top of page

Gjërat arkivore … Diplomatique


Gjërat arkivore … Diplomatique

Fatmir Terziu

Diksion

Unë po bëj kërkimin e fundit në tërë këtë mori librash. Fletët kilikosen në mesin e tyre dhe skuqen dyfytyrëshi. Pastaj qepen në të tyren, të riformatohen libërthi, pa problem. Mendime, të shpërndara në mënyrë të barabartë (nëse them kështu … sigurisht me veten dhe vetë.) Shënimi i libërthit, rikoshetohet në zbrazëtinë e mureve, për të shkuar në sakëlldinë e mendimit që mungon. Pastaj lapsi. Përzierje e shpejtë e nakatosur e shënimeve të markës gjenerike, karbon i zbehtë në të bardhë. I zgjas gishtat e brendanjësuar në doreza të bardha dhe i kacafys në çantën e kyçur me dhëmbëza të vockla të zinxhirta. Rrëmbej një shenjë bujare diku në të zverdhurën e metuar ngashtazi dhe ngutem të vidhas sytë në një çehre të butë të një poze pas shiut poshtë aktit gustator të zbrazjes shpejt e shpejt të shënimeve në memorje. Dhe unë ndjej strukturimin e lotëve.

Brenda dhe jashtë ndërgjegjes

Jo”, ulërin ndërgjegjja ime, “nuk do të bërtas tokë e copëtuar”. Unë shtoj një shkronjë tjetër për fyromë të fjalës, pastaj një tjetër për të pohuar mbizotërim në strukturën semantike. E rrasoj shkrimin në furrën e vogël të pjekjes së mendimit, ngjan triumfuese!

Por detyrimi tjetër më shprish atë që më shënjon nga shpirti. Unë ngrij kur përpiqem të rregulloj cilësimin e shënimeve që bulojnë në ballë, jo thjesht për hir të nxehtësisë, por të grumbullit magjik e dhimbës të shekujve, që sorrollaten në panjohje në këtë pikë.

Unë dëgjoj zërin tuaj aq qartë, siç jeni akoma duke udhëtuar nga kahja tjetër: “duhet të shtypësh butonin Diplomatique, shkruhet shumë më shpejt”.

Lotët fillojnë të rrokullisen. Unë mendoj se sa i emocionuar ishit kur mendimi flluskonte në mënyrë të habitshme, vetëm pak kafe, ndonjëherë kaq pak kafe të freskët në dhomën ku heshtjet flasin diplomatikisht.

Heshtjet do të ndjenin se bëhej shaka për preferencat tuaja të këmbënguljes, me gjasë një produkt me shijen tuaj superiore, Kombi, Gjuha, Kultura, Identiteti… një e tërë Iliria, Arbëria, Shqipëria … E shënimi i shkurtër, i ngjeshur, i firmosur dhe i vulosur në të njëjtën semantikë të pandryshuar, Albania. E ndjej “dhimbjen tuaj”…. E ndjej se më keni mirëkuptuar! Por a më keni vlerësuar?

Realiteti dhe fakti

Sigurisht, do të kishe vlerësuar gjithçka që unë bëra për Ju, por gjithmonë ishte më mirë kur fjala përputhej me idenë në kokën tuaj ... kur e bëra ashtu si ju do ta kishit bërë (nëse do të ishit mjaft mirë për të ringritur forcën e madhe të Njeriut dhe jo thjesht si për ta gatuar këtë ide vëtëm për veten përsëri.)

Në të tashmen, unë shtyp butonin NJOHJE dhe iki nga kulisa për të mos kujtuar të shkuarën, por edhe për të mos e harruar atë. Është një shenjë e mirë që na kujton dhe na zhbirron në rrugëtimin jetik. Unë ulem në tryezën e madhe ku ishit ulur Ju, të Trembëdhjetët, duke u ndezur në shenjat e padukshme të kohërave dhe nënshkruat. Unë e ndjej dhimbjen që i trokiti zemrave të thyera, të copëtuara, të ndara… Eh, moj e mira, Albania!

“Më ka marrë malli”, bërtas në një dhomë të zbrazët. Lotët e ngrohta i mbështjellin faqet në mjedisin me ajër të kondicionuar. Ndihem kaq i vogël. Ndihem aq i marrëzishëm që qaj në zemër për gjëra të shkuara, gjëra që risku i solli të tilla në globe të vegjël lotësh.

Ndihem kështu ... kështu ...

Kambanat e kambanonet

Një kambanon vdes në korridorin e gjatë të delegacioneve. Unë e fshij lotin që bulitet me cepin e bardhë të shamisë dhe e zhys si dëshmitar në xhep, bashkë me atë shtriqmë që u platua në të gjithë fytyrën time dhe e veçoj përsëri tek dollia që ngrihet më tutje. Është një furrë e bashkëkohëshme diplomatike.

Dorëzojeni në furrë … furrë, zhyteni mbi gatesë, vendoseni mbi tavolinë. Rrëmbej vaskat plastike me shënime të freskëta dhe i shijoj si guacamole të nxjerra nga frigoriferi dhe me një lapës nga sirtari i madh që ngjitet pak kur përpiqesh ta hapësh i lë mendimet e mia për të Tjerët. I zgjedh fletëzat si pjesët marule dhe i shpëlaj nën qashtërsi.

A ka të mbaruar?

Eh, …eh… e mbaroj recetën. Unë tërheq një karrige. Unë ulem në tavolinë dhe përhumbem mbi shënime. Një për një. Një për të gjithë ato dhjetëra vite të murrosura në heshtjen e tyre. I thonë arkivë, Arkivë Britanike. A ka të mbaruar?! … një e tërë Iliria, Arbëria, Shqipëria … E shënimi i shkurtër, i ngjeshur, i firmosur dhe i vulosur në të njëjtën semantikë të pandryshuar, Albania.

83 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page