Halil RAMA: BASHKIA DIBËR, SHTËPIA IDENTITARE E GJITHË DIBRANËVE

FJALA E MIRËNJOHJES NË CEREMONINË E DHËNIES SË TITULLIT “QYTETAR NDERI” I DIBRËS DHE PROMOVIMIN E LIBRIT ‘DIBRA DHE DIBRANËT NË PANETONIN E VLERAVE”
BASHKIA DIBËR, SHTËPIA IDENTITARE E GJITHË DIBRANËVE
Halil RAMA
Me përulësi, falenderoj përzemërsisht qindra miqtë e mi (mes të cilëve dhjetra personalitete akademike e të letrave si Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit, Dr. Mujo Buçpapaj-Kryetar i LSHASH; Dr. Aleksandër Çipa -Kryetar i Unionit të gazetarëve të Shqipërisë, gjeneralmajor Manushaqe Shehu, Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu etj), të gjithë pa përjashtim, që me pjesëmarrjen e tyre në ceremominë e dhënies së titullit “QYTETAR NDERI I DIBRËS” (21 nëntor 20126 në sallën e auditoriumit të Arkivit të Shtetit Tiranë), ma bënë më të lumtur, njëkohësisht më prekës dhe emocionues këtë event të rëndësishëm.
Në gjysmën e fundit të jetës time, jam vlerësuar me tituj nderi, si “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, “Qytetar Nderi” i Bulqizës nga këshilli i kësaj bashkie, Ambasador i paqes nga FPU dhe anëtar bordi i Akademisë Shqiptaro-amerikane e Shkencave dhe Arteve me seli në Nju Jork.
Por gjithsesi, vlerësimi që më bëhet nga Këshilli i Bashkisë Dibër, ku bën pjesë edhe Muhurri - vendlinda ime, padyshim është më i veçanti për mua dhe familjen time.
Me këtë rast, një falenderim të veçantë kam për të gjithë anëtarët e këshillit të Bashkisë Dibër dhe veçanërisht për kryetarin e Bashkisë, Z. Rahim Spahiu, që me vizion bashkëkohor, ka arritur ta shnderrojë bashkinë në shtëpinë identitare të të gjithë dibranëve, të të gjithë atyre që ndajnë denjësisht me të vlerat dhe parimet e një shoqërie të zhvilluar, tolerante e të virtytshme, të përparuar në ide e të qëndrueshme në cilësi.
Së pari:- Për faktin se në 5 vitet e fundit të drejtimit nga kryebashkiaku Spahiu, Bashkia e Dibrës vlerësohet si model jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit, duke shënuar një histori suksesi.
Realizimi i një programi zhvillimor ambicioz në të gjitha njësitë administrarive të Bashkisë Dibër këto pesë vitet e fundit, dëshmon para së gjithash rritjen e performancës dhe besueshmërisë së administratës që ai ka ndërtuar. Ballafaqimi me premtimet e para tre viteve kur u rizgjodh kryetar në mandatin e dytë, nxjerr në pah jo vetëm përmbushjen e tyre, por edhe tregues të tjerë që kanë të bëjnë me parametra bashkëkohorë të një zhvillimi intensiv në gjithë Dibrën.
Kur mori mandatin e kryebashkiakut të Dibrës, sfida kryesore ishin burimet njerëzore. Pikërisht këtë sfidë ai e përballoi me dinjitet, duke ndërtuar një administratë të aftë profesionalisht dhe të përkushtuar, për ta bërë bashkinë e Dibrës, bashki të standardeve të përparuara.
Kryerja e analizave me përgjegjësi, identifikimi në kohë i problematikave dhe përcaktimi i rrugëzgjidhjeve efikase sollën kështu ndryshimin e kërkuar.
Në cilësinë e gazetarit, me kënaqësi konstatoj se rritja e performancës dhe besueshmërisë të administratës së Bashkisë ka qenë dhe është një nga shtyllat e strategjisë së kryebashkiakut të Dibrës R.Spahiu, në një kontekst strategjik afatgjatë me objektiv të fundit zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Dibrës, në çdo fshat e njësi administrative.
