top of page

Hajri Shehu: Anthony Esposito – bashkëredaktor në Fjalorin e madh të Oksfordit

Anthony Esposito – bashkëredaktor në Fjalorin e madh të Oksfordit

 

Ka lindur në Skoci më 1959. Ka mbaruar shkollën e mesme në Gllasgou (Glasgow). Edhe Universitetin në Gllasgou – për gjuhë dhe letërsi. Studimet pasuniversitare i ka mbaruar në Oksford, në kolegjin “Balliol” (Balliol College). Për një vit ka punuar si pedagog i gjuhës angleze në Universitetin e Gllasgout. Më pas (1986-1993), po në këtë Universitet ka punuar si përgjegjës i Sektorit të kërkimeve të biografive britanike. Gjatë kësaj kohe ka qenë edhe bashkëredaktor i Treguesit të biografive britanike (1990) dhe i Arkivit Britanik të Biografive (British Biographical Archive) (1991-1994). Më 1994 është thirrur në Oksford, në Shtëpinë Botuese të Oksfordit (Oxford University Press) për të qenë anëtar i grupit hartues të Fjalorit të gjuhës angleze (Oxford English Dictionary). Dhe ka punuar si redaktor e bashkëredaktor i Fjalorit deri në vitin 2005. Fushë e veçantë e punës së tij dhe e studimeve të tij ka qenë etimologjia. Dhe brenda kësaj fushe – historia e gjuhës angleze, anglishtja e vjetër, skotishtja, filologjia gjermane, gjuhët skandinave. Ka botuar artikuj studimorë gjuhësorë. Një ndër ta është edhe “Fjalori i Oksfordit dhe Shqipëria”, botuar në revistën “Studime filologjike”, Tiranë, 2023*. Ka kontribuar me artikuj biografikë për “Oxford Dictionary of National  Biography” (2004) (Fjalor i Oksfordit i Biografisë Kombëtare).**

Profesor Antoni është anëtar i Shoqatës Filologjike (Philological Society), i Shoqatës Anglo-Shqiptare (Anglo-Albanian Association) dhe i Institutit Britanik të Filmit (British Film Institute).

Që herët, profesor Antoni është interesuar të njohë Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Që nga viti 1989 e ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe Kosovën. Është mik dhe dashamirës i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Unë e kam njohur profesorin në Oksford më 1998. Në vitin 2000 e kam pasur mik në shtëpi.

 

ANTHONY ESPOSITO 

FJALORI I OKSFORDIT I GJUHËS ANGLEZE DHE SHQIPËRIA***


      Fjalori i Oksfordit**** është fjalori më i madh dhe më i njohur i gjuhës angleze në botë. Ai pasqyron kuptimet, historinë dhe shqiptimin e më shumë se 600.000 fjalëve. Ka mbi tre milionë citate të marra nga burime reale, të cilat ilustrojnë përdorimin e çdo fjale që nga zanafilla e tyre. Fjalori i Oksfordit  është autoriteti i pranueshëm i gjuhës angleze qëkur është botuar, mbi 100 vjet më parë. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai është bërë pjesë e pazëvendësueshme e kulturës, gjuhën e së cilës dokumenton.

      Ka qenë viti 1857, kur Shoqata Filologjike e Londrës (Philological Society of London), duke vënë re pamjaftueshmërinë dhe mangësinë e fjalorëve të kohës, kërkoi një lloj të ri fjalori, një fjalor gjithëpërfshirës, që të mbulonte tërë historinë e gjuhës angleze dhe që të përfshinte gjithë leksikun (e kohës dhe të vjetruar), që nga shekulli XII e deri më tani. Sidoqoftë, puna për këtë projekt viktorian, dukshëm ambicioz në fillim, eci shumë ngadalë. Vetëm më 1879 pati një marrëveshje me Shtëpinë Botuese të Universitetit të Oksfordit (Oxford University Press) për ta filluar punën seriozisht dhe një mësues skocez (anëtar i Shoqatës Filologjike), Xhejms Mari (James Murray) u caktua si redaktor. Fjalori i Oksfordit në trajtën që njohim sot, është rezultat i përpjekjeve shumë të mëdha të Marit.

