Halil RAMA: “IDIOKRACIA, IDEOLOGJIA QË SUNDON SOT BOTËN”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 7 min read

…NË ROMANIN E BASHKIM HOXHËS “EVA E TYRE NUK E HËNGRI MOLLËN”, QË U PROMOVUA NË DITËN E PARË TË PANAIRIT TË 28-të TË LIBRIT
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
· Shkrimtari Bashkim Hoxha, që me veprën e tij mjaftë produktive e cilësore renditet mirëfilli me elitën krijuese të kombit, edhe në këtë roman vjen me trillimin dhe dialogun si dhunti të fuqishme të tij. Kjo qasje e tij duket fare qartë si në parashikimin që baba Vanga kishte bërë se këtë vit do zbrisnin në tokë alienë dhe në broçkullat e Nadirit, kur ndërsa mundohet t’ja shpjegojë disa dukuri e koncepte, Alieni e shihte shumë të ngatërruar jetën në tokë…

Ndonjërit do t’i duket intrigues ky titull, por jo një lexuesi të vëmendshëm të romanit të ri të Bashkim Hoxhës “EVA E TYRE NUK E HËNGRI MOLLËN”, që u promovua në ditën e parë të Panairit të 28-të të Librit (Tiranë,2025).
Ashtu si në romanet e tij “Kronikat e mjegullës” “Një shaka e vogël me vdekjen” “Shtëpia e verdhë”, “Gruaja e shiut”, “Asnjëherë të martën”, “Dimri i librave”, Rikthimi”etj, Bashkim Hoxha – ndër shkrimtarët më produktiv e cilësorë të viteve të fundit, botoi para pak ditësh romanin “Eva e tyre nuk e hëngri mollën”, i cili dallohet për trillin artistik befasues dhe tejet interesant. Ngjarjet zhviillohen në koherencë me realitetin objektiv global, kur duket se për gjithshka do t’i qasemi Inteligjencës Artificiale.
Kështu, nëse doktor Faustino, priste me padurim të takonte alienin për të cilin “Baba Vanga parashikoi se do të vinte”, zhvillimet marrin tjetër rrjedhë kur Alieni, në vend që të zbriste në një bazë të sigurtë ushtarake, zbriti në kopshtin e një fshatari të një vendi tjetër.. Kësisoj, Nadir Zavallit, që çdo mbrëmje ulej në gjunjë përpara televizorit dhe lutej me pëshpëritje: “Zot, o Zot,/ Ti gjithmonë ke qënë me mua,/ unë të lutem ji edhe sot,/ sot e për çdo mot!”, ju duk se i ka ardhur e mira tek dera.
E mikpriti Alienin Rx4, u miqësua me të, (madje tentoi ta bëjë edhe dhëndër duke i ofruar si bashkshorte mbesën e tij poete Letën) sepse besoi se më në fund duke e patur peng, do t’i mundësohej viza e refuzuar disa herë për të shkuar më në fund në shetin ku djali i tij ishte emigrant.
“Festa ishte planifikuar të shpërthente kur ata ta kishin në dorë alienin në një bazë të sigurtë ushtarake në vendin e tyre, atëherë kur nuk kishin mundësi ta shtinin në dorë rusët, kinezët, indianët e askush tjetër. Po ndoshta kjo festë e çmendur përballë nuk kishte të bënte fare me alienin”, shkruan autori i romanit B.Hoxha (Fq.50).
Por s’qe e thënë të ndodhte kështu. Kur Nadir Zallit deshën t’ia rrëmbënin në kufi alienin që e kishte shpallur “burazer”, ai u kthye vetëtimthi bashkë me të për në shtëpinë e tij. Këtë herë me mendjen e mbrapshtë për të mos e dorëzuar alienin, shpalli shtetrrethimin brenda shtëpisë e kopshtit të tij. Mobilizoi njerëz të fisit e miq të afërm si gardianë që të mos lejonion asnjëri të futej pa vizë brenda këtij kufiri; vendosi dhe një të ashtuquajtur “Zyrë Konsullore” në hyrje të oborrit me konsulleshë mbesën e tij Letën, e cila do të lëshonte ose refuzonte vizat për ata që kërkonin të vizitonin alienin.
“Kufijtë zakonisht vendosen në zyrat e larta të politikës, kryesisht pas ndonjë lufte të madhe apo pas ndryshimeve të rëndësishme të perandorive. Dhe për të kapërcyer ato vija të hedhura në harta, në terren duhej të plotësosh kushte nga më të çuditshmet…Është absurde të mendosh se mund të na pengojë neve kufiri... “Ne vet i kemi hedhur në hartë vijat e kufirit.”