Dhe jo vetëm kaq, por në partneritet luajal me institucione e organizma prestigjiozë ndërkombëtarë ka arritur të thithë fonde dhe t’i mirëadministrojë ato në funksion të përmirësimit infrastrukturor, duke realizuar projekte të dukshme në asfaltime rrugësh, rikonstruksione shkollash e objektesh tjera socialkulturore.
Ndërkohë, ne dibranët ju jemi dhe duhet t’i jemi mirënjohës Rahim Spahiut, jo vetëm për realizimin e një programi zhvillimor ambicioz në gjithë Dibrën, por edhe për evidentimin, mbështetjen dhe vlerësimin e personaliteteve dibrane të të gjitha fushave.
Së dyti – Mirënjohje pa kufi për Prof. dr. Shpëtim Camin – Kryetar i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, për fjalën brilante që mbajti në këtë event për profilin tim krijues, për marrëdhënien me librin, historinë, kulturën dhe mbi të gjitha me fjalën shqipe, që sinetizojnë titullin e kësaj fjale: “Halil Rama, misionar i fjalës shqipe, i vlerave dhe historisë tonë të përbashkët”(botuar në portalin prestigjioz fjalaelire.com).
Të njejtin vlerësim ndaj edhe poetin e gazetarin profesionist Nexhbedin Basha, për analizën e dy librave që u promovuan më 21 nëntor: “Dibra dhe dibranët në pantonin e vlerave” (vëllimi i dytë) dhe përmbledhjes së analizave e kritikave letrare të librave të mi botuar në librin e tij me titullin: “HALIL RAMA, KRIJUESI QË NGRITI FJALËN NË KULT TË MEMORIES KOMBËTARE” (me parathënie nga Dr. Mujo Buçpapaj)…, si dhe për poetët, prazatorët, aktorët e regjisorët e mirënjohur Bajram Torba e Aqif Puca, që interpretuan disa nga poezitë e mia si dhe një poezi që Z. Puca ma kishte kushtuar mua.
Së treti - Një falenderim të veçantë kam për Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dr. Mujo Buçpapaj, njëherësh edhe themelues dhe drejtor i gazetës “Nacional”.
Sot gjej rastin ta falenderoj mikun e kolegun tim Buçpapaj, një nga poetët e analistët e sotëm shqiptarë më të vlerësuar nga institucione e media prestigjioze ndërkombëtare, jo vetëm për analizën e thelluar, me dashuri e profesionalizëm të spikatur që i ka bërë krijimtarisë time letare e publicistike, por edhe si redaktor i dhjetra librave të mi.
Së katërti - Mirënjohja si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut, i takon një miku të veçantë – Kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Dr. Aleksandër Çipës, jo vetëm për pjesëmarrjen, por veçanërisht për fjalën brilante që mbajti në këtë event dhe që do mbetet e ngulitur në memorien time dhe të miqve të shumtë, që ma shprehën pas eventit dhe po ma evidentojnë edhe në dhjetra sms.
“ I dashur miku im, Halil,
Ju uroj nga zemra përherë suksese dhe mbarësi !
Kur bëhesh pjesë e një nderimi të një Zotnie që e nderon dhe respekton vendlindja dhe entiteti i vet, aq më tepër Dibra, merr nderim edhe për veten.
Unë u ndjeva jashtëzakonisht mirë që sot përjetova respekte dhe një nderim të tillë, për ju. Përherë dëshiroj vetëm suksese e krijimtari të cilësishme për ju!”-tha ndër të tjera Z. Çipa.
Së pesti - Po ashtu, mirënjohje të veçantë dua t’ju shpreh Besim Ndregjonit e Islam Vokës për fjalët e tyre impresionuese në këtë event, si dhe personaliteteve të botës akademike e të letrave si: akademik Shaban Sinanit, Preç Zogajt, prof. Eshref Ymerit, Prof. Fatmir Terziut, Nderit të Kombit Bujar Kapexhiu, Prof. Hajri Shehut, poetes dhe analistes së mirënjohur të letërsisë Emi krosi, Sakip Camit, Shefqet Mekos, Agim Devës, Selman Mëziut e Rajmonda Maleçkës për vlerësimin që i kanë bërë veprës time krijuese.