     Ishte një ndërmarrje shumë e madhe. Por, zor se mund të mbivlerësohet. Fjalori i Oksfordit u botua në fillim  pjesë-pjesë. Bleu i tij i parë doli më 1884. Dhe u desh edhe një gjysmë shekulli për ta plotësuar këtë vepër monumentale: më 1928. Edhe atëherë, u kuptua edhe një herë se duhej një vëllim plotësues (që doli më 1933) për të pasqyruar disa nga fjalët që pashmangshmërisht qenë harruar (sidomos nga shkronjat e para të alfabetit), ndërkohë që puna vijuese për Fjalorin vazhdonte. Botimi standard përbëhet nga 20 vëllime të mëdha.  Fatkeqësisht, Mari nuk jetoi që ta shihte përfundimin e punës së tij të madhe (ai vdiq më 1915). Për veprën e tij ai u nderua më 1908 me Urdhrin e Kalorësit. 

       Në fillim të viteve 1990, pas më shumë se 100 vjetësh të botimit të bleut të parë, Shtëpia Botuese e Oksfordit vendosi ta rishikonte në mënyrë të gjithanshme Fjalorin e Oksfordit, në mënyrë që të pasqyronte zhvillimin e vazhdueshëm të gjuhës angleze. Për të parën herë, qëkur Fjalori qe botuar, përkufizimet dhe etimologjitë e shkruara nga Mari dhe kolegët e tij u ndryshuan. Kjo qe një mundësi e shkëlqyer për ta përditësuar Fjalorin më të autoritetshëm të gjuhës angleze në botë me shekullin e 21-të. Projekti i ri është një ndërmarrje aq ambicioze, sa edhe origjinali dhe rezultati do të jenë një Fjalor i Oksfordit tërësisht i rijetësuar. Duke ndjekur botimin e mëparshëm origjinal, Fjalori i Oksfordit, i rishikuar rishtas, po publikohet pjesë-pjesë onlain. I gjithë botimi i vjetër është hedhur në internet dhe ca nga ca po shndërrohet  in situ, në origjinalin e tij, nga i vjetër në i ri, në mënyrë pothuajse organike: bleu i parë i tekstit të rishikuar rishtas doli në vitin 2000 dhe që atëherë, kanë vijuar të dalin blejtë e tjerë të rinj, me intervale të tjera të rregullta, duke i zëvendësuar zërat e vjetër me zërat e rinj dhe duke shtuar qindra fjalë dhe kuptime tërësisht të reja. Kjo punë do edhe shumë vjet që të  përfundojë.                   

      Bleu më i fundit (i botuar në shtator, 2012) përfshin disa fjalë me interes të veçantë për shqiptarët, më kryesorja ndër të cilat është vetë fjala Albanian. Zëri origjinal për Albanian (emër dhe mbiemër) në Fjalorin e Oksfordit u botua më 1933 në vëllimin suplementar (renditja alfabetike origjinale e Fjalorit e pati lënë jashtë fjalën). Zëri nuk është i gjatë; etimologjia është e shkurtër dhe e përciptë; citatet janë të pakta - në kohët e fundit, kryesisht sipas shkrimeve të Edit Durhamit.

      Zëri i ripunuar është tri herë më i madh. Vetëm etimologjia është sa i gjithë zëri i mëparshëm dhe paraqet hulumtimet shkencore që kanë zënë vend në të gjithë shekullin e kaluar (sidomos në veprën e rëndësishme të Eqrem Çabejt dhe Shaban Demirajt). Historia e emrit Albania jepet me shumë hollësi dhe transmetimi nëpërmjet greqishtes dhe latinishtes në gjuhën angleze dokumentohet me kujdes, me trajta dhe data, kudo që është e mundur. Zhvillimi kuptimor i emrit të vendit diskutohet: Në origjinë, duket se ka treguar një krahinë relativisht të vogël, e cila tani është Shqipëria Veriore-Qendrore, me qendër qytetin antik albavopolis  (siç dëshmohet nga Ptolemeu në shekullin II të erës sonë) dhe që mendohet se është Zgërdheshi i sotëm, në juglindje të Krujës. Më pas, emri zhduket nga dëshmitë historike për gati një mijë vjet, për t'u kthyer prapë në dëshmitë bizantine të shekujve XI dhe XII – kohë, kur do të përdorej për një krahinë shumë më të gjerë se Shqipëria Qendrore dhe Veriore, kurse më pas, do të tregonte të gjitha krahinat e Ballkanit Perëndimor, të banuara nga shqipfolës.