Doktor Faustino u kthye sërish drejt tij dhe ngriti zërin. “Atëherë, na e sill alienin këtej kufirit dhe mundësisht pa fjalë e të bërtitura. Nuk ta ka njeri frikën.”
“Ou! U mërzite ti?”
“Gjërat e mëdha bëhen në qetësi. Mësoje! Vetëm flaka e kashtës merr për së koti duke brambullitur”…(fq.35)
Do të mjaftonte qoftë edhe vetëm ky dialog mes doktor Faustino e Denisit për të kuptuar se si shkrimtari i mirënjohur Bashkim Hoxha ia arrin të mbajë interesin e lexuesit, falë talentit të tij të gjetjeve të vazhdueshme artistike, situatave plot tension dhe ritëm. Ky tension dhe shtendosje përmes humorit dhe ironisë e përshkon thuajse gjithë romanin “Eva e tyre nuk e hëngri mollën”, me zhvillimin e ngjarjeve e portretizimin e personazheve.
Kësisoj, Bashkim Hoxha që me veprën e tij mjaftë produktive e cilësore renditet mirëfilli me elitën krijuese të kombit, edhe në këtë roman vjen me trillimin dhe dialogun si dhunti të fuqishme të tij. Kjo qasje e tij duket fare qartë si në parashikimin që baba Vanga kishte bërë se këtë vit do zbrisnin në tokë alienë dhe në broçkullat e Nadirit, kur ndërsa mundohet t’ja shpjegojë disa dukuri e koncepte, Alieni e shihte shumë të ngatërruar jetën në tokë.
“Fjalën mall Nadiri ia kishte shpjeguar në mënyrën e tij. I kishte thënë (Alienit Rx4) se malli është si korrenti i fortë që djeg siguresën dhe i vë flakën shtëpisë, por edhe pse trupin e kishte plot tela korenti, as këtë nuk e kishte kuptuar ky i ngrati….Nuk kishte dyshim, ky rob ishte prej metali. Prej metali kishte edhe zërin”. (fq. 44-45). E kështu me mënyrën e tij fshatareske Nadiri do të përpiqej t’i shpjegonte alienit konceptet për kufirin, për shijen e lotit, “Ne dhe ata”, etj, dhe do të çuditej kur “burazeri” i tij nga kozmosi do t’i fliste për dallimin mes mashtruesve të vegjël dhe mashtruesve të mëdhenj… Dhe përsëri Naidir: “Unë kaq di. Sa më lejon fshati. Shoh vetëm këtë copë qiell që është mbi shtëpinë time dhe syri deri atje tej tek kodrat më kap horizontin”…dhe: “E kam thënë unë, këtu në fshatin tonë edhe Zoti bëhet doktor…”
Vetëm fantazia e një shkrimtari si Bashkim Hoxha Hoxha oxha që i ka dhuruar lexuesit disa romane me trille artistikë befasues, njohës gjer në perfeksion i fenomeneve jetësore e njerëzore, arrin që nëpërmjet personazhit ailieni Rx4 ta konceptojë njeriun si ngatërresë kozmike...
STILILISTIKA E VEÇANTË NË NDËRTIMIN E DIALOGJEVE
Në romanin “Eva e tyre nuk e hëngri mollën” të Bashkim Hoxhës është shumë interesante edhe mënyra e ndërtimit të dialogjeve. Ato mund t’i hasim në të gjitha pjesët e romanit dhe modelimi i veçantë i tyre është i dukshëm.
Aftësia e autorit për të ndërtuar një dialog të vazhdueshëm, pa u lodhur, me situata të papritura, mes kontrastit dhe inversionit, me një gjuhë therëse, dallohet qoftë edhe në dialogun e mëposhtëm të policit të zonës Mark Luca me Nadirin, kur (ky i fundit) ndonëse i hapi derën nuk e ftoi atë të hynte brenda.
“Më kanë informuar se në shtëpinë tënde po ndodh një gjë e çuditshme”, tha ai (polici).
“Ku? Këtu?”
“Po. Një sferë e zjarrtë ka zbritur nga qielli. Më kanë dërguar edhe foto.”
“Nuk di gjë. Hajde po deshe të shkojmë e të shohim në vend. Unë kam qënë në gjumë s’kam parë gjë”, i tha Nadiri dhe mbylli pas vetes portën e shtëpisë dhe e udhëhoqi jashtë për nga cepi i gardhit. Në cepin e bahçes, tek gardhi nuk kishte asnjë gjurmë.
“Po këtu në foto duket gjithë ky zjarr”, tha Marku.