Së gjashti - Faleminderit miku im Llesh Nikolla - Mjeshtër i Madh, mjeshtër i aktrimit, regjisor, skenarist dhe moderator i shumëtalentuar, jo vetëm për moderimin e këtij eventi me mjeshtri të rrallë por edhe për leximin artistik të disa poezive të mia.
Së shtati – Mirënjohje të veçantë për Arif Vladin, këngëtarin shqiptar të këngës epiko-historike, me një karrierë të pasur artistike me një repertor të larmishëm që e bën atë një këngëtar emblematik në llojin e tij dhe që në këtë event ngriti peshë zemrat e qindra pjesëmarrësve me intepretimin e këngës së Sufë Murres. Po ashtu për LIRI RASHËN – pasaportën artistike të Dibrës për interpretimin e një kënge kurbeti me mjeshtri të rrallë.
Falenderues gjithashtu për Shtëpinë Botuese UNIVERS dhe administratorin e saj Altin Hoxha për gadishmërinë, performancën dhe cilësinë e botimit të gjashtë librave të mi të fundit si dhe të librave të autorëve Tajar Domi, Vebi Musta, Skënder Murrja e Beshir Cala që unë kam redaktuar.
Dhe së fundi, nga radha por jo nga rëndësia, falenderoj përzemërsisht Familjen time, pa mbështetjen e së cilës do ta kisha të pamundur këtë rrugëtim të gjatë në procesin krijues.
Falenderues pa kufi për bashkëshorten time, Kimete Rama (Berisha) me të cilën së bashku, për katër dekada jetë intensive bashkëshortore ia dolëm të sfidojmë vështirësi të shumta, sa në Muhurr, në Bulqizë dhe Tiranë për të krijuar një familje solide, me dy djemtë tanë, Bledarin e Arlindin-të dy arsimuar me rezultate të shkëlqyera deri te masteri shkencor dhe sot gëzojnë reputacion e respekt në institucionet e rëndësishme ku punojnë prej vitesh. Mirënjohje dhe respekt të veçsntë për bashkëshorten e Bledit, Zanën, që hyri dhe mbeti në familjen tonë taman siç ka emrin si ZANË në kuptimin e plotë të fjalës, jo vetëm për bukurinë e rrallë fizike e shpirtërore, por që si nusja e parë na u bë si bija jonë dhe për dy dekada bashkëjetesë është dalluar dhe dallohet për fisnikërinë e inteligjëncën e rrallë… Dhe jo vetëm në familjen tonë por edhe në institucionet ku ka punuar dhe punon edhe aktualisht.
Po ashtu, dy mbesat e bukura si dy yje, Keida dhe Alesia - të bukura e të zgjuara: Keida studente shembullore në Akademinë e Sigurisë dhe Hetimit dhe Alesia më e bukura e klasës, nxënëse me talent të rrallë në lëndët shoqërore dhe ato të shkencave ekzakte.
Respekt të veçantë shpreh gjithashtu për bashkëshorten e Arlindit, Nertila (Ceka), e përkushtuar për familjen dhe urimin e përzemërt për, Henrin që po hedh shtat dita-ditës e na gëzon pa masë me belbëzimin e fjalëve të para...
Dhe padyshim, në ndërtimim dhe konsolidimin e familjes time, bashkëshortja, Kimetja ka luajtur rol parësor. Në këtë rrugëtim të gjatë prej më shumë se katër dekada, ajo ka mbajtur në konsideratë kërkesat e kohës duke konfirmuar marrëdhëniet e saj ndaj vlerave shpirtërore të njeriut. Si e tillë ajo nderohet e respektohet edhe nga shoqe e shokë të ish kolektivave të saj të punës në Bulqizë e Tiranë, ku ka sendërtuar vlerat shpirtërore, duke qenë gjithnjë, ashtu si dhe në familje afër ngadhnjimit të së mirës ndaj të keqes, dritës ndaj errësirës, të vërtetës ndaj të pavërtetës.
Faleminderit për gjithshka.
Edhe një herë falenderoj përzemërsisht të gjithëve miqtë e mi pjesëmarrës në këtë event mbresëlënës. Paçi gjithmonë gëzime dhe lumturi ne familjet tuaja.








Comments