapësirë mesdhetare.
Themelimi i kolonisë romake nga Jul Çezari në vitin 44 para Krishtit shënoi një kthesë të madhe në jetën urbane të qytetit. Forumi, banjat publike, ujësjellësi dhe infrastruktura monumentale flasin për një periudhë zhvillimi dhe prosperiteti. Më pas, koha bizantine dhe mesjetare do të sillnin transformime të tjera, duke e përshtatur qytetin me realitetet e reja politike dhe shoqërore.
Një nga ndalesat më mbresëlënëse gjatë vizitës ishte historia e faltores së Asklepit, perëndisë së shëndetit, që e bëri Butrintin qendër pelegrinazhi në antikitet. Objektet e kultit dhe dëshmitë arkeologjike tregojnë për një qytet ku besimi dhe jeta qytetare ishin të ndërthurura ngushtë. Po ashtu, referencat e Virgjilit në veprën "Eneida" i japin Butrintit dimension mitologjik, duke e lidhur me rrëfimet e themelimit të Romës.
Vizita u shndërrua në dialog të heshtur mes profesionit të gazetarit dhe historisë. Ashtu si arkeologu që zbulon shtresat e tokës për të nxjerrë në dritë të shkuarën, gazetari kërkon të zbulojë dhe të dokumentojë të vërtetën e së tashmes.
Butrinti mbetet laborator i hapur historie dhe pasuri që tejkalon kufijtë kombëtarë. Për gazetarët e UGSh-së u forcua bindja se Butrinti është laborator i hapur historie, pasuri që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe flet për përkatësinë tonë në qytetërimin evropian e mesdhetar. Ishte më shumë se vizitë, ishte përjetim që forcon ndërgjegjen për rolin e fjalës së shkruar në ruajtjen e trashëgimisë sonë të përbashkët.
Porto Palermo, fortifikim dhe horizont
Në ditën e tretë ndalesa ishte në Himarë, te Kalaja e Porto Palermos, pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare, e cila është ndërtuar mbi një rrip toke në qendër të gjirit të Palermos, i përmendur që në periudhën antike me emrin "Panormus", liman i madh në mesin e maleve të Vetëtimës. Në fillimin e shek. XIX, Ali Pasha mbasi nënshtroi gjithë bregdetin Jon, nga Butrinti deri në Vlorë, për kontrollin dhe fortifikimin e pikave strategjike të vijës bregdetare, u kujdes të ndërtonte disa kështjella, një prej të cilave ishte në Porto Palermo. Kjo kështjellë ndodhet në pikën jugore të hyrjes dhe lidhet me kontinentin me një rryp të ulët dhe të ngushtë. Ajo përbëhet nga një shesh me disa pozicione të fortifikuara, me ca topa, në afërsi ka ca magazina, një shtëpi dhe një kishë. Kisha e Shën Kollit është shpallur monument kulture. Mbi hyrjen e kështjellës ka patur një pllakat, ku në stilin e një poeme epike dëshmohej se ajo u ndërtua prej Ali pashë Tepelenës. Kështjella ka formën e një trekëndëshi me tre bastione të mprehta në qoshe dhe një oborr që hapet nga ana perëndimore. Ajo është krejtësisht e mbuluar dhe mbi parapetin që rrethon tarracën, janë hapur shumë frëngjij për topa. Në brendësi ka salla, depo dhe kthina të shumta. Një palë shkallë guri, të ndërtuara në pjesën qendrore, të ngjisin në tarracë. Kujdes i veçantë është treguar për mbrojtjen e hyrjes, që ndodhet në mesin e njërit ballë, midis dy bastionesh. Një mur me frëngji është ndërtuar në anën e brendshme, përballë hyrjes. Në bastjone dhe në këndet e oborrit, në krahun perëndimor gjenden rreth 5 vende vrojtimi për rojet. Për sa i përket trajtimit të jashtëm, kalaja shquhet për veshje me gurë të latuar, për trajtim monumental të hyrjeve, si dhe për kornizat horizontale prej guri të thjeshtë.