Çështja e vështirë (dhe ende e pazgjidhur) se nëse format me arb- ose alb- janë parësore, shqyrtohet me kujdes dhe jepen etimologji alternative: përkatësisht nga e njëjta rrënjë indoeuropiane si latinishtja arvum 'tokë e kultivuar', ose nga e njëjta rrënjë indoeuropiane, Alp (emër mali) ndoshta, me një kuptim fillestar 'vend malor'. Etimologjia e dytë tani shihet si më pak e mundshme nga shumica e dijetarëve.

Në Fjalor shënohet se kur është shfaqur emri (Albania) në gjuhët e sotme të Europës Perëndimore: në frëngjisht – në fund të shekullit XIII: Albanie; më 1497, në gjermanisht: Albanien; më 1503, në anglisht: Albania; shënohen, gjithashtu, disa trajta të ndryshme të fjalës në vetë gjuhën shqipe: Arbani (1555, te Buzuku), Arbën (1618, te Budi), Arbëni (1706), Arbën (shek. XVII), Arbëri. Përmendet fakti, i habitshëm për anglishtfolësit që në shqipen e sotme emri i vendit është zëvendësuar nga një fjalë krejt tjetër (Shqipëri); dhe në fund, jepet kuptimi për Albanian nga shumë gjuhë fqinje të Ballkanit (historike dhe të sotme), përfshirë greqishten, sllavishten kishtare, bullgarishten, rumanishten, vllahishten dhe turqishten osmane. Për të parën herë, gjithë ky informacion, i njohur qëkur për shqipfolësit, bëhet gjerësisht i njohur për përdoruesit anglishtfolës të Fjalorit të Oksfordit.

Në lidhje me kuptimet e fjalës Albanian në gjuhën angleze, jo vetëm që janë përditësuar citimet që ilustrojnë secilin prej tyre, por në çdo rast, kuptimeve u është shënuar një datë më e hershme falë kërkimeve të reja, që tregojnë se fjala është përdorur më herët se ç'është menduar në kohën e botimit fillestar. Emri në kuptimin 'vendës ose banor i Shqipërisë' është që nga viti 1569 (në botimin e parë del ai nga viti 1596) me një citat nga përkthimi i Hju Gofit (Hugh Gough) për historinë kronologjike të Bartolomei Georgijeviçit, The Offspring of the House of Ottomanno (Pinjolli i dinastisë së osmanëve). Në kuptimin 'gjuha e shqiptarëve', emri i përket vitit 1786 (nga 1813, që del te botimi i parë). Mbiemri në kuptimin 'që ka të bëjë me Shqipërinë, popullin e saj ose gjuhën e tij' është që nga viti 1593 (në botimin e parë, që nga viti 1596). Këto janë përparime të vogla, por të rëndësishme në dijen tonë leksikologjike (dhe të dhëna të mëtejshme me interes të madh për historinë e Skënderbeut në Anglinë e shekullit XVI).

      Bleu i ri i rishikuar i Fjalorit të Oksfordit përfshin, gjithashtu, disa fjalë që janë me interes për shqiptarët dhe që janë tërësisht të reja dhe dalin vetëm për të parën herë. Ndër to, janë:              

      Albanese, emër dhe mbiemër, huazuar nga italishtja, që ka të njëjtat kuptime si Albanian, por që në të vërtetë, është pak më i vjetër: për  herë  të parë dëshmohet më 1562 në përkthimin e Xhon Shutit (John Shute) të një historie (italiane) për luftërat e Skënderbeut ('George Castrioth some tyme named Scanderbeg , prince of the Albaneses'/Gergj Kastrioti, nganjëherë i quajtur edhe Skënderbeg, princ i shqiptarëve). Megjithëse tani fjala është e rrallë, ajo ka qenë përdorur mjaft gjerë më parë: për shembull, nga bashkëkohësit e Shekspirit, poeti Edmënd Spenser (Edmund Spenser) dhe dramaturgu Tamës Marlloui (Thomas Marlowe) dhe më vonë, nga Bajroni në shënimet e  tij  për "Çailld Haroldin" (Childe Harold) (1819): '[The] Albanese struck me forcibly by their resemblance to the Highlanders of Scotland' / Shqiptarët më bënë shumë përshtypje me ngjashmërinë e tyre me malësorët e Skocisë (duket se fjala ka qenë shumë e pëlqyer për Bajronin). Sot, parapëlqehet, sigurisht Albanian; sidoqoftë, shembujt më të fundit me Albanese në të gjitha kuptimet e emrit dhe të mbiemrit tregojnë se fjala nuk është krejt e vjetruar.

