Hajri Shehu: Është përkthyer mjeshtërisht nga Gëzim Isuf Baruti

Mishel de Montenj
Essais
(Ese)
Përzgjodhi e përktheu: Gëzim Isuf Baruti
Kush është përkthyesi Gëzim Isuf Baruti?
Gëzim Baruti ka lindur në Korçë në vitin 1942. Që nga viti 1956 banon në Lushnjë. Është përkthyes i talentuar. Njeh shkëlqyeshëm frëngjishten. E ka mësuar në mënyrë autodidakte. Përkthimet e tij janë përqendruar te letërsia franceze e 500 viteve të fundit. Ka përkthyer tri antologji poetike me autorë francezë: Nga klasikë dhe romantikë francezë; Nga Shatobriani dhe Lamartini; Antologji e vogël e poezisë franceze. Përkthime të tjera të tij të rëndësishme janë: Pushtimi i fundit / një libër i vëllimshëm; Ringjallja e Venerës / novelë.
Kjo është ballina e librit, për të cilin dua të them pak fjalë. Për të thënë shumë fjalë, duhet një libër për të. Libri është botuar para katër vjetësh. Mua më ra në dorë tani. Ndoshta ka edhe të tjerë që nuk e kanë lexuar. Ua rekomandoj që ta lexojnë. Që të ngijnë mendjen dhe shpirtin.
Libri paraprihet nga nëntë shkrime që kanë të bëjnë me autorin e eseve dhe esetë. Janë parathënie e siparathënie. Njëra është biografia e Montenjit. E fundit është e përkthyesit. Titullohet : Dy fjalë për lexuesin.
Autori i eseve të famshme, Mishel dë Montenji, është shkrimtar dhe filozof i madh francez i shekullit XVI. Ka lindur më 1533 dhe ka vdekur më 1592. Esetë janë të shekullit XVI, por të denja edhe për sot e për shekujt që do të vijnë. Ato na ndihmojnë për të kuptuar kohën tonë.
Libri ka 367 faqe. Është përkthyer mjeshtërisht nga Gëzim Isuf Baruti. Ky është libri i parë i eseve të Montenjit. Me siguri do të shohim edhe librin e dytë.
Esetë e Montenjit janë studime shoqërore me shumë koncepte e konceptime për shoqërinë njerëzore e kulturën njerëzore. Modeli i Montenjit ishte Seneka, shekulli I i erës sonë. Si filozof, është skeptik. Nga skepticizmi i tij marrim më të mirën.
Libri ka mendime e opinione të arsyeshme dhe kritike për edukatën, virtytin, besimin, miqësinë, guximin, lavdinë etj. Edhe për maturinë e përkorjen. Edhe për vetëpërmbajtjen, qëndresën e stoicizmin. Edhe për edukimin e fëmijëve dhe rolin e edukatorit. Edhe për luftën e strategjitë luftarake. Edhe për dashuritë e pasionet. Edhe për frikën e frikacakët. Edhe për fuqinë e imagjinatës. Edhe për zakonet tona e defektet në zakonet tona. Edhe për ngjarje, që janë këshilla për ne. Edhe për dënimin e frikacakëve me turp dhe poshtërim. Edhe për gënjeshtrën e gënjeshtarët … Për gjithçka që ka të bëjë me njeriun dhe jetën e njeriut.
Çdo mendim argumentohet me shembuj, ndodhi, ngjarje, histori, bëma. Me thënie personalitetesh, dijetarësh, filozofësh. Me vepra e veprime të liga mogulësh të llojit Neron. Gjithçka që thotë autori, është mbushamendëse. Dhe njëherësh të vë në mendime e në provë. Dhe lexuesi nuk sheh asnjë largësi te 500 vjetët kur shkruan Montenji. Ai thotë:
“Sa më shumë të kushtojë një veprim i virtytshëm, aq më shumë të jep kënaqësi (Lukani).
Bollëku (mbushullia) prodhon koprracinë.
Nuk ka gjë më të urryer për mua sesa të bëj pazare. Është tregti e pastër hilesh dhe paturpësish.
Frika është ajo që kam më shumë frikë.
Sa shumë na i mpiks shqisat zakoni.”
Montenji është i ditur. Prandaj e vlerëson diturinë. Por jo diturinë pedanteske. Dhe na thotë: “Dituria duhet të jetë brenda shpirtit”. Dhe dituria shtohet. Ndryshe, pakësohet. Prandaj na thotë: “Unë eci më i sigurt e më i vendosur duke u ngjitur, sesa duke zbritur”. Dhe: “Vendet dhe librat ... më japin kënaqësi të përditshme”.
Esetë janë të mbushulluara me mendime të mëdha, që na mësojnë si të veprojmë mirë e më mirë:
“Bëj atë që bën dhe njih veten! (Platoni)
Edhe lufta të jetë e ndershme dhe e drejtë ... - me trimëri e jo me hile.
Askush të mos kërkojë të përfitojë nga hiletë.
Veprimet tona gjykohen nga qëllimi që kanë.
Nëse gënjeshtra do të kishte vetëm një fytyrë, siç ka e vërteta, do të ishim në marrëdhënie më të mira...
Jam armik i betuar i çdo falsifikimi.
Dashakeqësia është krejtësisht armik i karakterit tim.
Nuk i dal fort shpesh përpara atij, që i kam dhënë më shumë.
Gënjeshtra është ves i mallkuar .., për ta gjykuar njëlloj si krimet e tjera. Vetëm gënjeshtrën dhe kokëfortësinë i konsideroj si gjëra, që duhen luftuar në çdo moment, që të mos ngrenë kokë.
Ne dimë të themi: “Ciceroni thotë kështu. Ja zakonet e Platonit. Këto janë fjalët e vetë Aristotelit. Po ne çfarë themi? Çfarë gjykojmë ne? Çfarë bëjmë ne?”
Në libër ka citime e citate nga njerëz të mëdhenj të botës: Aristoteli, Cezari, Ciceroni, Epikuri, Euripidi, Horaci, Lukreci, Ovidi, Platoni, Seneka, Sokrati, Tit Livi, Virgjili etj. Ato i shtojnë peshë thënies së Montenjit.
Esetë e Montenjit janë të vitit 1580. Me ndreqje e shtesa nga vetë Montenji - midis viteve 1580 dhe 1585. Përkthimi i Gëzim Isufit vjen nga frëngjishtja moderne. Montenji shkruan me gjuhë të gjallë e të thjeshtë. Por, sidoqoftë është gjuhë esesh, gjuhë arti e filozofie, që do të thotë se është e stilit të lartë. Kësisoj, nuk ka qenë e lehtë për ta përkthyer. Por përkthyesi ynë ia ka dalë mbanë me shumë sukses.