*
Programi tre-ditor me vizita kulturore, bashkëbisedime profesionale dhe tryeza të rrumbullakëta, u mbyll me një itinerar të pasur për nga përmbajtja dhe simbolikë të pasur. Fokusi mbi trashëgiminë, etnografinë dhe turizmin u konkretizua në terren, aty ku historia dhe zhvillimi bashkëjetojnë në mënyrë organike.
Në Dropull u prek nga afër dimensioni multikulturor dhe tradita e ruajtur me fanatizëm ndër breza. Në qendrën historike të Gjirokastër, qytet muze, me arkitekturën e gurit dhe kujtesën e gjallë, trashëgimia u shfaq si identitet dhe si përgjegjësi. Në parkun arkeologjik të Butrintit, shtresëzimet e qytetërimeve dëshmuan se turizmi kulturor mbetet aset strategjik për zhvillimin kombëtar. Ndërsa në Porto Palermo të Himarës historia u përball me horizontin e hapur të detit, si metaforë e vazhdimësisë dhe qëndresës.
U kthyem drejt Tiranës me mbresa të shumta dhe foto që ruajnë çaste domethënëse, me adresa e-maili që premtojnë bashkëpunime të reja, jo thjesht si pjesëmarrës në një program aktivitetesh, por si dëshmitarë të një dialogu të hapur mes gazetarisë, trashëgimisë dhe zhvillimit.
Ky udhëtim nuk ishte vetëm kalendar vizitash, por një kapitull i ri reflektimi mbi mënyrën se si e rrëfejmë dhe e promovojmë Jugun, me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe vizion.
Bashkëbisedimi dhe udhëtimi shërbyen si një ndalesë reflektimi mbi forcën e fjalës sonë. Në çdo reportazh, intervistë apo kronikë, mbajmë përgjegjësinë për ta ruajtur të vërtetën, për ta pasuruar kujtesën kolektive dhe për ta përcjellë realitetin me ndershmëri, kulturë dhe ndjeshmëri njerëzore.
“Dita e Miqësisë së Gazetarëve” na inkurajoi që të ndajmë përvoja, të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të shohim në trashëgiminë kulturore e njerëzore jo vetëm lajmin e ditës, por historinë që meriton të mbetet. Gazetaria fiton peshë kur është e lirë, e përgjegjshme dhe e lidhur ngushtë me komunitetin që pasqyron.
Profesion dhe përgjegjësi publike
Edicioni XVI i aktiviteteve të UGSh-së nuk ishte thjesht takim kolegësh. Ishte reflektim mbi rolin e gazetarisë në një kohë kur informacioni qarkullon shpejt, por besueshmëria sfidohet çdo ditë.
Nga Dropulli te Butrinti, nga Gjirokastra te Kalaja e Porto Palermos në Himarë, udhëtimi ynë tregoi se gazetaria nuk është vetëm raportim ngjarjesh, por interpretim i kontekstit dhe mbrojtje e kujtesës kolektive.
Më konkretisht, Dropulli na kujtoi se identiteti kulturor është çështje qëndrueshmërie dhe bashkëjetese. Në një hapësirë kufitare, ku historia, politika dhe kultura ndërthuren, media ka detyrimin të trajtojë çështjet e minoriteteve me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe paanshmëri.
Butrinti dëshmoi se trashëgimia nuk është relike, por kapital strategjik. Turizmi kulturor, nëse promovohet me vizion, mund të jetë motor zhvillimi. Këtu roli i medias nuk kufizohet në promovim, por në analizë: si menaxhohet pasuria, si mbrohet, si kthehet në vlerë të qëndrueshme...
Porto Palermo dhe trashëgimia e fortifikimeve bregdetare treguan se historia është pjesë e identitetit tonë evropian e mesdhetar. Gazetaria serioze duhet ta vendosë këtë trashëgimi në debat publik, larg folklorizmit të sipërfaqshëm.
Në thelb, “Dita e Miqësisë”, 13-15 shkurt 2026, konfirmoi se gazetaria fiton peshë kur është e lirë nga presionet, e përgjegjshme ndaj publikut, e lidhur me komunitetin dhe e aftë të shohë përtej lajmit të ditës. Në një kohë polarizimesh dhe zhurme informative, fjala profesionale mbetet shtyllë e stabilitetit shoqëror. Gazetaria nuk është vetëm profesion. Është përgjegjësi publike.









Comments