     Është shtuar Albano- si pjesë e parë e fjalëve të përbëra, me të cilën formohen mbiemra dhe emra që tregojnë lidhje me Albania, p.sh., Albano-Italian, Albano-Greek, Albano-Yugoslav etj. (përkatësisht shqiptaro-italian, shqiptaro-grek, shqiptaro-jugosllav). Ajo është që nga viti 1816 (shembujt më të hershëm janë Albano-Illyrian dhe Albano-Epirotian  / përkatësisht shqiptaro-ilir dhe shqiptaro-epirot) në përkthimin e Uiliam Uolltonit (William Walton) të Gijom de Vodonkurit (Guillaume de Vaudoncourt), Memoirs on the Ionian Islands, including the Life of Ali Pacha (Kujtime për ishujt jonianë, përfshirë jetën e Ali Pashës). Vodonkuri qe gjeneral dhe historian ushtarak francez dhe i shkroi kujtimet e tij në frëngjisht, çka sugjeron se fjala mund të jetë krijuar në fillim sipas gjedhes (modelit) së gjymtyrës identike frënge.

      Arbëresh, emër dhe mbiemër, huazuar drejtpërdrejt nga Albanian, tregon banorët shqipfolës të Italisë së Jugut dhe të Sicilisë. Në anglisht fjala dëshmohet së pari (si emër) më 1880, në një artikull për Shqipërinë dhe shqiptarët në revistën Nature. Si mbiemër, fjala  nuk del deri më 1967. Më 1967, ajo del në Blackwood's Magazine ,në një ese të udhëpërshkruesit Lezli Gadinë (Leslie Gardiner): 'Was he Arbëresh or Italian?Impossible to say'. (Ishte arbëresh ai apo italian? E pamundur të thuhet).

      Arvanite, emër, më në fund, huazim nga greqishtja bizantine ArbavithV  tregon pasardhësit e mërgimtarëve shqipfolës në Greqi. Fjala dëshmohet së pari në anglisht, më 1828, në London Magazine: 'The Albanians call their country Skip, and themselves Skipitar. The name of Arnauts or Arvanites, which the Turks have given them, is of Greek origin ' (Shqiptarët e quajnë vendin e tyre Skip dhe veten e tyre skipitar. Emri arnautë ose arvanitë, që ua kanë ngjitur turqit, është me prejardhje greke). Në artikull shënohet se tani arvanitët janë asimiluar në shkallë të gjerë nga kultura etnike greke.                    

      Arvanitika, emër, huazim tjetër nga greqishtja (Arbavitika), tregon të folmen e shqipes së arvanitëve. Dëshmohet së pari në anglisht më 1915, në një histori të Ballkanit nga Nevill Forbs (Nevill Forbes) dhe të tjerët: 'They have so entirely forgotten their origin that the villagers, when questioned, can only repeat: "We can't say why we happen to speak Arvanitika, but we are Greeks like everybody else'". ('Ata e kanë harruar kaq shumë prejardhjen e tyre, sa, kur pyeten, fshatarët mund të thonë vetëm: "Ne nuk mund të themi përse ka ndodhur që flasim arvanitisht, por ne jemi grekë si kushdo tjetër'".).                           