Në parafjalën e tij, “Dy fjalë për lexuesin”, përkthyesi thotë, ndër të tjera, edhe këtë: “Ëndja e përkthyesit duhet të jetë vullneti që çdo fjalë të jetë në vendin e saj, derisa kjo skemë (skema e autorit – H. Sh.) të plotësohet”. Përkthyesi ynë e ka çdo fjalë në vendin e vet. Fjalia rrjedh si uji. Përkthyesi e njeh bukur mirë leksikun e shqipes. Ka formim gjuhësor dhe intuitë gjuhësore për ta pasur lakmi çdo gjuhëtar. Ja disa nga fjalët e tij të zgjedhura dhe formimet e tij individuale, që mund të zënë vend në Fjalorin kombëtar të gjuhës shqipe standarde: dhembshëm; i fundëm; i pafundëm; çuditshmëri; lumturueshëm; (shije) thartoshe; dorështrënguar (si ndajfolje); profesionalisht; mendjetrashësi; vrullshmëri; besnikërisht; pandashmërisht; paligjshmëri; (dëshmitë) përrallore; zemërplagosës; (lidhje) incestuale; (detyra) e priftërisë; shkoklavit; (pasuri) nevojtare; thërrimkë; (mendjemadhësi) lypëse; retorizëm; ngeshëm; gojëshpuar; mundimshëm; lodhshëm; (njeri) i gjykueshëm; i kequdhëzuar; palavi; kotësi; shpirtdëlirë; vetmitar; i tronditshëm; tronditshmëri; krahasor,-i; (rrugët) hijembuluar; këndshmëri; (për të jetuar) lumturisht; kukurizëm; dashamirësisht; grathore; pastërtisht; lëkundshmëri; zemërmirësi; prapadhomë; (jetoi) këndshëm; lavdëratë etj.








Comments