
GJETHE KUJTIMESH
Vjeshtë me velenxë gjethe kujtimesh.
Këto gjethe, tullumbace ajri,
shkundur
supeve të gërryera të mallit,
trazuar erërave të thara
buzëve të djegura, braktisur.
Sythe të fjetura,
në pritje të një çap zgjimi.
Pranvera dremit,
nën gjethe të vyshkura harrimi.
Shkunden, bien nxitimthi gjethet
supeve, lloha ngrënë.
Mbrapa, ca spërdredhje dallëndyshesh,
nën strehë qerpikësh,
mbështjellë me heshtje harrese,
në ikje lënë.
Këto gjethe vjeshte kujtimesh
më sjellin, më sjellin
shirat e ngrohta të vendlindjes
vaditëse të të miave rrënjë.
Më sjellin, më sjellin:
Erërat - krehër, që më krehin flokët,
diellin - buzë që më puth ballin, hënën - fill argjendi që më qëndis shtatin, qiellin - pelerinë yjesh që më mbulon shtatin, pyjet - ëmbëlsi që më shtrëngojnë fort në gji, lumin - magjistar që më thur magji.
Këto gjethe kujtimesh, frymë frymimi, zjarrit të zjarreve.
Janë aty këto gjethe, të përflakura, ruajtur në sythe sythesh marsi, në bulëzat e mollëzave të gishtave aromë manushaqesh.
Këto gjethe kujtimesh, mbështjellë me hoje mjegullash ari ngjisin e zbresin shkallët e mallëngjimit.
Ah, këto gjethe, këto gjethe, këto gjethe! I ninullojnë pranverës tek çapit mbi supe resh, nuse ëndrrash me duvak.
Të gjitha nga pak, nga pak, shuajnë mallin që përvëlon në gji shallë ujvarash varur qiellit ditë e natë.
Ngarkuar vjeshta
me gjethe të arta malli dot s’i rrëmben e kalb dimri
kurrë s'ka për t'i tharë acari.
Comments