      Fjalët Kosovar dhe Kosovan pasqyrohen për herë të parë në Fjalorin e Oksfordit (Oxford English Dictionary). Janë njohur në Luftën e Kosovës. Dëshmia më e hershme në anglisht për Kosovan është ajo e vitit 1912 nga një artikull në revistën The Nation (19 tetor), që përshkruan panairin veror vjetor në Podgoricë, në Mal të Zi (Qindra malazias, serbë, shqiptarë dhe turq e kosovarë ishin mbledhur në një rrafshinë të zhveshur, që shtrihet tej Podgoricës, në perëndim). Pra, në anglisht, shembuj me kosovar nuk janë gjetur më herët. Sidoqoftë, kjo fjalë është, ndoshta me më shumë interes sepse tregon një huazim të drejtpërdrejtë nga shqipja. Glosa e re në Fjalorin e Oksfordit dëshmon kujdesshëm origjinën e mëtejme të fjalës, duke shpjeguar se vendi e ka marrë këtë emër nga Fusha e Kosovës (shqip: Fusha e Kosovës; serbisht: Kosovo polje), rrafshnalta e gjerë në veri dhe në jug të Prishtinës, ku u bë beteja e famshme e vitit 1389. Kuptimi i fjalëpërfjalshëm i emërtimit serb, ‘fusha e mëllenjave’, ka paralele edhe në gjuhë të tjera. Një shënim enciklopedik jep një histori të shkurtër të Kosovës deri në ditët e sotme. Deri tani vonë, dëshmia më e hershme e fjalës kosovar në anglisht është e vitit 1944 nga raportet e zbulimit gjatë Luftës së Dytë Botërore: ‘Deklaratë nga Titoja se e ardhmja e Kosovës do t’u lihet vetë kosovarëve ta zgjidhin pas Luftës’. Megjithatë, kërkimet e reja kanë treguar tani se fjala ka mbërritur në gjuhën angleze thuajse 20 vjet më parë nëpërmjet italishtes. Në mes të viteve ’20 të shekullit të mëparshëm, Ledi Karnavon, themeluesja e Komitetit Britaniko-Shqiptar të Ndihmave (British-Albanian Relief Committee) ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri për të organizuar ndihma mjekësore dhe edukative. Në një raport, ajo thotë: ‘Kur mbërrita në Durrës, vizitova një grup kosovarësh, të shpërndarë në fshatra një ose dy orë larg. Bënin një jetesë të mjerë. Ishin refugjatë të spastrimit etnik të Kosovës. Ledi Karnavon do t’u siguronte atyre strehim në një fshat të veçantë në Kavajë.

      Botimi onlain i Fjalorit të Oksfordit, ku janë të plotë të gjithë zërat e mësipërm, mund të merret duke u abonuar dhe gjendet thuajse në të gjitha bibliotekat publike dhe universitare në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vende të tjera. Deri tani, rreth gjysma e Fjalorit është rishikuar. Kur të përplotësohet, Fjalori i Oksfordit  i rishikuar do të jetë afërsisht dyfishi i botimit të parë (duke dokumentuar historinë e mbi një milion fjalëve), ose sa rreth dyzet vëllime të mëdha.

Në vitin 2028, Fjalori i Anglishtes i Oskfordit (Oxford English Dictionary) do të festojë 100-vjetorin e botimit të parë. Redaktori i tij i parë, Sir James Murray, do të ishte gëzuar fort, po ta dinte se një botim i rishikuar tërësisht, sa dyfishi i origjinalit, është tashmë gati. Në krahasim me numrin e përgjithshëm të glosave, ato, që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët, janë, sigurisht shumë pak; por, ndryshimi nga botimi i parë është se Fjalori origjinal i Oksfordit nuk përfshinte asnjë. Më pas, në vëllimet plotësore, u shtuan disa. Kurse botimi i ri do të ketë dukshëm më shumë fjalë angleze, që kanë të bëjnë me shqipen, përfshirë të gjitha ato që u përmendën më sipër – secila – rezultat i një kërkimi të gjerë dhe tërësor.


* Shkrimi është i përkthyer në gjuhën shqipe. Shih më pas.

** Shkrimet biografike janë pjesë e letërsisë.

*** Artikulli është përkthyer në gjuhën shqipe nga Hajri Shehu dhe Bledar Shehu.

**** The Oxford English Dictionary (shënim i përkthyesve).

1 Comment


F. Terziu
3 hours ago

Profesori i nderuar Hajri Shehu më ka ardhur si i prekshëm nga fjalët e Prof Dr Eshref Ymerit, dhe kështu dhe leximi i tij me prurjet e sinqerta dhe tejet profesionale, sidomos gjuha e bukur, tek Fjala e Lirë, më obligojnë të ndalem më shumë. Shkrimi studimor i Hajri Shehut për figurën e profesor Anthony Espositos përfaqëson një kontribut me vlerë të shumëfishtë në fushën e albanologjisë bashkëkohore, historisë së leksikografisë dhe marrëdhënieve kulturore shqiptaro-anglofone. Teksti ndërtohet mbi një bosht të qartë akademik: prezantimin biografik e profesional të një dijetari të rëndësishëm të leksikografisë angleze dhe analizën e rolit të tij konkret në përfshirjen dhe trajtimin shkencor të elementeve shqiptare në Oxford English Dictionary (OED). Në planin metodologjik, Shehu ndjek…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page