“Mos i beso fotove”, tha Nadiri. “Nuk thonë të vërtetën, Apo që kur ka dalë ajo... artificialja, si quhet?” “Inteligjenca artificiale.”?!
Qoftë edhe vetëm në këtë dialog Bashkim Hoxha shpërfaq një stil të veçantë. Madje këto efekte stilistike mund t’i hasim në shumicën e dialogjeve që realizohen në mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Dorian Mollakuqi, atij të policisë rajonale Osman Didiku e atij të fshatit Mark Luca, mes Luc Demës dhe ministrit Florim Daku (qoftë edhe si përzgjedhje dhe emërtim krejt i veçantë i personazheve).
Personazhe komikë në këtë roman janë edhe gruaja e policit, Mamica, Erlisi, nipi i Nadirit, maturant që shkruante vjersha, banakieri Arlind Mema dhe kinezi që mbledh iriq, ndërmjet të cilëve zhvillohen dialogje që të mbeten në mendje.
“IDEOLOGJIA QË NA SUNDON
SOT NË BOTË ËSHTË IDIOKRACIA”
Në koherencë me zhvillimet globale, Bashkimi Hoxha me këtë roman arrin të përçojë tek lexuesi koncepte filozofike, nëpërmjet personazhit të veçantë Rx4 se: “Një jetë që zgjat më pak se një shekull, krahasuar me përmasat kozmike nuk është as sa një xixëllonjë....” dhe se “Oksigjeni duhet të jetë njësia matëse e njerëzimit” apo: “...do të ishte më mirë të mos e kishte ngrënë Eva frytin e pemës së dijes”. (fq.110)
Konceptin e idiokracisë autori e përçon edhe në kontradiktat e doktor Faustinios me Denis Troia (që luan rolin e përfaqësueit të qeverisë në takimin e mundshëm me Alienin, por që s’arrin ta takojë, ngaqë ju refuzua viza nga Leta për të hyrë brenda kufirit që kishte vendosur Nadiri).
“Disa herë ishte përpjekur ta sqaronte me qetësi se ajo që po kryente nuk ishte çështje shtetërore apo politike, por thjesht një çështje shkencore, se sa për politikën, ajo vetëm i ngatërronte punët. Por sado sqaruese e të duruara kishin qenë sqarimet e doktor Faustinos, Denis Troia vazhdimisht me ndërhyrjet e tij i kishte dhënë të kuptonte se këtë çështje që ai e quante shkencore, tanimë e kishte marrë në posedim politika dhe ai nuk duhej të hidhte vickla”, shkruan autori B.Hoxha në këtë roman (fq.33).
Këto dukuri e veçanërisht zhvillimet e vrullshme në kuadrin e Inteligjencës Artificiale, si askush tjetër B.Hoxha i përçon tek lexuesi në formën e reflektimit, por me kuptime dhe funksione të ndryshme në dimensionin estetik dhe filozofik.
Kështu, ndërsa nëpërmjet doktor Faustinios veçon konceptin filozofik se “Ideologjia që na sundon sot në botë është idiokracia”(fq.124) të kundërtën e vë në gojën e alienit Rx4, kur thotë se: “Ne (alienët) ndryshe nga ju kemi arsyetimin por nuk kemi ndjenjën.....Eva jonë nuk e hëngri mollën dhe ne vazhdojmë të qetë dhe rrojmë shumë gjatë....”.
Po ashtu B.Hoxha përcjell artistikisht edhe koncepte të tilla filozofike si “zemërimi është si rrebeshi”(fq.39) apo se: “Gjërat e mëdha bëhen në qetësi…!.., se “Vetëm flaka e kashtës merr për së koti duke brambullitur” (fq.35). Kësisoj trilli shfaqet si një rebelim ndaj rregullave, një përpjekje për të kaluar kufijtë e perceptimit të zakonshëm dhe për të sjellë në jetë dimensione të reja të kuptimit të ndjenjës dhe zhvillimit të situatave.
Keshtu Bashkim Hoxha i lëshon lirshëm frerët e fantazisë ku ndërthuret stili i rrëfimit për ngjarje e rrethana na më absurdet. Dhe më kryesorja, autori nuk ua dorëzon autoriteteve (personazhin kryesor) alienin e shumëkërkuar, sepse ai siç zbriti (si frymë) në tokë, ashtu edhe u ngjit si frymë drejt kozmosit.
Në tërsinë e tij ky është një roman postmodern me elementë të fortë autorefleksive, ku narratori sfidon jo vetëm strukturën, por edhe elemente trilli që krijojnë universin e tyre imagjinar dhe sfidues.









Comments