
Gjyqe
Astrit Lulushi
Akuza; Pro-fashist,
Dënohesh me vdekje
(në mungesë).
Gjyqi vazhdon
Në mendësinë e tyre.
Komunistë të veshur sport
Si dikur etërit mafiozë
Me kapele republike
E këpucë të bardha,
Rihapin të njëjtat çështje,
Ku shtojnë fjalën “poli-agjent”,
Pas emrit që përdorën
Për shokët e tyre, dhe i qërruan.
Oreksi për të zbuluar, damkosur
Vrarë përsëri është rihapur.
“Hakmarrje!”, thërrasin,
Por thirrja bumerang kthehet;
Janë ata ndaj të cilëve
Haku duhet të merret
Prej atyre që dje hoqën,
Për një fjalë goje,
Në burgje, gropa e qeli nëndhe.
Enden ministrive e parlamenteve,
Palarë, rrugeçër dikur,
Sot kashaisur si kuaj cirku,
Dje, Djem të bashkuar të ideve k....
Këta çuna, Çebatikë të kohës sonë,
Trotuareve bredhin
Atlete adidas veshur
Kamulflazh e kilota,
Taksa mbledhin dhe
Studiuesit e nomenklaturës
I lëshojnë arkivave si zagarë
për të kapur gjahun e tyre.
Shqipëria vazhdon të sundohet
Nga e njëjta parti me emër tjetër;
Mendojnë se një ditë populli
Do t’i harrojë krimet e tyre.
Brezi i vuajtësve ngadalë po shuhet,
Njerëzit pas nuk e dinë si ishte,
Por le të shohin këtë kohë,
Që i ngjan asaj periudhe
Si të ishin dy pika uji.
Pellg ujëndënjur, Shqipëri,
Këtë e ke nga bijtë e tu
Që i lave, i pastrove
I mëkove, i ushqeve,
Por u ndanë me të njerkës
Që një ditë për ty të thonë,
Se nuk ishe nënë e mirë.
Comments